E enjte, 28.03.2024, 11:42 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Ditët e derikëtushme

E marte, 13.11.2018, 08:05 PM


Ditët e derikëtushme

Nga Blerim Rrecaj

Drita e parë, agu është si fillim jete, e mëngjesi si një vazhdim i saj, vijim i ditës së re. Ka e mund të ketë lloj lloj zgjimesh, mëngjesesh e agimesh, si të këndellura, të pëgjumura, të përhumbura, të kthjellta, të turbullta, të bardha, të përhirta, të purpurta kristalore, me diell, me reshje, të mjegullta. E Koliqi diku në një tregim flet për të devotshmit besimtarët heracakë, e sidomos herët engjëjt enden e shohin kush po fle e kush është zgjuar, kemi dëgjuar të thotë një plak, e s'është mirë që dielli pa ndonjë arsye të na gjejë shtrirë në shtrat. Por skenat e skeçet me zgjimin ndryshojnë e sa gjëra na ikin nga duart e sa herë vonohemi e nuk e pranojmë. Derisa koha e dita ecën me ndarjet dhe nënndarjet e saj, paraditja mund të na përshëndes në punë, në shtëpi, në det, në arë, në fushë, në mal...Mesdita në çaste çlodhjeje a pushimi dhe pasditja ta vazhdoj vallen e saj deri në muzg. Sa të ngjashëm agimi e muzgu, njashtu si vëllezër binjakë. Dhe na vije në mendje poezia e Esat Mekulit: "Vdekja e ditës" ose shprehja: "Nga djepi në varr". E natës ia shtojmë parashtesën:"mes" dhe prapashtesën:"pas". Dhe si kryefjalë të saj përmendim hënën, yjtë, dritat, errësirën e (pa)ndriçuar, a terrin përzier me dritë. Dhe kështu ditë pas dite, natë pas nate nëpër mote, nëpër stinë. Dhe kështu duke përsiatur mendja t'ateron në thënien e vënë në një fletore shkolle dhe nën të shënimi i thënësit, Zh.Zh Ruso: "Të shkruash një letër dashurie duhet të fillosh pa ditur se çfarë don të shkruash, dhe në fund, të mos dish çfarë ke shkruar në të". E nga thënia a bën të kalojmë te kënga e zëri pyetës e ankues i Mariza Ikonomit: "Ku është dashuria, ku është... pse mungon..." Mbase të hidhemi edhe te vargu porositës i poetit P.Menanteau: "...asnjë ditë pa dashuri...", e hajt mos lëmë pa kujtuar dhe tregimin e shkurtër të Dino Buxatit: "Ditët e humbura". Shtojmë këtu edhe librin: sociologjik me titullin:"Dashuri" të Leo Buscaglia-s. Mund edhe më ta pasurojmë mozaikun me ngjarje, ndodhi e detaje të dëgjuara, të para a të përjetuara, me fragmente librash, romanesh, novelash, me ndonjë pikturë, skulpturë, karikaturë, me ndonjë mbresë që mund të këtë mbetë nga ndonjë udhëtim, nga ndonjë takim a bisedë. Për çfarë ishim duke folë, more?! Ah, për ditët, për rrjedhën e ditëve, veç kur qe kur hyri dashuria në mes. Mespërmes, si vargu i Lasgushit për lumin, a poezia e tij: "Mëngjes". Për t'u dhënë shije, kuptim ditëve, stinëve, jetës. Kësaj jete që duket që po ngecim, e po marrin n'thua n'çdo hap që po bejmë. Që po rrëzohemi, me kokë po u bijmë shtyllave elektrike, a tabelave orientuese. Mendja edhe një herë tjetër te ecën te çorientimi në kohë dhe hapësirë, ku ka pak dritë e shumë errësirë. Përsëri m'u kujtua diçka. Këtë herë romani i lexuar dikur, që s'di se ku ka mbetur: "Përsëri në këmbë" i Dhimitër Xhuvanit. E sa herë pij çaj lulesh me filter qeska, shtrydh qeskën dhe më vije në mend një varg i Saadiut: "T'i shtrydhja lëngun jetës dhe bëj të mira plot...". E kur ziejmë gjethe çajrash tjerë na duhet ta përdorim kullojsën. Eh,kullojsa... E sa plagë kullojnë. E kësaj që nisëm i erdhi koha për t'i vënë kapakun që nga poezia "Streha e gjakut" e Visar Zhitit shkoqisim pyetjen poetike: "Por thuamë, a erdhi ora që gjaku ynë të pikojë strehë?"



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora