E premte, 13.12.2019, 05:33 AM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Gjatë jetës

E marte, 13.11.2018, 07:20 PM


Poezi mikste

Nga Përparim Hysi

1. Gjatë jetës

Çomanget e fatit ma trokshitën kokën

Por kurrë, kurrë nuk më përkulën

Ma çani zemrën dhe shihni sa e kam dashur botën

Sado që mbi shpirt shumë shtiza m'u ngulën.

Ja, të tillë e pata fatin gjatë kohës

Lufta e klasave si shpatë  mbi kokë

Dhe sot lëshoj  regëtima prej "ohës"

Se më luftonin fare kot.

Më merrnin si fajtor pa patur faj

(Xhaxhanë,- më thoshin,- e ke të pushkatuar!)

Dhe tani  më thoni a e kam kollaj

Që këtë padrejtësi për ta harruar?

2. Nuk jam i trashë

"Duhet të jesh i trashë që pret të rrosh me poezi"

Xhek London

Nuk jam i trashë,që pres të rroj me poezi

(Poezitë më dhimben dhe vlerësoj çdo shkrim)

E di që do vdes i varfër (pa plangë e shtëpi)

Por,po mbetën në sirtar, ky është pengu im.

Vetëm dua që të dalin në dritë

Lexuesi, mandej, atyre t'u vërë notën

Në të gjitha do gjeni timin shpirt

Dhe nga ato, me thinja e kam kokën.

Poezitë dhe shkrimet e mia si vezët e qyqes

Ashtu si qyqa "në foletë" e botës

As mos pyesni me si e qyshe

Tek e mbyll, regëtij  prej "ohës".

3. Kjo  fjala jote

Kjo fjala jote paska aq të fshehta

Sa jap e jap të gjej seç fshihet në të

Vërtet u mundova dhe tani që e"gjeta"

As fare mos prit që të ndahem më.

Se e"fshehta" jote mua diç më thotë

Në ma thotë me gojë, duket ashiqare

E shtrenjtë fjala jote,për mua: sa një botë!

Të ndahem nga ti, as mos prit fare.

4. Shikoj buzën

Shikoj buzën miturake që po çel si një burbuqe

Dhe më dukesh si zambake, mua, plakut, mbushur huqe

Tek hepohet buza jote, tek hepohet miturisht

I  harroj të miat mote,edhe sulem "djalërisht".

5. Jam

Jam i ftohtë  siç është mospërfillja

Gjatë kohës u zbardha si bora

U zbardha si bora dhe nga koka u thinja

Si ashpër me sy më ka parë"koha"

Jam si një plaçkë e  vjetër

Që më nuk e vesh askush

Si unë,askush tjetër

Ky fakt me inat më  mbush.

Dhe zë më shtaret vetja

Aq veten e kam inat

Vërdall më vjen festja

Jam si mi i zënë në çarg.

6. Dua

Dua të  pi një gotë me qumësht mbi lëndinë

Atje,mbi lëndinën me bar të njomë.

Atje ku dikur,në fshat, kisha shtëpinë

Dhe aq m'u tek,sa malli po më blon.

Shtëpia ime më atje nuk është

Lopën time, me kohë, e hëngri ujku

Ah, moj mendja ime, gati ma bën"fësht"

Se brenda shpirtit tim  zë e ngjallet bujku.

7. Sot jam si ajëri

Sot jam si ajëri dhe kam vendosur

Që të zë e të"kullos" azat

Se ende  nepsi i dreqosur

Fare nuk më lë rehat.

Çudi është se mosha shkoi

Por prapë gjaku është i nxehtë

Pashë një të bukur që kaloi

Dhe pas saj çapita lehtë.

I thashë asaj një fjalë në vesh

(se për kështu, unë jam"sojli")

Kur ajo buzën çoi vesh më vesh

U morëm vesh... përse? Kuptohet tani.

8.Duke pritur "Godon"

Të gjithë,më duket,se presin"Godon"

Se secili e ka një të fshehtë

Ka që si unë e presin

Dhe as që e takojnë

Deri sa të vdesin...

9.  *   *    *

Dëgjova fëshfërimën e çapave me ngutë

Jo.Mos u largo! E bukur, nuk mund.

Nuk mund të të ndjek,se tani  jam plak

Ngadalësoj çapat veç sa të puth pak!

10. Po të harrova, SHQIPËRI!!!

Po të harrova, moj SHQIPËRI,

Dheu hiç të mos më tresë.

Trupin të ma hanë qënë lukuni

Dhe fare nishan të mos më mbesë.

Shpirti të më shkojë në FERR

Si një djalë plangëprishës

Mos mbes për mua as erz dhe as nder

Të thonë që i ngjaja bishës.

Tiranë, 13 nëntor 2018



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT