E premte, 19.04.2024, 07:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Ion Deaconescu: Poema për Natashën

E enjte, 08.11.2018, 09:27 PM


Poezi rumune

ION DEACONESCU

Poema për Natashën

Përktheu: Baki Ymeri

Shoqes sime, Natasha, e vajtur para kohe, në anën e padukshme të botës, në brigjet e natës pa dritë, gjithë dashurinë dhe mosharresën time. (Autori)

Që të arrish në Parajsë, duhet të vdesish nga shpata e dashurisë... Duaj që të mos jesh i vdekur, dhe vdis në dashuri që të mbetesh i gjallë! (Mevlana Rumi)

NATË MES NESH

Kur të rreshurat për huazim po bien

Me bardhësi pëlhurash të gjera, të hatashme

Duke na ndarë njëri prej tjetrit

Një tjetërsoj kufiri po lartësohet

Ndërmjet syve dhe kohës në peshore

Gotat – shtazë të uritura

I nxisin shijet

Kurse ora është e gatshme të lajmërojë

Rrezikun nga i cili nuk ke shpëtim

(31 Dhjetor 2015)

NATASHA ËSHTË EMRI IM

Përse u ngute o Zot

Ta shpiesh aq larg

Në qiellin pa yje dhe hënë

Përse e thirre

Kur portat ishin të mbyllura

Por ua këpute qepengat

Ta ketë rrugën e lirë

Porsi një ujë i rrjedhshëm

Që s’do të arrijë askund

Po më dridhet shpirti

I bërë si një kasolle e kapluar

Nga merimangat lakmitare

Po pres një përgjigje

Një shpjegim, një thirrje

Ndoshta një tjetër flatër

Një shtizë po ma shpon mishin

Por nuk ndjej kurrfarë dhimbjesh

Vetëm një gjëmim i shurrdhër dëgjohet

Të jetë jehona e gulçuar nga heshtja

Apo nga loti

Më i madh se zemra e dorëzuar

Loti që po ta mban emrin:

Natasha

SHAMIA E BARDHË E KAPITULLIMIT

Vjen nga larg

Nga shumë larg

Me një emër të bukur

Nga një libër i kahershëm

Pa e ditur

Se një vrrushkull vese

Do të të ulet në shuplakë

Për të ta thënë fatin e ardhshëm

Pastaj ke njohur qiellin

Dheun dhe detin

Dhe ëndrrat që u shndërruan

Në shi

N’shkretëtirën e shpirtit tim

Si një premtim i paskajshëm

I lumturisë

Që ndodhi më në fund

Tani, ke vajtur larg

Fort larg

Thuajse je rebeluar

Kundër qiellit

Dheut dhe detit

Duke më lënë në bregun e zemrës

Si një shami e bardhë e kapitullimit

MURET E INDIFERENCËS

Librat e bibliotekës po shemben

Porsi do tulla nga muret e vjetra

Të jetë një shenjë se fletët e tyre

Fshihen nëpër qoshet e dhomës

Thuajse kanë frikë

Apo turp të jenë të lexuara

Po shuhet dhe llampa

Perdeja ësht’e rëndë, duke refuzuar dritën

Të ftoj, por zëri po çahet

Nga muret e indiferencës

Pastaj heshtja bëhet e përflakur

Një farë turre që ma ka përfshirë

Trupin

FANITJE PA LAVDI

Do të më pëlqente

Të të them përse në mëngjes

Kokrrat e vesës shndërrohen

Në gurë të çmuar

Por këtë s’e bëra

Do të më pëlqente

Të ta ofroj një tërfil

Me katër fleta

Duke të thënë se nëse do ta pranosh

Unë do të kem fatin më të madh

Por këtë s’e bëra

Do të më pëlqente

Të ta tregoj avullin e lindjes

Në mëngjeset e dashuruara

Kur sytë e tu bojëqielli

Do përloteshin nga kjo mahnitje

Por këtë s’e bëra

Do të më pëlqente

Të ta shkruaj poezinë më të shkurtë

Nga dy fjalë

Si do zogj të bekuar

Me çmimin e fshehur

Por këtë s’e bëra

Nëpër shtigjet e kohës

Shikoj i habitur se si jeta

E dikurshme

U shndërrua në një fanitje

Pa lavdi

Porsi gjaku mbi një plagë

KUJTIME

E mbaje në sy një qiell me yje

Që notonin në oqeanin e lumturisë

Kur shikoje, terratiseshin pemët

Dhe lulet shpërndanin

Parfume të çiditshme për kremtime

Jurse në fontanë uji i çlidhte

Kuptimet e jetës

Vetëm koha gjithmonë është një çast

Dhe rëra rrjedh për tepër shpejtë

Nga klepsidra e lumturisë

Derisa e diela kullon

Në themelin e ditës që pason

Sot, zogu është i zi

I kllokoçit vetë

Në orbitat e kujtimeve

Porsi do shpella

KUFINJ TË PADUKSHËM

Memzi që u njohëm

Kaluan dyzet vjet

Madje edhe u ndanë

Thuajse mendimi qe shkruar në shuplakë

Që nga fillimi

Nuk u rigjetëm

Nuk thamë asgjë

Duke menduar se do kemi kohë

Të thurrim nga kujtimet

Vargun e artë në qafën ende të re

Dhe mendjemadhe

Molla dhe buka

Ishin akoma të freskëta

Dhe lulet nga shikimet mugullonin

Përnjëherë

Në vesën e freskët të ëndrrave

Të gjithë përrreth të thirrnin në emër

Dhe ylberi i shikimit të bënte roje

Vallë, çka ka ngjarë

Kush mund të më thotë

Përse më braktise me nguti

Kur merimangat e zellshme

E qëndisën pëlhurën e rëndë

Në sytë tu të kaltërt porsi qielli i verës

Mendmiet e mundura nuk kuptojnë asgjë

NGANJËHERË

Çdo ditë kam dashur

Të t’i them shumë gjëra

Por s’e dija si të të shpjegoj

Se nganjëherë jeta

Nuk na majfton

PËRKËDHELJA E HIJES

Mendoja se në dritë

Në vesë dhe n’ylber

Gjatë rrugës që u nisa

Kur nëna e lansoi

Kushtrimin e parë të fitores

I shpreha pastaj aq silaba ëndrrash

Kur nuk më ishte pranë

Duke vjelur lulet e mëngjesit

Të mendimit dhe të zemrës

Derisa një ditë

Përkëdhelja e hijes

Ta shënoi mishin

Me kaligrafinë e kohës mashtruese

Kurse tufat e mjellmave të zeza

Ta mbuluan diellin e vetmisë

Pa patur mëshirë

Dhe pa gjetur strehim

Për ta fshehur lotin e fundit

IKONË NË TERR

Sa i paçmuar është çasti

Kur alfabetin e plaçkisin

Zanoret më të zgjedhura

Për ta stërmadhuar

Euforinë kalimtare

Jeta është një hije që kalon

Nga njëri në tjetrin

Duke qenë tërësi dhe asgjë

Është një ikonë në errësirë

E bezdisur nga gjith’ato lutje

Ikonë e ardhur madje para kohe

KISHA E SHPIRTIT

E ftoja emrin tënd

Mendoja se më dëgjon

Gjaku po më kullon

Dhe ëndrra hamhamëron

I lë kujtimet në brigjet e shpirtit

Duke të pritur në gjunjë

Që të gëzohesh edhe një herë

Zemra ime të trokasë

Por nuk po do

Në kishën prej mishit

Të shenjtërit u ngujuan

SHTËPIA E SHPIRTIT

Nesër, pasnesër, do të shkoj

Nga shtëpia e shpirtit

S’do të më njihni

I dogja krejt flatrat

Dhe sytë m’u verbuan

Nga gjithë ato lot të zi

Krahët m’u bënë

Më të mëdhenj se trupi

I arritur në kotarin e braktisur

Askush s’do të më vajtojë

Nuk do qajnë as fjalët

Që t’i dhurova dikurë

Duke e çelur me to

Arkën e ëndrrave të magjepsura

Nesër, pasnesër, kur do dal

Nga shtëpia e shpirtit

Një turmë fluturash të humbura

Do të ulen në supin tim

Shenjë se flatrimi mbaroi

TRISHTIMI I SHKRETËTIRËS

Shkretëtira nga dhoma pa ty

E shton heshtjen që po vajton

Askush nuk shkon askush nuk vjen

Po dëgjohet vetëm dridhja e shpirtit

LITARI I REVE

Kur shpirti shkëputet nga trupi

Hapat të çojnë

Rrugëve pa mbarim

Nëpër natën e dëborave të ngrira

Kur Zoti ka dremitur

Dhe s’e din se ç’ka ngjarë në këtë botë

Pas aq viktimave të shkëputura

Nga kalendari

Hija vonohet dhe mbetet

Aq larg

Nga trupi që s’mundet

Ta mbajë hapin me të

Dhe atëherë gjelat me shtatë lafsha

Lajmërojnë kohën e psherëtimës së gjatë

Kur shpirti do të ndahet nga trupi

Në litarin e fjalëve

Dielli do të verbohet

JEHONA E BËRTITJES

Të ftoj nëpër dhomën

E shndërruar në një shpellë të hatashme

Pa dritare dhe derë

Dhe duart shtrihen të pamundura

Duke të kërkuar

Thirrja duke u shndërruar

Në lotin e gurëzuar

Do të ngjitem mbi një re

Por më thuaj si ta ndali

Jehonën e bërtitjes

TRIM I MUNDUR

Ike duke e lënë pas teje

Saharën e dashurisë

Dhe hijen që nuk shkëputet

Nga trupi pa fuqi

Në syrin e mbushur me vetmi

Një lot e dëbon shqetsimin

Dhe e fton paqën mes fjalëve

Aq rrallë të shprehura

Thuajse po e nënshkruajnë

Një ndëshkim apo frikë ireale

Goja m’u kyç

Dhe e pranoj se jam

Një trim i mundur

HIRI I ZEMRËS

Të rivjesh, të rivjesh

Si gjithmonë të jesh

Të jesh jeta dhe

Dheu i rrënjëve të mia

Që kanë nisur të flatrojnë

Me hirin e tepër të zemrës

PËRFYTYRIME PA TRUP

Unë jam larg prej teje

Në vendin ku shtëpitë ndërtohen

Në shpatije dhe në kreshta malesh

Porsi do çerdhe zogjsh

Sa më pranë qiellit

Gjithandej ka lule misterioze

Duke shpërndarë parfume

Nga vesa dhe toka e gurtë

Këtu njerëzit shikohen në sy

Të thonë mirdita

Thuajse njihen nga moti

Të kërkojnë rrugëve

Në shitore, në parqe

Gjithandej

Por nuk të gjejnë

Gjenden vetëm pamje

Dhe përfytyrime pa trup

Dhe gjithnjë po pyes

Ku ke vajtur

Me krahët plotë me hije dhe vesë

YLBERI GËNJESHTAR

Ka lulëzuar jargavani

Dhe duke e kuptuar paralajmërimin

U venit përnjëherë

Kend duhet ta presë

Për t’ia vjelur parfumin

Dhe të gëzohet për dhuratën

Ke vajtur

Porsi një ndëshkim

Me jetë të dhunshme
Pa pranvera e ardhmëri

Vetëm me kujtime

Që po ngjeshen përreth

Shpirtit të kryqëzuar

Si një ylber gënjeshtar

NJË FYTYRË TJETËR

Të flas dhe një jehonë e pashpleksur

Shpërndahet porsi një flladitje

Që po kthehet drejt meje

Dhe mbetet pas shpinës së zërit

Të bërë një hingëllimë e ligështuar

Janë fjalë me vetëm disa zanore

Pothuajse një murmurimë

Nga vetë emri yt

Që përsëritet me pamundësi

Thuajse dikush përpiqet

Të ngrejë një murë hijeje

Dikurë do të jem mirënjohës

Vetëm pas trishtimit

Që ma dha një fytyrë tjetër

Dhe një thëngjill

Në vend të zemrës

FLUTURIM I KOTË

“Jetojmë në frikë, dhe për atë nuk jetojmë.”

Budha

Ngado që të shikosh

Kur qielli s’e mbulon dheun

E njerëzit kanë harruar të besojnë

Në mëngjeset dhe bërthamën e fatit

Nga shuplaka dikurë hulli i brishtë

Është një truall moskuptimesh

E tmerresh

Kurse shpirti më kot kërkon

Të këpusë zinxhirët e përmallimit

Të varrosur me vajtim

Mendove se koha s’don të thotë

Stuhia e lotëve

Vaj, vaj

E dëgjove thirrjen

Përtej qiellit

Pa e ditur

Se edhe flatrimi nganjëherë

Është i kotë

NË GJYSMËN TIME,

NË GJYSMËN TËNDE

Ke mbetur në brendinë time

Gjysma ti, gjysma unë

Me kujtime e me gjithëçka

Me ëndrra të paplotësuara

Të shpërndara gjithandej

Porsi do pëlhura të të vërbërit

Që pikturon në ajër

Tani, fjalët po ngjeshen

Njëra përmbi tjetrën

Nuk i dëgjon si qortrohen

Nga dhimbja e vetmia

Dhe pyes, jo vetëm një herë

Por me mijëra herë

Përsa gjithë kjo tollovi

Në brendinë time

Në gjysmën time

Në gjysmën tënde

Thuajse nuk po njihemi

LULEKUQJA E DEGDISUR

Lulekuqja e humbur u kall

Duke shpërndarë ngrohtësi

Dhe një erë të tmerrshme

Barërash të parfumosura në agoni

Ora i ka hapur sytë

Dhe nga gjithë ajo mahnitje harroi

T’i lajmërojë ngjarjet e ardhsme

Trupi im

Kurrë nuk do të rivijë

Pasiqë zemra ime

U bë ylber i mahnitur

Dhe i çakërdisur

Që pat vajtur në botë

Duke të kërkuar

UNAZA E GISHTIT

Ti ike dhe vetulla u mbyll

Si një qepeng i rëndë mbi dritë

Kufi zjarri mes të jesh apo të mos jesh

Ndoshta paqja e fundit

Ndërmjet gjith’atyre pëshpëritjeve

Ngase jeta dhe vdekja

Përkundrazi të trembin

Çast për çast

Në një përhapje shenjash

Dhe ëndrrash

Iku dhe hija e tmerrit

Dhe lulet nga saksitë u venitën

Kurse n’shkretëtirën e mendimeve

Nuk gjendet as zjarr e as ajër

As shpresa e oazës

Veçse përmes unazës së gishtit

Që u bë fije e kullosës së tharë

HUMNERA E PËRKOHËSISË

U fanite nga humnera e dashurisë

E bukur dhe krenare që nga fillimi

Me gjasë që nga koha kur e njohe botën

E përgjithmonëshme

Pastaj, vit për vit, qielli

T’u strehua në sy

Me atë kaltërsi të ngrohtë e të thellë

Duke m’i ngrohur ditët

Dhe s’e dija veçse tepër vonë

Se sa u mundove mbi ogarin

E ëndrrave të mia

Duke më bërë kryelartë

Pa të dhuruar diç

Nga pasuritë e fituara

Në shpirt e në mendje

Tani, të ndjej gjithandej

Në vetë hijen time

Në pasqyrën që ma refuzon shikimin

Në derën që nuk po çelet

Në erëtimën e çarçafit

Por, sidomos, në lotët e mi

Që do bëhen përrua, lum, det

Oqean

Humnerë e përkohshmërisë mashtruese

NDËSHKIMI I MADH

Edhe bjeshkët nisën të qajnë

Kur jehona e solli lajmin

E mbytur nga lotët

Se po pushon

Në bregun e natës pa dritë

Prej tani e tutje

Fjalët e pashprehura

Do na gjykojnë në mungesë

Dhe, të etshme për fitore

Do kërkojnë ndëshkimin e madh

AVULLI I LOTËVE

Po bie shi papra

Është një tjetërsoj apokalipsi

Kur manjolia e shpirtit

Mbeti e mugulluar

Pastaj u venit

Bie shi, rrah era e ftohtë

Në këtë prill

Që do ta zhdukja nga kalendari

Shikoj në dritare

Dhe avulli i lotëve

Më pengon të të shikoj

Vallë përse u degdise

Duke më lënë në verbërim

DUKE KËRKUAR FATIN NË SHUPLAKË

Duke u lindur po dashurohemi

Duke u dashuruar, bëhemi të pavdekshëm

Dhe murosemi për së gjalli

Në manastirin tonë

Me flatra e me krejt

Dhe nuk flatrojmë

Kah thirrja e jehonës mashtrimtare

Më fol me pëshpëritje

Folmë ngadalë

Të mos dëgjojë Zoti

Kur më the se s’mendove deri tani

Pastaj të heshtim, kur do dëgjojmë ndëshkimin

Që e përçon furtuna e shpirtit

PLAGA MË E MADHE SE QIELLI

Nuk kam rrënjë por stela prej flatrash

Dhe flatrim derisa dita është e madhe

Përgjatë gjatësisë e gjerësisë së qiellit

Madje edhe tejmatanë horizontit

Sa liri dhe asnjë pikë përgëzimi

Nëse do ta kuptoja ku ke arritur

Do shndërrohesha në dritë të butë

Të lindjes së diellit

Për të ta ngrohur trupin e etshëm

Për gjithë ato përkëdhelje

Por nuk e dij se ku je

Dhe gjithnjë flatrim e flatrim

Që kullon gjak

Deri në pikën e fundit

Të plagës më të madhe se qielli

NË BRIGJET E BOTËS

Më pyete, ashtu, duke bërë shaka

Di do ta paranoj ndarjen prej teje

Kur do të ikish mbi një re

Apo do të fshihesh

Në kokrrën e vesës

Për një çast, gjaku m’u ndal

Dhe një thikë me dhëmbë

Ma shpërtheu gjoksin

Përtej kufirit të shpirtit

Prej atëherë fillova

Të dridhem gjithnjë e më shpesh

Njësoj sikur dikush më trokiste në derë

Duke më ftuar në brigjet e botës

Dhe të errësirës

SHËMBËLLTYRA E DYLLIT

Po derdh qielli

Tufa fluturash të bardha

Bie borë me fjolla të mëdha

Në shpirtin tim të stërvetëtimuar

Nga sopata mendjemadhe

Po e pres gjumin. E din se

Mund të jetë një letër

E gjatë dhe e shushatur

Porsi bota nga e cila ke vajtur

Më thirrë, si zakonisht

Gishtërinjtë më janë zbutur në dritë

Të ta përkëdhel shëmbëlltyrën e dylltë

NDËRMJET LINDJES DHE PERËNDIMIT

Pluhur, hi, greminë

Ja shenjat e dashurisë së çmendur

Kur qielli yt dhe imi

U terratis përnjëherë

Porsi një kufi

Mes lindjes dhe perëndimit

Me kujtime të plaçkitura

FYTYRA JOTE PREJ NUSEJE

Po pres çastin kur një ditë

Pasqyra do ma tregojë

Fytyrën tënde prej nuseje

E mahnitur nga ngjarja

E madhe

DITA KUR U NDAL DHEU

Nuk ishte asnjë bërtitje

Qiellli i natës nuk u dridh

Ujërat nuk dolën nga shtrati

Vetëm agimet e mëngjesit u përgjakën

Si dhe dheu, përnjëherë

U ndal në vend.

Atëherë ike nga atje

Ku do më shoqërosh

Kur koha do ma gërvishë

Mishin

Shenjën e thellë të pamundësisë

YLLI I GJAKUT

Prej aq kohë

Ke ngritur në sytë e mi

Një pjesë të parajsës

Duke më dhënë flatra

Të flatroj në qiellin tënd

Madje tejmatanë horizontit

Dhe këngës së bylbylave

Një tringëllimë kambane

Ma përkujton çastin

Se je veshur me hije të zeza

Dhe se ke vajtur si një lot

Nëpër dritaren e shpirtit tim

Të kryqëzuar

Në çastin ende të papërjetuar

Kur derdhet ylli i pamundësisë

LOTI I ÇMENDUR

Trishtimi i ditës

Po shkrihet në mua

Si një thëngjill i shuar

Nga malli i lotit të çmendur

(21 Korrik 2016)

VERA E VARUR

Në korrik jemi

Acari im po qëndis

Shtëllunga kujtimesh

Dhe litarë të gërshetuar me argjend

Vera e lëvarur nga gjithë ai trishtim

(11 Korrik 2016)

UNË DHE TI

Unë

Përrreth hijes time

Gjithnjë e më shushuritëse

Që refuzon të më mbështesë

Kur po pengohem

Nga jeta që tallet me mua

Thuajse jam një gjah i çmimit

Apo një bishë e egër

Por, ti

Nuk mund të të prek

Gishtërinjtë takojnë vetëm thëngjillin

E kufirit të zjarrtë

Të ftoj

I gjunjëzuar nga vetmia

Dhe s’mund të kuptoj

Përse çasti i tanishëm

S’do jetë asnjëherë

Si ai që ishtee dje

Kur dimri shndërrohej në pranverë

Kurse lulet e mollës

T’i stërkuqnin faqet

NDËSHKIMI I HESHTJES

Mbi tëmthat tona

Do faniten dikurë njollat e kujtimeve

Si një shpëtim apo fshehtësi e dritës

Që gërmoi hendek të thellë

Në mishin e tëhuajësuar

Nga dhëndrri i plleshëm i kohës

Drita u fsheh ku ta dij se ku

Madje edhe dielli u verbua

Dhe thuajse shuarja e dritës

Ishte paralajmërim

Apo përmbushje tmerresh

Për tepër larg nesh

Po dëgjohen fjalë

Janë shprehjet tona të pashpleksura

I kam shqiptuar dikurë

Dhe ua kam ushqyer hirin

Me porosi dhe llahtari

Me përshpëritje e lutje

Dhe frika nuk u pluhuros

Kënga e mjellmës në agim

Vetëm mua më sulmoi në tëmth

Duke e shpërlarë ndëshkimin e heshtjes

Së deritanishme

FJALA E FUNDIT

Shtëpia ime nuk e ka adresën

Letrat që po ti dërgoj

Mbetën pa përgjigje

Edhe pse çdo ditë e pres

Postierin në portë

Duke marrë të njëjtin verdikt “asgjë”

Thuajse nuk nuk po ekziston

Qysh kur ke vajtur

Por e dij se ka kohë

Të ta them një fjalë

Një fjalë të vetme

Fjalën e fundit

Poezi nga libri Flatra e fundit

(Kushtuar prindërve të mi:

Marin dhe Aurica)

ME SY TË MBYLLUR

Drita, ah, ku është drita

Që e ndeze me zjarrin

E zemrës sate

Zog i lirë që flatron

Mbi lumturinë e zgjuar të mëngjesit

Po lutem

Ta mbaj me lehtësi përgëzimin

Kur të kundroj

Me sy të mbyllur

DESTINI I MADH

Kam frikë ta kapi lirinë

Për të të ëndërruar

Është si një dhuratë që e pranon

Për këmbim, pa bërë diçka

Kam shumë detyrime

S’kam flori dhe diamante

Por do të jem aq i pasur

Kur do të më fanitet

Lumturia e parë

Do jetë si një dalje nga burgu

Ndoshta një ndëshkim tjetërsoj

Që mugullon dritë

Dhe destitin e madh

LOJË E PANJOHUR

M’u shndërruan krahët në flatra

Është koha e shkuarjes, po them

Edhe zogjtë më ngashnjejnë

Me qiellin pa re

Kurse xixëllonjat ma tregojnë

Rrugën më të shkurtë

Një thirrje e tmerrshme

Thuajse një lojë ende e panjohur

Kam frikë ndërkaq t’i hapi sytë

NË PORTAT E MAHNITJES

Po e dëgjoj në gjumë

Lotin dhe vajtimin e saj

Duke ndjerë në fytyrë

Hullirin e thellë e të padobishëm

Diçka e ngashnjen zemrën

Që t’ua mbathë këmbëve

Porsi një lejlek i dehur

Nga gjerësia e qiellit

Të jetë çasti i baraspeshës

Kur dëgjoj se dikush më thërret

Apo bërthamat e ëndrrës

Që nisin të japin fryte

Në portat e mahnitjes

Ku ta dish

Loti naiv s’ka asnjë ardhmëri

YLBER MREKULLISHË

Ke shkelur mbi një guacë

Dhe një gjëmim deti të trazuar

U dëgjua gjithandej

E morre në shuplakë

Dhe përnjëherë zbatica

Ta mbajti shpirtin

Porsi një ylber mrekullishë

Përmbi shikimet fitimtare

FLUTRA TË DASHURUARA

U degdisa nëpër pyll

Duke kërkuar drurin më të mirë

Do ta latoj me ëndrra

E do ta shndërroj në shtrat me rozë

Ku do kesh mundësi të prehesh

Dhe lulet e dashuruara

Do të të ulen mbi qerpikë

Porsi do petale të zvogluara

Nga ëndërrimet

Dhe atëherë, ndoshta

Do ta kuptosh alfabetin

E duarve të mia

Të humbura në humnerë

GJUMI I KUJTIMEVE

Të kërkova duke u ngjitur mbi një shkallë

Që të çonte drejt reve dhe dëborës

Thuajse ishe një nuse

Me duar të bardha, e puthur nga engjëjt

Në kohën kur zogjtë

Me flatra të argjendta

Flatronin përrreth teje

Në shenjë kënaqësie

Kam frikë të zgjohem

Dhe të të degdis

Nuse prej ëndrrash

Dhe prej dëbore

Që shtegton në gjumin e kujtimeve

PAMUNDËSIA

Po shikoj në pasqyrë

Dhe s’e di se kush është

Ai që më shikon

Do të jepja gjithçka

Ta kuptoj përgjigjen

Por fjalët

I kanë kyçur dyert e heshtjes

YLLI I ARGJENDTË

Dikurë do të kem shtatëdhjetë vjet

Dhe atëherë zemra do të pranojë

Flatrën e fundit

Për të fluturuar

Në drejtim të mendimit

Drejt dritë së syve të përlotur

Nga gjithë ato harlisje

Dhe pyetje pa përgjigje

Po, zemra do ta ketë edhe një flatër

Dhe, çka nëse do ta pranojë aq vonë

Kur ylli i argjendtë

S’do ta dijë nga cila rrugë të niset

FLATRAT E MENDIMIT

Sa fshehtësi mban fleta e bardhë

Si dhe syri i të dashuruarit

Është më shumë se një botë

Ndoshta ësht’asgjëja që revoltohet

Se nuk japin pesë pare për të

Duke u bërë gazi i fjalëve

Të pakuptuara

Ndoshta një ditë

Jeniçerët e pagjumësisë do t’i shpërthejnë

Faqet rebele

Me tehun e thikës perverse

Shenjë se germat u shndërruan

Në mendime me flatra

Duke fluturuar

Përtej ballërave të shëlbuara

PIKAT E MENDIMIT

Lajmet e liga fshihen, zakonisht

Në një lot apo shkronjë

Apo në humnerën e shpirtit

Që nuk mund të rivijë

Nga ato që i dëgjon dhe sheh.

Në një tryezë, në kafenenë „Balzac cofee”

Jam duke lexuar në „Berliner Zeitung”

Se stilolapsi i Gunther Grass-it

Do të mugullojë në qiell

Atje, mbi një re

I ftuar nga Zoti

T’i bëjë shoqëri

Filxhani i kafesë po dridhet

Në duart e Paul T.

Dhe duket si një plagë e pashëruar

Kurse Constantin B.

I then qepengat e heshtjes:

„Na vdesin poetët, o Zot

Dhe bëhen statuja të ajrit”

Në kafenenë „Balzac cofee”

Koha u ndal

Kurse një pikë mendimi

Kërkon pak dashuri

PYETJE

E humba zemrën

Ndoshta u dorëzua me joshje

Apo ndoshta ia dhurova

Agimeve mashtruese

Dhe s’e dijti, e gjora

Se jeta është koprace

Dhe perfide aq herë

Kurse gaca rri gjithmonë e fshehur

Në fjalët me mjaltën në buzë

Dhe në bërthamën në brigjet

E mendimit të cfilitur

Nga vdekja nuk trembem

Nga asgjë nuk kam frikë

Por çka do të ngjajë me mua

Nëse zemra do të harrojë

Prej kujt ka ikur

DRYRI I QIELLIT

E dij se je përreth ylberit

Për të ma dëbuar lotin nga sytë

Që deshi të të jetë një burim

Apo ujë i kristalintë

Por ëndrra e fshehur pas qepallave

Ende nuk u përmbush

E ndjej se je atje

Dhe se e zbut shiun

Dhe besën e humbur

Hape dryrin e qiellit

Dhe drita do na bëjë vend

Për shrtat

TANI

Pas gjithë atyre viteve për ndërtim

Muresh e kështjellash

Nga fjalët, loti dhe vesa

Do të doja, tani

Të bëhem skulptor

I tymit të oxhakut

Të shtëpisë së prindërve

SYRI I PËRLOTUR

Na e jepni prap ajrin e vjedhur

Nga pyjet e Transilvanisë

I shpërndarë në Romë, Vienë

Budapestë dhe Moskë

Nëpër shakullimën

E stinëve të pafatshme

Na i jepni prap pyjet e breut

Të prera me sopatën e urrejtjes

Si në një çuditshmëri të mendjes

Pa mendje

Shpatijet e dikurshme

Që mbanin mbi supe

Qiellin e atdheut dhe këngët e zogjve

Fajtore nuk janë vetëm kohërat

Dhe horizonti i përgjakur

Ndoshta se ne është dashur

Ta kërkojmë nga një kishë

Për t’u lutur dit’e natë

Se jemi larguar nga dheu

Kemi shitur shtëpinë e prindërve

Dhe mollën e mbushur me molla

Dhe nuk na ishte më mirë

Pa zemër dhe shpirt

Na e jepni prap

Shpresën dhe historinë

Emrin dhe krenarinë

Por edhe syrin e përlotur

Që të mos shohë

Se si jemi në të vërtetë

VESA E ARTË

E pashë ëndërr babain

Duke ndenjur përpara dritares

Me ballin e ngjitur në xham

Duke shikuar përtej botës

Thuajse dëshironte të shohë

Pranverën e tij të parë

Dhe ardhmërinë

Në shuplakën e nënës së tij

Duke qarë nga lumturia.

Babai e kërkonte ardhmërinë

Në të katër horizontet e botës

Buzëqeshte nganjëherë,

Tjetërherë dukej i mrolur

Dukej se shqiptonte ca fjalë

Të pakuptuara nga askush

Apo ndoshta mendonte

Të lindet edhe një herë

Në një vend tjetërsoj të rregulluar

Me mahnitje të fshehta

Dhe me vesën e artë

BISHA DHE GJUETARI

U pengova

Për fjalët dhe ëndrrat

Edhe pse i vura në lutje

Dhe thirrje të pasuksesshme

Duke e humbur më kot kohën

Kohëve të fundit po pyes

Nëse bisha e gjuetari nga shpirti

Do të kuptojnë ndonjëherë

Kur gjatë vjeshtës

Do ta humbin durimin

LETËR PA DESTINACION

Bie shi, fërshëllen era, është ftohtë

Fjalët kanë filluar të dridhen

Mbi fletën e prekur

Nga një frikë e padukshme

Kurse dora duket si një degë

Pa gjethe e pa lëng

Do doja t’ua shkruaja një letër

Shtëpiakëve të mi, mamasë dhe babait

Por kaloi edhe kjo verë

E s’pata kohë për dy-tre fjali

Dhe ata ende presin në portë

Por postieri nuk po vjen

Dhe shpirti tashmë u ka vajtur

Nga trupi pa hije dhe mish

Kurse teshat u janë bërë më të gjera

Bie shi, fërshëllen era, është ftohtë

Germat përplasen mbi fletën e bardhë

Porsi lapat e manit, në vjeshtë

Letër kjo pa destinacion

PRANGAT E DASHURISË

Nuk po shoh asgjë

Është njësoj sikur të jesh i verbët

Mahnitja më kaplon

Dhe sa e gjatë është rruga

Deri tejmatanë perëndimit

Është porsi lindja:

Ditë e stërvetëtimuar nga gëzimet

Por edhe si vdekja:

Në natën më të qetë

Më mbetën vetëm prangat e dashurisë

SHTIGJET E ZEMRËS

Desh të bëhem

Latues i lotëve

Që syri im të shikojë

Përtej horizontit dhe zemrës

Por nuk ia arrita

U bëra ndërkaq arkitekt ëndrrash

I ajrit dhe hijeve

Dhe dora m’u dogj si një qiri

Duke vizatuar mendime e fshehtësi

Dhe shije të shpirtit të uritur

Tani, shtegu i zemrës sime

Nuk po më çon askund

QETËSI DHURRDHIMTARE

I përkasim vetëm rrugëtimit

Që na çon ku ta dimë se ku

Atje drejt majave apo askund

Duke mbajtur në grusht

Bërthama mendimesh

Duke i gatuar nga padurimi

I frytit të ardhshëm

Sa mirë që bishat ende nuk u zgjuan

Dhe s’qëndrojnë të uritura në përgjim

Vetëm era po rrah më fortë

Dhe ajri është gjithnjë e më i paktë

Nëse do të dëgjohet një britmë

Don të thotë se ka nevojë për ndihmë

Por, vaj, çfarë qetësie shurrdhimtare

LOTI I ZËNË ROB

Po shikoj në pasqyrë

Dhe do të doja ta vërej

Fëmijën e dikurshme

Shoh vetëm një fytyrë solemne

Duke më ftuar për ndihmë

Lotin e zënë rob

PËR HERË TË FUNDIT

Drita, ah, ku është drita

Bërtita, ndoshta ulërijta

Dhe zjarri i zemrës apo përmallimit

U kall në trojet e përgjërimit

ME SYTË E DRITËS

Hesht ngase ashtu dua unë

Madje nëse bishat e egra

Dhe qenjtë e tërbuar më anashkalojnë

Nuk dua ta trazoj lindjen

E mendimeve

Apo qetësinë e gjakut të qetësuar

Pas gjithë atyre fortunave

Diçka m’u ul mbi supe

Dhe më dhemb prekja

Thuajse është një plagë

E thellë dhe e freskët

Nuk të ftoj. Po hesht

Me sytë e dritës po shikoj

Brendinë time dhe s’e them asnjë fjalë

Madje nëse më tremb ajo që kam parë:

Një shpirt i stolisur me zinxhirë

PRANVERA E ARDHSHME

Përmbi shtigjet e hijësuara

Bien gjethet e verdha të vjeshtës

Duke u përplasur me truallin

Dhe një gjamë kalon nëpër ajër

Thuajse

Është një këngë e largët

Dhe për tepër e njohur

Nga tejmatanë horizontit

Dhe botës

Bien gjethet e verdha e të rënda

Dhe shpirti im ëndërron

Pranverën e ardhshme

ERË E DEGDISUR

Hija ime është një çapkëne dinake

Që më ndjek gjithë kohën

Thuajse qenkam një armik i rrezikshëm

Fshihet pas tufave e pemëve

Më thirr në emër

Dhe nuk tregohet

Thuajse dikush u degdis

Duke më kërkuar ndihmë

Tjetër herë duket e padukshme

Por dëgjohet një murmuritje

E erës së harlisur

Apo këngë gjinkallash

Mbi të cilën ra një gjeth i rëndë

Nga plepi plak

Në mezditë më dërgon emisarë

Përmes një rreze të diellit

Pa u menduar

Ti ke vajtur. Unë kam humbur

ÇFARË MREKULLIE, DIKURË!

Dy zemra binjake, e njëjta ëndërr

Dhe zëra që shushurisin në gjoksin e jehonës

Është kremtimi i lotit të cfilitur

Dhe sekreti që buron nga vapa e buzëve

E shkula lindjen, nga humnera

Dhe arin nga mundjet e begatshme

Kur gjithëçka nuk ishte veçse shikim

Nga sytë si do agime pranverore

Por nuk e dija se do të vijë

Një e nesërme pa të sotmen

Pa hije dhe fjalë

Dhe sa vonë po e kupton

Se je vetëm mysafiri i jetës

KAQ HULUMTIME

Më the në telefon

Se poezia ime e fundit

Që ta pata dërguar

E vure në një enë të Sevresit

E shtrenjtë, e trashëguar nga gjyshërit

E lexon herëpashere dhe e ledhaton

Dhe ajo ka kundërmim dheu të freskët

Të trëndafilit para se të bie bryma

Të vesës e të shiut

Nganjëherë ka erën time

Dhe ngadalë e zalisur

Nuk e din çka të bësh me faqen

Nga e cila flatrojnë drejt zemrës sate

Aq zanore e shenja kushtrimi

Dhuroja erës

Dhe një ditë do ta gjesh në prag

E zverdhur nga gjithë ai kërkim

NË VEND TË FJALËVE

E përvetësova fuqinë

Për ta mundur heshtjen tënde

Dhe loti ësht’i gatshëm të bie

Nga syri që s’po të dëgjon

Do të ta dhuroj

Gjithëçka që nuk e pata

Deri tani

Dhe çka do të përfitoj

Kur do më buzëqeshish

Në netët rebele:

Ylberë në vend të fjalëve

FILLIM I POEZISË

Motto: Poezia është esenca e jetës.

Më ndriçoi

Ky shi nga kthelltësia

Duke rënë me indiferencë

Përmbi Moskën triumfuese

Në shuplakë, një stërpikje e ftohtë

U shndërrua në lule

Fillim poezie

Poezi nga libri „Hiri i kujtesës”

KANDILI I SHPIRTIT

Dhe sytë u degdisën

Mbi ikona sfiduese.

Lutja ësht’vetëm jehona e emrit tënd.

Mos ma kërko shqetsimin

Dhe kandilin e shpirtit,

Gjithandej vetëm fjalë prej dylli.

SHTËPIA

Po më dërmohet shtëpia.

Tullat pas tullave fluturojnë

Si do flutura të dehura me dritë.

Bien tabllotë nga muret

Dhe fotografitë nga kornizat e praruara.

Thuajse na ishte nata

E Bartolomeut të Shenjtë,

Kur briri i argjentë ftonte gjuetarët

Në gostitjen e kujtimeve.

DËGJO SI PO VDES VERA

Po çgjethohet ari nga pemët

E rezeve fatlume

Zogjohu, o Zot, dhe dëgjo

Se si po vdes vera

Në netët e buta

Dhe pas zogut që degdiset

Në ajrin e kalamendur

Kurse ora psherëtin tinëzisht

Në agimet e mendimit.

Heshtja e detit

Lind kaq pamundësi.

SHIGJETARI I ZEMRËS

Noton në erë shigjeta

Nga shikimi i syrit perfid,

Fierri në trupin e dridhur

Nga pritja e prreshit.

Shigjeta si një mallkim

Në buzët e Penelopës,

Së plakur nga gjith’ato pritje

E tradhëtuar nga shigjetari i zemrës.

SI NJË GJETH

I pasuruar me miq e me të vdekur

Shpirti po ngjitet në mua

Si një gjeth

Në murin e vlagtë, të myshkosur.

SI NJË FESTË

Në një mëngjes të marsit

U nisa pa e ditur

Se ku do të arrij.

Kremtimi po afrohet

Kah mbarimi

Duke shndritur me fitore.

HAPAT E PARË

Nuk e pashë askend

Në këtë botë

Të mos ketë flatra.

Ato flatrojnë duke kërkuar

Gjahun e dashurisë

Dhe kur e gjejnë

U bien pendat e harrojnë

Se gjendet një qiell

Edhe një horizont i artë

Dhe misteri tejmatanë zërave.

U mbetet vetëm kujtimi

I hapave të parë mbi dheun

E ngashnjyer të shtirur.

HIRI I HISTORISË

Filloi apokalipsa:

Po kryhen ekzekutime

Para pasqyrave të mëdha që të tregojnë

Me gishtin e tyre sfidues,

Ngase arriti koha me zogjtë shtegtarë

Të shkojnë tejmatanë horizontit,

N’shkretëtirën mikpritëse të tjetrës stinë,

U dha lajmi se s’do bie dëborë,

Do të gulçohen dhe shirat

E dikurshme,

Ësht’koha e zambakëve të helmuar,

Bërthama tashmë u verbërua në dhe

Dhe po ngjeshet nga gjith’ajo pamundësi.

Hiri i historisë ësht’ende i nxehtë

Dhe kundërmon tmerrësisht në tradhëti.

QIELLI NËN TOKË

Përse ta tëhuajëzojmë parfumin

E trëndafilit të fshehur mes faqeve

Të një libri të lexuar dikurë,

Me zë të lartë,

Të na dëgjojë Zoti

Se jemi aq të lumtur.

Në çdo gjë fshihet një shenjë,

Në kërminj e në bririn e demit,

Më vashën që ëndërron të jetë nënë,

Në mollën e në kambanën prej bakri.

Shikoje trëndafilin e dikurshëm

Dhe si në një pasqyrë,

Qiellin nën dhe,

Do të mbushet me zogj dhe në sqep

Me lule kaçash.

FTESË

Mes mundimeve të të gjallëve

Dhe heshtjes së të vdekurve

Hija atypëraty e kërkon

Çiftin,

Një ftesë rënkimi e qartëson

Horizontin.

ÇASTI I SHTIRUR

Asnjë fjalë s’është më e mirë

Se sa tjetra,

Asnjë ëndërr s’është më e bukur

Se sa ajo e djeshmja.

Kundërmon vjeshtë e pasur,

Me fryte të pjekura

Dhe shira të pahasura.

Me kthetra të mprehura

Koha po pyet

Për mëngjesin e ardhshëm.

Përse nuk përgjigjesh,

Përse po përulesh aq shumë,

Çast i shtirur?

NGA GJITHË AJO VETMI

Kemi konstruktuar qendra observimi

Për të arritur sa më afër qiellit,

Ditën mundohemi,

Natën, rrimë me sytë në yje.

Sytë tanë,

Të kulluar nga gjithë ajo vetmi.

PRA

U ndal pranvera mbi gjinjtë e tu

Duke u dridhur nga mahnitja

Dinake e aq e mistershme

Me puhinë e çuditshme

Që ia përkëdhel.

Ftoj terrin porsi një doganë

Dhe të përfitoj

N’ëndërrime të gjata e me ndruajtje.

Erdhi pranvera furishëm në sytë e tu,

Si do çerdhe

Me zogj të paçiftëzuar.

Pra: më provoko

Dhe bërtit:

Plagomë thellë, për tepër thellë,

Me bërtitjen që e përmbush mëkatin!

PËRTEJ BOTËS

Poeti s’do t’i harrojë kurrë

Rrënjët e zjarrit

Dhe të dritës së fjalës.

Sytë e tij që kullojnë mahnitje

Shohin përtej botës

Edhe shqetsimin e agimeve.

Në bregun e zemrës sate

Ankorohet përjetësia.

SHAMIA E ILUZIONIT

I lidhur në sy me shaminë e iluzionit

Kërkoj të shoh edhe përtej shikimit,

Ndoshta shkëlqimi i sopatës

Që bie mbi hijen e kambanave,

Duke lajmëruar një tradhëti të re

Apo një pëshpëritje dashurie,

Në kohërat aq të përngutura

Kur gjithëçka gjykohet në mungesë.

Vetëm ajo, shamia e iluzionit

Përmbi fjalë të huazuara

Do të bëhet, ndoshta, puhi

Ere.

UNË, ASKUSHI

Asgjë nuk më mahnit

Drita ta përkëdhel tulin

Pranë një zjarri parfumesh,

Lulesh e frytesh të proshkëta.

Zonjë, që e kupton

Atë që s’kuptohet,

Përse përkëdheljet shndërrohen

Në një vepër krenarie,

Njësoj si ta latosh një diamnat

Me sy të mbyllur, fërgëllimtarë,

Diamant i fshehur në fjalët

Që u degdisën në shenja

E jehona.

Zonjë, si një lindje,

Unë, askushi,

A s’është ashtu se heshtja

E ka mundur sherrin dhe krenarinë

E hijes?

PA TY

E vetmuar, nuk do ta dish kurrë

Sa e bukur je, e çveshur,

Porsi një bimë e brishtë

Nën rezet e buta të diellit.

E vetmuar dhe e çveshur,

Mbi çarçaf duke u dridhur nga ajri

Që t’i shpupuris flokët

Dhe s’ka distanca, mure

E dritare të ndërhapura nga depërton

Puhia e detit dhe thirrja e atij

Që të kërkon gjithandej në botë,

Kurse lëkura e bronzuar, aq vezulluese,

E ndal kohën që ta ftojë

Edhe një viktimë në gjilotinën e pendimit.

E vetmuar dhe e çveshur

S’do ta dish asnjëherë

Se sa e shëmtuar është bota

Pa ty.

FLUTURAT NAIVE

Të kujtohet, më sa duket,

Se si dielli derdhej

Mbi trupin tënd prej shkume,

Gjatë verës së burgosur nga vapa e ditëve,

Një këngë

E mbështjellte atëherë,

Me shije në buzët e të dashuruarve

Ishte si një puhi

E pashpjegueshme me fjalë.

Dhuratat më të mëdha na vijnë

Nëpërmjet marrëzisë,

Nga një herë edhe Zoti e humb përmasën

Dhe atëherë u fanite ti

Pothuajse hyjnor, pothuajse muzë,

Në atë verë të trishtë e të gëzuar,

Kur flutrat naive u degdisën

Përgjithmonë,

Kurse unë, në përqafimin tënd,

E pata humbur emrin.

NË RRUGËKRYQIN E SHPIRTIT

I trazar nga gjith’ajo pamundësi

Njeriu e luti

Zotin

T’i japë flatra si zogjve

E ta lërë të notojë si peshqit.

Zoti e dëgjoi

Dhe më në fund i dhuroi

Tre flatra, të rënda si guri.

Tani, s’e di nëse duhet

Të flatrojë, të notojë

Apo të ecë në tokë

Si dikurë,

Por ëndërron në vazhdimësi,

Duke patur frikë t’i hapë sytë

Ngase, në rrugëkryqin e shpirtit,

Kujtimet tashmë po ia lustrojnë

Shpatat.

FJOLLA QË TRAVERSOJNË PËRJETËSINË

Jemi në të shkuarën. M’i morre sytë

Ku reflektoheshe duke më thënë

Se më sheh duke mbjellë një pemë

Me zogj

Në shuplakën tënde ku themelohet drita...

I rëndë është tani shikimi dhe loti

Derisa mishi u shndërrua

Në një shigjetë që lulëzon

N’qetësinë e kohës së venitur.

Sot je si një fjollë e lumtur

Që e traversoje përjetësinë,

Derisa unë, acari që të mbron

Prej flakës së gjakut të ri.

Lulzim Tafa

NËSE DO TË SHKRUASH

NJË LETËR PËR NATASHËN
(Poetit Ion Deaconescu)

Nëse do të nisish

Një letër për Natashën.
Shkruaje atë letër
Prej fryme
Dhe hidhe në hapësirë.

Shpirtrat rrinë zgjuar
Vetëm natën
Mengjeseve ata
I zë gjumi i thellë i vdekjes.

Çile guri gojën
E natës tregoj
Kur me i çelë sytë
Kur vjen vdekja e bardhë.
Me gjuhë të artë
Rrëfehet shipirti i sajë
Sa jetoi me Poetin
Jetoi si gjethe
I ftoi pëllumbat
Si vjeshtë e lumtur.

Nëse do të nisish
Letër për Natashën
Shkruaje atë letër
Prej fryme
Dhe lëshoje
Si zogun
Drejtë Qiellit.

REFERENCA KRITIKE

Përderisa shumë poetë shkruajnë gjatë për të thënë shkurt, poeti rumun Ion Deaconescu shkruan shkurt për të thënë shumë dhe gjatë. Për mua leximi i poezive të këtij poeti të mirënjohur, paraqet një kujdes të veçantë ndaj mendimit të shprehur dhe fjalës së shkruar, sepse ai ndërton tekste të konstruktuara me imagjinatë të bujshme, me figura stilistike, me bukuri artistike dhe me një diskurs elegant dhe të fuqishëm. Pa kurrfarë dyshimi, I. Deaconescu është një poet i mirëfilltë në kuptimin e vërtetë të fjalës. (Jeton Kelmendi, 2018)

***

Ion Deaconescu është njëri nga poetët më të shquar të momentit, ndoshta për tepër pak i interesuar ta bëjë të njohur prezencën, ndoshta për tepër modest dhe me një ndjenjë të mirë të cilësisë së tij të pa çmuar dhe të pa kërkuar në ditët tona – por për asgjë në botë nuk meriton të kërkosh një petk, një tjetër petk të huazuar, kur vetë veshja yte poetike të ka hije. Poezia e tij është sa intelektuale, po aq edhe përdëllimtare. Dhe, edhe në njërin, edhe në rastin tjetër, deshifrohet në një varg të një besnikërie të padyshimtë në fjalën e vet, e shprehur dhe e kuptueshme nën zodiakun e një ylli magjik të krijimtarisë autentike. (Constantin Cuble?an, 2002)

***

Pa dyshim, poezia është një rrugë komunikimi, një rrugë e majave. Fusha e fjalorit të etshëm për të thënë diçka nëpërmjet ritmit, harmonisë apo përfytyrimit – siç theksonte Paul Valéry – i përshtatet në kontekst komentimit të poezisë së Ion Deaconescu-t, krijimtaria e tij duke shkëlqyer më një harmoni të veçantë të mbrendshme, fjalët duke rrjedhur njëra nga tjetra në një natyrshmëri fort precize të studiuar. Prej këtu, ajo gjendje e një fuqie të jashtëzakonshme që e zgjon lekturimi i vargjeve të tij. (Radu Cârneci, 1994)

***

Vepra e strukturuar me rigorozitet, krijimtaria poetike e mjeshtrit rumun nuk degdiset as në gërshetimin deskriptiv të përfytyrimeve të cilit poetë të panumërt rumunë ishin të obliguar t’i nënshtrohen përmes cenzurës djallëzore politike të këtyre katër dekadave. Poashtu, nuk degdiset as në intimizmin pa fluturim dhe pa shkëlqim që e përbën, në përgjithësi, pala tjetër e frymëzimit në këtë perimetër gjeografik. Lehtësia nuk e kërcënon kreativitetin e këtij poeti të arrirë tashmë në maturitetin e artit të tij. Ion Deaconescu, po qe se e kërkojmë në linjën sa më të afërt të universit obsesiv, regjistrohet në linjën e Augustin Doina?-it, që pa dyshim është, poeti më i rëndësishëm rumun i kësaj dekade të fundit dhe dhe njëri nga më reprezentativët të Europës. E përshëndesim hyrjen e Deaconescu-t në qarkullimin poetik ndërkombëtar. (George Astalo?, 1993)

BIO-BIBLIOGRAFI E SHKURTË

Poeti rumun Ion Deaconescu u lind më 7 Mars 1947 në Tërgu Logresht, rrethi i Gorzhit. Pas shkollimit fillestar dhe gjimnazit e kreu Drejtësinë dhe Fakultetin e Filologjisë më Universitetin e Bukureshtit, si dhe disa kurse për perfeksionim profesional në fushë të Psiko-pedagogjisë speciale. Doktor në filologji, anëtar i Unionit të Shkrimtarëve të Rumanisë dhe i disa shoqatave tjera nacionale dhe internacionale për gazetari, anëtar i International Association of  Romanian Writers and Artists (USA) etj. Funksione drejtuese dhe aktivitet profesionale: profesor i disa shkollave gjenerale në provincë, asistent universitar, lektor i gjuhës dhe qytetërimit rumun në Shkup, Beograd, Novi Sad, Maltë, Krajovë, konferenciar universitar, profesor universitar, sekretar shkencor, prodekan për relacione internacionale, president i Akademisë Internacionale „Mihai Eminescu”, president i Shoqatës së Studimeve Internacionale „Pro Est”; drejtor i Editurës „Europa” në Krajovë. Nga viti 2006, kryeredaktor i Fletoreve të Akademisë Internacionale „Mihai Eminescu”, Editura Europa në Krajovë. Nga viti 2007, drejtor i publikacionit PRO EST (revistë për analizë të politikës Internacionale të Europës jug-lindore, Editura, Europa në Krajovë. Laureat i çmimeve të panumërta kombëtare dhe ndërkombëtare për promovimin e vlerave shpirtërore rumune, për poezi, për paqë etj.

Vepra. Përkthime, antologji, poezi, romane, ese, kritikë letrare, intervista (1981-2018): Lindja e fjalëve, Aparat për fotografimin e shpirtit, Bërtitja e kujtesës, Ena me brymë, Përjetësia e çastit, Poezi dhe humanitet, Maskë për zërin, Poezi dhe epokë, Gramatika e ngjarjes, Sprovë për vetmi, Retorika e pasqyrës, Zero dinamike, Ngashnjimi, George Bacovia apo monologu në më shumë zëra. Retorikë, oratori greke dhe latine, Lulishtja e shkretëtirës, Plaga e errësirës, Arkeologjia e lekturës, Interferenca kritike, Kremtimi i humbjes, Retorika gjenerale, Teoria e relacioneve internacionale, Shpresa, Interferenca lirike, Ndëshkimi i poetit, Loti i ardhshëm, Përralla vazhdon, Antologjia e poezisë së sotme universale, Dritare të murosura, Flatra e fundit, Manteli i stinës së vitit, Gjahu i dashurisë, Bezlinte, A las puertas del asombro, Sand Tapestries, Poema për Natshën. Disa nga librat e tij janë botuar në Turqi, Moldovë, Hungari, Maqedoni, Itali e në vende tjera.

CUPRINS – PËRMBAJTJA



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora