Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zyba Hysa: Kryeveprat 'Lahuta e Malcisë' dhe 'Përpjekja e viganëve të Lumit të Vlorës' plotësojnë njëra-tjetrën

| E enjte, 08.11.2018, 09:46 PM |


KUR LEXOJMË DY KRYEVEPRAT “LAHUTA E MALCISË” DHE “PËRPJEKJA E VIGANËVE TË LUMIT TË VLORËS"  TË FISHTËS DHE  LUZAJT, DUKET SIKUR ATO PLOTËSOJNË NJËRA – TJETRËN…

NGA ZYBA HYSEN HYSA

S’di pse, aqsa herë lexoja Isuf Luzaj, më dilte përpara, Gjergj Fishta, ndaj kur më ra në dorë poema mbi Luftën e Vlorës 1920, u përforcua edhe më shumë kjo ndiesi, se Fishtën e gjeta në hyrje të kësa poeme, ku autori thotë: “Të paskej lindur nga Vlora!” unë shtroj pyetjen për Isufin:“Të paskej lindur nga Shkodra!” dhe si pa vetëdije fillova të gjej pikat e takimit mes kësaj poeme, me “Lahutën e Malëcisë”, ku veçova disa, por ato janë aq shumë saqë nganjherë mendon se poema e Luzajt, është zgjatim i “Lahutës së Malësisë”, që të zgjojë “Cylën e Jugut”, për të krijuar një kryevepër të plotë letrare unike kombëtare,  për ta lënë testament për brezat që do të vijnë…

Poema “PËRPJEKJA E VIGANËVE TË LUMIT TË VLORËS" ngjason me “LAHUTEN E MALËCISË” të Gjergj Fishtës, gjer mund të themi, se Fishta ka qënë modeli i shkrimit të kësaj poeme, se jo pa qëllim e ka nisur këtë poemë me vargje për Fishtën dhe po me këto vargje e ka mbyllur poemën: “Shitoftë Zana, vraftë Ora/ Të paskej lindur nga Vlora/ Lahuta që qe Shkodrane/ Të paskej lindë Labërisë/ Murgu i Math i Shën Marisë/ Lufta e Vlorës hane hane...” ndaj nëse do bëjmë krahasim midis poemës “PËRPJEKJA E VIGANËVE TË LUMIT TË VLORËS" të Luzajt dhe “LAHUTËS SË MALËCISË” të Fishtës do vërejmë një sërë ngjasimesh:

Së pari:  Këto poema janë epiko – lirike, ku në brendësi të tyre shpalosen elemente tragjike që shkojnë deri aty që këto poema janë një gërshetim i përsosur i këtyre elementeve për të na e sjellë “ëmbël” tragjizmin shekullor të popullit shqiptar. Shkrimi i poemavve të tilla kërkon angazhim të madh, por edhe njohuri të thella të historisë tragjike të popullit tonë, për të evidentuar heroizmin e popullit, por edhe për të nxjerrë në dritë se lumenjtë e gjakut shqiptar kush i përdori për të marrë dritë e kjo e justifikon për të dy autorët për këtë ndërmarrje të vështirë për nga koha e gjatë e shkrimit të këtyre veprave; Fishtës u desh 32 vjet kohë, nga 1905 – 1937, ndërsa Isufi, po ta llogarisim nga 1937 kur e misi për herë të parë e deri 1942, kur u sekuestruan dorëshkrimet në burgun e Ventotenes, bëhen 5 vjet dhe nga 1965 - 1990 edhe 25 vjet tjera, bëhen plot 30 vjet. Pra siç shikohet të dy këtyre autorëve u është dashur një kohë e gjatë, për të lënë vepra testament, të cilat provojnë shqiptarët nga antishqiptarët për nga vlerësimet që u bëhen këtyre veprave gjigande të shkruar nga dy gjigandë të letërsisë sonë, të cilët ditën të gërshetojnë mjaft mirë historinë me legjendën, njerzoren me hyjnoren … duke pasur të gjitha parametrat e duhura për tu radhitur në kryeveprat botërore, të cilat mbeten përherë të vlefshme në kohë dhe hapësirë të pakufizuar.

Së dyti: Po të vërejmë vargun e Isufit është identik me vargun e Fishtës, varg popullor tetë rrokësh, ku autori ka ditur ta përdorë atë në vendin e duhur duke marrë të pacënuar, por nga mënyra e vendosjes në poemë e bën këtë varg të magjishëm dhe duket sikur çdo gjë e pse shumë gjëra merren nga gurra e popullore, del nga gurra e shpirtit të tij, e s’ka si ndodh ndryshe, autori është pjesë e shpitit të popullit. Mendoj që kjo mënyrë të shkruari e lartëson më shumë autorin, ashtu siç ka thënë Vehbi Bala: “Me gjeninë e tij, Fishta ka ditur ta shfrytëzojë me plot fantazi thesarin e popullit dhe duke i shtuar atij trillin e vet krijues, ka arritur në majat më të larta të artit poetik të letërsisë sonë”, pra të tillë gërshetim të thesarit të popullit me trillin e tij poetik e gjemë edhe tek Luzaj.

Së treti: Autori Luzaj, është poet, prozator, eseist, filozof, historian, politikan… autor i 135 veprave, por ashtu si Fishta, ka qënë prozator, eseist, publicist, klerik i lartë, politikan, autor i 37 botimeve letrare, emri i tij është i lidhur në pazgjidhmësisht  me një vepër të vetme, me poemën epike historike “Lahuta e malcísë” edhe autori Luzaj, përmes poemës “Përpjekja e Viganëve të Lumit të Vlorës”, mbase e them unë për herë të parë, se kjo vepër ka që në vitin 1992 që dërgohet dorë më dorë e askush nuk e tha një fjalë, gjer arriti tek unë, them me bindje se emiri i Isuf Luzaj, indentifikohet denjësisht me këtë poemë dhe nëse do t’i vinim një titull tjetër për ta ngjasur me “Lahutën e Malësisë” do të ishte “Cyla e Jugut” dhe të dyja këto vepra do të ishin dy pjesët e indentitetit të kulturës dhe letërsisë së vërtetë shqiptare, të asaj kulture autoktone me të cilën ne prezantohemi denjësisht në botë, kulturë që na afirmon dhe konfirmon si komb, pavarësisht se autori i oborrit komunist, Ismail Kadare  për “Lahutën e Malësisë” thotë: “Në të vërtetë, me gjithë mosqasjen e ftohtësinë që treguan për të shkrimtarët e intelektualët e shquar shqiptarë, veprës së  Fishtës, sidomos “Lahutës së Malëcisë”, iu ngrit një kult e iu bë një reklamë e tillë, saqë rrezikonte ta kthente atë në një gur varri që mund t’i merrte frymën gjithë letërsisë shqipe…” dihet se kujt letërsie do i “merrte frymën” asaj të realizmit socialist me përfaqësues z. Kadare, i cili mund të pushtojë majat botërore me shitje të veprave të tij, por s’është përfaqësues i popullit shqiptar. Sot e them me bindje, se kulti i Kadaresë, që famën e mori me librin “Dimri i Madh” ku i ngriti himn një diktatori, vërtet është “një gur varri” që po i merr frymën letërsisë shqipe dhe është pikërisht ky fakt, që Kadare nga viti 1974 ka zënë radhën për çmimin “Nobel” e s’e liron deri sat ë ikë nga kjo botë…

