E premte, 29.03.2024, 02:21 AM (GMT)

Kulturë

Fran Gjoka: Profil i një drejtuesi të përkushtuar

E premte, 16.11.2018, 08:26 PM


Profil i një drejtuesi të përkushtuar

Përvojë drejtuese e z. Bardh Dedgjonaj, drejtor i Shkollës Profesionale “Kolin Gjoka” Lezhë

Nga Fran GJOKA

Reformimi i pandërprerë i sistemit arsimor ka sjellë si domosdoshmëri para drejtuesve dhe mësuesve të mendojmë se theksi para së gjithash duhet vendosur në rritjen dhe forcimin e arsimit profesional, për të përgatitur sa më shpejt specialistë dhe punëtorë të kualifikuar, që të jenë të aftë për të përballuar me sukses tregun e punës. Si institucion bazë i sistemit tonë arsimor, shkolla është vendi ku mësohet dhe edukohet brezi i ri, këtu ai orientohet për jetën, për të ardhmen, prandaj është detyrë e drejtuesve dhe  mësuesve të kujdesen për këtë brez dhe ta orientojnë drejt arsimimit të gjithanshëm e, veçanërisht atij profesional për të cilin sot tregu i punës është mjaft i etur.

Një ndër shkollat profesionale elitare në shkallë vendi, është edhe shkolla e mesme profesionale “Kolin Gjoka” në qytetin e Lezhës, që drejtohet me përkushtim dhe profesionalizëm nga z. Bardh Dedgjonaj, i cili është një drejtues me CV të pasur dhe i pajisur me arsimin e duhur për drejtimin  kësaj shkolle me emër. Ai ka kryer Fakultetin Ekonomik, dega turizëm, është specializuar dhe ka mbrojtur dy tituj master, njërin për turizëm dhe tjetrin “Pedagogji e thelluar”. Ka plot 17 vite pune, nga këto: 4 vjet drejtor në Bashkinë e Lezhës, ku ka mbuluar problemet e arsimit dhe kulturës në Lezhë. Më pas, drejtor në shkollën e mesme profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë.

Është një shans shumë pozitiv, por dhe vullnet i tij, që  ka ndjekur një numër të konsiderueshëm trajnimesh, për kulturën, arsimin profesionale dhe kontaktet në Austri, GJZ në Gjermani, aftësimi për punë, projekt zviceran. Të gjitha këto kanë ndikuar për të përmirësuar në maksimum drejtimin e kësaj shkolle dhe përgatitjen e nxënësve në aftësimin profesional. I ka shërbyer ngritjes së nivelit të punës edhe fakti i rindërtimi nga themelet i shkollës, me fondet e Bashkimit Europian në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare, ndërsa mobilimi është bërë tërësisht i ri nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Bardh Dedgjonaj, pas një periudhe emigrimi, vijoi punën në sektorë të ndryshëm deri në vitin 2013, kur më në fund iu plotësua dëshira që të fillojë punë në profesionin e tij të dashur, në detyrën fisnike të mësuesit. Falë aftësive të tij drejtuese dhe kulturës së fituar, detyrohet ta bëjë përkohësisht këtë detyrë dhe, shumë shpejt emërohet Drejtor në  Bashkinë e Lezhës ku mbuloi me përkushtim dhe kompetencë problemet e arsimit dhe të kulturës. U dallua veçanërisht për nivelin e tij shkencor dhe aftësitë pedagogjike, drejtuese dhe kontrolluese, prandaj, i pajisur me një përvojë të pasur, pas katër vjetësh ai emërohet drejtor në shkollën e mesme profesionale “Kolin Gjoka”, ku vazhdon të kryej edhe sot me përpikëri detyrën,duke synuar dhe punuar vazhdimisht për të futur në shkollë të rejat shkencore, novatoren, mendimin e përparuar e demokratik. Në këtë shkollë, drejtor Bardhi ka krijuar një atmosferë shoqërore tepër pozitive, duke tërhequr kuadrot më të aftë në mësimdhënie, duke krijuar emër të mirë në rreth, prandaj sot “Kolin Gjoka” mund të numërohet si një ndër shkollat elitare dhe më të mira në vend.

Për afër katër vjet me radhë Z. Dedgjonaj vazhdon të drejtojë me profesionalizëm dhe përkushtim këtë institucion të njohur të arsimit profesional, duke dhënë maksimumin e aftësive të tij intelektuale dhe shkencore. Në takimet me të, të bie në sy mënyra e ngrohtë e komunikimit, thjeshtësia si dhe përpjekjet për t`u zgjidhur problemet më të mprehta nxënësve dhe kolegëve të tij. Nga një studim i bërë, gjatë periudhës që ai drejton këtë shkollë, rezulton se paraprin në të gjitha komponentët e arsimit profesional. Kështu, është shtuar numri i kërkesave për shkollë, janë hapur degë të reja në përputhje me kërkesat për punë, është modernizuar dhe kompletuar shkolla me mjete mësimore dhe didaktike sipas profileve, gjithë kabinetet e praktikave profesionale dhe mësimore.

Në jetën e brendshme të shkollës, drejtuesi dhe drejtimi përbëjnë një problem mjaft me rëndësi. Ky impenjim buron nga sakrificat që ka shkolla, si Institucion i arsimit profesional me kërkesa bashkëkohorë gjithnjë në rritje. Drejtorin e shkollës e karakterizon komunikimi perfekt me kolektivin mësues-nxënës, ku mirësjellja është tipar dallues i kulturës dhe marrëdhënieve mes tyre. Mësuesit, nxënësit, komuniteti prindëror e kanë një person mjaft të dashur drejtuesin e shkollës, e çmojnë dhe e respektojnë, i dëgjojnë fjalën dhe, mund të themi se shumë prej tyre edhe përfitojnë prej tij, ashtu siç mëson dhe përfiton edhe ai, duke qenë i lidhur ngushtë me ta. Është shkollë që ka çdo ditë intensitet pune, ndaj drejtori i dëgjon me kujdes kërkesat, kritikat, propozimet që i bëhen dhe vepron urgjentisht për ti vënë në jetë ato. Është njeri që nuk del kurrë mbi të tjerët, por drejton me kompetencë, duke marrë gjithnjë në konsideratë mendimin më të mirë dhe më të përparuar që nuk mungon asnjëherë në atë shkollë..

