E marte, 19.03.2024, 03:42 AM (GMT)

Kulturë

Mikel Gojani: Nikollë Grabanica - simbol i atdhedashurisë dhe kontribues i folkloristikës shqiptare

E marte, 06.11.2018, 07:27 PM


NIKOLLË P. GRABANICA – SIMBOL I ATDHEDASHURISË DHE KONTRIBUES I FOLKLORISTIKËS SHQIPTARE

Shkruan Mikel GOJANI

Pak biografi

Njeriu me të cilin tradita, trashëgimia familjare dhe rrethi shoqëror brumosën vetëdijen e lartë kombëtare, mprehtësinë e mendjes e gjykimit, energjinë e veprimit  dhe përkushtimit të paepur e plotë sakrifica për kolektivitetin, për lirinë e vendit dhe popullit të vet, veçori këto të cilat me tërë qenien e vë në funksion të ardhmërisë dhe lirisë, është njeriu që jeton gjatë, njeriu që nuk vdes kurrë. Ai do të jetojë edhe pas vdekjes, sepse veprat e tij e bëjnë të pavdekshëm. I tillë në mesin e shumë atdhetarëve të kësaj ane të Dukagjinit ishte dhe mbeti Nikollë Grabanica, nga Klina.

Nikollë P. Grabanica, u lind më 10.5.1926 në Shtupel të Komunës së Klinës. Shkollën fillore e kreu në Zllakuqan, ndërsa të mesmen të tregtisë në Pejë. Si i ri, për herë të parë u punësua  në sipërmarrjen tregtare  “Sremag” në Gurrakoc, ku pas dy vitesh  u largua nga  puna ngase i ati i tij Pjetri ishte antikomunist dhe e kundërshtonte  kolektivin. Pushteti komunist të atin  e Nikollës Pjetrin e dënoi gjashtë muaj  me punë të detyrueshme  në Deçan,  ndërsa Nikollën e lanë  pa punë  deri në vitin 1959. Pas dhjetë vitesh, me plot vështirësi Nikolla u pranua në punë në  Kooperativën Bujqësore të Shtupelit, ndërsa si anëtar në LK e pranuan në vitin  në vitin 1960 për ta mbajtur punën, mirëpo gjithherë ishte nën përcjelljen e udhëheqësve komunistë duke ia ndërruar vendet e punës  duke e cilësuar si të papërshtatshëm, deri në vitin 1977 ndërsa edhe e larguan nga  LK. Është pensionuar në vitin 1983. Aktualisht jeton në Klinë.

Nikollë P. Grabanica e ka trashëgim ruajtjen  dhe kultivimin  e folklorit, sidomos  anekdotat qysh nga të parët e tij, përkatësisht xhaxhallarët, Mhilli dhe Gjoni dhe i ati Pjetri. Tërë atë pasuri  folklorike  të pleqve të tij e ka bartur në mendjen e tij deri me sot  duke e pasuruar vazhdimisht  me njësi të reja  folklorike, sidomos me anekdota dhe fjalë të urta.

Nga çasti në çast, nga oda në odë, ai barti prozën  e Lugut të Drinit, duke bërë krahasime të efektshme me prozën  që tregohej  në fshatrat e trevave  të tjera të Kosovës.

Nikollë P. Grabanica - emër dhe simbol i madh i atdhedashurisë

Nikollë Grabanica - emër dhe simbol i madh i atdhedashurisë, tërë jetën e shkriu në kontributin e tij çështjes së madhe të popullit shqiptar, burrë i fjalës, i besës, i bujarisë dhe i përkushtimit për kauzën kombëtare. Në jetën e tërë në mision të demaskimit dhe luftimit të synimeve e veprimtarisë diskriminuese, përçarëse, pushtuese, ekspoloatuese dhe terroriste e shfarosëse shoveno-nacionaliste serbe, mbi dhe ndaj çdo gjëje shqiptare. Këtë e bënte në odën e burrave të Dukagjinit, me të rinjtë e të vjetrit, punëtorë, intelektualë – me fjalën e tij me peshë, me shpirtin e tij të madh e të bardhë, me shembullin e të palodhshmit dhe të pandalshmit – personifikim i familjes Grabanica.

Nipollë Grabanica ishte promotor i proceseve të mëdha që vitet e nëntëdhjeta që zhvilloheshin aq hovshëm në ato vite, ku rezistenca dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi bënin jetën shqiptare.

Në aksionin e pajtimit të gjaqeve, që ishte aksioni më i madh i konsolidimit të shqiptarëve para stuhisë që do e sillte armiku, stuhi të cilën historia do e përsëriste për të satën herë, bashkë me shumë  veprimtarë të tjerë, nuk pranë, derë më derë me burrat, me zërin e tij të ëmbël dhe me fjalën e tij të thellë e shumë domethënëse, pajtoi shpirtrat, shtriu duart e pajtimit në mes shumë familjeve klinase e dukagjinase. E nderonin të gjithë, sepse te ky plak i urtë panë njeriun e palodhshëm, fjalëpak, të matur; njeriun që nuk kursente asgjë për të mirën e përgjithshme, njeriun që s’i merrte parasysh vuajtjet që kishte pësuar gjatë tërë jetës. Bashkë me veprimtarë të tjerë trokiti në shumë dyer shqiptare për të kërkuar Dorën e Pajtimit në mes familjeve të hasmuara e të gjakësuara. Në odat tona, në kuvende burrash e kuvende pajtimi, fjala e tij ishte melhem për plagë.

Ishte dashamirë i madh i arsimit e i dijes kombëtare, prandaj e përsëriste shpesh edhe Naimin:”Vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë”. Madje në të gjitha protestat që zhvilloheshin në mbrojtje të shkollës dhe arsimit shqip ishte prezent dhe disa herë nga policia serbe është rrahur dhe maltretuar.

Torturat udbeske të policisë fashiste serbe ishin çnjerëzore, nga të cilat më së shumti pësoi Nikolla, por ai mbeti i fortë, i pathyeshëm, krenar dhe dinjitoz, sepse kështu ai ishte i bindur, sikurse thoshte vetë, se po e kundërshtonte me të drejtë një regjim shtypës dhe një pushtues të egër. Këtë dashuri ndaj atdheut dhe lirisë e kishte trashëguar nga të parët e tij. Kudo që gjendej Nikollë Grabanica e  mbronte vijën kombëtare, duke mos u përkulur asnjëherë. Ishte përkrahës i denjë i konceptit politik dhe filozofik të LDK-së, përkatësisht të Dr. Ibrahim Rugovës, të cilin koncept e ruan edhe sot e kësaj dite.

Dhe, sot, të gjithë ata që e njohin e falënderojnë dhe i janë mirënjohës për gjithë atë kontribut që ka dhënë për të mirën e popullit të tij.

Lërues dhe kultivues  i zellshëm i tregimit popullor

Letërsia popullore është thesar shumë i çmueshëm që ka lënë njerëzimi gjatë shekujve. Letërsia popullore apo gojore është degë e folkloristikës ku përfshihen të gjitha krijimet poetike popullore. Nëpërmjet të formave të ndryshme letrare  njeriu ka pasqyruar jetën shpirtërore dhe materiale dhe ka shprehur optimizmin e tij në jetë.

Zanafilla e letërsisë popullore është shumë e hershme. Atë duhet kërkuar në kohën kur njeriu si qenie shoqërore arriti të komunikojë nëpërmjet të folurit të artikuluar. Është e njohur se arti i parë ka qenë mjaft i thjeshtë dhe nuk ka njohur lloje dhe gjini letrare..

Në ato faza të zhvillimit të shoqërisë njerëzore nëpërmjet këngëve dhe formave tjera,

njeriu ka shfaqur botën e tij të brendshme, reagimin e tij ndaj dukurive të ndryshme natyrore me të cilat është ballafaquar,por nuk ka pasur aftësi t’i shpjegojë. Secili popull e ka krijuar letërsinë popullore, dhe nëpërmjet të saj në gjerësi ka pasqyruar jetën dhe aspiratat e veta për të ardhmen. Edhe ne shqiptarët e kemi shumë mirë të zhvilluar letërsinë popullore.

Dallimi në mes letërsisë së shkruar dhe asaj popullore qëndron aty se letërsinë

popullore e ka krijuar artisti popullor,është shpërndarë në popull gojarisht dhe gjatë shekujve ka pësuar ndryshime,kurse letërsisë së shkruar i dihet autori.

Shumë autorë të letërsisë së shkruar e shfrytëzojnë letërsinë popullore si burim frymëzimi për të krijuar tregime të mira të marrë nga thesari i pasur popullor.

Njëri prej atyre tregimtarëve që më përkushtim i është qasur këtij krijimi është edhe Nikollë Grabanica, i cili një jetë të tërë e ka kaluar duke gjurmuar në Lug të Drinit, Dukagjin dhe më gjerë me qëllim të grumbullimit të tregimeve të vjel nga njerëz të mençur duke i botuar në revista dhe libra të ndryshëm. Shumë nga këto tregime Nikollë Grabanica i ka ofruar njëherit më të mirë të kësaj fushe, Anton Çettës, i cili i ka përmbledhur në librat e tij.

Libri i N. Grabanicës, “Tregime odash” (1994), ngërthen vlera të rëndësishme dhe me interes dimensional

Nikollë Grabanica, në vitin 1994 botoi librin me tregime popullore me titullin “Tregime odash”, folklor, një libër që është pritur mirë tek lexuesit të kësaj fushe të letërsisë. Anekdotat, këto thënie të mençura, këto tregime të shkurtra shpotitëse e satirike, të cilat janë të kapërthyera në këtë  libër,  përmes së cilave interpretohen dukurit e ndryshme shoqërore, ndodhi të personaliteteve të njohura etj., japin një pasqyrim metaforik por edhe alegorik të realitetit tonë me të cilinë përballemi çdo ditë.

Çfarë shprehet tregimtari Nikollë P. Grabanica në parathënien e librit të tij? Libri, “Tregime odash|, qysh në prolog nis me  një parathënie të autorit. Autori Grabanica, shprehet se më kujtohet kur isha i mitur, rrija në oda bashkë me babanë, Pjetër Grabanicën , e me xhaxhallarët, Gjonin dhe Mhillin dhe i dëgjoja kah bisedonin. “Bisedave të tyre, e sidomos kur qëllonte  edhe ndonjë mysafir, nuk i kushtoja  shumë kujdes, përpiqesha  të shërbej sa më mirë  siç e kërkon tradita e mikpritjes shqiptare. Me kohë, duke u rritur, filluan të më tërhiqnin gjithnjë e më shumë bisedat e burrave që mblidheshin në odat tona mbrëmjeve  të dimrit  sidomos  më tërhiqnin ngjarjet e tregimet e ndryshme që ata i rrëfenin për t’u kaluar koha e për t’u zbavitur. Më pëlqenin sidomos  kallëzimet dhe anekdotat, me të cilat pleqtë  në odë  i ilustronin  në formë më të bindshme  dhe figurative një të vërtetë  apo një dukuri, një qëndrim apo bindje, një parim apo mësim, si dhe tregimet  e anekdotat që zbavitnin për humorin e tyre të mprehtë  e na bënin  të qeshnim të  gjithëve të pranishmëve në odë. Kështu, këto ilustrime figurative, edukative e zbavitëse, që i jepnin shije  bisedave  burrash ndër ne, dita-ditës më bëheshin më të këndshme e më të dashura de fillova të shfaq  edhe një interesim më të madh për to, duke u munduar t’i mbaj në mend sa më shumë sosh e duke i përdorur edhe unë vetë në biseda me moshatarët e mi, kur u rrita, dhe duke i çmuar gjithnjë e më shumë  për kuptimin, domethënien dhe simbolikën e tyre të thellë. U bëra edhe unë vetë  dikur një tregimtar i dalluar i tyre ndër oda dhe,  me anë të tyre  shpeshherë  i mbroja bindjet e mia dhe i rrëzoja disa  bindje  të gabueshme  të të pranishmëve.  Njëkohësisht kontribuoja që biseda të bëheshin  më interesante dhe më zbavitëse.

Me kohë kontaktova  dhe me punonjës dhe  studiues  të folklorit  tonë. Këto takime  qenë shumë të frytshme. Me një anë  ata shënonin  nga unë tregime  të tilla që nuk i kishin shënuar më parë ndër fshatra të ndryshme për t’i bërë të njohur  ndër botimet e tyre shkencore. Dhe i kanë botuar. Në anën tjetër ata më flitnin më me kompetencë  për vlerën e tyre letrare, gjuhësore, sociologjike dhe edukative dhe për rëndësinë  që ato kanë në folkloristikën tonë. I inkurajuar gjithnjë e më shumë  për vlerën dhe rëndësinë  e tyre, në vitet e fundit  fillova t’i shënoj  edhe unë vetë kur më kujtoheshin herë pas here  dhe bërë kështu një fond  të thjeshtë tregimesh, i pasuruar  edhe me tregimet që kisha dëgjuar  edhe ndër fshatrat e tjerë të trevave  të ndryshme të Kosovës”, është shprehur autori Grabanica.

Këto tregime të zgjedhura, që ishin karakteristikë komunikimi tek shumë popuj ballkanas në të kaluarën, e në veçanti në disa treva shqiptare (ku akoma janë prezent, edhe pse të zbehura nga evoluimi kohorë), arrijnë që përmes mesazheve të japin aspekte nga jeta, në dukje të vogla, por me vlerë përgjithësuese, duke i vënë në lojë klasat sunduese, pushtuesit, tradhtarët, qeveritarët, personalitetet publike etj., por duke mos lënë pa atakuar as problemet e ndjeshme sociale, ekonomike, politike etj.

Shkathtësia e këtij komunikimi të drejtpërdrejt me dëgjuesin dhe roli si mburojë a si shtizë ndaj kundërshtarit, i kanë siguruar anekdotave, por edhe aforizmave, fjalëve të urta etj. një vend të rëndësishëm në thesarin e kulturës shqiptare, por edhe një jetë të gjallë e aktive, me një humor të hollë e satirë therëse, edhe sot e kësaj dite.

Libri i Nikolë Grabanicës, “Tregime odash  në brendi ka të konceptuar  173 anekdota, 26 përrallëza, 93 kallëzime dhe pleqni, 13 përralla dhe legjenda dhe në fund  197 fjalë të urta, si dhe fjalori  popullor i kësaj lënde  folklorike. Tregimet që janë të përfshirë brenda kopertinave të këtij libri  janë tregime  të vjela nga populli i trevës së Lubut të Drinit, por edhe nga  treva të tjera kryesisht të Dukagjinit.

Libri me tregime popullore “Tregime odash”  i autorit Grabanica  në mënyrë të denjë paraqet thesarin e pasurinë e madhe e krijimtarisë  gojore  të këtyre trevave. Ky tregimtar odash e  fut lexuesin  në botën interesante të personazheve të urtë, të mençur, të cilët e kultivojnë  qëndrimin kritik  kundër veseve, të ligave, realiteteve të çoroditura dhe të shëmtuara. Prandaj, këto tregime odash, refeltktojnë  humorin e shëndoshë e të këndshëm, satirës thumbuese dhe fjalën qortuese, alegorinë dhe qëndrimin kritik, ligjërimin anekdotik dhe formën karakteristike të shprehjes së kursyer popullore. Aty dalin në pah anët e shumta të realitetit familjar e shoqëror, nacional e jetësor, ekonomik dhe atij historik. Prandaj në këto tregime tregimtari popullor do të reflektojë , po ashtu, mendjemprehtësinë dhe kthjelltësinë e mendimit.  Protagonistët e këtij libri, kryesisht janë njerëz të thjeshtë, bashkëbisedues  që e përfaqësojnë  jo vetëm zërin e tregimtarit; ata janë bashkëbisedues  të angazhuar  me probleme dhe vështirësi të shumta  të realitetit jetësor, me ç’rast vënë në thumb  të metat dhe defektet negative    paraqiten në shoqëri.

Qerthulli tematik i tregimeve popullore që zënë vend në këtë libër, ngërthen pothuaj tërë botën fizike dhe shpirtërore  që rrethon njeriun, që nga shtëpia e deri te atdheu dhe bota, që nga mençuria e deri te naiviteti, që nga fisnikëria e deri te  harbutëria, që nga vlerat e larta njerëzore, si trimëria, besa, miqësia etj., e deri  te antivlera, si frikacakëria, pabesia, armiqësia dhe më tej lufta  dhe paqja, liria dhe robëria, veset dhe virtytet, fjalët dhe veprat, dinjiteti dhe përulja etj., etj. Ato përmbajnë filozofi psikologji, përvojë, mjekësi, jurisprudencë, diplomaci, etnografi, gojtari, sociologji, politikë... një univers të përvojës së madhe njerëzore.

Gjithë këto tregime të ngërthyera në brendinë e këtij libri janë  krijuar nga njerëz të mençur e më gjykim të shëndoshë për të menduar qartë e për t’u shprehur  po ashtu aq qartë. Njerëz të tillë kanë pasur talentin  e rrallë për të përgjithësuar ngjarje dhe fakte të panumërta, për të qëmtuar ato dukuri që janë karakteristikë e natyrës  njerëzore.

Ky tregimtar, por edhe bashkëbiseduesit e tij  me syrin e tyre të mprehtë i vëzhgojnë, i kritikojnë  edhe i satirizojnë njerëzit  që ngritën lehtë  në karrierë, përkatësisht në hierarkinë shoqërore pa merita;është ajo kategori njerëzish , të cilët duke qëndruar në pozita  të larta, i shikojnë të tjerët nga  lartësia e  asaj pozite, për t’i siguruar  vetes mirëqenie, kurse tjetrin për ta shtypur, shfrytëzuar dhe mashtruar.  Prandaj, pos vlerës kritike  këto tregime të odave  do të shquhen edhe për vlera  edukative e moralizuese.

Mjeshtëria e të treguarit të urtisë popullore

Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë shqipe, Prend Buzhala, në shkrimet dhe studimet  e tij  e ka vlerësuar lart vlerat e këtij libri. Ai duke folur për vlerat e këtij libri  theksoi se rrëfimi i këtyre “tregimeve odash” është i larmishëm, por edhe i pasur  e i motivuar.  “Ai nuk rrëfehet vetëm “në odë’, kurse ngjarjen nuk e merr vetëm “nga oda”. Përkundrazi, e  merr  nga manifestimet e shumta  jetësore, nga çastet e gëzuara të jetës, sikundër janë  dasmat, festat, lojërat, fejesat etj., po e merr edhe  nga bisedat familjare  e shoqërore. Këta bashkëbisedues  janë, prandaj edhe bariu, edhe blegtori, baba dhe djali. Nëna dhe vajza, dhëndri dhe vjehrri, burri dhe gruaja, fqinjët dhe të afërmit, por edhe njerëzit e zejeve dhe mjeshtërive të ndryshme; ata ligjërojnë, rrëfejnë, vetërrëfehen dhe veprojnë. Së këndejmi parakalojnë një galeri e pasur  karakteresh, protagonistësh e bashkëbiseduesish. Parakalojnë fytyra të dalluara  që nga urtia e mençuria, po edhe njerëz të njohur, apo bartës të ndonjë vesi apo të  mete. Mjeshtëria e të treguarit, kurdoherë, do të  shquajë plasticitetin e rrëfimit, fqinjët e shprehjes, si dhe  filozofinë popullore të ekzistimit. Veçoritë individuale  njerëzore, puna, kursimi, përtacia, interesi personal, koprracia, ryshfeti, karakteret e ulëta njerëzore e të luhatshme, vjedhja, gënjeshtra, xhelozia, mburrja, kryeneçësia, frika; por edhe zgjuarsia, sinqeriteti, drejtësia, këshillat; të gjitha së bashku  do të përbëjnë tematikën e gjerë të këtij vëllimi. këto krijime e mbajnë vulën e ligjërimit të këtyre anëve, me konstruktet shprehjore e sintaktike, duke e paraqitur, kështu, pasurin ë e madhe shpirtërore të brezave  shqiptarë këndej”, ka konstatuar profesor Buzhala.

Tregime me vlera të veçanta

Në brendinë e këtij libri janë të shumta tregime  që shquhen me vlerat e tyre. Me këtë rast po veçojmë disa prej tyre, si Fjala e urtë të nderon, Qysh i falin gjaqet burrat e dheut,  Po e mbroj vatanin, Kur njeri nuk vdes kurrë,  Ishalla s’të kthej kurrë këtë nder, Zoti ju gezoftë ju, sikur më keni gëzue ju mue, Mjeshtria don men t’holla,  Dom Marku e Mhill Grabanica,  Nastradini te berberi,  Për dikan i drejtë, për  dikan jo, E fali gjaksin,  Marka Sneri e ramadan Shabani, Le t’dihet se a kanë Binak Alija,  Rodi përtërihet edhe mas katërdhjetë vjete,  Burrat e mirë bajnë shyhret kudo, , S’ka vend pa shqiptarë, Budallaku me t’leme, Vdis me faqe të bardhë Jarania e shejtit Shën Mhill,  Synin e njeriut s’e ngin  kurrgjë  vetëm dheu etj.

Kështu, krejt në përfundim lirisht mund të konstatojmë se libri me tregime “Tregime odash” të autorit  Nikollë Grabanica, është një libër me vlera të veçanta dhe  që pasuron fondin e librave të këtij zhanri në letërsinë shqipe.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora