Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pierre-Pandeli Simsia: Ai është...

| E shtune, 17.11.2018, 07:58 PM |


AI ËSHTË...

"Ai njeri i qetë në të folur, ai artist që kisha përpara dhe kishim hyrë në një bisedë të ngrohtë miqësore vëllazërore, pamja e tij po më dukej fisnike; dhe në të vërtetë, kush e njeh dhe kush e shikon atë burrë, bindet për pamjen e tij fisnike..."

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Vite më parë, mes miqve të shumtë bashkëkombas të mbledhur në Kafe Kuvendi, në Michigan, me pronar bashkëshortët shkrimtarë poetë; Elinda Marku dhe Pjetër Jaku, për Aktivitetin më të madh Letrar Kulturor të Vitit, Ditët e Letërsisë Shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës" më ra në sy edhe një burrë shtatlartë.

Zakonisht, ne miqtë e ardhur atje nga shtete të ndryshme të Amerikës, por edhe nga Evropa, tek miqtë michiganas, ndjehemi të privilegjuar; ata mundohen me çdo mënyrë për të na ofruar mikpritjen, një ambient të ngrohtë vëllazëror me biseda të ndryshme, humor të këndshëm...

Midis miqve të shumtë, m'u dha rasti të njihesha dhe të bisedoja edhe me burrin shtatlartë.

Të ulur në ndenjëset e Kafe Kuvendi-t pranë tavolinës me gotat e rakisë përpara (Si çdo vit, raki e sjellë nga Shqipëria) nisi bisedë njohja jonë.

Miku i ri michiganas, me një të folur të ngadaltë, i qetë, me një zë të kthjellët burrëror, kumbues, në çdo fjalë që nxirrte nga goja e tij, kuptoje se kishe përpara një aktor, një artist profesionist të afirmuar.

Kuptova se po njihesha me një njeri të kulturuar.

Me këto mendime në mendjen time, ndërsa biseda sa vinte bëhej edhe më miqësore, duke buzëqeshur, i them: Ti duhet të jesh artist. Mos më thuaj jo, sepse nuk dua të zhgënjehem në mendimet e mija.

Ai, me modesti, buzagazi (Buzëqeshja i lulëzon në çdo kohë, në çdo bisedë në fytyrën e tij) duke më hedhur krahun rreth supit tim në shenjë aprovimi në ato çfarë unë isha shprehur, më përgjigjet: Kam mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, (Instituti i Artë i Arteve,i quajtur para viteve 90-të).

Edhe unë buzagaza njëkohësisht, që nuk kisha qenë i gabuar në mendimin tim. Po njihesha edhe me një mik artist tjetër shqiptar me banim në Michigan.

Meqenëse edhe unë kam njohuri nga arti muzikor dhe, në vitet e rinisë sime kam interpretuar në instrumentin, Trombë dhe e njoh mirë edhe sofezhin, u nxita që biseda dhe njohja jonë të vazhdonte më gjatë. Po na bashkonte një pikë e përbashkët, arti.

Nga kureshtja ime, në bisedë e sipër rreth artit, më thotë se është specializuar për dirigjim, njohës dhe interpretues i mirë i disa veglave të ndryshme muzikore, por, që ka talent edhe letërsinë, interpretimin poetik...

Sa kënaqësi po ndjeja në ato çaste!

Ai njeri i qetë në të folur, ai artist që kisha përpara dhe kishim hyrë në një bisedë të ngrohtë miqësore vëllazërore, pamja e tij po më dukej fisnike; dhe në të vërtetë, kush e njeh dhe kush e shikon atë burrë, bindet për pamjen e tij fisnike.

Artistët në përgjithësi kanë të veçantën e tyre. Me mjeshtërinë e tyre artistike dhe dhuntinë që kanë për të bërë art, si me magji të ftojnë dhe të hysh në botën, në shpirtin e tyre të pasur artistik.

Duke shkuar pothuajse çdo vit në Michigan në aktivitetin e përvitshëm, në festën e letërsisë shqipe, m'u dha mundësia për ta njohur më mirë atë njeri, atë artist, i cili ishte bërë pjesë e aktivitetit organizuar nga KUVEND-i.

Ai është artist i talentuar universal profesionist.

Ai është dirigjent, orkestrues, instrumentist, këngëtar rapsodik dhe folklorik, studiues dhe interpretues i këngës së bukur popullore shqiptare.

Ai është vazhdues dhe trashëgimtar i Foklorit të Artë, të Pashtershëm e të Pavdekshëm Shqiptar.

Ai është skenarist dhe regjisor.

Ai është moderator në aktivitetet e ndryshme kulturore letrare artistike që zhvillohen në komunitet dhe më gjërë, me një performancë të shkëlqyer.

Ai është bashkëshort i nderuar, prind, familjar i shkëlqyer me fëmijë të mbarë, të mirëedukuar.

Ai është burrë me kulturë të lartë qytetarie, mik, shok, i dashur me të gjithë, i respektueshëm, i nderuar, i vlerësuar.

Ai është artist i lindur për të bërë art; ai e ka shpalosur Artin e ndritur Shqiptar në të gjitha trevat shqiptare.

Ai është ndër bashkëkombësit e nderuar në Diasporën Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai mban një emër të nderuar.

Ai quhet: NDUE GJEKAJ

I lindur në Kastrat të Malësisë së Madhe, më 8 Qershor, 1956.

Ish banor i Shtetit Michigan, tani është banues në shtetin Florida, Sh. B. A.