E marte, 19.03.2024, 07:53 AM (GMT)

Kulturë

Resmi Osmani: Biseda në tryezë

E merkure, 07.11.2018, 06:33 PM


Resmi Osmani

Skicë urbane

BISEDË NË TRYEZË

Të tre beqare, profesioniste te lire. Herë me punë e herë pa punë. I kishin kaluar të tridhjetat. Shokë të vjetër. Si zakonisht per kafen e pasdites u ulen ne lokalin e tyre te pelqyer, për një dorë muhabet dhe për të shtyrë kohën. Përpara nga një gotë raki dhe filxhani i kafes. Për më shumë sua mbante xhepi. Gjerbnin nga një gllënjkë raki, gëlltisnin një hurbë kafe dhe tymosnin cigaret.

Ne televizorin ekranmadh në murin përballë, jepeshin lajmet, kronika e zezë, vrasje, drogë, përdhunime, prostitucion, dava plehrash,sherrnajë politikanësh. Përditë zi e më zi. Më pas, hapsira e reklamave :mrekullia e shekullit dysheku dormeo e pas tyre një emision special për prostitucionin. Moderatori i ngrefosur dhe me zë emfatik pyeti panelin e nderuar: ”Si thoni? Të ligjerohet prostitucioni dhe hapja e shtëpive publike?”

Ta marrë dreqi! Dava vrasjesh dhe punë kurvash! Ata iu kthyen bisedës së lënë përgjysmë, por që mori tjetër rrjedhë.

- O Berti- tha Çimi – nuk të vjen turp?

-  Përse të më vijë turp?

- Të pashë kur dole nga moteli me atë kuçkën, Belën, që jepet me para. Aq keq je katandisur sa s’gjen dot një të dashur!

- O Çimi që hiqesh si i mençur, por je kokrra e budallait, e mendon mirë atë që thua?

- Pa hë, o i mençuri i botës, na e mbush ti mendjen!

- Si thua ti, tu vij rrotull e tu bëj rixha këtyre shkërdhatave që na sillen nëpër këmbë, që na bëjnë naze dhe secila hiqet sikur te jetë princeshë e Anglisë?

Heshtje. Dëgjohej vetëm  vërshëllima e ekspresit të kafes

Berti iu kthye Lanit:

- Dëgjo ti Lani që je çun i qut se ky s’mbush fare:   E zemë se iu vardisa një bukurosheje, bjonde, që ka fryrë buzët  dhe zmadhuar gjokset me silicon, me të pasme alla Kardashian, e lyer dhe e ngjyer sa ta pështiros . Ato dine seç gjuajnë janë bërë ustallesha. Duan  që të kesh nje makinë luksoze, disa darka e dreka në lokale të shtrenjta , jashtë qytetit apo në bregdet, bën naze e ojna, të shpie në çesmë e s’të jep ujë, që të të mjelij mirë  dhe më në fund, a e di sa  të kushton penalltia? Nja njëmijë euro!

Çimi tymoste cigaren dhe s’bzante. Priste që Berti të mbaronte llogon.

-E dini ku është ndryshimi midis një të përdale dhe një gjoja të ndershmeje? Të dyja bëjnë të njëjtën gjë, por e para me shumë meshkuj e dyta me burrin e saj. E pra, veprimi i njëjtë,  të dyja bëjnë seks! E para shijon lirinë e trupit të saj, e dyta skllavërinë e burrit padron.

- Seksi  është kthyer në biznes. Fjalët , qurravitjet e lektisjet për dashuri janë dëngla. Kërkesa dhe oferta janë ligje të hekurta. Do që ta kesh mallin, paguaj! Në këtë biznes  është femra që vë në shitje mallin e saj. Por ne ndryshim nga çdo treg, malli që paguhet i mbetet se zonjës  dhe vihet sërish në shitje. Mall i riciklueshëm. Thjesaht, paguhet përdorimi.

-Ti paguan për mallin, sa te kerkojnë apo bën Pazar?

-Ta merr mendja , kur e pëlqej të zonjën e mallit,  bëj Pazar, e shpie në motel dhe mbaroj punë. Kostua sillet aty te pesëdhjet eurot. Llaf I vjetër: kur ka qumësht në Pazar, çtë duhet lopa në shtëpi?! Sikush shkon në punë të tij, i kënaqur, unë i shfryrë dhe ajo me nje dorë lekë. Hesap i qëruar.

-Qofsh ti që je! Unë se bëj dot!

- Epo, ti je qibar e buzëhollë, s’të le hunda të hash bar. Atëhere agjëro dhe duroje urinë.  Gjithkush gjen zgjidhjet e tij. Unë e kam gjetur timen. Kur hardallosem, paguaj dhe bije në paqe.

-Po morali ku mbetet?- pyeti  Çimi.

-I vjetri  ai I Babaqemos, ka vdekur u bë leckë, e varrosën në Sharrë.Ndjesë pastë. Liria seksuale është morali i ri. Shishes iu hoq tapa, demonët kanë dalë dhe po gjuajnë shpirtrat! Jetojmë në kohën e revolucionit seksual.

-Ti je dakord që të ligjërohen shtëpitë publike?

-Ato kanë një emër më popullor, pse si quan Bordello? Së pari, duhet të shfuqizohet ai neni idiot i kodit penal,  që i dënon femrat për prostitucion! Pse duhen dënuar? Cili është krimi? A nuk janë ato të lira të bëjnë atë që u pëlqen me trupin e tyre për të jetuar? Bordellot le të ligjërohen. Jashtë qytetit në anë të autostradës, nga një krah kazinotë nga ana tjetër bordellot. Shkon tjetri bën një dorë lojë, pastaj një penallti në bordello,shkarkon stresin dhe ikën  mëndje mbledhur. Ja kështu. Kjo është industria e seksit.

- Gjykymin ta nisim nga vetja: ta ngulim thikën në mish tone: po të kishe motër, do ta lejoje të punësohej në një shtëpi publike?

-Më ka parë Zoti që s’kam. Por po të  kasha, dhe ajo do te ishte dëshira dhe vendimi  i saj, pse jo? Është ushtrim i lirisë vetjake! E di ti sa vajza nga tonat trafikohen dhe përfshihen në rrjetin e prostitucionit në Itali, Gjermani, Angli, te kercenuara, me hir e me pahir e rrezik jete nga gangsterët trafikantë? Nuk do te ishte me mire për to që të punonin në bordellot në vend, më të sigurta, nën kujdes mjekësor?

-Bashkjetesa pa martesë, i hoqi gurin e themelit familjes. Ligjërimi i prostitucionit, apo i kurvërisë, quajeni si të doni, është goditja brinjë më brinjë e saj. Pa le janë edhe ata e ato L.G.B.T.I. që ma shpifin e mi sjellin zorrët në grykë. Për mua turpi mbetet turp e nderi nder ! - Tha Çimi që fliste  rrall e për mall - dhe mjaft, t’i vëmë pikë këtij muhabeti. Të tjerë i kanë në dorë këto vendime, ne grijmë sallatë. As na dëgjon  e as na  e var teneqen  kush!

Dhe pas pak:

- Eh ! E shihni ku kemi mbërritur?

- Dhe të mendosh që është vetëm fillimi!

Tetor 2018



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora