E merkure, 16.10.2019, 06:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Sejdo Harka: Fole kombëtare e mërgatës shqiptare në Suedi

E diele, 18.11.2018, 11:10 AM


SHOQATA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE SHQIPTARË ”PAPA KLEMENTI XI ALBANI” – ”FOLE KOMBËTARE” E MËRGATËS SHQIPTARE NË SUEDI

Nga Sejdo Harka

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë”Papa Klementi XI Albani”,e krijuar më 26 Nëntor të vitit 2011, në zemrën e vendit të paqes mbi 200-vjeçare, në Suedi,sot mund të themi se është kthyer në një institucion vullnetar shumëdimesional,që kryen një veprimtari të dendur atdhetare dhe letrao-artistike. Themeluesit,veprimtarët dhe frymëzuesit e kësaj  shoqate janë të shumtë, por në pamundësi për t’i përmendur të gjithë,po  citojmë emrat e disa prej intelektualëve më të zellshëm  të saj, si Hysen Ibrahimi (kryetar i shoqatës), Fetah Bahtiri, Osman Ahmetgjekaj, Sokol Demaku, Bedri Paci, Remzi Basha, Bajram Muharremi, Fahredin Berisha, Saranda Iseni, Sadulla Zendeli-Daja, Qibrie Hoxha, Rrahman Rrahmani…,të cilët e drejtojnë atë me pasion dhe përkushtim të madh. Me punën e tyre të palodhur ata kanë mundur të rritin numrin e anëtarëve dhe të anëtarëve të nderit, jo vetëm në Suedi, Shqipëri, Kosovë e Maqedoni,por edhe në disa vende të tjera të  Evropës e  botës, ku punojnë e jetojnë shqiptarë. Në këtë shoqatë japin ndihmesën e tyre edhe shumë itelektualë të zëshëm që banojnë në Tiranë si shkrimtari   Viron Kona, Prof.As. Dr.Murat Gecaj, pdagogu i Universitetit të Tiranës Prf. Dr. Zydi Dervish dhe publicistët Kadri Tarelli, Ibrahim Hajdarmataj, Kujtim Mateli, Bashkim Saliasi…, disa prej të cilëve, për ndihmesën e dhënë, janë pranuar “anëtarë nderi”. Për nga struktura e ndërtimit, veprimtaria dhe brendia e punës që kryen, kjo organizatë shoqërore e kulturore  është vazhduese  e veprimtarive të shoqatave më aktive e përparimtare të mërgatës shqiptare, të krijuara nga rilindasit tanë në shumë vende të botës, para dhe pas  themelimit Lidhjes Shqiptare të Prizerenit. Në themel të filozofisë së kësaj shoqate, sa artistike e letrare, aq dhe atdhetare, qëndron  filozofia iluministe e figurave  më të shquara të kombit shqiptar si Haxhi Filipi, Jeronim de Rada,Naum Veqilhaxhi, Thimi Mitko, Konstandin Kristoforidhi, Vaso Pasha, i ideolegëve të mëdhenj të Rilindjes sonë Kombëtare, Naim  e Sami Frashëri ,si  dhe vazhduesëve të rrugës së tyre: Fan Noli, Mid’had Frashëri, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda etj.

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, në Suedi, është vazhduese e ëndrrave dhe qëllimeve të mëdha  të shoqatave patriotike, të krijuara nga mërgata shqiptare në vende të ndryshme të botës  nga fundi  i viteve 1800 dhe fillimi i viteve 1900, si “Shoqata e Stambollit”, ”Dituria”, krijuar nga Sami Frashëri, ”Dëshira”, ”Vllazëria Shqiptare”, Federata “Vatra”, themeluar nga Noli në Amerikë,Shoqëritë “Bashkimi“dhe “Agimi”, që kontribuan për organizimin e Kongresit të Manastirit, i cili krijoi alfabetin shqip.Edhe pse Shoqata “Papa Klementi XI Albani” e zhvillon veprimtarinë e saj në kushte të tjera të reja, ajo vazhdon të thellojë punën e pararendësve, veçanrisht  në këto  dy drejtime  themelore: Mësimi i gjuhës shqipe nga e gjithë mërgata shqiptare dhe ruajtja, kultivimi e zhvillimi i mëtejshëm i kulturës, letërsisë, artit  dhe traditave patriotike shqiptare. E mbështetur në thelbin e filozofisë së Rilindjes ”Feja e shqiptarit është shqiptaria”, kjo shoqatë synon të mbjellë idenë e bashkimit shpirtëror, kulturor e atdhetar të gjithë shqiptarëve, kudo që  punojnë dhe jetojnë.

Të shkruash për veprimtarinë atdhetare  krijuese dhe kulturore të kësaj shoqate, që mban emrin e shqiptarit të madh Papa Klementi XI, i njohur si një nga  Papët më të zotë të Vatikanit, duhen faqe të tëra. Por, në pamundësi për t’i  përmendur të gjitha, po ndalemi në disa nga drejtimet dhe veprimtaritë kulmore të saj, që janë: Bashkimi në një ombrellë të përbashkët i të gjithë shkrimtarëve e artistëve të të gjithë mërgatës shqiptare në Suedi. Sigurimi i  mbështetjes së shkrimtarëve dhe të artistëve  shqiptarë, që punojnë e jetojnë në trojet e tyre në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni dhe të mërgatës shqiptare, që punon jashtë trojeve të tyre etnike. Evidenton vlerat e krijimtarisë artistike e letrare të krijuesëve  të mërgatës  dhe i pasqyron ato në librin e saj serjal perjodik “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Publikon veprat e reja të botuara nga anëtarët e shoqatës dhe mërgimtarëve të tjerë.Zhvillon konkurse dhe ndan  çmime të ndryshme,si ai për poezinë.Arkivon libra të ndryshme letrare artistike dhe me përmbajtje studimore-shkencore,në bibloteka kombëtare e universitare në Suedi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni…

Dërgon  për të publikuar në shumë media të shkruara vizive e portale  të ndryshme një shumllojshmëri materjalesh informuese dhe studimore-shkencore. Organizon promovime e panaire librash dhe sesione shkencore për çështje të rëndësishme të kulturës,artit,gjuhës dhe letërsisë shqipe. Veprimtari të tilla të larmishme  ka zhvilluar kjo shoqatë edhe në disa qytete të Shqipërisë si në Tiranë, Durrës, Laç, Lezhë, Krujë, etj .Veprimtari i palodhur i kësaj shoqate Sokol Demaku, krahas punës si mësues  në Borås të Suedisë, drejton dhe revistën ”Dituria” dhe një portal në gjuhëh shqipe, të cilat i ka kthyer në mjete të fuqishme  për transmentimin, ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës dhe gjuhës e letërsisë shqipe. Për nga përmbajtja dhe dimesienet e veprimtarive të shumta e cilësore që kryen,kjo shoqatë mund të quhet ”Foleja Kombëtare” e mërgatës shqiptare, ndërsa  drejtuesit  dhe anëtarët e saj, frymezues dhe misionarë që  marin dhe përciellin nga emigracioni në Shqipëri e anasjelltas atdhetarizëm dhe dashuri, kulturë, art dhe  letërsi. Kështu e titullonte dramën e tij atdhetari dhe poliedriku Mid’hat Frashëri, me pseudonimin letrar Lomo Skëndo, e cila nuk e pa dritën e botimit kurrë. Kjo figurë e madhe, që kryesoi Kongresin e Manastirit për krijimin e alfabetit të gjuhës shqipe, që firmosi aktin përfundimtar të shpalljes së Pavarsisë, që punoi si ministër i qeverisë së parë të Ismail Qemalit dhe që ëndërroi e luftoi të ideonte folenë kombëtare të mërgatës shqiptare në Evropë, u përbuz e u censurua padrejtësisht deri në ditët tona. Në themel të brendisë së kësaj drame, me titullin kuptimplotë ”Foleja Kombëtare” qëndron konflikti mes Perandorisë Osmane, që synonte të forconte zinxhirët e robërisë dhe atdhetarëve të mërgatës shqiptare si N.Frashëri, S.Frashëri, J.Vreto, V.Pasha dhe motrat Qirjazi, që luftonin të këputnin me çdo kusht zinxhirët e kësaj rebërie, për të triomfuar mbi egërsinë e Sulltanit.

Dy mesazhe me vlera universale që burojnë nga brendia e kësaj drame janë: Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe bashkimi shpirtëror e kulturor i tyre,përmes mësimit të gjuhës shëipe dhe ruajtjes e zhvillimit  të kulturës e letërsisë shqipe, detyra që po lufton ta thellojë më tej kjo shoqatë, sa atdhetare, aq dhe letraro-artistike. Ishin pararendësit dhe pasardhësit e ”Folesë Kombëtare”, që e kuptuan se hija e vdekjes së kombit po vinte përmes varrosjes së gjuhës, kulturës, traditave, herojve dhe simboleve  të kombit.

Prandaj, të parën gjë që ata bënë, ishte krijimi i alfabetit shqip, çelja e shkollave shqipe dhe nxjerrja nga bodrumet e errta, ku i kishin futur sunduesit shekullorë Heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti.Gjergj Kastrioti-Skënderbe, është ngritur më lartë, përmes gjuhës së ngrohtë të poetëve tanë të Rilindjes,e cila me forcën dhe bukurinë e saj pati peshën e shpatës së tij të rëndë, me të cilën korri kokat e pushtuesëve tanë të egër. Ajo që e ka dëmtuar bashkimin tonë kombëtar kanë theksuar rilindasit tanë dhe vazhduesit e mëvonshëm të rrugës së tyre, si Konica, Fishta, Çabei, Rugova dhe  veçanrisht Kadareja, është mosmarrveshja mes shqiptarëve. Këtë dobësi të shqiptarëve kërkon të stigmatizojë Naimi, në ato vite të vështira, përmes pyetjes retorike: ”Gjithë kombet gëzojnë/Ti Shqipëri pse s’gëzon?! Mosmarrveshja mes shqiptarëve ka sjellë dilemën e gjatë: ”Do të bëhet  apo jo Shqipëria?! Njerëz të ndryshëm në kohëra të ndryshme i kanë dhënë përgjigje të ndryshme   kësaj pyetjeje dilemë: ”Shqipëria s’do të bëhet se atë nuk e duam ne”; ”Shqipëria do të bëhet për inat të djallit dhe të shqiptarit”; ”Shqipëria do të bëhet vetëm nga shqiptarët e bashkuar shpirtërisht e mëndërisht, për të çuar në vend ëndrrën e tyre shekullore”.

Ajo që e mbron një komb nga erozioni i asgjësimit,është vullneti për të qënë bashkë, larg konflikteve të kota. Pikërisht, për ngulitjen thellë në kokën e çdo shqiptari, kudo që punon dhe jeton, duhet shumë punë e përgjegjësi nga të gjithë intelektualët dhe krijuesit në të gjitha disiplinat shoqërore kulturore dhe shkencore. Pa mohuar punën e bërë,për krijimin e kësaj bindjeje, edhe kësaj shoqate i dalin detyra të mëdha.Botimi i librit me vëllime periodike ”Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqipotare në Suedi”, është një sfidë, që nga dimesionet shumëplanëshe i ngjan një enciklopedie studimore kulturore e letraro-artistike. Veprimtarët e shoqatës edhe përmes botimit të këtij libri janë bërë  ambasadorë të vërtetë të përçimit të filozofisë së bashkimit si dhe të kulturës, atdhetarizmit,  letërsisë dhe të arsimimit në gjuhën shqipe, kudo që punojnë e jetojnë shqiptarë. Protagonistë kryesorë të këtij libri voluminoz janë bërë veprimtaria patriotike dhe letrare e rilindasve tanë si vëllezërit Frashëri, J.Vreto, V.Pasha dhe vazhduesëve të veprës së tyre; Figura e Skënderbeut dhe e Papa Klementit XI, si një nga papët më të mirë të Vatikanit; Ibrahim Rugova, si projektues i lirisë së popullit Shqiptarë në Kosovë; Luigj Gurakuqi, si veprimtar i shquar i lëvizjes demokratike shqiptare, si pjesmarrës dhe organizator i Kongresit të Manastirit dhe poet e publicist unik. Vend të dukshëm në faqet e vëllimit të nëntë zë kontributi i Familjes Jasharaj,e cila me shëmbullin e saj të rrallë u bë simbol i mbrojtjes së identitetit kombëtar dhe tërësisë etnike shqiptare.

Lufta e Jasharajve, theksohet në këtë libër, i tregoi botës dhe shiptarëve se si mbrohet pragu i shtëpisë. Protagonistë të këtij libri janë bërë edhe patriotë të tillë si Ziadin Sela, i cili me flamurin shqiptar në dorë nuk lejoi të shkeleshin të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni.

Një vend të dukshëm në faqet e këtij libri zënë përpjekjet që bën mërgata shqiptare në Suedi për çeljen e shkollave në gjuhëhn shqipe dhe ruajtjen e zhvillimin e tyre në të ardhmen, si një nga rrugët më kryesore që i shërbejnë ruajtjes së identitetit kombëtar, kulturës dhe traditave tona. Kjo punë gjen pasqyrim të thellë në librin e studjusit Hysen Ibrahimi ”Arsimi shqip në Suedi”, i cili është bërë objekt analizash, diskutimesh e vlerësimesh nga lexues e studjues të shumtë. Mësimi plotësues i gjuhës shqipe në shkollat suedeze, falë dhe ndihmesës së shtetit suedez që ndjek një politikë arsimore thellësisht demokratike e dashamirëse me emigrantët, ka filluar që në vitin 1968. Mësuesi i parë i gjuhës shqipe në këto lloj shkollash, siç theksohet edhe në këtë libër, ka qënë Begzat Beqiri. Ndërsa në Nybra të Suedisë, ai që çeli shkollën e parë shqipe në këtë qytet, në vitin1975, ishte mësuesi, filologu dhe poeti Sadulla Zendeli-Daja. Por vrull më të madh, hapja e shkollave shqipe në Suedi, mori pas vitit 1990, kur atje u krijua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë ”Naim Frashëri”. Ndihmesë të veçantë për çeljen e këtyre shkollave kanë dhënë dhe japin misionarë të tillë të arsimit shqip, si Muhamet Shatri, Ramadan Shala, Fetah Bahtiri, Osman Ahmetgjekaj, Kimete Miftari etj.

Krahas Ministrisë së Arsimit suedez, ndihmesë të veçantë kanë  dhënë dhe personalitete të shquara të kulturës suedeze si albanologu  dhe miku i njohur i shqiptarëve, suedezi Prof. Ullmar Qvick. Veprimtaria e gjerë e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, në Suedi e gjen frymëzimin tek dashuria për kombin dhe gjuhën shqipe dhe tek shembulli i rrallë i Shenjtores Nënë Tereza,e cila mes të tjerash  thekson:”Njeiu vjen në jetë për të bërë vepra të mëdha e të dobishme për kombin dhe gjithë njerëzimin”.

Krahas punës së madhe që bën kjo shoqatë për botimin dhe përurimin e librave të shumtë studimorë dhe artistikë si “Trimat e Dardanisë”,shkruar nga poetja Drita Braho, pastaj ”Na bashkoi poezia”, shkruar nga Ymrije Beqiri dhe Ilmi Dervishi, etj, me vlerë të madhe do të ishte dhe ribotimi, analiza dhe diskutimi i veprave kryesore të rilindasve tanë të mëdhenj dhe veçanrisht i krijimtarisë letrare të shkrimtarëve tanë të mëdhehj si Mid’had Frashëri (Lumo Skëndo), veprat e të cilit, për arsye ideologjike  nuk gjetën kurrë dritën e botimit.

I mbyllim këto shënime të shkurtëra për një punë të madhe, me  mirënjohjen dhe respektin më të lartë për Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, në Suedi dhe intelektualët që e drejtojnë dhe  frymëzojnë atë, me punë e përkushtimin për të mirën e kombit dhe të gjithë shqiptarëve.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT