E enjte, 23.01.2020, 05:52 AM (GMT)

Kulturë

Zymer Mehani: Poezi e mallit dhe e dhembjes

E shtune, 10.11.2018, 05:11 PM


AGIM JERLIU

POEZI E MALLIT DHE E DHEMBJES

(Përsiatje për vëllimin poetik “Mall e lotë” të poetit Agim Jerliu)

Nga Zymer Mehani

Agim Jerliu është nga ata poetë, që e ka të theksuar “mallin dhe dhembjen” , i cili në hoeizontet e poezisë shqipe po vjen me fizionominë dhe profilin e vet të përcaktuar dhe të kristalizuar, qoftë me tematikën e motivet, qoftë me mënyrën e të shkruarit (stilin).

Fusha tematike dhe motivore e autorit në vëllimin “Mall dhe lotë” nuk është shumë e larmishme, por  poeti ka evoluar me tematikat dhe motivet, qoftë nga e kaluara, qoftë nga aktualiteti.

Tri janë temat që shtjellohen më tepër në këtë vëllim poetik: tema e atdheut (të robëruar dhe të lirë); tema e vendlindjes (fshati dhe qyteti) dhe tema e dashurisë (më e pakët në sasi). Motivi atdhetar është më kryesori dhe poezitë atdhetare të bëjnë për vete jo vetëm për përmbajtjen e thellë patriotike, me një theks të veçantë aktual, por edhe për nivelin artistik, për dinamizmin e brendshëm etj.

Tema e atdheut dhe motivi atdhetar edhe në poezitë e Agim Jerliut, sikurse te shumë poetë të tjerë, shpesh do të plekset me motivin e mallit për vendlindjen. Dhe kjo është krejt e natyrshme, pasi që atdhe do të thotë vendlindje.  Në shumë poezi, poeti Jerliu, atë mall që e djeg porsi eshkë do ta pasqyrojë duke e kujtuar konakun, oxhakun, nënën, vëllain, motrat, shokët, miqtë, agimet e zbardhëlluara, mbrëmjet, arat me grurë, lumin me shelgjishte, qytetin e fëmijërisë,Prishtinën me Vellushën dhe Prishtevkën etj. Etj.

Ndër poezitë, ku trajtohet motivi social, nga më të bukurat janë poezitë “Me sharrë...”, “Lustraxhiu” dhe “Mëngjeseve të acarta”, ku autori ka ravijëzuar me realizëm portretet e sharraxhiut, të lustraxhiut dhe të shitësit ambulant. Është kjo tematika dhe motivi që na e rikujtojnë të kaluarën dhe aktualitetin, ngase, për fat të keq, këto personazhe përditë po i hasim në qytetet dhe fshatrat tona. Këto karaktere autori i përshkruan pa fjalë të tepërta, me sens mase, me mjete të qëlluara artistike dhe me shumë emocionalitet.

Tema e vendlindjes (e fshatit dhe e qytetit) është e lidhur edhe me figurën e nënës, që zë një vend të theksuar në poezitë e Jerliut. Gjithsesi se figura e nënës do të jetë prezente dhe jepet me ndjenja të veçanta poetike, me ngrohtësi dhe mall, . Është ky tipi i nënës sonë shqiptare, e thjeshtë, e dashur, e dhimbsur, thellësisht humane, por edhe atdhetare, e shqetësuar për të birin, me dëshirë që ta shohë dhe ta përqafojë, ta ketë pranë dhe të çmallet me të.

Duhet theksuar se një pjesë e lirikave intime (të dashurisë) në vëllimin poetik “Mall dhe lotë” kanë si sfond fshatin, natyrën, ambientin dhe atmosferën e tij. Pra, mjaft poezi të vëllimit në fjalë i kushtohen dashurisë, që janë vërtet të bukura, si p.sh. poezia “Puthuni”, në të cilën autori Agim Jerliu do të këshillojë:

“Puthuni ju, si t’jua dojë qejfi

Vetëm se mos aktroni kot”

Autori Jerliu në vargjet e tij e himnizon edhe punën si burim të ekzistencës dhe të mirëqenies sonë. Ai në ca vargje të tij do të thotë:

“Me djersë dhe me punë

Ujin e kthen përpjetë”

Thënie e saktë dhe kuptimplote.

Edhe poezitë përkushtuese zënë vendin kryesor në vëllimin “Mall dhe lotë”. Ato mund t’i ndajmë në tri pjesë: poezi përkushtuese për familjarët (për prindërit, vëllain, motrat, fëmijët etj); poezi përkushtuese për heronjtë dhe dëshmorët, si për Skënderbeun, Adem Jasharin, nënë Zahide Jasharin, Jusuf Gërvallën, Fehmi e Xhevë Lladrovcin, Agim Ramadanin, Afrim Krasniqin etj. Dhe poezi përkushtuese për artistët dhe, kryesisht për njerëzit e kulturës, si për Bekim Fehmiun, Qamilin e Vogël, Fatime Sokolin, e deri te Rita Ora, yll i muzikës me famë botërore.

Përgjithësisht në vëllimin “Mall dhe lotë” do të gjejmë poezi interesante, të shkruara me frymëzim, me ndjenja dhe realizëm.

Veçoritë teoriko-letrare që e shquajnë këtë vëllim poetik  janë të shumta. Ne do të përmendim disa syresh.

Me pak përjashtime poezitë e Jerliut shquhen me proliksitetin, ngase nuk i kalojnë 5-6 strofat, madje s’janë të pakta edhe poezitë me 2-3 strofa. Ky sens mase, kjo fuqi sintetike, është nga veçoritë dhe meritat e rëndësishme artistike të poetit.

Të thuash me pak vargje atë që mund ta themi me dhjetëra a qindra vargje, të thuash vetëm të domosdoshmen, pa rënë në përsëritje idesh dhe në stërzgjatje të kota, është një cilësi sa e nevojshme, aq edhe e mundimshme për ta shtjelluar. E këtë dukuri e hasim edhe te vëllimi “Mall dhe lotë” të poetit Agim Jerliu, e kjo flet jo vetëm për talent, por edhe për punë e ndërgjegje artistike të autorit.

Poeti Jerliu e përdor me mjaft siguri dhe kujdes vargun, duke e shtjelluar me saktësi, pa e penguar spontanitetin e tij. Aty gjen figura të mjaftueshme, vërtet origjinale, të natyrshme, të sakta e të qarta, të kapshme, të kuptueshme nga të gjithë. Këto figura flasin për dëshirën pozitive  të poetit Jerliu për të qenë origjinal, por flasin edhe për kuptimin e drejtë që ai ka për figuracionin poetik.

Poezia e Agim Jerliut merret edhe si bisedë e afërt, e ngrohtë, miqësore e poetit me lexuesit, duke marrë herë pas here edhe karakter tregimtar. Prandaj poezia e tij shquhet edhe për komunikim të afërt.

Poeti Agim Jerliu në punën e tij krijuese shquhet edhe për kujdesin ndaj gjuhës. Pra, edhe për punë të fjalorit ky autor ka treguar një kujdes të veçantë. Fjalori i përdorur është mjaft i pasur, , e mbi të gjitha, shprehës, i qartë dhe i saktë. Kryesisht poeti përpiqet që në vargjet e veta të përdor shprehje të përshtatshme, të marrura shpesh edhe nga gjuha jonë e përditshme popullore.

Zymer Mehani, Podujevë, më 5 nëntor 2018



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT