Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Nga tema në temë

| E premte, 16.11.2018, 08:20 PM |


Nga tema në temë

Nga Blerim Rrecaj

Diku në ballin e një muri ndërtese na del parasysh një reklamë me porosinë: "Gripi e ka kot". Po reklamat si reklamat duan të tërheqin vëmendjen dhe s'i shpëtojnë dot senziacionales. Kjo duket paksa e tepërt sidomos për ata që i ka përqafuar gripi ndonëse kthetrat e tij nuk rezistojnë më shumë se një javë a dhjetë ditë, dhe në këtë kuptim flama "e ka edhe kot". Të mendojmë tash pak, sa më i mirë e sa i padëmshëm është gripi në krahasim me shumicën e portaleve të mbira si kërpudhat mbas shiut, që janë profesionalizuar për të senzacionalizuar në periudha disa minutëshe me njoftime të llojllojshme ngjarjesh, ndodhishë, detajesh e deklaratash. Kryesore me qenë në hap me kohën, me rrëshqit me kohën duke konsideruar vërtetësinë e publikimeve për publikun si një luks të panevojshëm për ta ndjekur, njashtu siç thonë, jo vetëm me humor, se hajt ec, mbijeto e përdorimi i mendjes është luks në këtë kohë. Në këtë drejtim gjë më mirë s'janë as radiot, tele(pa)vizionet, gazetat, revistat... Këtu s'përjashtohet ndonjë përpjekje, ide, për të bërë diç me vlerë, po kjo mund të na kthejë në kohë te organe shtypi jetëshkurtëra të Rilindjes Kombëtare. E sot rrenacakëria, dredhëritë, dhelpëritë prodhuar me shumicë nga mediet janë bërë aq te lexueshme saqë ka kohë që bosët-pronarë të lidhur secili para tagjisë së tyre, po e ndiejnë që po u cofin edhe morrat në kokë që u kanë mbetë. Bile kanë nisur të përhapen fjalë se së shpejti do kemi dhe mbyllje gazetash dhe niveli i shefave ka mbërri deri aty sa ato po i mbajnë hapur m'inati njëri-tjetrit, e do fjalëve t'hallkut që mund të shpërthejnë. Ose janë duke menduar për arsyetimet që do i gjejnë te teknologjia, rrethanat e sotme, lexuesit e telefonave e tjerë, e tjerë. Diku seç e kam parë e lexuar dhe që më ka bindur se gazetat, revistat do mbietojnë kohëve sikurse libri n'harmoni me teknologjinë e zbulimet tjera që mund të vijnë. Mund ta kem edhe gabim, por medie serioze s'po shohim, edhe pse s'përjashtohen përpjekje që janë bërë e do të bëhen për një gjë të tillë. Mbase më lejohen këto dërdëllitje, e kaq këtë herë për mediet e portalet, se keni të drejtë t'i quani këto fjalë për hava, e të kërkoni fakte, fakte, fak(t)e... A kalojmë tash te integrimi. Integrim=përafrim, në rregull! Te përafrimi kombëtar e ai europian. Veç mashtrim se kush nuk tu bëhet më i afërt se i yti, edhe i yti si ti këtë vetëdije është mirë me e ushqy'. Vijojmë për te mbledhja e përbashkët përafruese e radhës e dy qeverive shqipfolëse e veprimvakëta, veprimpakta, që duhet të bredhin nga lulja në lule si bleta, e jo nga korrupcioni në korrupcion, se kungulli mbi ujë gjithmonë nuk shkon. Presim përqafime, përafrime e fotografime, e nga nëntori në nëntor ka shpërthyer kryengritja e ajrit të ndotur n'Kosovë, e athua edhe kjo mund të jetë pengesë përafrimi e liberalizimi me BE-në. E ç'është kjo katrahurë Kalkute a Kandahari, mbase kjo katrahurë jona ende ndodhet atje, dhe andej ata e krahasojnë veten me ne. Kush e di... Kah po dalim bre, tash. Hajt, pak te stresi, hajt. "O s'jam përnjëmend diçka mirë", është njëra nga shprehjet që dëgjojmë e e themi ose kur jemi në këmbë, ose kur jemi shtrirë. Pse? Mbase nga rutina, më kanë humb do vitamina, mbase nga vërshimi i alleshverisheve, nga aktu(ban)aliteti, bezdi këndej, neveri andej, aty-këtu doza e mbidoza neurozash, t'rrethuar me mëdyshje gërryese, plus mërzi, kotësi, pikëllim, vetmi... E dëgjojmë fjalë mjekësh, të afërmish, dashamirësh: "Mos të lodhemi shumë me mendime të tepërta, me gjëra që s' ndryshohen dot me ballafaqime prej Don Kishoti, o don kishot. Kaq dhe për stresin e shkallët e tij, nëse ka masë mund të sjellë ndonjë të mirë, ndonjë dobi thotë ndonjë ekspert a kompetent. Dalim tash te këndellja, e ajo kur vjen të sjell freski e energji. E sa do na mbajë në formë pyesim me kërshëri. Vrapojmë pas saj si udhëtarë në një vend të huaj, të panjohur. Dhe këtë e bëjmë duke kërkuar një adresë, duke pyetur këtu e atje, derisa ta gjejmë. Dhe jeta vazhdon duke na dhuruar ndodhi e ngjarje që përbëjnë e s'përbëjnë tema.Që endemi nëpër to ose i injoromë. Ose kujtoheni për ndërthurje e ndërlikushmëri temash. Dhe temës që i ikë, a bëhet tematikë. Kështu dalngadalë a dalim te kryetema që mbase do të duhej të ishte rrugëzgjidhja e problematikave që grumbullohen dhe mbulojnë njëra tjetrën. Ne, marrtë, e mira, na marrtë.E ne flasim, përflasim, pëshpërisim, bërtasim duke u vërtitur e të mbërthyer rrjetave, barrikadave, pengesave, edhe sot, edhe tash kur drunjtë gjethrënës pothuajse janë zhveshur tërësisht, por përsëri priten me u përtëri po tash për tash mendja na rri te gjethet e pakta, te kjo rezistencë gjethesh...