Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shyqyri Fejzo: Duke kërkuar shokun Zylo

| E diele, 11.11.2018, 11:57 AM |


-Duke kërkuar shokun Zylo- (

Tregim humoristik)

Nga Shyqyri Fejzo

Mos kujtoni se lojta nga fiqiri dhe të kërkoja të gjeja “shokun Zylo” të gjallë, në tregun e Tiranës ditën e shtunë, kur në pazar vetëm baba e nënë nuk gjen. Jo.Kisha dalë të gjej romanin e të madhit Dritero “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Javën e parë më tha një shoku im se atë libër e kishte parë të shitej në rrugën “Jordan Misja” në një trotuar, përballë një kafeneje të madhe. Pa një, pa dy, e mora autobusin me ngjyrë jeshile te ekonomiku dhe pas dhjetë minutash shkela shesh pas kthesës te burgu 325. Zbrita nga autobusi të shikoj me kujdes e vigjilencë, ku do e gjej shokun Zylo. Se vigjilenca është cmimi i epërsisë, ka thënë ai i dituri.

Hedh sytë sa majtas djathtas dhe bëja përpara. Ec e shiko. Vec paisje, veshje, vegla të ndryshme pune, elektroshtëpiake mbushur trotuarët plot. Mbasi eca ndonja një cerek ore, më kapi syri një trotuar plot libra. “Hë! Aty  qëndro” i them vehtes dhe i ngula këmbët. Një zeshkan nga ata me ngjyrë shiste libra dhe thërriste sa i mbante zëri. “Hajde, libra të mira. Urdhëroni. Kini me shumicë e pakicë, romane, novela, vëllime me poezi, drama e tragjedi, libra për famijë tekste shkollore, e cfarë tu dojë e bardha zemër”.“Urdhëroni”.Herë pas here ai kafshonte një mollë e u a bënte me sy kolegëve që shisnin pranë tij. Pas pak aty u dha një shitës tjetër librash, që vinte nga trotuari përballë me disa libra të vjetër në dorë. Ai I drejtohet kolegut.

-Nem një Shekspir me mbret të jap një Dritero me poezi për fshatin.”

-Jo, jo. E këmbej me një kadare me pashallarë, se ma kërkoi një studente që banon me qera afër shtëpisë time.” As me tre Dritero dhe një Xhevair nuk ma këmben?” E, me tre ma prishe mendjen, hajde, mere.” Si mbaroi “tramba” me libra, zeshkani mu drejtua.

-“Folë e qesh, xhaxha!”

-Mu desh “Shkëlqimi dhe rënie e shokut Zylo”.i përgjigjem.

-Ëhë! E kisha një libër me Zylo po ma bleu një student pardje. Merr këtë Martin Iden për 50 lekë, të fal dhe një “Kushtrimi i të parëve” dhe ky  i këtij Xhekut më duket se është.-

Dialogun na e preu në mes një i tretë.Sic dukej ishte shok i tij se i u drejtua me shumë koefidencë.

-Hë! Si ma fillove sot? A ke bërë me shëndet? Unë i rakapaqosa 50 mijë sapo piva kafenë. Të kam thënë. Nuk bëhen para me libra…Me hekurishte, po. Ti dhe në shkollë nuk i kishe qef librat. Nuk di në i mësove të gjitha shkronjat e alfabetit.?Shitësi i librave krojti kokën puliti sytë dhe i u drejtua.

-Ke të drejtë.Ti pas pesë vitesh u ngrite më këmbë dhe erdhe vonë në shkollë.. –Shakaja priste shakanë dhe koha po kalonte. Kur mendova se jam i tepërt e u nisa tutje, por shitsi më ndali përsëri.

-Dale more xhaxha be.Shiko sa libra kam këtu! Një dylym trotuar.Zgjidh e merr një.- I hodha edhe një sy librave me kapak e pa kapak, të zhubrosur e të ndotur me dhe e vajra.

Atë cast ishin afruar dy studentë. Pa pritur njëri prej tyre kërceu gjithë gëzim.”Qënka këtu. E marrim” i tha shokut. Bëhej fjalë për librin “Mbreti Lir” të Shekspirit.

-Mbretërit janë të shtrenjtë.-foli shitësi I librave, kur pikasi se “uji do të shkonte ne mullirin e tij”.

-Të ishte mbretëreshë, epo hajde.Të jepnim të drejtë se me femra bëhet më lehtë hair.-ja pati një nga studentët. Më në fund ranë dakord për cmimin dhe “Mbretin Lir” e futën në cantë.

Zylon e kërkova edhe në katër a pesë vende të tjera ku shiteshin libra, të vjetra, të rradhitura në sërë, të hedhura rifuxhio,me kapakë origjinalë, pa kapakë, me fletë mangut. Zylon nuk e gjeta në asnjë vend.Si duket, asnjeri nuk ishte mërzitur me të ta nxirte nga biblioteka e tij e ta shiste apo dhuronte këtyre “babaxhanëve” të ekonomisë tonë të tregut.

-…Ore lalagjon! Ti pa të keq e blen një gazetë që gënjen nga faqja e parë tek e fundit.Kur vjen puna për një libër që thotë të vërtetën, të dridhet dora- degjova të reklamonte një shitës librash trotuari, që mu duk si më i kënduar. U nisa të largohem nga tregu, kokë ulur, i menduar përsa pashë e dëgjova për librat.Kur, pa pritur, ndjej që dikush më vuri pëllëmbën në sup. Kthej kokën dhe shikoj shokun e mikun tim të jetës studentore, Franin. Kishim shumë vite pa u parë. U ulëm të pimë dhe kafe. Aty nisa ti tregoj se pse kisha dalë dhe cfarë pashë në treg. Ai qeshi, puliti sytë dhe filloi të tregojë.

-Ti ke parë e më fole për në qytet.Të tregoj unë e të shlodh për librat dhe në fshat-nisi bisedën shoku im.

Kisha shkuar në fshat për tu shmallur me ata që kishin mbetur aty. Po do shikoja dhe ndonjë gjë nga pronat se cfarë po lëviz me këtë aluizmin. Zbarkuam te shtëpia e vjetër.Gjyshja nuk gjente vend ku të na vinte. Ajo është mjeshtre e lakrorëve me dy petë me qepë e domate. Ta dinte ajo se sa shitet një lakror i tillë në nahijen e Korcës, sindozot në Dardhë, do ishte bërë milionere me kohë.Shpejt e shpejt zuri brumin,griu qepë e d

omate, ndezi oxhakun e ashefit dhe i vuri sacin. I shkoj afër ta shikoj këtë process të këndëshëm.  Pastaj, më pëlqente dhe zjarri se ishte pak ftohtë.Kur loakrori qëndronte gati për tu pjekur në perusti, I bërtet të nipit.”Nem atë librin e trashë aty  o cun”. E mori me të shpejtë se i digjnin duart shqeu me forcë tre katër fletë, i njomi me ujë dhe ja vuri lakrorit përsipër.Pastaj i vuri sacin e nxehte. Shikoj librin, ishte “Ana Karenina” e Tolstoit. Kushedi se sa lakrorë kishte pjekur i gjori libër se tani ishte në faqen 157. Nuk e hapa gojën. Në faqen 157 ishte një nënvizim me bojë ku Vronski mediton. Isha në mëdyshje në e kisha bërë unë  atë nënvizim apo ime motër që nuk linte libër pa lexuar. Lakrori  njoftonte me erën e tij të këndëshme se tani ishte pjekur. Gjyshja i u drejtua  prap nipit.”Nem atë librin aty”.Nipi mori një libër tjetër se atë të parin unë po hidhja një sy në faqet e mbetura të tij. Gjyshja i mbështolli pesë gjashtë fletë nga libri dhe kapi me to dorezën e sacit. Lakrori ishte pjekur bukuri, por viktime e tij ishin bërë fletët e romanit të Hygoit “Katedralja e Parisit”.Tani nga ky libër kishin mbetur më pak se gjysma e fletëve. Të njëjtin fat kishte pasur edhe romani “Zhak Ventrasi” i Zhyl Valesit, të cilit i kishin mbetur dhe 20  e ca fletë. Gjyshja atë si duket e pelqente se kishte fletë të gjata e të gjëra, me përmasa të mëdha. Zevendësonte më lehtë pecet që përdoren në heqjen e vënien e enëve të nxehta. Në ashef libri i Drajzerit “Një tragjedi amerikane”, romani i Gollsuorthit “Saga e Forsajtëve”, “Doni i qetë” i Shollohovit dhe “Shërbetori juaj i bindur macok” i japonezit Soseki bënin tani një punë fisnike.Të katër ata ishin vënë si tako për  të mbajtur këmbët e një rafti të madh.Ato po shërbenin për të ngritur në lartësinë e murit si mbështetëse, raftin, ku boshllëku plotpjestohej. Gjyshja po vinte lakrorin të ftohej në një tavolinë në kopësht, dhe nipi klikonte në një aparat telefoni bashkëkohor.Klikonte dhe qeshte me vehte. “Eh! Thashë me vehte.Sot nuk gjen të ri e të re pa telefona në dorë.Fol sa të duash. Asnjë nuk e ka mendjen aty”. Zylon kësaj rradhe nuk e gjeta.Jam I bindur se do e gjej te ndonjë shitës trotuari a libra të grumbulluara për tu hedhur.

Diturinë shumë mendje të ndritura e kanë krahasuar me perëndinë.Por, perëndisë po i firojnë librat. Kjo është “firoja” më me pasoja që krisma e saj do ndihet gjatë.