Nuk është e vështirë ta dallosh drejtorin e shkollës sepse flet vetë puna dhe mjedisi shembullor i kësaj shkollë, menaxhimi me efektivitet që ai bën, karakteri i shëndoshë dhe figura e lartë morale dhe njerëzorë e tij. Me të drejtë mësuesit shikohen si prind i dytë për të rinjtë e kësaj shkollë, pasi dashuria e tyre është e madhe për profesionin që aq shumë e dëshirojnë. Problemet që hasin të rinjtë në zotërimin e profesionit ata i ndajnë çdo ditë me mësuesit, pasi me ta ndihen më të lirshëm dhe më të sigurt për të ardhmen e tyre…

Drejtor Bardhi nuk pajtohet me mediokritetin, paaftësinë dhe padrejtësitë në punë dhe në jetë. Suksesi i tij vjen si rezultat i vizionit të tij perëndimorë në drejtimin dhe menaxhimin me efektivitet të punës, duke dyfishuar numrin e ardhjes së nxënësve dhe rritur cilësinë e regjistrimit, bazuar jo vetëm tek nota mesatare, por edhe tek aftësitë e nxënësit. Ajo që është kryesore për këtë shkollë, është shtuar numri i vajzave, që vazhdojnë studimet për profesionet që ofron shkolla.

Nga dita në ditë figura dhe emri i drejtorit  Bardh Dedgjonaj lartësohet përherë e më shumë, sepse për të flasin gjithnjë puna dhe rezultatet, ndaj miqtë, kolegët, të njohurit e shumtë ndjejnë më shumë respekt, e dëgjojnë dhe i zbatojnë detyrat e tyre ndaj shkollës dhe,  si rrjedhojë, edhe niveli i drejtimit të shkollës vjen përherë duke u rritur. Te “Kolin Gjoka” natyrisht që janë të dukshme efektet e zbatimit të projektit zviceran, si në trajnimin për të gjithë stafin, ngritjen e infrastrukturës moderne në shkollë, futjen e pandërprerë të metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Dhe, si rezultat, shkolla përgatit nxënës cilësorë, të aftë për të përballuar sfidat e kohës, ata kanë marrë pjesë dhe kanë fituar konkurse kombëtare e ndërkombëtare, ku një numër i konsiderueshëm i tyre janë tashmë të punësuar sezonalisht, por edhe gjatë gjithë vitit në ndërmarrje të ndryshme prodhimi dhe shërbimesh. Ata janë të kërkuar dhe, do të thoshim se ky nivel i arritur, ka bazë edhe bashkëpunimin e  shkëlqyer të  drejtorit të shkollës me stafin rajonal të Drejtorisë së Punësimit në Lezhë dhe dy Ministritë eprore si ajo e Financave dhe e Ekonomisë në Tiranë.

Sa herë përmend emrin e Bardhit, bashkëbiseduesi dëshiron të shprehë mendimin e tij të mirë dhe plot respekt. Kështu shprehen edhe kolegët dhe mësuesit e shkollës. Njëri prej tyre thotë: “Kam të fiksuar në memorien time mjaft momente të këndshme në punën dhe takimet me të: I thjeshtë, tolerant deri në kufijtë e relatives, korrekt, i çiltër, i dashur, njerëzorë, njeri me vizion perëndimor. Ai edhe kur të bën vërejtje, zotëron një lloj takti imponues prej babaxhani. Si koleg, kam mësuar prej tij të jem kërkues ndaj vetes, të sakrifikoj dhe të jap maksimumin në punën time. Si mësues kam mësuar të jem korrekt, i drejtë, kërkues, i vullnetshëm dhe i përgatitur, ndërsa si drejtues korrekt i arsyeshëm dhe tolerant”.

Shkolla e Mesme Profesionale “Nikolin Gjoka” ka aktualisht këto profile: ekonomi - biznes, teknologji informacioni dhe komunikimi, hoteleri - turizëm, dhe shërbim social dhe shëndetësor. Shkolla po synon që me fillimin e vitit të ri akademik 2019-2020 të hapet dega teknologji ushqimore. Aktualisht numri total i nxënësve është 604. Tregues mjaft pozitiv është edhe fakti se Shkolla e Mesme Profesionale në Lezhë në Konkursin Kombëtar të zhvilluar me 20 prill të këtij viti, në mes shkollave të tjera profesionale të vendit, zuri vendin e parë e menxhuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në prani të Kryeministrit të Shqipërisë, ambasadorit zviceran. Baza e suksesit të kësaj shkollë është stafi i mirë kualifikuar, bashkëpunimi i shkëlqyer me bizneset vendas, mbështetja nga qeveria shqiptare e projektit zviceran “Aftësi për punë”, bordi i shkollës dhe mbi të gjitha aftësia drejtuese, menaxhuese dhe përkushtimi i drejtorit të kësaj shkolle Bardh Dedgjonaj. Është rasti këtu, të përgjithësohet shembulli pozitiv i këtij drejtuesi të përkushtuar, duke nxitur më tej hapjen, funksionimin dhe frekuentimin e shkollave profesionale, duke i shërbyer më mirë dhe më me kompetencë nevojave të tregut të punës në ditët e sotme.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora