Friday, 16.11.2018, 09:48 AM (GMT)

Speciale

Skënder Blakaj: Kontributi shqiptar i Papë Albanit, përfshirë kryeveprën “Illyricum Sacrum” dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Thursday, 08.11.2018, 08:50 PM


Kontributi  shqiptar i Papë Albanit,

përfshirë kryeveprën “Illyricum Sacrum”

dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Ekskluzive nga Skënder Blakaj

A ka një mister te lidhja e Gjergj Kastriotit me familjen Albani?

Me personalitetet dhe familjet e mëdha të origjinës shqiptare të jashtë atdheut, që i dhanë e i japin nam Shqipërisë, shpesh mburremi shumë edhe kur i njohim fare pak.  Për familjen Albani të Urbinos në Itali pothuaj të gjithë që shkruajnë për ta, po edhe ata vetë, e sidomos Gjon Françesk Albani, aq i njohur si Papa Klementi XI e pohojnë mburrshëm origjinën e tyre shqiptare. Një hartë e botuar në Romë në vitin 1689, me praninë e Gjon Françesk Albanit në tekstet brenda hartës, e vulos faktin e origjinës dhe e prezanton identitetin e të parëve të tij. Harta është përpiluar nga gjeografi Xhakomo Konteli, ”sipas vizatimeve të bëra në vend”, siç shkruhet në tekstet brenda saj. Harta ishte përgatitur nën përkujdesjen e Gjon Françesk Albanit, këso kohe sekretar i Papë Inoçentit XI. Në kushtimin e këndit të djathtë të epërmë, shkruan: ”Të shkëlqyerit e të përndriturit zotit administrator të denjë për shumë lavdi, imzot Gjon Françesk Albanit, sekretar i Zyrs së Shkresave të Papës. Dy shekuj më parë Shqipëria qante largimin e bijve të vet më të ndritur dhe të heronjve, që deri në atë kohë e kishin mbrojtur prej barbarëve. Tani, që ju zot i shkëlqyer jeni i përkushtuar, ajo po lehtësohet pjesërisht, duke kujtuar se midis atyre luftëtarëve të famshëm kanë qenë Filipi dhe Gjergji prej familjeje fisnike nga Laçi. Të nxitur prej emrit të Frederikut të Madh të Montefeltros, dukës së Urbinos, ata emigruan dhe u vendosën këtu. Prej vendit nga kishin ardhur ata u mbiquajtën Albani. Më pas ky mbiemër i ri u trashëgua prej pasardhësve të tyre të shkëlqyer, nga të cilët është zotëria juaj i shkëlqyer që aq shumë po ndriçon në Lacion tonë. Shërbestari Xhovani Jakomo de Rosi po ju rishpreh shumë përvuajtësi, shumë besnikëri dhe shumë bindje”. Harta është botuar me vetë miratimin e papë Inoçentit XI. Të gjitha këto flasin aq shumë dhe s’durojnë komente. Hartën dhe interpretimin i botoi Kasem Biçoku në revistën “Albanica”, nr.68. Harta ka shumë rëndësi edhe për toponimet që sjell, por ka edhe shënime të tipit “Kruja, vendlindja e Skënderbeut”, “Kështjella e Skënderbeut” pranë Kepit të Rodonit, po edhe  gojëdhëna si ”Petrela konsiderohet vendlindja e Lekës së Madh”, “Elbasani, vendlindja e Pirros”, etj.

Kontributi shqiptar i Papës Klementi XI Albani

Gjatë pontifikatit të tij 21 vjeçar (20.XI.1700-19 III.1721), na thotë K.Biçoku te shkrimi i cituar, u bë ribotimi i tretë i veprës së Pjetër Bogdanit ”Çeta e Profetëve”, më 1702, u botuan edhe shqip Aktet e Kuvendit të Arbënit, më 1706, veprat e Françesko Da Leçes “Fjalori latinisht-shqip”, më 1702 dhe “Gramatika e gjuhës shqipe”, më 1716, e para e tillë. Papë Albani ngriti kolegje e seminare në Romë. Hapi edhe Katedrën e Gjuhës Shqipe në shkollën e Montorinos në Romë, më 1711, etj. Ishte dakorduar me kërkesën e arbëreshëve për hapjen e një kolegji në vendbanimet e tyre, por kjo nuk ndodh, shkaku i vdekjes së tij, por e realizon Papë Klementi XII, për të cilin thuhet se kishte rrënjë shqiptare nga nana. Kolegji i Shën Adrianit hapet me 1733. Më vonë zhvendoset dhe njihet si kolegji i Shën Mitër Koronës, në Kalabri. Aty u shkolluan shumë arbëreshë, si Paskuale Bafa, Domeniko Mauro,  Jul Variboba, Zef Serembe, Jeronim De Rada, etj. Jeroim De Rada e futi mësimin e gjuhës shqipe aty në vitin 1849. Në vitet 1895-1919 aty u arsimuan shumë intelektualë nga Shqipëria, si Luigj Gurakuqi, Avni Rrustemi, Kostaq Cipo, Ziaudin Kodra, Kol Kamësi, Hysni Lepenica, Ramiz Varvarica, etj. Aleksandër Xhuvani ishte profesor i gjuhës shqipe në vitin 1906/ 1907. Edhe vetë Papa Pali II, me rastin e përkujtimit të  500 vjetorit të Skënderbeut, kishte thënë se “Papa Klementi XI Albani mburrej me prejardhjen e tij të moçme shqiptare”. Shumë autorë theksojnë se është i vetmi papë që pranë emrit zyrtar e vendosi edhe emrin e identitetit etnik.

Një koleksion mahnitës i librave për shqiptarët

Vetëm botimet origjinale për të, përfshirë krejt letërkëmbimin, edhe ato për shqiptarët, që i ka në koleksionin e tij mahnitës Ylli Sula nga Tirana, do të mjaftonin për një njohje më të mirë të këtij njeriu  të madh edhe të kombit shqiptar. Koleksioni i z. Sula thjesht është i mahnitshëm. Janë qindra libra, harta, stema, ëmblema, nga origjinali i “Skënderbeut” të Barletit, 1510, afro 120 libra për Gjergj Kastriotin, te librat e shumtë për Papë Albanin, librat e 14 femrave udhëtare në Shqipëri, shumë libra për Ali Pashë Tepelenën, e shumë thesare të jashtëzakonshme, 330 njësi bibliografike, me të cilat u befasuan e u kënaqën shumë vizitorë në ekspozitën e hapur në Muzeun Kombëtar në Tiranë, 22 tetor 2018, përnjëhërësh me një tubim shkencor elitar (Aurel Plasari, Xhevat Lloshi, Skënder Blakaj, Pëllumb Xhufi, Irakli Koçollari dhe Dorian Koçi) me temat që u ndërlidhën me njësitë e librave në ekspozitë, krijoi atmosferë vizlluese.

Edhe një herë te rrënjët e familjes Albani

Në prag të Kuvendit të Arbënit, që u mbajt më 14 e 15 janar të vitit 1703, në letrën dërguar kryeipeshkvit të Tivarit, Vinçenc Zmajeviqit, më 8 qershor 1702, Papë Albani i shkruan: ”Dëshiroj të përmbushësh një vizitë pastorale në trojet e Arbënisë....më në fund dua ta di a e përdor ai popull gjuhën e vet, të folmen arbneshe”. Zmajeviqi ia përshkruan mjerimin dhe i thotë se duhen hapa të menjëhershëm “për t’i ardhur në ndihmë popullit të Arbënisë, që është në të njëjtën kohë dhe populli juaj, o At i Shenjtë”.

Edhe një herë, le të kthehemi atje, te të parët e Familjes Albani. “Në kohën e Skënderbeut, dy djemtë e Mikel Laçit ishin kapitenë të Veriut, ata u dërguan me detyrë diplomatike dhe ushtarake në Urbino, te Duka i Urbinos”, konstaton studiuesi Eqrem Zenelaj, në librin “Papë Klementi XI dhe familja Albani, gjenealogjia”. Dhe shton se Urbino ishte asokohe qënder e rëndësishme evropiane, dhe se shkuarja e tyre atje ndodhi në vitin 1464. Këta dy shqiptarë, Filipi e Gjergji, për të cilët Vinçenc Malaj, te libri “Kuvendi i Arbënit”, thotë se “dy djemtë e Mhill Laçit dikur ishin luftëtarë nën urdhërat e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, habia është- pse u pritën kaq mirë, të shpërblyer me tituj e prona nga Duka i Urbinos, Montefeltro? Montefeltro njihej si njeriu më i fuqishëm i Evropës, për financat dhe ushtritë që mblidhte, por edhe për financimet e mëdha në kulturë. Tip i mercenarit të furishëm, Montefeltro kultivonte lidhje me të gjitha shtetet që u duhej ndihma e tij. Por, edhe të kishte njohje me Kastriotin, gjatë udhëtimeve të Gjergjit në Itali a në kohën e ekspeditës ushtarake atje, më 1460/61, a do të ishte kjo e mjaftueshme për pritjen e tillë të kalorësve të tij në Urbino? Këto pyetje i bën edhe historiani italian Andrea Aromatico, mbas asaj që ndodhi në kishën e familjes Albani në Urbino, në këto vitet e fundit. Gjatë restaurimit të kupolës së saj, shembet dyshemeja dhe dalin korridori që lidhte kishën me pallatin e familjes Albani, dhe tunele e pjesë tjera të nëndheshme. Pos tjerash, edhe një varrezë e një kardinali të kësaj familjeje, dihet që ishin disa kardinalë të saj, dhe varrezë e tillë normalisht nuk duhej të ishte aty, e thotë ky historian, në dokumentarin e përgatitur atje, nga Bernard Pesniçkaj dhe Aida Shtino. Historiani Aromatico shpreson se hulumtimet mund të sjellin ndonjë informacion për thesaret dhe koleksionet artistike të familjes Albani. Ai i quan thesare të zhdukura. Ky historian pyet e pyet-mos ka një mister që i lidh Skënderbeun dhe Papë Albanin, d.m.th. familjen Albani? Të merrje tituj të tillë nga Duka Montefeltro ishte privilegj i jashtëzakonshëm, thotë ai. Të parët e familjes Albani mos sollën ndonjë vlerë të posaçme në Urbino, kur po rrezikohej Skënderbeu nga osmanët ose për arsye të tjera? A mund të haset gjë në Krujë a në Lezhë dhe a mund të kishte udhëtuar Gjergj Kastrioti në Jerusalem?, vijon ai me pyetjet. Historiani Aromatico sikur aludon në diçka nga ato që quhen relike të shenjta a diçka të përafërt. Reliket e shenjta janë pjesë e debateve që s’po mbyllen kurrë, a humbën, a u ruajtën, a janë e ku janë?

Te historianët haset edhe mendimi në mos e kishte kontaktuar Skënderbeun Vatikani a ndokush tjetër në kohën kur ishte subash, qeveritar i sulltanit në Krujë, në vitet 1436-1439? Ai tashmë ishte gjeneral i shquar i Perandorisë Osmane. Një decenie para kësaj, më 1428, sipas historianit të njohur serb, Vladimir Qoroviq, Skënderbeun në Adrianopojë e kishte takuar Stefan Balsha Maramonte, i fundit i kësaj familjeje të madhe shqiptare. Kishte vajtur te sulltan Murati II të kërkojë ndihmë ushtarake për përballjet e tij me Serbinë, me Raguzën e me Venedikun. Po e veçojmë një pjesë nga “Historia e serbëve” e Qoroviqit: “Atje, midis turqish, Maramonte e takon Gjergjin, djalin e Gjon Kastriotit, i cili kishte ardhur në pallatin turk si peng, dhe aty e pranon islamin dhe bëhet Skënder-beg. I ati i tij më 1428 i lut miqtë e tij venedikas të mos ia konsiderojnë atij për faj, nëse djali i tij i turqizuar i shkretëron tokat e tyre”. Ka një biografi të pasur ky Stefan Balsha Maramonte, po historia jonë zyrtare nuk e përmend.

Me pyetjet si më sipër le t’i shkojmë mbas Skënderbeut. Aurel Plasari shkruan se Sami Frashëri, te Fjalori i Përgjithshëm, na thotë se pas sundimit në Krujë, Skënderbeun sulltani e dërgoi në Siri. Nga libri “Skënderbeu” i A. Plasarit, citoj; ”...nëse u besohet njoftimeve të një enciklopedisti si Sh. Sami-bej Frashëri, mbetet për t’u shqyrtuar gjasa që ai (dmth. Skënderbeu, s.b.) për një ndërkohë të ketë shërbyer si sanxhak-be në Sham (Siri)”, d.m.th. administrator ushtarak.

A kishte qenë Skënderbeu në Jerusalem?

Gjenerali i shquar osman, Skënderbeu, nuk i kishte fort larg Palestinën e Jerusalemin. Po të kishte ndonjë porosi të madhe, ose ngacmim e interes personal, mund të arrinte atje lehtë. Kjo mund të jetë koha kur ai e kishte ndarë mendjen ta braktisë sulltanin. Mbas rrënimit e masakrimit shtazor që i bëjnë tatarët në verën e vitit 1244, “Jerusalemi nuk do të ishte më i krishterë, deri në vitin 1917”, siç shkruan autori i përmasave botërore, Simon Montefiore, në librin e tij “Jerusalemi, jetëshkrim”, botuesi “55” . Në kohën kur mund të ishte Skënderbeu ynë në Damask si qeveritar osman, nga 1439-ta e tutje, Jerusalemi sundohej nga mamelukët. Mamelukë quheshin ushtarët skllavë, jetimët e stërvitur egërsisht. Qendrën e kishin në Kairo. Montefiore thotë se: ”ata u bënë ushtarë të krisur që i shkatërruan kryqëtarët dhe u bënë të njohur si Luanët turq dhe Tempullarët islamikë”. Mamelukët ishin turqishtfolës, e praktikonin Ku’ranin, por i shpërfillnin arabët. Ishin diktatorë të ashpër. Vendet e shenjta, Tempulli, kishat, Varri i Shenjtë, përdhoseshin ndytshëm. Këtë e ndihmonin edhe pelegrinët nga bota. Pelegrinazhi ishte kthyer në tregti të neveritshme. Mamelukët kërkonin pagesa të rënda për ta lejuar vizitën dhe qëndrimin në vendet e shenjta. Mendimi që fëmijët e krijuar brenda Kishës, bënte që pelegrinët të paguanin për qëndrime të gjata aty, me alkool e orgji. Sipas këtij historiani, kështu bënin edhe në Varrin e Shenjtë, për të cilin një pelegrin i gërditur thoshte se nuk ishte asgjë tjetër veçse një shtëpi publike. Në kësi Jerusalemi krejtësisht të shkallmuar mund të ketë shkuar Skënderbeu. Me çfarë misioni, çka mori, mos ndonjë gjë të fshehur nga templarët e çka solli me vete në Krujë dhe me çka i dërgoi në Urbino të Italisë kalorësit e vet, paraardhës të familjes së shquar Albani?, sigurisht që janë pyetje të rënda.  Edhe po të jetë kjo krejt në kufi të fantazisë, të jetë drithë që nuk bën bukë, ndoshta ia vlen të bluhet. Historia nuk e kryen misionin vetëm kur ofron fakte e kur nxjerr përfundime, por mbase edhe kur shtron pyetje e kërkon përgjigje, kur shtron ndonjë hipotezë që pret fakte, të cilat  edhe mund të mos i vijnë kurrë. Prandaj është aq me interes tema për shqiptarët dhe kyqëzatat. Faik Konica, i cili për shumëçka i tejkalon gjithë të tashmit, në një letër dërguar nga Brukseli At Shtjefën Gjeçovit në Shkodër, në vitin 1897, i thotë: “Përveç dorëshkrimeve historike që po shtyp te “Albania”, nisa të përshkruaj edhe të gjitha sa libra janë shtypur në shek. XVI përmi udhëtime në Jerusalem, se peregrinët e asaj kohe shkojin më të shumët nëpër Shqipëri... Kur të shtyp të gjitha këto te “Albania”, do të mundim të nxjerrim andej disa libra historie”.

Nga Memoranda e Gjon Muzakës, e vitit 1510, përkthyer dhe interpretuar nga Pëllumb Xhufi në Librin “Nga Paleologët te Muzakajt”, mësojmë se një pjesëtar i familjes Dukagjini, edhe vetë me emrin Dukagjin, “mori pjesë në pushtimin e Jerusalemit dhe kur u ndodh në Shqipëri, mori një vend të quajtur Zadrimë”.

Një tjetër shkrim i moçëm na thotë se Skënderbeu e kishte vizituar Jerusalemin, dhe ishte lutur në Tempullin e Solomonit. Dhe madje, pas vdekjes, për hir të tij, krahu ku ishte lutur, nuk është hapur më kurrë. Po citoj: ”Për këtë fat që ka pasur (Skënderbeu, i paplagosur në më se 30 luftëra), ata që kanë shkruar për të, e kanë quajtur njeri fatlumë dhe njeri që ka qenë në miqësi me mrekullitë. Këto iu dhuruan nga Zoti në Jerusalem që në vitet e hershme (molodih let) në Kishën e Shenjtë mbi të shenjtat, të ndërtuar nga Solomoni. Për këtë arsye tani askend nuk e lejojnë të hyjë në atë kishë, as të krishterët e as turqit.”

Po vazhdoj, pa e kapërcyer pyetjen- po Ylli i Davidit në simbolet shtetërore të Kastriotit, me atë ndërthuerjen e atyre dy trekëndëshave e me domethëniet e posaçme jobiblike, d.m.th. të lashta e parabiblike të yllit gjashtëcepësh?

Teksti për Gjergjin tonë dhe kishën në Jerusalem është nga botimi rus i “Rrëfimit për Skënderbeun” (Povest o Skenderbege) botim i Akademisë së Shkencave të BRSS, në vitin 1957. Libri ka një parathënie shterruese të Aleks Budës për Gjergj Katsriot Skënderbeun dhe epokën e tij. Theksohet që teksti i A. Budës është përkthyer nga frengjishtja. Libri ka korrektësi e aparaturë të pasur shkencore. Në hyrje përgatitësit e botimit përmendin nëntë ”Spiski Povesti o Skenderbegu”, pra, dorëshkrime të moçme ruse për Skënderbeun. Përmendet vendndodhja, edhe ndonjë manastir, por autorin e ndonjërit dorëshkrim, as hamendësimin për të, nuk e kanë askund. Mikel Prenushi, te libri “Kontribut shqiptar Rilindjes evropiane”, 1981, në shkrimin e gjatë për Maksim Artiotin (1475-1556) thotë se ky, në burgjet e rënda që vuajti në Rusi, kishte lënë shumë shkrime fetare e filozofike. Në veprën “Koha, fjalë të shkrimtarëve për ngjarjet e gjithë botës, marrë nga shkrime të përhapura”, në 851 faqe, Mihali i Artës ka një fletore ku flet për Atdheun e tij dhe epokën e madhe të Skënderbeut”, shënon M. Prenushi. Shikojeni pjesën e dytë të titullit. Është e besueshme që Artioti, gjatë studimeve në Itali duhet t’i ketë njohur veprat e Marin Barletit, të Dhimitër Frangut e tjerat për Skënderbeun. Edhe libri për Skënderbeun te vepra voluminoze e Marcin Bielskit, Hronika Sviata (Kronikë e botës) botim i vitit 1564, e para vepër dalë polonisht, pos botimeve të njohura për Skënderbeun, duhet ta kishte për bazë ndonjë variant të dorëshkrimit të Mihal Artiotit. Artioti, ky vigan i Rilindjes evropiane, me angazhimin e tij fetar, filozofik e praktik, i dënuar nga kundërshtarët obskurantë, njihet me emrat Mihal Artioti, Masimo d’Arta, Mihal Trivoli, Michele, Massimo il Greko, Maksim Grek (se shkoi nga Mali Athos i Greqisë) pastaj Maximus, po edhe Maksim Shqiptari. Në shkrimet e në monografitë e vëllimshme për të theksohet që ishte nga Arta në Shqipëri. “Propugnatore ello cultura in Russia, nato in Albania”, lindi “in the Arta, Albania”, Maksimi i Shenjtë ishte “iz goroda Arta v Albanii, bliz Epira”. E thonë që ishte më i shquari dijetar në Rusinë e kohës. I lindur rreth vitit 1475, prindët e qytetëruar e dërgojnë herët për shkollim në Itali. Studion në shkollat me famë në Paris, Venedik, Ferrara, Firencë, Padovë, në kohën kur po kulmonte Rilindja kulturore në Evropë. Edhe pranë shqiptarëve si Leonik Tomeu e Marin Beçikemi. Kthehet pak në Artën e lindjes, qëndron një kohë në manastirin Vatopedi në Athos, për thellim leximesh, por kalon në Moskë, i ftuar nga Knjazi i madh i Moskës, për të sistemuar e përkthyer vepra e dorëshkrime vlerash të mëdha të mbledhura pas rënies së Bizantit. Artioti bën punë të shkëlqyeshme, por e zgjon mërinë e klerikëve me frymën e tij të rilindësit dhe e dënojnë si heretik. Vuan në internime e burgje të tmerrshme nga viti 1525 deri më 1551. U prit me nderime kur u lirua, dhe iu caktua vendqëndrim i dinjitetshëm në një manastir, ku e vizitoi edhe cari që e liroi, Ivani i Tmerrshëm, por nuk iu lejua kthimi në atdhe, dhe vdes në Moskë në vitin 1556, afërsisht 80 vjeç. Kisha ruse në kohë të tashme e kanonizoi shenjtor. Trashëgimia e tij krijuese përfshin 150 tituj veprash e artikujsh mbi tema të ndryshme. Vepra e tij e ruajtur u botua e plotë tri-katër herë, nga viti 1859 e këndej, në rusishten e vjetër dhe në atë standarde. Për këtë temë, këtu e tutje unë nuk e di rrugën.

Kur jemi te Jerusalemi, te ky qytet emërmadh dhe te gjasa që Skënderbeu të ketë bërë farë udhëtimi aty, le ta përsërisim historianin S. Montefiore, që mbas shkatërrimesh të njëpasnjëshme, një këndellje dhe ri-ndërtim qyteti e pati gjatë sundimit të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm (1520-1566), i nxitur edhe nga sulltanesha sllave, Roxelana, Hyrremi e bukur dhe e fuqishme. Kurse punët i udhëhoqi kryearkitekti i perandorisë, Mimar Sinani, i konsideruar shqiptar prej shumë autorësh. Perandoria osmane ishte në kulmin e fuqisë, dhe, siç na thotë suedezi Karl Grimberg në “Historinë e Botës”, një nga shtyllat e pushtetit ishte Veziri i Madh, dmth. kryeministri, Ibrahim Pasha, të cilin e likuidoi vetë sulltani më 1536. Ky ishte djalë shqiptar nga Parga, i marrë skllav në oborrin e sulltanit. Jerusalemi, një periudhë paksa më të shlirshme e pati edhe gjatë “zaptimit shqiptar”, siç e titullon Montefiore një kapitull të veprës së tij “Jerusalemi”. E ka fjalën për sundimin e Ibrahim Pashës, gjatë viteve 1830-1840. Ky ishte djalë i Mehmet Aliut të Egjiptit, dhe është koha kur Mehmet Aliu, deri në portat e Stambollit, kishte krijuar një perandori dhe, siç shkruan Montefiore  “kjo perandori u përkiste shqiptarëve”.

Papë Klementi XI Albani dhe korpusi “Illyricum Sacrum”

Gjithë këtë udhë e bëmë dhe kthehemi prapë te Papë Albani dhe te përkushtimi dhe angazhimi i tij për çështje të kombit të vet shqiptar, tek ajo që pakkush e përmend-nisma dhe përkrahja për hartimin dhe botimin e korpusit kolosal “Illyricum Sacrum”. Autori Daniele Farlati, te teksti hyrës i vëllimit I shënon:”Papa Klementi XI, Gjon Françesk Albani, nga Urbino, me prejardhje shqiptare, ende prift i ri, nisi të mbledhë materiale mbi historinë e krishterë ilire. Detyrimet si klerik, që e ngritën deri në majën më të lartë të Selisë së Shenjtë, e shtrënguan të ndërpresë punimet e tij historike”, nënvizon E.Zenelaj, te vepra e përmendur më sipër,.

Mendoj se dëshmia e posaçme e përkushtimit të tij për dheun e të parëve është pikërisht ngrehina monumentale kulturore “Illyricum Sacrum”.   Ribotimi që bëmë nuk ishte punë e lehtë. Normalisht, u bë me përkrahje e bashkëpunim. Te teksti im hyrës, dmth.fjala e botuesit, përkthyer në anglisht nga Robert Elsie, i kam përmendur shumicën. Përkrahja kryesore ka qenë e Presidentit Ibrahim Rugova. Kur po ia dorëzonim të parin komplet që doli nga shtypi te “Dukagjini” i Pejës, më 22 shkurt 2004, i befasuar me madhësinë dhe përgatitjen, Dr.Rugova tha:” Ky libër po kthehet në vendin e vet të Ilirisë Qendrore. Studiuesit do të kenë mundësi ta kenë në dorë këtë vepër të madhe për brezat e rinj...Ky është një kujdes i vogël i shtetit për botimin e veprave kapitale të kulturës dhe të popullit tonë”.

Gjatë konsultimeve dhe në letërkëmbimet me Prof. Aleksandër Stipçeviqin, shqiptar i Arbneshit të Zarës, më shkroi:”Vepra “Illyricum Sacrum” është një nga arritjet kapitale në Evropën e atëhershme...Nismëtar i idesë për këtë vepër ishte papa Klementi XI, shqiptar ng Italia, i cili me të gjitha forcat e ka përkrahur këtë projekt. Pa të, vështirë se do të realizohej një punë aq kolosale...Kjo vepër edhe sot ka rëndësi të dorës së parë si burim i të dhënave për historinë mesjetare të Ballkanit përendimor...Prandaj është fort e rëndësishme që historianët e tashëm ta kenë në dorë këtë vepër e cila është bërë raritet i vërtetë bibliogarfik”. Kurse “Enciclopedia Catolica” shënon që “Historia e Ilirisë antike,“Illyricum Sacrum” është një ndërmarrje monumentale”.

Mbas një bisede në Prishtinë, duhej të ishim bashkëbotues Arkivi Qendron në Tiranë, Arkivi i Kroacisë në Zagreb dhe unë. Tirana e Zagrebi u tërhoqën për arsye financash, dhe mbeta vetëm. Ka shkrime edhe në shqip që Kroacia plot 100 vjet s’ia kishte dalë ta ri-botonte. Për mospërkrahje nga shteti, për të siguruar botim të përbashkët dhe një numër kompletesh, Shaban Sinani, drejtor i Arkivit Shtetëror të Shqipërisë, shkroi asokohe :”Habia bëhet aq më e madhe, kur dihet që historianët shqiptarë nuk e patën kurrë te dora të plotë. Anise nga pikëpamja e rëndësisë së burimeve “Illyricum Sacrum” mund të krahasohet me një arkiv më vete. Asnjë burim, i botuar a i pabotuar, nuk do të mund të zinte vendin e këtij korpusi”, shkroi ai. Tani, i rënduar nga vështirësitë, kur i shkrova Robert Elsie-t, ai ma ktheu ”mos u mërzitni zoti Blakaj, është një lindje e vështirë, por ju po lindni një kolos”.

Shikoni si e kanë tëholluar rëndësinë e botimit të kësaj vepre patriotët e mençur, rrafsh 212 vjet para nesh. Mikel Kryeziu, ipeshkv i Lezhës, me 13 prill 1792, u shkruan autorëve të “Illyricum Sacrum”: “Epiri i mjerë dhe sot Shqipëria edhe më e mjerë, e dërrmuar vazhdimisht nga luftërat, ka humbur kujtesën për burrat e shkëlqyer dhe të shenjtë dhe nga ky shkak ka ndodhur që të tjerët na e kanë përvetësuar atë nder që (Shqipëria) duhej ta kishte nga këta burra”.

Gjon Françesk Albani, kardinal dhe titullar në Vatikan, kishte filluar mbledhjen e dokumentave për një histori për Ilirikun. Kur zgjidhet papë, obligimet e detyrojnë të kërkojë dikend për këtë punë, dhe jezuitët e Venedikut, ku kishte shumë dokumentacion për Ilirinë, ia caktojnë At Filipe Riçeputin. Ky poashtu, si duket pa farë koordinimi të hershëm me Albanin, kishte mbledhur materiale në Dalmaci e deri në Vjenë. Mbasi ia dorëzon konceptin, e fiton përkrahjen morale e materiale të Klementit XI për vazhdimin e punës, duke mbledhur materiale në krejt Ilirinë, edhe atje ku ishin krijuar realitete të tjera, me dyndjen e sllavëve e më pastaj me okupimin osman. Hulumtuesit dëshmojnë se F.Riçeputi me bashkëpunëtorët, mbas Tivarit, qëndruan 22 ditë edhe në Shkodër, në Durrës e në Lezhë. “Një qerre me qe, e ngarkueme me dorëshkrime, libra e objekte historike...u mbyt në ujë tue kalue Drinin e hupi e gjithë ngarkesa e caktueme për At Riçeputin”, shkruan Frano Ilia.

Ky projekt i madh pati përkrahjen e Vatikanit në të gjitha vitet e përgatitjes e të botimit. Përkundër kësaj pati edhe faza të ndryshme të rënda. Vetë Filipe Riçeputi ( 1667-1742) punoi në të plot 47 vite të jetës, dhe nuk arrijti ta shoh asnjë vëllim të botuar. Në vitin 1722, për bashkëpunëtor të F.Riçeputi, urdhri jezuit cakton ”njeriun e tyre më të aftë për historiografi”, at Daniele Farlatin (1690-1773) kështu që korpusi “Illyricum Sacrum” njihet e lidhet me emrin e D.Farlatit, anise autori i tretë, Jacopo Coleti (1734-1827) ishte bashkëautor e autor në  vëllimet e fundit. Të gjitha u shtypën në Venedik. Në Padova ishte krijuar “Biblioteca Illyrica” a “Museum Illyricum” me mbi 350 vëllime dokumentesh e dorëshkrimesh, një pjesë e të cilave, siç thotë Musa Ahmeti në studimin hyrës të botimit, ruhen ende.

Vepra “Illyricum Sacrum” përfshin mbi tridhjetë shekuj historie të hapësirave të Ilirikut të lashtë.

Lënda për këtë vepër kolosale u mblodh për 124 vite radhas, nga viti 1695 e deri me 1819, kur doli vëllimi VIII i veprës. Botimi zgjati 68 vjet dhe të gjitha dolën në Venedik, përjashtur këtu botimin e arbneshit të Zarës, Frano Buliq, Korrigjimet e Plotësimet, që i kishte lënë Coleti. Të nëntë vëllimet e veprës janë në latinisht, dhe kapin 5338 faqe, të formatit 38x26 cm. Vëllimi i parë doli më 1751, me 942 faqe: vëllimi II- më 1753, me 688 faqe; vëll.III-më 1765, me 604 faqe; vëll.IV me 1769, me 520 faqe; vëll.V me 1775, me 688 faqe;  vëll.VI në v.1800, 548 faqe; vëll.VII me 1817, me 656 faqe; vëllimi VIII doli me 1819, me 346 faqe dhe botimi i Frane Buliqit, Korrigjime dhe Plotësime bërë nga Jakopo Koleti, i përfshirë në kompletin e ribotuar, doli në Split, me 1910, në 346 faqe.

Në vëllimin e parë të korpusit trajtohet historia e Ilirisë, nga viti 1238 para Krishtit e deri në shek. IV të kohës sonë. Janë aty mbretërit e mbretëritë ilire, ka skema e harta me shumë interes. Pellazgët, ilirët qindra përmendje e trajtime. Kurse vëllimi i shtatë trajton historinë kishtare të trojeve shqiptare. Por aty gjejmë edhe letërkëmbimin e Skënderbeut dhe dëshmi rreth mosmarrëveshjeve të Kastriotit me Lekë Dukagjinin, për kapërcimin e të cilave ndërhyn Vatikani, përmes të Pal Ëngjellit. Poashtu janë të plota, në latinisht, materialet e Kuvendit të Arbënit, etj e shumë. Vetëm Index Rerum i  vëllimit I i ka 1036 zëra enciklopedikë, për pellazgët, ilirët, mbretëritë, përplasjet mes tyre e me Romën, kurse vëllimi VII, me temë Shqipërinë, i ka 878 zëra të tillë. Vetëm këto përbëjnë një enciklopedi iliro-shqiptare deri te viti 1817.

Për hartimin e kësaj vepre kanë punuar tri gjenerata autorësh e bashkëpunëtorësh. shikojini datat e autorëve, Riçeputi&Farlati&Koleti.

Pos përpjekjes për përkthimin e vëllimit të shtatë, shumë me interes për historinë shqiptare, të bërë nga Frano Ilia në vitet e gjashtëdhjeta, që nuk doli kurrë, një përpjekje tjetër për hulumtimin e materialeve të “Illyricum Sacrum” bëri poeti Ndre Mjeda. Studiuesi shumë i zellshëm i Ndre Mjedës, në një shkrim në revistën “Albanica”, nr. 78, thotë :”I pari që mori guximin për t’i hyrë punës kolosale për vazhdimin e punës së Farlatit e të Koletit është një shqiptar i madh, i pajisur me një mendje gjeniale dhe me një kulturë të gjerë, është poeti, albanaologu, gjuhëtari, historiani, poligloti, është rilindësi ynë i shquar, Ndre Mjeda”. Ne vërtetojmë me dokumente se në vitet 1902-1904 Ndre Mjeda ka bërë lutje të nxehta për të shkuar në Romë dhe Vjenë të kërkonte dokumente për vazhdimin e veprës së etërve jezuitë, korpusin “Illyricum Sacum”, shkruan M.Quku. Mjeda ishte shkolluar dhe kishte qenë në vende t’rëndësishme në Evropë, dhe njihte nëntë gjuhë të huaja. Lutjes së tij i përgjigjet Kardinali Maria Gotti, me letër nga Roma, datë 29 prill 1903, megjithëse e ndërtuar me nyanca diplomatike, siç thotë Quku, në fakt ishte një përgjigje negative për kërkesën e Mjedës. Në letër thuhet: “nuk lejohet të hyjnë të huajt për kërkime në Arkivin e këtij dikasteri, por mundësisht na njoftoni se çfarë dokumentesh ju interesojnë, që të jua dërgojmë kopjet konform qëllimit që kërkohet”. Nga një letër e Ndre Mjedës, dërguar nga Krakovi i Polonisë Nikolla Naços në Bukuresht, më 9 janar 1893, mësojmë se Mjeda qysh këso kohe po hartonte një histori të Shqipërisë. Letra, botuar te “Albanica”, është zbular tash vonë dhe bashkë me 296 letra të rilindësve, është edhe te libri “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, që përgatitëm me Ismail Ismailin në v.2014.

Në vazhdim po shkëpusin një pjesë nga vëllimi I i veprës i korpusit “Illyricum Sacrum”, fragment i përkthyer prej origjinalit latinisht nga Pëllumb Xhufi:

“Herkuli, pas ekspeditës hispanike dhe gale, në vitin 1238 para Krishtit, kaloi në Epir, që tash thërritet Shqipëri. Kur Herkuli mbërriti në Epir, aty sundonte Dyraku, nga fisi i Kadmit, nip i Epidamnit, i cili e kishte selinë mbretërore në një qytet të themeluar nga gjyshi i tij që quhej Epidamn.

Hylli, i biri i Herkulit dhe i Perëndeshës Melita, i hodhi bazat sa të mbretërisë së tij, Hyllidës, aq edhe të Ilirikut historik. Vendi u quajt Hyllë ose Hyllidë, kurse banorët Hyllinë. Ne gjykojmë se prej këndej zë fill emri dhe fara e Ilirëve...Tokën e kësaj mbretërie, midis lumenjve Narona e Drilon, Dyraku ia dhuroi Herkulit dhe mëtej Herkuli ia kaloi djalit të tij, Hyllit. Kjo në lindje kufizohej me mbretërinë Dyrakine. Por Hylli i shtriu kufijtë përtej lumit Narona, duke pushtuar me luftë e duke futur nën sundimin e tij atë pjesë të tokave e të popujve që arrijnë deri në Titium.” Kuptohet, autor është Daniele Farlati.

E mbyllim pjesën për Papë Albanin dhe për monumentin e qytetërimit evropian, nisur prej tij, kryeveprën “Illyricum Sacrum”, me testamentin e tij, ku shkruan, sipas Eqrem Zenelajt, “Më varrosni në mënyrë shumë të thjeshtë, por të shënohet në pplakën time që ësshtë Papë në Romë, por rrjedh nga gjaku shqiptar”.

Rezoluta e Kongresit Amerikan për Skënderbeun

Gjergj Katrioti Skënderbeu është ai që i bashkon tërë këto fije. Sidomos në 550 vjetorin, kur “Gjergj Skënderbeu... kaloi në jetë më të mirë”, siç shkroi Martin Segoni, në Relacionin e tij të rëndësishëm, fare pak vite mbas vdekjes së heroit. Për kësi vendi nuk di gjë më të mirë se Rezolutën e Kongresit amerikan për Gjergj Kastriot Skënderbeun, të datës 27 tetor 2005, me rastin e 600 vjetorit të lindjes së tij.

NË DHOMËN E PËRFAQËSUESVE TË KONGRESIT AMERIKAN, më 27 tetor 2005

Z. ROHRABACHER (në emër të vet dhe të z. LANTOS) paraqiti rezolutën në vijim, e cila iu referua Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

R E Z O L U T Ë

e Kongresit Amerikan, 27 tetor 2005, paraqitur nga z. Rohrabacher (në emër të vet dhe të z. Lantos):

Në nderim të 600 vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, burrështetasit, diplomatit dhe gjeniut ushtarak, për rolin e tij në shpëtimin e Evropës Perëndimore nga pushtimi otoman.

Duke qenë se para 600 vjetësh, më 1405 pas Krishtit, në Kështjellën e Bardhë të Krujës, Shqipëri, lindi Gjergj Kastrioti;

Duke qenë se në moshën 17 vjeçare i ati i tij u detyrua ta linte atë me sulltanin otoman turk si kusht për paqe;

Duke qenë se Kastrioti shkëlqeu në studimin e historisë dhe të gjuhëve klasike dhe në moshë të hershme arriti rangun e gjeneralit në Ushtrinë Otomane Turke;

Duke qenë se gjenialiteti ushtarak dhe zotësitë e tij unike prej udhëheqësi u lavdëruan nga Sulltan Murati, i cili e quajti atë Iskender bej (tani Skënderbeu) sipas Aleksandrit të Madh;

Duke qenë se derisa ndodhej larg tokave amtare shqiptare, Kastrioti kurrë nuk e harroi origjinën e tij shqiptare dhe popullin e vet;

Duke qenë se më 28 nëntor 1443, pas shumë shqyrtimesh dhe në fshehtësi të plotë, Kastrioti përfundimisht vendosi të kthehej në shtëpi dhe të çlironte popullin shqiptar nga dominimi otoman;

Duke qenë se i biri i Muratit, Sulltan Mehmeti, pushtoi Konstantinopojën, më 1453, duke i dhënë kështu fund periudhës bizantine, por që nuk ishte në gjendje të pushtonte Shqipërinë, më 1466 e 1467, ndonëse komandonte armatën më të madhe ushtarake të kohës, që kishte afro 300.000 ushtarë të këmbësorisë dhe kalorës;

Duke qenë se Gjergj Kastrioti bashkoi popullin shqiptar dhe themeloi një shtet të lirë të Shqipërisë, i cili qëndroi 25 vjet;

Duke qenë se kombi i Shqipërisë, nën Skënderbeun, pengoi invadimin e Romës dhe të tërë Italisë nga Perandoria Otomane, duke shtruar kështu dukshëm rrugën për Renesancën Italiane;

përmes kësaj Rezolute, që Dhoma e Përfaqësuesve shënon të arriturat e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në 600 vjetorin e lindjes së tij, lavdëron shqiptarët kudo për nderimin që i bëjnë prijësit të tyre trim, heroit dhe birit të tyre, Gjergj Kastriotit; dhe kërkon nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara që të punojë me partnerët e vet evropianë në përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë dhe të një Kosove të lirë në Bashkimin Evropian, në njohje të kontributit të madh dhe sakrificës që dha Gjergj Kastrioti dhe populli shqiptar në shpëtimin e Evropës Përendimore nga dominimi otoman.

Rezoluta e plotë, anglisht e shqip, është botuar te libri “Skënderbeu/ Scanderbeg”, 2006, Prishtinë, autor Skënder Blakaj.

Tiranë, 22 tetor 2018.



(Votes: 6 . Average: 5/5)

Write Your Comment
Comment: