Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Kërkojmë drejtësi, jo diskriminim kombëtar!

| E shtune, 10.11.2018, 06:13 PM |


Thirrje e hapur BE-së, SHBA-së dhe OKB-së

Kërkojmë drejtësi, jo diskriminim kombëtar!

Shkruan Florim Zeqa

Shkaqet që shpien në një luftë janë shpesh të ndërlikuara për arsye të mosmarrëveshjeve të komplikuara. Luftërat mund të ndodhin për shkaqe personale, sundimtare, territoriale (tokësore), burimesh natyrore, fesh, ose ideologjish kur një zgjidhje paqësore dështon ose është e pamundur të vendoset në një hapësirë të caktuar gjeografike.

Një luftë në rastet e luftërave ndërkombëtare mund të fillojë me një shpallje zyrtare të luftës, megjithëse historikisht ka pasur raste që ato janë filluar edhe pa ndonjë shpallje. E tillë ishte ufta e fundit e Kosovës me Serbinë, e cila ka filluar pa shpalljen zyrtare të saj.

Shtimi i dhunës dhe represionit serb ndaj shqiptarëve të Koosvës, i ka detyruar shqiptarët që të organizohen në grupe të armatosura për mbrojtjen e pragut të shtëpisë.

Shqiptarët asnjëherë nuk kanë zhvilluar luftëra për pushtime territoresh të huaja, por për mbrojtjen e tyre nga pushtuesit e jashtëm.

Kundërshtimi i dialogut, ndjenjë e shpirtit, zë i arsyes njerëzore

Duke qënë se jam ndër të parët në Kosovë që e kanë kundërshtuar filimin e dialogut me Serbinë në Bruksel, e ritheksoi që kundërshtimi im nuk ishte i rastësishëm dhe spontan.

Kam qenë  i bindur në pasojat e dialogut vrastar me Serbinë. Pse?

Sepse, hyrja në dialog me Serbinë pa kushte dhe nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila e njeh sovranitetin e shtetit serb mbi territorin e Kosovës, do ta dëmtojë seriozisht pavarësinë e brishtë të 17 shkurtit 2008, e ardhur si rezultat i planit të Ahtisarit, i cili e kishte dëmtuar që në start të ardhmen e shtetit tonë, duke i dhënë karakterin "multietnik" shtetit më etnik në ballkan dhe më gjërë në kontinentin Evropian!

"Pakoja e Ahtisarit", në bazë të së cilës është shpallur pavarësia e Kosovës, edhe pse nuk ishte zgjidhja për të cilin ishte luftuar, por meqë ishte ofruar si zgjidhje përfundimtare për mbylljen e një kapitulli të luftërave dhe vuajtjeve shekullore, shqiptarët e Kosovës e pranuan si kompromis të dhimbshëm për vendin e tyre.

Në "Pakon e Ahtisarit", nuk ka qënë i paraparë "dialogu plus" dhe as marrëveshje tjera shtesë me Serbinë. Mirëpo, këta të fundit vazhduan me "Ahtisari plus", për të komprometuar pavarësinë e shtetit më të ri në ballkan.

Dhënja  e karakterit "multietnik" të shtetit më etnik në botë është mohim i skajshëm i realitetit dhe ndrydhje e vullnetit të popullatës shumicë në Kosovë.

Fillimi i bisedimeve të ashtuquqajtura "teknike" me fusnotë * pa akronomin e Republikës, ishte goditja e parë fatale që BE-ja i bëri shtetit të Kosovës.

Nga raundi i parë i bisedimeve e deri tek i fundit, shtetit të Kosovës i është hjekur nga një "copë" sovranitet, duke e zhveshur sovranitetin e vendit me marrëveshjet për ruajtjen dhe fuqizimin e trashëgimisë serbe në Kosovë, gjegjësisht fuqizimin e Kishave e Manastireve serbe e deri të marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe, gjegjësisht të marrëveshjes së 19 prillit 2013 të nënshkruar nga ish kryeministri (president aktual) Hashim Thaçi dhe ajo e 25 gushtit 2015 të nënshkruar nga poashtu ish kryeministri tjetër Isa Mustafa.

Detyrimi i uljes në tavolinën e bisedimeve i viktimave me xhelatët e tyre është pak më tepër se presion politik, është nënshtrim, tallje dhe nënçmim në përmasa vrastare për Republikën e Kosovës!

"Korrigjimi" i kufijve me Serbinë, destabilizon ballkanin

E keqja nuk përfundon me kaq, pasi Serbia nga dialogu i Brukselit e nxori një marrëveshje të nënshkruar nga dy liderët e shantazhuar kosovarë (Thaçi e Mustafa), orekset e saj u shtuan për diçka më tepër se kaq!

Serbia ka shtuar orekset e saj ndaj Kosovës, ka intensifikuar agresionin e saj politik e diplomatik kundër pavarësisë së vendit tonë-Republikës së Kosovës, të njohur nga mëse 115 shtete të botës.

Me Asociacionin, me enklavat serbe të fuqizuara në brendi dhe të ashtuquajturin korrigjim të kufirit me Kosovën, Serbia po synon gllabërimin e sërishëm të territorit të Kosovës.

Andaj me këtë rast, dëshiroj të ngreh shqetësimet e mia për çështjen e shkëmbimit të territoreve, gjegjësisht hapjen e 'Kutisë së Pandorës', e cila do të rihapë shumë probleme të "ngrira" etnike në gadishullin ballkanik.

Planet ogurëzeza në prapaskenë, kinse për shkëmbim të territoreve, janë vetëm mashtrime e gënjeshtra që u bëhen çdo ditë qytetarëve të vendit tim. Po shihet ashiqare që Serbia synon të marrë veriun, ndërsa Kosova asgjë territoriale, por vetëm njohjen eventuale nga Serbia!

Po supozojmë që ndodh ashtu siq pretendohet nga Serbia, atëherë çfarë mbetët Kosova pa Trepçën dhe Ujmanin!?

Mbetët një trup pa zemër e mushkëri, mbetët një trup pa shpirtë në mes të Evropës. Do të mbetej një vend pa përspektivë zhvillimore, pa burim të ujit dhe pa shumë resurse tjera natyrore!

Bërja hisedare e Serbisë në territorin e Kosovës, nuk e ndihmon paqen e stabilitetin në rajonin e trazuar, por krijon premisat e fillimit të një lufte të re shkatërrimtare, flakët e së cilës do të shtrihen edhe përtej kufijve ballkanik.

Shumë popujve të botës lufta ua ka sjellur lirinë, por jo edhe shqiptarëve të Kosovës

Populli i Kosovës përjetësisht i është mirënjohës ndihmës së bashkësisë ndërkombëtare, në veqanti SHBA-ve, për intervenimin ushtarak për çlirimin e vendit dhe shpëtimin e qënjes tonë kombëtare nga shfarosja dhe dëbimi gjenocidial i Serbisë.

Pas përfundimit të luftës çlirimtare, gjegjësisht të intervenimit të forcave paqeruajtëse ndaj caqëve serbe, shqiptarët e Kosovës besuan në qëllimin e mirë të perëndimit, të heqjes njëherë e përgjithonë të vargonjëve serbosllav nga qafa e Kosovës!

Intervenimin e NATO-s e kuptuam si çështje humanitare dhe si produkt të vlerava të civilizimit evro-perëndimor, në çlirimin e popujve të robëruar.

Sikurse 19 vite më parë, edhe tani, dy dekada më pas, Kosova ka nevojë për ndihmën e juaj, jo me intervenim ushtarak, por me veprime politike për të ndaluar aventurat e rrezikshme të Serbisë dhe vasalëve të saj shqipfolës në Kosovë e Shqipëri.

Të detyrosh shtetin e Kosovës të dialogoj me Serbinë, kur kjo e fundit në preambulen e kushtetutës së saj e mbanë Kosovën akoma si pjesë integrale të saj, është sa tendencioze po aq qëllimkeqe!

Të detyrosh shtetin e njohur nga 115 shtete të botës të futet në bisedime me armikun e saj shekullor, kur ajo, në vend të kërkim faljes e dëmshpërblimit, kërcënon me rikthim të sërishëm në truallin e saj, është abuzim me të drejtën ndërkombëtare.

Të detyrosh Republikën e Kosovës të futet në bisedime të pabarabarta jo si shtet i pavarur por si subjektivitet nën Rezolutën 1244 të KS të OKB, është shkelje e të gjitha normave demokratike, shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Shkuarja tutje me bisedimet e pabarabarta në Bruksel, gjegjësisht ideja e Serbisë për korrigjim të kufijve, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet bazike të zyrtarëve të lartë euro-perëndimor për mos ndryshim të kufijve në Ballkan, ide kjo që bie ndesh edhe me "Pakon e Ahtisarit", mbi të cilën është  njohur dhe pranuar Republika e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur.

Të nderuar zyrtarë të BE-së, SHBA-ve dhe OKB-së, është në dorën tuaj parandalimi i veprimeve luftënxitëse të Serbisë.

Meqë është kështu, ju ftojë të zhvlerësoni menjëherë Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila i hapë rrugë njohjes së pavarësisë së vendit tonë nga BE-ja dhe OKB-ja, dhe jo vetëm. Kërkesa dhe presioni i juaj politik, do ta detyrojë  Serbinë të heq preambulen në kushtetutën e saj, e cila e njehë Kosovën si pjesë integrale të shtetit serb, dhe jo vetem, duhet të ushtroni presionin ndaj shtetit serb për zbardhjen e fatit të rreth 1600 shqiptarëve të zhdukur dhe për dënimin e vrasësve dhunuesve serb të rreth 20 mijë vajzave dhe grave shqiptare.

Këto që ceka më sipër, zbardhja dhe dënimi i krimeve serbe në Kosovë, paraqet çelësinë e normalizimit të mardhënjeve shqiptaro-serbe. Ndryshe pa shërimin e plotë të plagëve të luftës, nuk ka dhe mund mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ballkan.

Andaj e ftojë BE-në, SHBA-në, KS të OKB-së dhe të gjithë organizmat relevant ndërkombëtar, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që e gëzojnë paqen dhe lirinë në vendet e tyre, që të angazhohen edhe për liritë dhe të drejtat universale që i takojnë popullit të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Veprime konkrete për stabilitet afatëgjatë politik në ballkan

Në emrin tim dhe të Intelektualëve Shqiptar në Diapsorë, ju lutem që të ushtroni ndikimin tuaj në zgjidhjen e drejt dhe të qëndrueshme të çështjes shqiptare në Ballkan, në veqanti të problemit të Kosovës.

E ftojë BE-në dhe SHBA-në dhe OKB-në, që të kërkojnë nga personeli i tyre diplomatik i instaluar në Kosovë, të mos i përkrahin idetë serbe për ndarjen e Kosovës dhe të mos e lejojnë Serbinë që t'i përdor liderët e korruptuar dhe inkriminuar shqiptar për interesat e saj hegjemoniste.

Ndërprerja e dialogut të pabarabartë të Brukselit deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe anulimi i Gjykatës (së njëanshme) Speciale, duhet pasuar me fuqizimin e prokurorisë dhe gjykatave tona me gjykatës e prokuror ndërkombëtar për dënimin e të gjithë kriminelëve të luftës pa dallim, qofshin ata serb apo shqiptar, rom apo turq, si dhe gjykimin e krimeve të rënda ekonomike e politike të pasluftës në Kosovë.

Përfundimisht, njohja e shtetit të Kosovës nga BE dhe OKB, krijimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (element bazik i sovranitetit), zhvillimi ekonomik dhe forcimi i sistemit të drejtësisë janë garancë e fuqishme e paqes dhe stabilitetit afatëgjatë në ballkan.

Vazhdimi i dialogut me Serbinë në Bruksel nën Rezolutën 1244, dhe prezenca e KFOR-it në Kosovë, janë tregues, që nuk jemi çliruar akoma nga Serbia!

Liria e pjesshme është "dhuratë" e pushtuesve, liria e plotë është dhuratë e Zotit dhe e drejtë universale e popujve të robëruar!

Kërkojmë drejtësi, jo diskriminim kombëtar!

Për Këshillin Iniciativ të Intelektualëve Shqiptar në Diasporë

Florim Zeqa,

09.11.2018

Treviso (Itali)