| E marte, 06.11.2018, 09:12 PM |
Në 81-vjetorin e lindjes së Anton Pashkut (8 janar 1937-31 tetor 1995)
PASHKU - SHKRIMTAR I RIPAGËZIMIT TË LETËRSISË SHQIPE
Me emrin dhe veprën e Anton Pashkut lidhet letërsia bashkëkohore shqiptare. Vepra e tij e ka madhështinë e shkrimtarit të së ardhmes. Ai na vjen si Modeli pashkian, që paraqet si vetëdije e pastër letrare, si vizion i rrallë në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare.
Shkruan: Frrok KRISTAJ
Në një pranverë shumë të hershme të
moshës sime të re e kisha njohur Anton Pashkun, por jo me emrin Anton, po me
emrin Nue. Isha fëmijë kur nëpërmjet bashkëshortes së kushëririt tim, që ishte
motra e Anton Pashkut, e kisha takuar Antonin e me të cilin më vonë edhe jam
shoqëruar.
Meqenëse vinin nga i njëjti vend (Zymi i Hasit) sa herë takoheshim përherë
bisedonim për Hasin, për visin prej nga e ka prejardhjen i madhi Gjergj
Kastrioti, pastaj Pal Hasi, familja Bogdani (Ndre, Pjetër, Gjon e Lukë
Bogdani), bisedonim për viset ku punoi Gjon Nikollë Kazazi, Pjetër Karragiqi,
Mihill Suma, Lazër Lumezi, Ndue Bytyçi, visin ku u varros Atë Luigj Palaj, ku
jetoi dhe u vra Shtjefën Gjeçovi, ku u lind dhe u varros Katarina Josipi… Pra,
Anton Pashku vinte nga gjiri i kulturës dhe trashëgimisë së lashtë shqiptare.
Atëbotë me Antonin na lidhte shumëçka, kurse tash na lidhin kujtimet e ëmbla
për të dhe për veprat e tij të mëdha, që ia fali kulturës shqiptare.
Anton Pashku u lind në Grazhdanik, afër Prizrenit, më 1 janar 1937. U pagëzua
në Konkatedralën e Zojës Ndihmëtare në Prizren, më 8 janar 1937, datë kjo që
zyrtarisht edhe i mbeti si datë e lindjes. Nënën, Getë Nikë Kërhanaj (mbiemri i
vajzërisë), e kishte nga Zymi, kurse babën, Tonin, nga Karashëngjergji afër
Zymit.
I ati i Antonit punonte bukëpjekës. Kishte punuar në Gjakovë, Prizren,
Fushë-Kosovë, Prishtinë e gjetkë, andaj edhe kishte pak kohë t’i përkushtohej
fëmijëve të vet – Nues (Antonit) e Verës. Kjo kishte ndikuar që edhe Nue
(Antoni) përherë të ishte i tërhequr, i vetmuar. Ai e kishte zgjedhur vetminë
si në familje e po ashtu edhe në shoqëri. Vetëm gjatë pushimeve dimërore apo
atyre verore Antoni shkonte në Zym te dajat e vet – Nikë Dodë Kërhanaj.
Me mbiemrin Pashku e pagëzoi gjyshi i tij, pasi vetë e kishte mbajtur në
pagëzim. Pra, gjyshi – Pashku, emrin e vet ia dha për mbiemër nipit, të cilin
gjatë e kishte pritur familja të vinte në jetë. Familja e Anton Pashkut kishte
zbritur në Prizren nga fshati Karashëngjergj, që në një mënyrë ishte si lagje e
Zymit të Hasit. Sot më të afërmit e tij në lagjën Dodaj të Karashëngjergjit
e mbajnë mbiemrin Kolëndrekaj, kurse pothuajse të gjithë kushërinjtë e tij, që
janë shpërngulur nga katundi i përmendur e mbajnë mbiemrin Bytyçi, si dhe një
pjesë e tyre e mbajnë mbiemrin Gjoni.
Antoni ishte brezi i 12 i Bytyçasëve që kishin ardhur nga krahina e Bëtyçit dhe
që ishin vendosur në vendbanimin që dikur njihej si Shgjeq, pastaj Bëtyç e më
vonë Karashëngjergj (nga tetori i vitit 1996 njihet si Shëngjergj), që është
afër Zymit të Hasit, komuna e Prizrenit.
Në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene familja e Antonit e mbante mbiemrin
Gjoni, mirëpo administrata e pushtuesit sllav ia kishte ndërruar në Gjonoviq.
Megjithatë, me ndërrimin e pushtuesve, në vitin 1947, kur kërkohej riemërimi i
familjeve, kjo familje e ktheu mbiemrin e të parëve – Kolëndrekaj (Kolë Ndreka).
Këtë e bëri vetëm e vetëm për t’i ikur mbiemrit që ia kishin sllavizuar në
Gjonoviq.
Gjyshi i Nue (Anton Pashkut) Pashku, me familjen e vet kishte bërë shumë
lëvizje për kushte jetësore. Ai me familje ishte shpërngulur nga Karashëngjergji
dhe ishte vendosur në Gjakovë, pastaj në katundin Kushavec, afër Gjakovës, më
vonë në Prizren e nga aty në fshatin Grazhdanik (ku u lind Nue Pashku alias
Anton Pashku) dhe përsëri në Prizren. Me kalimin e familjes nga vendi në vend
ata edhe e kishin ndërruar mbiemrin në Bytyçi. Nga Grazhdaniku familja e madhe
Kolëndrekaj ishte ndarë. Gjysma e tyre ishte vendosur në Prizren, kurse pjesa
më e madhe ishte kthyer në Karashëngjergj, ku edhe tash gjenden. Ndërkaq, babai
i Anton Pashkut – Toni nga Prizreni ishte vendosur në Fushë-Kosovë, ku për
mbiemër e kishte marrë emrin e stërgjyshit – Pashku, andaj edhe Antoni u quajt
Pashku, sipas mbiemrit që e kishte pagëzuar gjyshi.
Anton Pashku së bashku me motrën e vet Verën kryesisht u rritën pa nënë. Nëna u
kishte vdekur kur Antoni i kishte shtatë vjet. I ati – Toni ishte martuar tri
herë. Bashkëshortja e parë i vdiq pak muaj pasi kishte lindur një vajzë. Më
pastaj Toni u martua me Getë Nikë Kërhanajn (1913-1944). Me te pati katër
fëmijë – dy i vdiqën, kurse dy të tjerë (Nue alias Anton Pashku dhe Vera) u
rritën. Më vonë Tonit i vdiq edhe gruaja e dytë (nëna e Anton e Vera Pashkut) e
më pas Toni (i ati i Anton Pashkut) u martua për të tretën herë. Kësaj radhe me
Lubicën nga Janjeva, me të cilën ka pasur pesë fëmijë.
Nue (Anton Pashku) shkollimin fillor e filloi në shkollën fillore “Bajram
Curri” në Prizren, ku mësues e kishte Pal Lumezin (i njohur edhe si Pal
Shkollari), që ishte me prejardhje nga Zymi e njëherësh në Prizren e kishte
edhe fqinjë të parë. Po ashtu, në shtëpinë e Antonit në Prizren banonte edhe
Frrok Nikë Hilë Pecolli, nga Zymi, i cili ishte mësues në fshatrat e Suharekës,
që edhe i ndihmonte Antonit të nxënte sa më shumë njohuri të reja. Pas shkollës
fillore Anton Pashku e kishte filluar gjimnazin në Prizren, të cilin më vonë e vazhdoi
dhe e kreu në Prishtinë.
Gjithë kohën punoi në “Rilindje”, njëherë gazetar, mandej redaktor i Rubrikës
së kulturës e në njëzet vjetët e fundit, redaktor në Redakësinë e botimeve
“Rilindja”. Shkrimet e para letrare filloi t’i botojë në revistën “Jeta e re”
në vitin 1955. Me krijimtari letrare është marrë plotë 40 vjet
(1955-1995).
Ka botuar edhe në revistat shkencore e letrare, si me “Jeta e re”, “Zani i
rinisë”, “Dituria”, “Thema”, “Flaka e vllaznimt”, “Bota e re” e në “Fjala”. Ka
qenë edhe redaktor i revistës letrare “Jeta e re” dhe revistës “Fjala”.
Kryesisht ka shkruar me iniciale e më së shumti shkrimet gazetareske i ka
nënshkruar me shkronjën a të vogël
në kllapa - (a).
Ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe nga viti 1993 ishte
anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Antoni ishte martuar me Paulina Miten, nga Prizreni, që jetonte në Prishtinë.
Fëmiu i parë që u kishte ardhur në jetë kishte qenë Gjoni, i cili u kishte
vdekur, kurse ky çiftë bashkëshortor ka lënë në jetë dy fëmijë: Paulinin dhe
Lulen, që jetojnë në Prishtinë.
Antoni shpirtërisht ishte i lidhur ngushtë me Karashëngjergjin, me Zymin, me
Hasin e Thatë… Për këtë edhe fëmijët përherë i kishte mësuar të krenohen se
janë zymjanë, se janë hasjanë, se rrjedhin nga ato vise shkëmbore, që e mbajnë
ngjyrën e hirit, ngjyrën e gurit, ngjyrën e thatësisë...
Anton Pashku vdiq në Prishtinë, më 31 tetor 1995 dhe u varros (më 1 nëntor
1995) afër babait të vet, Tonit, në varrezat e Kishës së Shën Prenës në katundin
Karashëngjergj (Shëngjergj i sotmë).
Veprat
(12 sosh) e Anton Pashkut:
TREGIME, “Jeta e re”, Prishtinë,
1961
NJI PJESË E LINDJES, “Rilindja”,
Prishtinë, 1965
KULLA, “Rilindja”, Prishtinë, 1968
SINKOPA, “Rilindja”, Prishtinë, 1969
OH, “Rilindja”, Prishtinë, 1971,
1979, 1986, 1990, “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2003, “Berati”, Prizren, 2012
MBI KOMUNIKIMIN POETIK, “Dituria”,
Prishtinë, 1972
KJASINA, “Rilindja”, Prishtinë, 1973
GOF, “Rilindja”, Prishtinë, 1976
LUTJET E MBRËMJES, “Rilindja”,
Prishtinë, 1978, “Berati”, Prizren, 2011, “Piramida”, Prishtinë, 2015
TRAGJEDI FANTASTIKE, “Rilindja”,
Prishtinë, 1986, 1989
TRAGJEDI MODERNE, “Rilindja”,
Prishtinë, 1986
GALTINA (e përgatiti Shaip Beqiri),
“Faik Konica”, Prishtinë, 2005
Shtëpia Botuese “Rilindja” në vitin 1986 i botoi veprat e zgjedhura të Anton
Pashkut në tri vëllime: TREGIME FANTASTIKE, OH dhe TRAGJEDI MODERNE.
Veprat
e Pashkut të përkthyera (10 sosh) në gjuhë të huaja:
PRIPOVETKE, përktheu në gjuhën serbe Vehap Shita, “Nolit”,
Beograd, 1967
KJASINA, përktheu në gjuhën maqedone
Luan Starova, “Misla”, Shkup, 1975
OH, përktheu në serbisht Ismet
Memiç, “Prosveta”, Beograd, 1983, “Jedinstvo”, Prishtinë, 1983
KULLA / Anton Pashku. Në: The angry
cloud, An anthology of Albanian stories from Yugoslavia. Prishtinë, Kosova
Association of Literary Translators, 1991
THE LASSLAY UNDER THE TURKEY-OAK /
Anton Pashku. Në: The angry cloud, An anthology of Albanian stories from
Yugoslavia. Prishtinë, Kosova Association of Literary Translators, 1991
FLOÇKA / Anton Pashku. Në: The angry
cloud, An anthology of Albanian stories from Yugoslavia. Prishtinë, Kosova
Association of Literary Translators, 1991
GLÖD (Gof), përktheu në gjuhën
suedeze Ullmar Qvick, Studiekamraten, Tollarp (Suedi), 1996
FIÈVRE (Gof), përkthyen në gjuhën frenge
Eqrem Basha e Christiane Montecot, Petite Véhicule, Paris, 2000
FIÈVRE (Gof), përkthyen në gjuhën
frenge Eqrem Basha e Christiane Montecot, L’espace d’un instant, Paris, 2003
APARAT PROFESORA KOSA, e përgatiti
për shtyp Voja Cariç, e përktheu në gjuhën serbe Halil Jupa e A. Pashku,
“Rilindja”, Prishtinë, 1961.
Veprat
(19 sosh) e të tjerëve për Anton Pashkun:
Rexhep Qosja: SHKRIMTARË DHE PERIUDHA,
“Instituti Albanologjik”, Prishtinë, 1975
Rexhep Murtez Shala: CD LIBRIS –
antidrama e autorit, “Papyrus”, Prishtinë, 2001
Alfred Uçi: ESTETIKA E GROTESKUT:
grotesku në letërsinë shqipe, “Akademia e Shkencave të Shqipërisë”, Tiranë,
2001
Sabri Hamiti: LETËRSIA BASHKËKOHORE
(vepra letrare 10), Libri për Antonin, “Faik Konica”, Prishtinë, 2002
NË MBRETËRINË POETIKE, zgjodhi dhe
përgatiti për shtyp Anton N. Berisha, “Kuvendi Salezian”, Prishtinë, 2002
Kujtim Rrahmani: INTERTEKSTUALITETI DHE
ORALITETI: E. Koliqi, M. Kuteli, A. Pashku, “AIKD”, Prishtinë, 2002
Kujtim M. Shala: VOX-i I ANTON PASHKUT,
“Gjon Buzuku”, Prishtinë, 2002
Nysret Krasniqi: LIBRI I PASHKUT,
(romani Oh – interpretim letrar), “Gjon Buzuku”, Prishtinë, 2005
ANTON PASHKU – GJENIU I MODERNES,
(kujtime, poezi, vlerësime, krijimtari figurative në 10-vjetorin e vdekjes),
përgatiti Frrok Kristaj, Sh.B. “A. Pashku” Prishtinë e K.L. “A. Pashku” Kukës,
2005
Kujtim M. Shala: SHEKULLI I LETËRSISË
SHQIPE, “Gjon Buzuku”, Prishtinë, 2006
Mehmet Kraja: E SHTUNA IME,
publicistikë, Shpërpjestimet Pashku, “PEN Qendra e Kosovës”, Prishtinë,
2009
Vjollca Dibra: MOZAIKU I JETËS MODEL I
ARTIT. Poetike e tregimeve të A. Pashkut – studime, Sh.K.K. “A. Pashku”,
Prishtinë, 2009
Abedin Koiçiçi: FORMIMI I FJALËVE DHE
VLERAT E TIJ NË PROZËN E SOTME SHQIPE NË KOSOVË, (mbështetur në veprat e
autorëve A. Pashku e R. Qosja), “Geer”, Tiranë, 2011
Anton N. Berisha: VETËDËSHMI TË ISMAIL
KADARESË PËR LETËRSINË, “Gjon Buzuku”, Prishtinë, 2013
Zana Memedi: GJUHA DHE STILI NË PROZËN E
ANTON PASHKUT, “Logos-A”, Shkup, 2015
ANTON PASHKU – STILIST I LIGJËRIMIT,
zgjodhi dhe përgatiti Frrok Kristaj, K.L. “Shtjefën Gjeçovi”, Zym-Has, 2016
Rexhep Murtez Shala: ANTIDRAMA,
intervistë e improvizuar me Pashkun, “Neokultura”, Prishtinë, 2016
Nysret Krasniqi: LETËRSIA E KOSOVËS
1953-2000, Autorët e letërsisë së refuzimit, “AIKD”, Prishtinë, 2016
Sabri Hamiti “ANTON PASHKU”
(studim), “Albas”, Prishtinë, 2017
Modeli
pashkian
Anton Pashku ishte dhe mbeti shkrimtari shqiptar më i
dallueshëm i këtij shekulli. Ai ishte shkrimtar i formatit të papërsëritshëm.
Ishte pra një lloj fenomeni letrar. Vepra e tij përmban shumësinë e mendimit,
shumësinë figurative të fjalës dhe njëkohësisht vetëdijen e lartë estetike të
ngritur deri në model. Shenjat e gjuhës së tij janë të gjuhës poetike, që e
bëjnë të cilësohet dhe të mbetet shkrimtari më i veçantë i letërsisë shqiptare.
Anton Pashku për nga mënyra e krijimit ishte shumë i veçantë, sidomos për nga
kodi letrar. Ishte i veçantë edhe për veprën e tij të madhe të letërsisë
moderne, që mbetet model në letërsinë shqiptare – MODELI PASHKIAN. Proza
(tregime, novela e roman) dhe drama e tij poetologjike mbetet e papërsëritshme
dhe me vlerë gjithëkohore.
Në fakt, Pashku e solli frymën e modernes në traditën e prozës shqiptare. Ishte
gjeniu i prozës moderne dhe simbol i shkrimit bashkëkohor. Veprat e tij janë të
ndërtuara nëpërmjet ligjëratës – sintaksës poetike. Prandaj, edhe është
shkrimtari më i realizuar artistikisht. Renditet si stilisti më i mirë në
letërsinë shqiptare. Anton Pashku, ky kolos i artit letrar, në fakt, është
Xhojsi, Prusti, Sartri, Orveli apo Kafka i letërsisë shqiptare (kështu e
cilësonte dr. Ibrahim Rugova, por edhe shumë kritikë të tjerë).
Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike letrare;
Qarku tematik i dashurisë, qarku tematik i vetmisë, dhe qarku tematik i dhunës
mbi individin.
Ai paraqet një vetëdije të pastër letrare, një vizion të rrallë në historinë e
kulturës dhe të letërsisë shqiptare. Anton Pashku është shkrimtar i ripagëzimit
të letërsisë shqiptare të ardhmërisë, si do ta vlerësonte Sabri Hamiti.
Vlen ta përmendim faktin se aty kah vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar,
së bashku me një grup krijuesish të tjerë shkruan një “pamflet” “VOX
CLAMANTIS IN DESERTO” (Mensur Raifin, Gani Bobin,
Ali Podrimjen e Rexhep Ismailin), nëpërmjet të cilit u ngriten fuqimisht kundër
ideologjizimit të artit, që shkaktoi trandje në krejt mjediset letrare.
Anton
Pashku i ringjallur
Menjëherë pas kalimit në amshim të Anton Pashkut,
kërkova nga shumë njohës të tij të më jepnin me shkrim kujtime për të. Një
pjesë e njohësve të tij, përkatësisht 21 veta m’i dhanë 31 kujtime. Në anën
tjetër, shtrirja e tij (Anton Pashkut) në arte (poezi, krijimtari figurative e
vlerësime kritike) më shtyri që me kujdes t’i mbledhi të gjitha krijimet (e
kohës) poetike të poetëve tanë (28 poetë kanë shkruar 35 poezi), që ia kishin
kushtuar A. Pashkut nga një apo dy poezi. Mblodha edhe krijimet figurative (10
artistë figurativ kanë punuar afro 20 portrete), ku artistët figurativ në
mënyrën e vet e kishin shprehur kujtimin për Antonin me ngjyra apo grafit,
përkatësisht vlerësimet letrare (të mbledhura nga 59 kritikë), e të cilat, për
shkaqe objektive, i kam paraqitur me nga një vlerësim të shkurtër duke i
shkëputur nga vlerësimet më të gjata, të cilat i kam rënditur sipas
alfabetit.
Bile, që nga dita kur Anton Pashku u nda fizikisht nga ne, për veprën e këtij
shkrimtari janë shkruar 19 vepra, që lexohen me ëndje sikurse edhe vetë veprat
e Pashkut. M’u për këtë Anton Pashku mbetet krijues i papërsëritshëm i
letërsisë sonë kombëtare, që rileximi i veprës së tij sjell gjithmonë një
zbulim të ri. Kjo edhe e bënë që Anton Pashku të cilësohet dhe të mbetet
shkrimtari më i veçantë i letërsisë shqiptare.
Njëkohësisht, pas kalimit në amshim të Antonit, ndodhi edhe ringjallja e tij
nëpërmjet pagëzimit me emrin e tij të: “Ora e Anton Pashkut”, që mbahet tash e
22 vjet në kuadër të manifestimit “Takimet e Gjeçovit” (manifestim ky që në
vitin që shkoi (2018) u mbajt për të 47-tën here me radhë) në Zym të Hasit;
Klubi letrar “Anton Pashku” në Kukës; një rrugë në Prishtinë me emrin e
Pashkut, e kështu me radhë.
Me emrin dhe veprën e Anton Pashkut lidhet zhvillimi ynë në rrugën e sigurt të
letërsisë moderne shqiptare. Vepra e tij e ka madhështinë e shkrimtarit të së
ardhmes. Ai paraqet një vetëdije të pastër letrare, një vizion të rrallë në
historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare.