Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ferit Fixha: Norvegjia një ëndërr e prekshme

| E diele, 18.11.2018, 12:01 PM |


NORVEGJIA NJË ËNDËRR E PREKSHME

Shënime udhëtimi

Nga Ferit Fixha

Kisha lexuar nëpër libra për Norvegjinë, isha njohur me dramat e dramaturgut të shquar norvegjez, Henrik Ibsen, por erdhi koha ta prekja këtë vend,duke udhëtuar një mëngjes korriku drejt tij, së bashku me nipin tim, Ledio.  Atje banojnë vajza Vjollca, dhëndrri, Xhevahiri, nipi Mario dhe mbesa Sara.  Vajtja në Norvegji ka edhe një shkak tjetër, përveç etjes turistike dhe plotësimit të kuriozitetit: takimi e çmallja me njerëzit tanë të dashur. Ndaj këtë mëngjes sesi ndihemi, sikur do kapërcejmë tjetër botë. Kështu, ndoshta ndodh gjithnjë ndërsa nisesh drejt vendeve të panjohura. Në avion, nipi më tregon itinerarin e udhëtimit, duke shfrytëzuar internetin. Nga Prishtina, linja vijon direkt për Oslo. Fluturimi në ajër i ngjan vërtet një ëndrre të bukur,të duket se po takon dorën e përëndisë, futesh në mendime dhe koha e shkurtër që të mundëson ajri, ta bën edhe më të bukur këtë, sepse lë pas diçka që përjetohet dhe kujtohet vazhdimisht për shkak të efektit magjik të fluturimit. Kur mbërritëm në aeroportin Gardermoen të Oslos, ishte ditë edhe pse ora shënonte 22.30. Dhe ishte një peizazh fantastik me pyje,lumenj,liqene që ngjanin sikur rrinin ashtu të heshtura sipër mijëra viteve të shkuara dhe për  shekujt që do vijnë. Po shtëpitë e banimit ku janë?Pas ca kohe duken edhe ato…Për Oslon  ku po shkoj kisha lexuar edhe më parë dhe dija se ajo nga viti 1225-1925 quhej Kristiania dhe se kryeqyteti i Norvegjisë para saj kishte qenë Bergen. Dija gjithashtu se Oslo ka 674736 banorë. Përveç norvegjezëve me prejardhje vikinge, aty jetojnë raca dhe kombësi të ndryshme nga vende euriopiane,aziatike dhe afrikane. Që të gjithë ndjehen norvegjezë dhe s`ka sesi, sepse shteti i Norvegjisë u garanton të gjitha të drejtat njerëzore e ligjore, dhe kjo, rrjedhimisht, e sjell vetiu harmoninë dhe normalitetin, duke ngritur në kult demokracinë funksionale dhe jo demokracinë që serviret si demagogji në vendet e Lindjes. Edhe pse jetojnë, siç e thamë ,nga vende të ndryshme të botës, si shqiptar interesohem për shqiptarët,kjo, një prirje e natyrshme dhe që nuk të merret për nacionalizëm,por si një thirrje e gjakut dhe e njohjes nga afër të vëllezërve të tu,që,veçanërisht, bëhen më të afërt kur i takon rrugëve të botës. Aty, në Oslo, jetojnë shqiptarë nga Kosova më shumë sesa shqiptarë nga Shqipëria. Në këtë kontekst historik, kjo është e vetëkuptueshme. Të vjen mirë kur dëgjon sesa përrallueshëm janë integruar dhe përshtatur me jetën atje.  Si fillim,kishin mësuar gjuhën me kurset që organizonte shteti norvegjez,pastaj pasioni ishte rritur duke perfeksionuar një profesion dhe më e prekshme akoma, që të afrohet me një ndjenjë krenarie, është se  kishin fituar respektin e kompanive ku punonin. Ndjehesh i kënaqur tek dëgjon fakte që flasin për histori suksesi të njerëzve tanë atje. Një inxhinier nga Rrajca, së bashku me të shoqen, punonin si drejtues kryesorë teknikë në një kompani të madhe që kryente punime komplekse. Fotaqi me Mimozën nga Vlora punonin në Oslo prej shumë vitesh dhe tregojnë se në Norvegji njihet vetëm puna dhe vlera e vlerësimit real të saj. Mimoza, pas ca ditësh, do fillonte punë si edukatore kopshti. Rastet janë të shumta dhe ato të lënë një shije të mirë.Shqiptari me mbiemrin Dashi kishte ngritur një kompani transporti. Kimisti Xhevahir Qoshku nga Librazhdi punonte si specialist i përkushtuar në një kompani ndërtimi, ndërsa e shoqja, merceloge, kishte punuar si menaxhere në një kompani fast food - esh. Po kështu djali i tij, Mario, punonte në një bar kafe, pronë e një turku në Sagene, kurse vajza Sara studionte në universitetin e Lillehammerit. Në rrethin,shoqërinë e shqiptarëve, ndjehesh si në Shqipëri dhe po kaq regëton një gëzim i natyrshëm tek dëgjon nga goja e tyre sesi ata kanë arritur të integrohen shpejt, të përfitojnë nga mundësitë që të jep jeta atje, dhe sesi këto mundësi shfrytëzohen përmes punës së palodhur. Në aeroportin e Oslos u njoha me një zonjë nga Kosova, me mbiemrin Haliti, lindur në Gjakovë, rritur në Tetovë. I shoqi ishte psikiatër ,profesor ,ndërsa ajo kishte punuar mësuese. Të pesë fëmijtë i kishte me arsim të lartë, shkolluar në Norvegji. Ajo me të shoqin e ndante kohën midis Norvegjisë dhe Shqipërisë. Tani si pensionistë, rrinin në Tiranë dhe riktheheshin prapë në Norvegji. Në bisedë me të, ajo tha se njeriut jashtë vendit të tij diçka gjithnjë i mungon,sado mirë të jetë në dhe të huaj.Edhe pse i ke të gjitha, jeta si në kornizë ta kujton gjithmonë lirshmërinë dhe mallin e vatrës.  Rrjeti i profesionistëve shqiptaro-norvegjezë organizoi ,më 8 gusht 2018, një veprimtari ,duke bërë prezantimin e kulturës shqiptare: këngë, valle, simbole kombëtare, ushqim, fletëpalosje dhe miniekspozita turistike.Moderatotja Mira Fero dhe kryetari i Rrjetit Bujar Shala u shprehën se veprimtari të tilla na e bien atdheun më pranë,bëhen të afërta dhe atraktive edhe për vendasit,po më së shumti mbajnë gjallë ato tradita që kërcënohen në kohën e sotme nga ruli i rrafshimit global.Në Oslo, ke dëshirë të shëtisësh,të njohësh njerëz dhe të ndjesh nga afër kujdesin e dikujt që nuk të njeh, po nuk mungon ta japë një ndihmë që e kërkon.Kjo është frymëzuese dhe relaksuese.Po edhe kureshtia të shtyn të shkosh e të njohësh nga afër njerëzit me të cilët lidhesh dhe kontakton.Kështu,një ditë,unë, Vjollca, Ledio,Sara,vajtëm tek ish - puna e Vjollcës. Aty na priti kroatja Dragica, e cila na qerasi me qebap. Për ta nderuar i thashë Dragicës: “Kroacia u shpall në futboll nënkampione bote ,kurse ju qenkeni kampione në shërbim e gatim”. Ajo na e ktheu falenderimin duke na buzëqeshur me mirësjellje,plot kuptim e dashamirësi. Të huajt e vlerësojnë komplimentin me seriozitet,dinë ta kthejnë po kaq natyrshëm.

***

Një pjesë e mirë e territorit të Oslos është e mbuluar me pyje e gjelbërim.Ujërat e Detit të Veriut,liqenet dhe lumenjtë e shumtë ofrojnë efektet e tyre relaksuese. Nga 385.203 km2 që ka Norvegjia, Oslo shtrihet në 481 km2 të saj.40 ishuj i rrinë rreth e rreth ,disa të banuar,duke krijuar kështu një peizazh që të tërheq në shpërndarjen e tij.Gjatë verës klima ngjan me  pranverën në Shqipëri.Bien shira të imët e pa rrebeshe.Dimrit bie mbi një metër borë. Liqeni Songsvann i destinuar si zonë argëtuese për  piknik, si pasqyrë argëtuese gjatë verës dhe për ski në dimër,ngrin shpesh nga i ftohti. Çdo lagje e Oslos, mbuluar nga gjelbërimi,përshkohet nga një transport tokësor i shumëllojtë dhe i përpiktë(autobus,trik,trena të zakonshëm dhe ekspres,T-ban), pa folur këtu për transportin detar dhe ajror,mjaft i zhvilluar.Oslon e hijeshojnë instuitucionet e ndryshme mjaft prestigjioze si ato kulturore,shkencore,sportive,social- ekonomike,universitare,shkollore,objekte kulti,kisha dhe xhami,ku objektet kombinojnë me shije arkitekturën tradicionale me atë moderne.Infrastuktura ka standarte të larta dhe dhe në rast se udhëtuesit i krijohet një vonesë mbi njëzet minuta,ai ka të drejtë të marrë taksi dhe këtë ia paguan kompania e transportit. Rrugët e Oslos, të pastra dhe plot dritë ,të bëjnë për vete dhe të krijojnë imazhin e qetësisë e të shpejtësisë,të ngjan se nëpër to mund të shkosh kudo.Në rrugën “Karl Johan”me emrin e  ish -Mbretit të parë të Norvegjisë, që nis afër “Sheshit të punëtorëve”,më 17 maj të çdo viti festohet “Dita e pavarësisë”(1814, kur norvegjezët u shkëputën nga sundimi suedez). Mund të shohësh festues, veshur me kostume kombëtare dhe, nën tinguj të muzikës popullore, paradat dinjitoze që shoqërohen me përshëndetjet e Mbretit. Bunad quhen kostumet popullore norvegjeze, që janë  të stilizuara, të qendisura e të dekoruara me mjaft mjeshtëri.Në dy anët e rrugës vijnë: Parlamenti, Universiteti i Drejtësisë, Banka Kombëtare, Mediat(gazetat kryesore të vendit). E veçantë për nga arkitektura  kridhet në gjelbërim  edhe rruga “Bygdoy Alle” ku shtëpitë e stilit të vjetër u ngjajnë pikturave. Aty janë vendosur shumë ambasada. Në fund të rrugës, një gji deti përkund në heshtje mjetet e vogla të lundrimit. Pak kilometra në lindje të këtij gjiri është limani Aker Brygge dhe më pas Porti  i madh detar. Në fund të rrugës “Bygdoy Alle” është shtëpia e Mbretit.

***

Norvegjia si mbretëri kushtetuese,me popullsi skandinave,pasardhës të vikingëve të famshëm,ka një sistem politik, i cili realizon një qeverisje për popullin në mënyrën më të drejtë të mundshme. Assesi nuk mund të anashkalohen arritjet e saj ekonomike, reflektim i kësaj politike si dëshmi e një populli punëtor e të kulturuar.Edhe pse për shkak të klimës prodhohet vetëm gruri,patatja e ndonjë produkt tjetër,tregu i saj është i tejmbushur me të gjitha llojet e mallra të konsumit të gjerë.Kjo vjen edhe si rezultat i një arsimimi solid dhe inovacioni teknologjik,çka i sigurojnë asaj të ardhurat më të larta në Europë për frymë.Ajo eksporton naftë(ndër 20 vendet e kreut botëror të nxjerrjes së naftës),eksporton peshkun salmon;por zhvillimi i saj nuk ndalet deri këtu,sepse na duhet të shtojmë se edhe industrinë e naftës e ka shumë të zhvilluar, po kështu mbrojtjen, turizmin,arsimin  dhe peshkimin.Ajo zë vendin e parë në Europë për konsumin e energjisë elektrike, bazuar në  burimet ujore,hidrocentralet.  Në Norvegji po përdoren gjithnjë e më shumë makinat elektrike, prodhime të kompanisë amerikane”Tesla”.Janë vendosur aparatura për karikimin e tyre dhe parkim pa pagesë. Nga ky vit e deri më 2026, në perëndim të Norvegjisë, bregdetit të Detit të Veriut, nga Kristiansand ,në jug, e deri  në Trondheim në veri, do të ndërtohet autostrada1100 km me një investim 47miliardë dollarë. Ajo do ketë edhe tunelin më të gjatë nënujor në botë,400metra nën ujë,si dhe një urë të madhe lundruese. Në vitin 2020 Norvegjia do të hedhë në det anijen e parë elektrike prodhuar nga firma amerikane “Tesla”. Duke iu rikthyer sërish naftës si një burim  tepër jetik, këtu nuk mund të mos përmendim një të dhënë historike.Ishte inxhinieri me origjinë irakiane Faruk Al Kasim  që u martua me një norvegjeze dhe u vendos aty, i cili zbuloi më 1968 se në brigjet e Detit të Veriut kishte shumë naftë.Fillimisht nuk e besuan.Këtë të drejtë ia dha kompania amerikane “Filips Petrolium” me shpimet e saj.Shteti norvegjez krijoi grupin “Stat Oil”që është edhe sot. Për vënien në jetë të projektit shteti mori borxh nga popullsia vendase. Nga 1969 deri më 1989 të ardhurat nga nafta u futun në buxhet. Pas vitit 1989 vetëm 4% e të ardhurave nga nafta futen në buxhet ,ndërsa pjesa tjetër  mbetet si fond i paprekshëm për sigurinë kombëtare dhe në rast emergjencash.Aktualisht ky fond ka arritur 854,9 miliardë euro. Kompani të fuqishme ndërtimi kryejnë një aktivitet ndërtimor të madh, duke ndërtuar blloqe të tëra banesash në vend me një arkitekturë moderne. Investitorë dhe kompani të fuqishme Norvegjeze kanë ndërtuar lagje të tëra edhe në Paris,Nju Jork dhe Londër. Gjithë ky zhvillim ekonomik nuk  kuptohet, as nuk merret si diçka e shkëputur nga politikat sociale, që në këtë shtet krijojnë një mirëqenie për të gjithë,dhe shprehin kujdesin e një shoqërie humane ,e cila vë në qendër njeriun dhe vetëm atë,duke krijuar një klimë të qetë dhe një frymëzim për punën dhe për të ardhmen.Norvegjia, pas Islandës, renditet e dyta nga Forumi Ekonomik Botëror për barazinë gjinore. Studimet në universitete, shërbimet spitalore dhe uji i pijshëm janë falas. Çdo fëmije, që kur lind e deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, i hapet një llogari bankare dhe kjo llogari preket nga personi kur vjen në moshën 18 vjeç.Të papunëve u krijohet mundësi të kualifikohen dhe të punojnë si praktikantë me gjysmë rroge gjersa të fillojnë punën rregullisht.Emigrantëve u është dhënë falas shtëpi banimi,u jepet mundësia të mësojnë gjuhën norvegjeze dhe kualifikohen njësoj si vendasit.Këtu mund të veçoj një rast sesi ndihet ndihma e pakursyer e shtetit norvegjez për të huajt.Vjollca Qoshku e ndërpreu për tre muaj kursin për nivelin e dytë të gjuhës norvegjeze, sepse shoqëroi në Itali të bijën për një operim dhe kurimin e saj;kur u kthye ajo jo vetëm që nuk u përjashtua nga ky kurs ,po duke parë njohuritë e saj,e kaluan menjëherë në nivelin e tretë. Shteti,studentëve të huaj me pesë vite banim në Norvegji,  u jep kredi pa interes dhe shlyerja bëhet vetëm pasi studenti fillon punën. Një pjesë e kredisë i falet. Për studentët e huaj që nuk kërkojnë punësim në Norvegji kjo kredi falet plotësisht.Çdo qytetar në Norvegji është i pajisur me kartën elektronike me numrin e veçantë kodik të personit. Në këtë kartë, duke shfrytëzuar rrjetin dhe pajisjet elektronike, hyjnë të ardhurat dhe kryhen të gjitha shpenzimet për blerje e shërbime: në shtëpi, punë, rrugë, dyqan, udhëtim etj. Brenda muajit Gusht të çdo viti, për vitin e kaluar, nga administrata e Tatim – Taksave, për çdo të punësuar bëhet bilanci i të ardhurave e shpenzimeve dhe mbi këtë bazë në kartat e të punësuarve kryhen nga banka veprimet përkatëse kompensuese.

***

Kultura që është brendësi e qenësisë së një populli, në Norvegji rrezaton dinjitet dhe përmbajtje, nëpërmjet objkekteve e veprimtarive të saj të shumta.Opera norvegjeze  është ngritur nga viti 2003-2008,me një arkitekturë kubiste. Është 54 metra e lartë dhe 16m nën nivelin e detit. E gjatë 207m dhe e gjerë 110 metra ,shtruar me mermer cilësor. Në det ,përballë Operas, ngrihet një monument kubist 16 metra i lartë,një version tredimensional i pikturës së Caspar David Friendrich (1774-1840). Ky projektrealizim i 158 artistëve nga 23 vende të botës,ka një strukturë çeliku me sipërfaqe të tejdukshme, të pasqyrtë, rrotullohet rreth boshtit të vet me lëvizjen e dallgëve të detit.Teatri i Madh Kombëtar është projektuar nga arkitekti Henrik Bull dhe u hap më 1899.Ai ka tri skena:Amfiteatrin,Sallën e Pikturave dhe Skenën kryesore.Aty jepet çdo vit çmimi ndërkombëtar “Ibsen”dhe skena kryesore e teatrit ka kapacitet për 741 persona ,ndërsa Amfiteatri për 200 vende, Skena e pikturave për 60 audienca. Muzeu i artit “Munch”me veprat e piktorit Eduart Munch u themelua më 1963,njëqind vjet pas lindjes së tij.Munch dhuroi rreth 1100 piktura 15.500 fletë grafike të shpërndara në 700 motive, 4700 vizatime dhe 6 skulptura,500 pllakata të shtypura,2240 libra,fletore me shënime,dokumente,fotografi etj.Ky muze më 2020 do të transferohet në një ndërtesë të re.Në këtë vend shkenca dhe arti sikur shkojnë paralel me veçanësinë e vet secila.Dhe Muzeu Teknik është një shprehje tjetër e panoramës gëzuese për të kuptuar sesi ka evoluar teknologjia.Aty mund të shohësh sesi ka ecur industria,teknologjia,mjekësia në këtë vend dhe çfarë arritjesh njohin këto fusha sot.Në vitin 2011 ky muze u votua si muze i vitit.U themelua më 1914 me rastin e përvjetorit të pavarësisë.Pranë portit në Aker Brygge, ku punojnë 6000 vetë, ndodhet Qendra e Çmimit Nobël  për Paqen.   Monumentet e kulturës përfaqësuar nga objekte me cilësi të veçantë akrkitekturore,duket se janë në një konkurencë të heshtur bukurie dhe rëndësie e që në tërësi shprehin madhështinë e kulturës norvegjeze, po edhe thellësinë e dimension historik të saj, ndërthurur me atë moderne.Kështu,afër qendrës së Çmimit Nobël për Paqen, në Tjuholmen ndodhet muzeu Astrup Fearnley,muze i artit privat,hapur më 1993,me një koleksion të artit norvegjez dhe atij ndërkombëtar, ku ndodhen veprat e artistëve të tillë si:Francis Bacon,Andy Ëarhol,Anselm Kiefer,Gerhard Richter,Bruce Nauman,Cindy Sherman,Damien Hirst.Ai tërhoqi vëmendjen e botës së artit kur bleu skulpturën monumentale” Mikael Jaksonand Bubbles” të artistit amerikan Jeff Koon për më shumë se 51 milion dollarë në ankandin e  Nju Jorkut.Mjaft interesant dhe me veçanësinë e vet paraqitet Muzeu  Mbrojtjes,i cili ndodhet në qendër të Festiningssplassen. Përbëhet nga gjashtë departamente. Njëri prej tyre, Arkeshus Kalaja është një nga fortesat më të vjetra.Në shekullin e 17 u shndrrua në një kështjellë të Rilindjes.Kalaja mbi 700 vjeçare ka mbijetuar më shumë në rrethim,por kurrë nuk është marrë nga ndonjë fuqi e huaj.Kultura e një vendi duket si ruan natyrën dhe si popullsia e shteti kujdesen për kafshët.Kjo në Norvegji arrin nivelin maksimal të shfaqjes dhe nga ku mund të mësosh sesi jeton në respekt e në adhurim njeriu me natyrën duke i marrë e dhënë njëri tjetrit shumë vlera e resurse të pambarueshme.Parku i Madh Kombëtar shtrihet  në 45 ha .,në Kirkenvein ,me elementë të shumtë skulpturalë,dekoruar rreth e qark me gdhendje artistike-instalacione statujash të mëdha.Frogner Park mban instalacionin e e skulptorit Gustav Vigeland,krijuar më 1924 deri më 1943,si parku më i madh i skulpturës në botë,  ndërtuar nga një skulptor i vetëm.Rreth dy milion vizitorë vijnë aty në vit.Muzeu i Historisë Natyrore në Tojen të Oslos,si pjesë e Universitetit të Oslos, strehon koleksione të universitetit  dhe të kopshteve botanike,i ndarë në kopshtin botanik,kopshtin zoologjik dhe serat. Kopshti botanik mban koleksionin e bimëve të gjalla me 8500 specie bimore nga vende të ndryshme të botës, që përdoren për mësimdhënie,hulumtime dhe shpërndarje.Ndërsa në kopshtin zoologjik ndodhen kafshë nga e gjithë bota. Në sallën norvegjeze, kati i parë, ka kafshë të egra të vendit. Në katin e dytë,  është salla e kafshëve gjeografike me kafshë të egra nga gjithë bota. Ndërtesa e Muzeuit ishte dikur Selia e mbretitFrederik VI.Ai ia dhuroi atë Universitetit Mbretëror  danez të Frederiksbergut,sot Universiteti i Oslos, më 1812.Që nga viti 1999, të gjithë njësitë e këtij muzeu u bashkuan në një institucion.Muzeu ka koleksionin më të madh të historisë natyrore të Norvegjisë.Mrekulli më vete përbën Pista e Skive në Holmenkollbakken. Kjo pistë është ndërtuar mbi një kodër,në vitin 1892, dhe ka kapacitet për 70000 spektatorë. Që nga viti 1980 ka qenë pjesë e Kupës së Botës të FIS Ski Jumping dhe, nga viti 1983, i FIS Nordik Ëorld Cup. Këtu janë organizuar lojërat dimërore të vitit 1952 dhe kampionati i FIS Nordik Ëorld Ski në vitet 1930, 1966, 1982, 2011 dhe 2017.Shkenca, arti, sporti, është trinom i jetës në Norvegji,sepse norvegjezët nuk lodhen kurrë së mësuari,së zbukuruari dhe së forcuari.Aty ndërlidhen mjeshtërisht dhe natyrshëm gjithë etapat historike të së shkuarës me modernitetin dhe gjithçka ka vendin e vet,duke të ftuar të kuptosh se Norvegjia është një ëndërr e prekshme, nëse do ta duash këtë ëndërr dhe do të luftosh për ta arritur atë…