Së katërti: Përveç ngjasimit në llojin e vargut, kjo poemë ngjason edhe për nga konstrukti ndërtimor, ashtu si “Lahuta e Malëcisë” është shkruarnga 30 këngë, me rreth 1700 vargje, vepra “PËRPJEKJA E VIGANËVE TË LUMIT TË VLORËS", mund të ketë po këtë numur këngësh, se fatkeqësisht një vëllim i saj është zhdukur (vëllimi V), ndaj faktike janë 21 këngë, por e veçanta e poemës së Luzajt, është se përveç këngëve, kemi dy vëllime të pa përfshira në këngë dhe sipas shënimit të autorit në këto vëllime përfshihen rreth 68.000 vargje, pra për nga volumi është disa fish më shumë se “Lahuta e Malësisë”, por një vepër s’e bën sasia me vlera, por dua të them se këto dy vepra monumentale të dy kolosëve të letërsisë shqipe, janë si dy pjesët e zemrës së kësaj letërsie, janë dy pjesët e historisë së vërtetë të heroizmit masiv të shqiptarëve për liri e pavarësi kombëtare, ku prezantojnë pastër para botës gjenocidin ndaj shqiptarëve jo vetëm nga serbët, turqit, por edhe nga italianët, të dirigjuar nga Fuqitë e Mëdha.

Së pesti: Koha narrative e poemës së Luzajt, e pse i kushtohet një periudhe të caktuar kohore (luftës së 1920) ai kthehet pas në kohë që në fillesat e racës sonë, duke përmendur dhe krahasuar personazhet e poemës me personazhet e hitrorisë e në të njëjtën kohë sjell në kujtesë historinë shqiptare për të bërë lidhjet mes periudhave historikë për të na dhënë një kontribut të çmuar në shkrimin e historisë së vërtetë shqiptare, pas Koferencës së Londrës. “Lodhja e popujve t'Evropës nga Lufta, degjenermi moral i popujve të saj, kriza ekonomike e shteteve t'Evropës, reçesjoni dhe depresjoni i pas Luftës, marrëzija e Këshillave të Paqes ose Konferencave të Londrës, Parisit dhe Romës, padrejtësija e vendimeve të tyre imorale dhe xhahile, të gjitha pasoja të luftës së parë Botërore.” - Thekson Isuf Luzaj në shënimet e tij, ishte arësyeja e ardhjes së Italisë në Vlorë në 1920 – ën, të cilën e shpreh edhe në vargjet e kësaj poeme gjigande, si për nga madhësia, ashtu nga rëndësia e saj. “N'a u bë pajë Italija/ Si dhuratë nga Evropia/ Mbetet në Vlotë me gjithë ushtri./ Lodhur luftës së Greqisë/ Q'i dha  zjarrin Labërisë/ Populli ynë fatzi/ Kish mbetur si i mahnitur/ Nga jeta i neveritur/ Urren dhe veten e tij / Kish rënë helm në bar e n'ujë/ Helm në bagëti të malit/ Helëm në gjellë e në bukë/ Helëm në mes babës dhe djalit./ Që atëherë kur Osmëni/ I thirri fort Perëndisë/ Erth një engjëll e përmendi/ "Ngrehu, bëhu  Zot'i vendit/ Për hallin e Shqipërisë"

Edhe vepra e Fishtës ka shtrirje të gjerë, që nga Çari i Rusisë (që për fat të keq, ai la testamentin për zhdukjen e shqiptarëve) që me anë Malit të Zi, të pushtonte Malësinë e Madhe… e deri në Shpalljen e Pavarësisë, ndërsa autori Luzaj, duke jetuar edhe luftën e dytë botërore e më pas, gjen hapësira për ta paraqitur atë deri në ditët e sotme.

Së gjashti: Vepra e Luzajt nuk e përshkon tej e tej narraçionin e tij një apo dy personazhe kryesorë, por një gamë e madhe e personazhesh, skalitja e tyre me mjeshtëri të jashtëzakonëshme artistike, veshur me mjete stilistike të gjetuara në popull, bejnë që personazhet kryesor të jetë shkrirë në morinë e personazheve e kjo e bën veprën të veçantë nga kryeveprat botërore, gjë që kështu ndodh e dhe tek vepra e Fishtës, ku protoganist del populli shqiptar që përfaqësohet nga personazhet e shumtë të këtyre dy autorëve, por kjo gjë nuk i lë pas veprave “Iliada dhe Odiseja” të Homerit, apo Eneida e Virgjilit, e pse ngjarjet e poemave ndodhin si rrëketë, përrenjtë që formojnë lumin, pra të gjitha personazhet japin fizionominë dhe historinë e popullit, ndërsa tek Homeri përmes lumit kuptojmë rrëketë e përrenjtë… nga e tëra tek e veçanta dhe nga e veçanta, tek e tëra… çdo gje shkon në realizimit të qëllimit të veprave: pasqyrimi i heroizmit dhe kulturës së një populli të lashtë siç është populli ynë.

Së shtati: Për të shpalosur edhe më mirë idenë e tij, autori Luzaj, në vëllimit e fundit (më shumë, se edhe në vëllimet tjera, apo këngët) vendos si personazh qënëjet mitike dhe në dialogun me to, ai shpalos mendimet dhe dëshirat e tij aqsa reale, po aq mistike. Vetë autori, aqsa e kam lexuar në një pjesë të veprës së tij, përpos tjerave, është mistik, ai edhe në filozofinë e tij origjinale, kalon deri në misticizëm, ndaj s’kishte si të mos shfaqej në këtë vepër gjigande personazhe mitike, si Zana dhe Ora, si përfaqësuese të muzës e sjellë nga fuqi misterioze. Të njëjtën gjë, biles edhe më të shumta i ka këto lloj personazhesh Fishta, i cili e justifikon nga të qenit Prift, por edhe Luzaj, rrjedh nga një familje fetarësh (gjyshi dhe babai kanë qenë hoxhallarë me mederse, me njohuri teologjike dhe filozofike, gjyshi ka qënë professor filozofie në Stanmboll), por ky gërshetim mes reales dhe ireales, ka qënë domosdoshmëri për të qënë vepra të plota, se përmes saj jepet ajo që s’tregohet me fakte, por që ndjehet dhe këtë e ndjen vetë poeti e në personazhin e Zanës, është muza e poetit, dëshira e poetit, ndjenjat e poetit, mesazhet e poetit… kjo gjë është realizuar mrekullisht nga të dy gjigandët tanë, me një kulturë dhe dije përtej atyre që lexohen, ata kanë qënë mbinjerëzorë, ata janë profetët shqiptarë për të lënë amanet dy vepra si dy barkushet e zemrës së letërsisë, historisë dhe kulturës shqiptare.

KONKLUZION:

Nëse dëshirojmë të kemi ndonjëherë letërsi shqiptare, duke mos anashkaluar kontributin e paraardhësve dhe pasardhësvve të Fishtës dhe Luzajt, këto dy vepra të jenë zemra e kësaj letërsie, me gjakun e tyre të ushqehen të gjithë krijuesit shqiptarë për të prezantuar veten në botën e qytetëruar moderne, se të jesh modern, s’do të thotë të mos shkruash për popullin, të jesh modern, duhet të jesh vetvetja dhe çdo shkrimtar shqiptar, s’mund të jetë vetvetja, pa përfaqësuar popullin nga i cili vjen!

Të bëhesh pjesë e letërsisë globale, s’do të thotë sa libra përkthen e sa shet e fiton nga to nëpër botë, por sa dhe si prezanton kulturën e origjinës tënde, pa e fryrë dhe pa e shpërfillur atë, se populli ynë bëri njerës barbarët nëpër shekuj e sot janë barbarët që na përbuzin, na ulin, na shtypin, se po thamë të vertëtën, atyre u bie petku i hipokrizisë dhe u dalin në pah dhëmbët e barbarisë …

Nëse jemi poetë e shkrimtarë shqiptarë, duhet të përuluni me respekt para këtyre dy gjigandëve, se vetëm kështu do mund të lartësojmë veten, do mundemi të shohim të vërtetat e të frymëzohemi për të frymëzuar me krijimtarinë tonë brezat që do vijnë…

ZYBA HYSEN HYSA

TIRANË, MË 7 NËNTOR 2018