Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Asgjë e re në Kosova Kompleks

| E enjte, 08.11.2018, 08:17 PM |


Asgjë e re në Kosova Kompleks

Nga Blerim Rrecaj

Diku shohim një reklamë me mbishkrimin: "10 vite të ëmbla". Nuk ndalojmë ta shohim se për çfarë bëhet fjalë. Dhe kjo fillimisht ta nxjerr një buzëqeshje të papërcaktuar. Veç një grimë më vonë buzëqeshja mund të shndërrohet në ironiko-sarkastike. Dhe sikur të nxit për të menduar për 10 vite pavarësi, shto kësaj edhe një dhjetëshe të pasluftës pa pavarësi, shto edhe dy dekada robëri dhe kështu rrumbullakëso, mendo, fol, hesht a kujtohu për gjithë vitet e jetës tënde. Kujto edhe Sami Frashërin, librin me pyetjet e tij që përthekojnë tri kohët...çka...ishin çka...jemi ...si do...Shto kësaj ëndrra, shpresa, ide,ideale, përpjekje, ca gëzime, e ca gëzime, sa e sa dëshpërime e zhgënjime në të vrazhdin realitet made in Kosova Kompleks. Shto kësaj edhe shprehjen që i rri si kurorë mbi kokë: "sui generis". Shto shkelje të drejtash, përbuzje luftëtarësh, injorim të drejtësh, lotë nënash e fëmijësh e mbyllje shtigjesh e hapësirash për të bukurën e të vërtetën. Shto e hidh siç hedh diç në një gjellë si bjerrje kohe, ecejake torrollake, ndeja të kota, fytyra të zbehura, të lodhura, të mërrolura. Shto e hidh shkollime, seminare, kurse e konkurse, ankesa, sqarime, betejat për ndonjë vend pune. Shto e hidh lëndë gjykatash dhe arena gallatash, sallatash...E ç'të hedhësh tjetër? Pse s'po kemi çka a? Shto parti, zgjedhje, medie, mishmashëria, bashkëpunime, bashkëveprime, aleanca, koalicione vendorësh e jo vendorësh të hapura, të maskuara, të fshehura, prishje, ndreqje, riprishje, rindreqje. Shto të gënjyer e të zhgënjyer, të mashtruar, servilë e militantë. Shto blerje e rrëmbime votash, tenderësh, fondesh. Shto mashtrime, burokracira, mosrespektim afatesh e oraresh. Shto e rishto dilemën i kujt është faji, a e pranon atë kush apo ai i shkreti hidhet nga dora në dorë sa te njëri sa te tjetri. Shto gjuhën shumëkuptimshne duke folur e u shprehur këtu ndryshe, më tej ndryshe, pak më tutje ndryshe. Shto edhe përpjekje të freskëta për ndërrim rruge, rrugice, shtegu, bregu e qasjeje për (mos) me pa alternativë me sy. Shto të përbuzur, të përhumbur, të traumatizuar, të kompleksuar që s'dijnë kah për të shkuar. Shto dhe fjalët: "Këta jemi ne". Shto fotografi çasti pamjesh të bukura a të shëmtuara. Shto piktura nxënësish me dy pamje ku në to ekziston vija ndarëse e natyrës së ndotur nga natyra e pastër. Shto përjetime personale e bridh nga therra në therrë, (thonë ka që kanë vdekur nga moskujdesi ndaj saj) nga ura në urë, nga muri në mur stolisur me tela gjemborë si dikur, nga gropa në gropë, nga këneta në kënetë, nga bataku në batak, nga pusi në pus. E shto e hidh e hidh e shto kështu gjëra në kazanin që zien, në kazanin që vlon sikur vullkan. Nga kjo gjellë mbase na vije për të vjellë, ndonëse ka dhe nga ata që mund të kenë oreks në vendin e quajtur Kosova Kompleks...