Thursday, 15.11.2018, 04:18 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm (31-35)

Sunday, 04.11.2018, 12:44 PM


Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 31

Bogdani me ushtarët arbërorë e çliroi Prizrenin, Prishtinën e Pejën

Raporti që e kisha në dorë më drithëroi. Shkrimi ishte ndryshe, dora kishte rrëshqitur nga ndonjë shqetësim, sepse shkronjat herë zgjateshin, herë ngushtoheshin. Në raportin e fratit të paemër, shkruante: “Shkëlqesi, Ipeshkvi ynë, Pjetër Bogdani, vdiq. Me pikëllim të pakufishëm e varrosëm pranë Katedrales së qytetit të Prishtinës. Ia bëmë nderimet që rrallë kujt i bëhen, e vajtuam. Ai i udhëhoqi në luftë arbërorët kundër turqve. Por para se të të informoj për periudhën pas vdekjes së tij, ndiej obligim t’jua them disa fjalë për gjendjen në Arbëri, kur ishte gjallë imzot Bogdani.

Ende pa arritur ushtria e gjeneralit Pikolomini, Bogdani me ushtarët arbërorë e çliroi Prizrenin, Prishtinën, e Pejën. Kushtrimit të tij iu përgjigjën të gjithë, i madh e i vogël, jehona mbërriti deri në Ohër. E vlente të jetoje ato ditë.

Më duhet ta pranoj se që nga vdekja e Gjergj Kastriotit, nuk pati organizim të tillë, mobilizim të përgjithshëm e padurim që të luftohej turku. Mizoritë e tartarëve ua sollën shpirtin në majë të hundës.

Ngjarjet rrodhën kështu. Në Kaçanik ushtarët e gjakut tonë e mbajtën kufirin pa e lejuar të futej as të dilte gjallë asnjë ushtar turk. Shkupin e çliruan trupat vendës që u ndihmuan nga prijësit e Tetovës e të Karadakut. Ata hynë triumfalisht në qytetin e Bogdanit.

“Kënaqu me këtë mrekulli e vdis!”, thoshin ato ditë arbërorët. Ishte parakalim madhështor, ishte kënaqësi t’i shihje sesi valëviteshin një det qeleshesh të bardha në formacion ushtarak.

Kambanat e Katedrales së Shkupit nuk pushuan gjithë ditën. Nga qytetet tjera të Lekës së Madh, arbërorët çliruan Gostivarin, Uskanën, Strugën, Ohrin e Manastirin.

Prijësi ynë, imzot Bogdani, gjithë kohën ishte në organizim e në dijeni të sukseseve të arbërorëve. Në Prishtinë forcat vendëse e dëbuan ushtrinë tartare për herë të dytë. Lufta e vendësve ishte në ethe, për jetë a vdekje, sepse e dinin çfarë i priste po u futën tartarët e turqit në qytet.

Herën e parë kur tartarët e rimorën qytetin, masakruan bura e gra, vranë pleq e dogjën gjysmën e qytetit. Kështu,kësaj here, kjo farë e keqe u dëbua përtej Grykës së Llapit.

Kur ushtria austriake hyri në Prishtinë, s’pati nevojë të shkrepte asnjë shishane. Në qytetin më të madh të Rrafshit të Dardanisë, u vendos komanda me logjistikën e vet. Për sigurinë e qytetit e të katundeve kujdeseshin ushtarët e Arbërisë.

Por koha e lavdisë kaloi shpejt, si shkreptimë reje. Nuk ishte turku ai që e ktheu fatin e luftës në duart e veta, nuk ishte as dobësia e arbërorëve që i bëri të zbytheshin para armiqve, përkundrazi më duhet të them me mburrje se ishim më të fuqishëm se kurrë më parë, ishim një, si në kohën e Skënderbeut. Flamuri i Arbrit valëvitej gjithë kohën në pikat strategjike të qytetit.

Kur mendonim se çdo gjë po shkonte si në vaj, një sëmundje tinëzare i shkretoi tokat e Arbërisë. Mbyti mijëra banorë. Një herë ia nisi nga fëmijët, pastaj nisën të lëngonin gratë. Ishte e tmerrshme kur i shihje burrat, luftëtarë të çartur sesi vuanin e zvarriteshin me dhimbje të tmerrshme nëpër llucë. Ata që shpëtuan nga sëmundja ia mbathën në Malësinë e Gollakut apo edhe më larg në Malësinë e Karadakut, sikurse e quajnë turqit një pjesë të malësisë në periferi të Arbërisë.

Në këtë pështjellim të paparë, të shkaktuar nga kjo sëmundje ferri, kur çdo gjë po e merrte rrokullimën, trupat austriake nisën të zbytheshin, të tërhiqeshin apo ta izolonin ushtrinë e vet nga vendësit, sepse thoshin sikur donin t’i ruanin të pacenuar trupat perandorake. Nga priftërinjtë tanë që ishin në shtabin e tyre, mësuam se austriakët e mbanin të fshehtë, por murtaja bëri kërdinë në ushtrinë e tyre. Nga murtaja u shua edhe Pikolomini.

Duket murtaja erdhi nga ndeshja e parë me ushtrinë turke në Nish, qytetin më të skajshëm të Dardanisë. Në betejën e Nishit, ku mori goditje të pariparueshme ushtria e sulltanit, luftuan në anën austriake skizmatikët e gjakut tonë. Serbët, sikurse në kohën e Skënderbeut, morën anën e turkut. Na tradhtuan për herë të dytë.

Ka informacione se murtaja e preku edhe qytetin e Konstantinit të madh, megjithëse thonë jo në përmasat që e goditi qendrën e Dardanisë së sotme.

Më duhet t’ju them se asnjëherë nuk u kuptua vërtet e sollën trupat austriake sëmundjen e ferrit, apo e hodhën trupat turke në të tërhequr. Ka gjasa që ata u futën në mesin e ushtarëve tanë dhe i infektuan një herë puset, pastaj të korrat që ishin aq të bollshme. Por pati edhe hamendësime tjera.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 32

Kur nuk lamë këmbë turku nga Shkupi deri në Ohër

Sëmundja erdhi e shkoi, por me sëmundje shkoi edhe koka e prijësve të Arbërisë. Prapa la mjerim e shkretëtirë.

As gjeneralin austriak, me disa ushtarakë të tjerë të lartë të Perandorisë Austriake, as ipeshkvin tonë, Bogdanin, nuk e vranë turqit, as tartarët mizorë, por ashtu siç ju thashë, e mbyti mortaja, e cila bëri kërdinë mbi ushtrinë tonë dhe mbi popullatën.

Prapë nuk më hiqet nga mendja: e futën këtë sëmundje vrastare turqit me tradhti, apo fara e keqe që mbjellë më herët. Pati hamendësime se murtajën e sollën në strajca serbët, armiq të vjetër të arbërorëve.

Hamendësimet nuk na ndihmuan asgjë, që ta ndryshojmë fatin e Arbërisë. Ndërkaq, mbetëm pa një prijës të madh ushtarak e shpirtëror. Vetëm mbreti ynë, Skënderbeu para imzot Bogdanit, i ndriçoi si yll shkëlqimtar tokat e Arbërisë dhe gjithë Gadishullin e Ilirisë.

Pak javë para se të shuhej jeta e imzot Bogdanit, komanda e Arbërisë e dërgoi udhëheqësin në Prishtinë, te mjekët gjermanë që ta shëronin, por ata nuk e ndihmuan dot. Ai po mbaronte në vuajtje të tmerrshme, megjithëse asnjëherë nuk iu dëgjua zëri, më thanë ata që i qëndruan pranë.

“Sikur të vinte pak ditë më herët, mbase do të kishte më shumë shpresa”, na e la pikë në zemër, mjeku perandorak, që iu kushtua me gjithë zemër. Por ata që ishin në eskortën përcjellëse të imzot Pjetër Bogdanit, tregojnë se ai qe tepër i zënë me organizim e luftime që t’i kushtonte vëmendje trupit, i cili po e tradhtonte.

Kështu, një ditë të zymtë, ndër më të zymtat në historinë e Arbërisë, në vitin 1689, pas Krishtit, udhëheqësi ynë vdiq në Prishtinë. Ai e la një hon të madh, sepse mungesa e tij nuk do të plotësohet kohë të gjatë.

Komandantët e Arbërisë u përpoqën të rezistonin, mirëpo ushtria u përgjysmua nga vdekja që e priste si kosë e ferrit shtatin e ushtarëve, ndërsa shpesh vdisnin në këmbë pa pranuar të preheshin në shtratin e vdekjes. Ushtarët i përgjysmoi uria e etja, sepse mjekët nuk i lejonin të pinin ujin e infektuar, as ushqimin që po ashtu druhej se është me mikrobin e murtajës.

Si s’na u ça zemra nga pikëllimi, kur shihnim ushtarë të vdisnin në vuajtje të tmerrshme; si s’tregoi Zoti pak mëshirë për këta fatkeq, që patën mision të shenjtë: të mbronin dheun e të parëve, të mbronin gratë e fëmijët; si s’na ndihen shenjtorët, ndërsa na e dhanë rastin ta çlironim Arbërinë një herë e përgjithmonë; si s’ na buzëqeshi fati në aktin përfundimtar, kur nuk lamë këmbë turku nga Shkupi deri në Ohër.

Sa e çuditshme e sa mizore: fatin e luftës e ndryshoi një mikrob tinëzar, i frikshëm e vdekjeprurës, ndërsa nuk mund të shihej, as të luftohej. Një mikrob më pak i frikshëm, para qindra vjetësh e shtriu përtokë mbretin tonë, Gjergj Kastriotin.

Dhe si mallkim një mikrob i padukshëm e mbyti prijësin tonë të madh, Pjetër Bogdanin.

Më duhet t’ju rrëfej se mbi kufomat që i hidhnim nëpër gropa të thella, hidhnim gëlqere të pashuar. Koha nuk priste, koha mund të na ndëshkonte. Ende shpresonim se do ta këpusnim sëmundjen. Por fati na dha kahe tjetër. Mjerë Arbëria sesi u pllakos për herë të dytë.

Katunde të tëra u braktisën, vendbanime tjera mbetën me pak banorë, të tmerruar e të dëshpëruar nga e panjohura. Të shikonin si shpëtimtar, kur u tregoje kush ishe. Besonin se me hirin e Zotit, do të shpëtonin. Ndonjëherë të shikonin të tmerruar, kur druanin se do t’jua sillje mikrobin e frikshëm, prandaj pa një pa dy të dëbonin, ose të kërcënonin, që të mos ua shkelje kufirin e katundit, ku bënin rojë.

Derisa udhëtoja në Dardani, pashë me sytë e mi se si nëpër disa katunde banorët e humbën arsyen. Me të vërejtur njerëz të dyshimtë, i kapnin dhe i digjnin në turr të druve, apo i varnin. Ua bënin gjyqin aty për aty, sepse dikush e përhapi frikën se e gjithë Arbëria e pësoi nga njerëz të dyshimtë, që futeshin nëpër katunde, hidhnin minj a mace të infektuara dhe iknin nga sytë këmbët.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 33

Trupat tartare e turke erdhën si qentë e çartur para katedrales

Më kap tmerri kur e parafytyroj fundin e fatkeqit të linçuar nga banorët që shkumëzonin nga tërbimi. Shëmtira të tilla ndodhën edhe në fillim të luftës, kur dyshohej se armiku spiunonte, kështu që çdo njeri që nuk e fliste mirë gjuhën e arbërorëve e pësonte keq, madje e pësonin edhe ata që nga frika belbëzonin. Më treguan se pati edhe situata tragjikomike.

Grupe serbësh që plaçkitnin në kohë lufte, ndërsa pastaj gjenerali Pikolomini urdhëroi të dëboheshin, sepse i solli, duke shpresuar se do të ndihmonin kundër turkut, nuk e braktisën Dardaninë. Mbeten tek-tuk për fatkeqësinë e tyre. Të irrituar nga ta, arbërorët e armatosur ndalnin në rrugë të panjohurit, me dyshimin se janë serbë, i detyronin të thoshin: Thura, tharkun e thive me thupra thane. Ndonjë fatkeq i cili në vend të kësaj formule, thoshte tura, tarkun e tive me tupra tane, e linçonin. Këtë fat e pësonin edhe turqit e mbetur, të cilët për fatkeqësinë e tyre kishin ardhur nga fundi i Anadollit, që të gjenin vdekjen në katundet e humbura të Arbërisë.

Në rrugëtimin tim në tokat e shkreta, disave që ende frika nuk ua errësoi arsyen më pyetën: padër, pse na ndëshkoi Zoti kaq mizorisht? Çfarë i bëmë?

Nuk dita ç’t’u thosha, nuk kisha përgjigje as për vete. Atyre ua ktheva përgjigjen ngushëlluese: nuk dihet asnjëherë vullnesa e Zotit, nuk dihet qëllimi i tij përfundimtar. Ata më shikuan me shpresa të shuara e me pikëllim të thellë në sy. Ata nuk besonin dhe nuk shpresonin më në asgjë. Zoti prapë i braktisi kur e patën lirinë aq afër. E dinin çfarë i priste, bënin rojë ditën e natën.

Shkëlqesi, më e tmerrshmja ishte kur hordhitë turke e tartare hynë në Prishtinë. Ata bënë kërdinë, vranë gra e fëmijë. Aziatikët depërtuan nga Nishi, qytet të cilin tashmë e shtinë në dorë, sepse austriakët u tërhoqën përtej Danubit.

Ndërkaq, me të kuptuar ku ishte varri i imzot Bogdanit, trupat tartare e turke erdhën si qentë e çartur para katedrales, në qendër të qytetit. Ngrehinës ia vunë zjarrin, silleshin rreth e rrotull si kanibalët rreth presë kur e piqnin në hell. Kështu e dogjën gjysmën e godinës, një godinë madhështore, ndër më të mëdhatë në Arbëri.

Trupat aziatike bënë akte të shëmtuara kundër banorëve vendës. Bënë aktin tjetër të shëmtuar të paparë në botën e qytetëruar: ia nxorën eshtrat nga varri ipeshkvit tonë, i hodhën nëpër djerrina, i ndollën qentë që t’i hanë. Një lemeri e tillë i bëri qytetarët që shpëtuan të marrin ikën, t’ia mbajnë nga sytë këmbët.

Disa bëjnë be në të gjithë shenjtorët se në terrin e natës, ndërsa i ndriçonte ndonjë flakadan i godinës që digjej, panë se si ushtarët turq e tartarë nga tërbimi nxirrnin eshtra nga varret dhe i kafshonin si qentë e çartur, aq shumë i grinte tërbimi e urrejtja.

Të tjerët thonë se eshtrat e ipeshkvit tonë nuk i gjetën në varr, nuk i gjetën as në katakombet e katedrales, ku shpresonin se mund të ishin fshehur në strehimoret nëntokësore. Prandaj, ushtarët e huaj në shenjë hakmarrje ia përdhosën varrin, ia thyen gurët e varrit, e nxorën arkëmortin jashtë.

Pëshpëritet se trupi i imzot Bogdanit u rivarros gjetiu. Askush ose pakkush e di ku i prehen eshtrat. Ka edhe zëra që thonë se trupi i tij nuk u gjet në varr, ata pëshpëritnin diçka tjetër, pëshpërimë e cila nuk do të dalë kurrë nga goja ime, as sot, as mot, sepse nuk më takon mua të bëj krahasime të pakrahasueshme, megjithëse bëjnë be e rrufe ata se ai ishte në varr dhe nuk është më.

Ipeshkvin tonë e mbështjell oreoli i lavdisë, por edhe thagma e shenjtërisë. Ai ishte i shenjtë në të gjallë, duhet të shenjtërohet në amshim. Populli edhe në këto ditë të rënda ka nisur ta ngrejë në qiell emrin e lavdinë e tij.

Megjithëse është ditë zie e pikëllimi të thellë, megjithëse tokat e Arbërisë asnjëherë nuk ishin në gjendje më të rëndë, qysh nga vdekja e Skënderbeut, më duhet t’ju themi se patëm ditë të lavdishme. Prapë më duhet të bëj krahasime: asnjëherë nuk ishim më të organizuar e më të fortë që nga koha e mbretit Gjergj, asnjëherë nuk ishim më të afërt e më të dashur me njëri-tjetrin, “je arbëror, je im vëlla”, e përsërisnim fjalën e vjetër mallëngjyese të arbëreshëve.

Forcat tona të armatosura në kulmin e lavdisë iu kundërvunë me sukses pushtuesit turk, i cili vuri në veprim tartarët e Krimesë, por edhe çetat serbe e bullgare, të cilat janë të njohura për mizorit ndaj popullatës.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 34

Gryka e Kaçanikut u bë si Gryka e Termopileve

Gjenerali austriak, Pikolomini, u mahnit nga organizmi ynë, ashtu sikurse na lavdëroi për trimërinë. Për një apo dy muaj ushtria e Arbërisë çliroi Shkupin, Tetovën, Prishtinën, Prizrenin e Pejën, ndërsa ende pa u futur në Shkodër e Lezhë, trupat turke e tartare ia mbathën me të katrat, para forcave të armatosura të Kelmendit e Berishës, duke kaluar nëpër Qafë-Thanë, sepse shteg tjetër ikjeje tanët nuk u lanë. Por trupat arbërore në Strugë e Ohër u dolën para.

Lajmet që na vinin nga Jugu thonë se asnjë ushtar i huaj nuk shpëtoi, pos kasnecëve të tyre që duhej të tregonin për mynxyrat që i prisnin po u kthyen prapë në tokat e Arbërisë.

Shkëlqesi, suksesi ynë ushtarak nuk qe i rastit. Ne u përgatitëm një kohë të gjatë.

Imzot Bogdani disa vjet më parë ia nisi një letër perandorit austriak, ku e bënte me dije se në Arbëri ishin të gatshëm të hidheshin në sulm frontal kundër pushtuesit, vetëm nëse ata na e mbronin shpinën që të mos na sulmonin aradhet serbe e bullgare, të cilat gjithnjë u prinin forcave turke, duke e tmerruar popullatën civile.

Pas disfatës forcat e mbetura u riorganizuan dhe u tërhoqën nëpër malet e Pashtrikut, Lubotenit, Rugovës e Gollakut. Janë në pritje të ditëve më të mira.

Jemi duke u ballafaquar me një mizori të paparë. Shpërngulja e popullatës nga Arbëria drejt tokave austriake është shqetësuese. Kolonat e gjata, të pafundme shihen luginave e gërxhave, duke ikur drejt veriut. I ngjason shpërnguljes biblike. Fatkeqësisht arbërorët nuk po ikin drejt tokave të premtuara, ata po ia mbathin nga tokat e tyre, në tokat e huaja. Thonë se ultësira e Panonisë do të popullohet me njerëzit e gjakut tonë. Perandori austriak u ka premtuar toka të pëlleshme e kamje. Por asnjëri prej arbërorëve nuk ikën për lakmi, por nga halli. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit kjo është shpërngulja më e madhe.

Gjysma e fisit të Kelmendit e të Berishës ikën përtej Nishit, të udhëhequr nga priftërinjtë tanë, që s’dinin ç’të bënin tjetër, pos t’i shpinin atje ku ua thoshte mendja se do ta shpëtonin kokën. Ikën me të madhe edhe nga Rrafshi i Dardanisë, ndërsa i lanë shtëpitë e pasuritë. Hakmarrja e turqve ishte e pritshme. I druanin plojës sikurse dikur në Kështjellën e Krujës e të Lezhës.

U druanin tmerreve që pësuan banorët e Prizrenit deri në një. Kështjellën e Pejës turqit e dogjën dhe e rrafshuan me tokë. Gur mbi gur nuk lanë.

Me mbyt pikëllimi dhe më turbullohen sytë nga lotët, kur e kujtoj tmerrin nëpër të cilin po kalojmë.

Megjithëse luftën e humbëm, Gryka e Kaçanikut ende mbahet e mbyllur. Një pjesë e trupave pushtuese pasi e morën Shkupin, u përpoqën të futen në Ferizaj e Prishtinë përmes Grykës së Kaçanikut. Mirëpo kryengritësit nuk lanë këmbë turku të futej më tutje.

Gryka e Kaçanikut u bë si Gryka e Termopileve, qindra malësorë të Arbërisë ranë, por fushëbetejën nuk e braktisën. Doli kënga me thirrje kushtrimi:

Hej, Kaçanik-o, shkamb e gur

Vritesh e pritesh për flamur.

Kënga thotë se arbërorët jetën e tyre e paguan shtrenjtë. Mbrojtësit e grykës u vranë tinëzisht, prapa shpinës. Megjithatë turqve nuk ua mbanë të kalojnë ngushticës së frikshme. Kush ua mësoi rrugën e fshehtë trupave pushtuese? Një dhiare nëpër të cilën u futën turqit asnjëherë nuk u mor vesh.

Lajmëtarët na raportuan se trupat turke e tartare u futën nga Lugina e Nishit nëpër qytetin e riemërtuar Kurshumli. Llapjanët nuk patëm mundësi t’u rezistonin, ishin tejet të molisur e të përgjysmuar nga luftërat.

Një tjetër lajm i hidhur erdhi nga krahina e Nishit. Popullata e atjeshme u islamizua dhunshëm. Përnjëherësh i detyruan të bëheshin myslimanë, ose të deklaroheshin serbë, sepse më nuk ua kishin besën, ndërsa Patrikana e Stambollit e tumiri...

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 35

Kujtesa po shuhej

(1750 vjet pas Krishtit...)

“Zymtësia e pllakosi Arbërinë. Njerëzit ecnin si të mos ishin të kësaj bote, hapat i bënin të ngadalshëm, të ngathët, nuk u bëhej vonë për asgjë. Në të folur nisën të hanë nyjat, të fusnin fjalë që nuk i flisnin më parë, nuk i nxirrnin thekshëm tingujt, por me letargji të habitshme, si të përtonin të flisnin. Jo rrallë e kapnin veten sesi pëshpëritnin. Këngët u dilnin vajtuese, të zvargura si këngë morti. Asgjë nuk i entuziazmonte. Legjendat nisën t’i ngatërronin, emrat e heronjve t’i ndryshonin, ua shtonin një emër të ri në mes, krijoheshin motërzime të legjendave edhe për ato gjëra që në fillim ishin të qarta. U shlyheshin nga kujtesa datat, detajet, fytyrat, koha, vendi. Dikush si në përgjumje fliste netëve të gjata të dimrit për një trim me dy emra, që e ndriçoi qiellin e tyre dhe iku në amshim. Pastaj u bë një hon, një zbrazësi që ua gërryente shpirtin, i bënte të vuanin, të ndiheshin të braktisur. Nuk e shpjegoja ndryshe këtë gjë, pos me fazën e shuarjes sonë. Murmurima e turmës ishte mbytëse. Ata e kërkonin pishtarin në terr.

Ndërkaq, zëri i zvargur, vajtimtar i myezinit e bënte atmosferën më të përzishme. Tisi i mbrëmjes shtrihej në tërë luginën. Rrallë ndonjë blegërimë deleje a pëllitje lope shpërndahej kodrinave sipër. Zëri pikëllimtar i myezinit vajtonte fatin tragjik të vendësve që po i mbërthente gjumi i vdekjes. Mbase ai zë mortor tashmë po i vajtonte të gjithë ata që ishin arbër e po bëheshin shqiptarë.

Një çarje e re po përvijohej në trungun tonë, më tha studenti i gjakut tim, që vijonte mësimet në Romë. Ai më bëri shoqëri gjatë gjithë shtegtimit tim. Arbrit nisën të harrojnë ç’ishte emri i parë e çfarë pillte emërtimi i dytë, prandaj i sforconin dy emrat me prirjen ta shtonin edhe të tretin.

Vejëroja luginën, ku nxirrte kokën sipër shtëpive të katundit të shpërndarë minarja. Shtëpitë e vogla - kasolle nxirrnin tym. Kullat kryelarta nëpër lugina ishin rrënuar. Në anën tjetër të katundit mbi shkëmbin e rrëpinjtë, që binte pingul mbi greminë si për karshillëk, kambanat e kishës thërrisnin besimtarët në meshë. Pastaj heshtja e mbulonte çdo gjë...

Në vesh më vinte ende jehona e largët e klithmave të besimtarëve, të cilët nuk e pranuan fenë e re, prandaj i degdisën atje ku bren miza hekur. Kisha dëgjuar për rrugën e Kalvarit, që përsëritej çdo dhjetë vjet në një cep të Dardanisë. Rruga me ngjitje dhiare në kodrën sipër ua kujtonte banorëve rrugën e Anadollit, ku lanë kockat shumica prej tyre. Nuk donin të bëheshin ata që nuk ishin. Rruga nëpër shkretëtirë ishte e gjatë, e mundimshme, plot vuajtje, gjak e vdekje. Disa i përballuan vuajtjet, disa ranë, të tjerët nuk patën forcë të ktheheshin, mbetën atje. Gjergji u bë Xhavit, Maria- Mejreme. Më vonë thanë sikur gjuhën ua hëngri macja, nuk flisnin fare, as arbërisht, që e folën gjithë jetën dhe, as gjuhën e fiseve turke që s’e kapnin dot. U dukej tepër e ngatërruar...” rrëfente prifti Lush i Dardanisë në kronikën e vet për syrgjynosjet e popullatës që nuk donin të pranonin fenë e turkut.

#

Për gjendjen nëpër qytete shkruante atë Ndreu: “Qyteti aq joshës e tundues dikur po i përpinte arbërorët. Zbrisnin grupe-grupe, kur dobësohej pushtuesi, e plotësonin vendin gjysmë të zbrazur nga murtaja, luftërat, ploja e osmanëve, futeshin në shtëpitë që u kishin shpëtuar flakëve të zjarrit, por jo plaçkitjeve.

Pas një kohe nisnin e këndelleshin, disa bënin shtëpi e katandi, hapnin dyqanet e mbyllura, qarkullonin e bënin tregti nga vendbanimi në tjetrin për të plotësuar boshin e magazinave. Jeta vazhdonte sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Vragët nuk shtroheshin si lëkurat e regjura, vragët mbeteshin mureve të ciflosura e të nxira nga tymi, në varret e freskëta, që e pushtonin periferinë e qytetit. Gropat e varrimeve në masë rrinin kërcënueshëm skaj qytetit.

Kur prisje që malësorët e zbritur në qytet të dilnin në sipërfaqe, sepse ata e ngjallnin qytetin me energjinë e pashtershme që e mbartnin, binte fatkeqësia tjetër, edhe më e madhe se e para. Kështu malësorët që u bënë qytetarë, pas një kohe, i përpinte toka. Perandoria epileptike osmane po dridhej, por më së shumti i përpinte arbërorët, sepse me ta e pati mërinë e vjetër. Nga kjo dridhje e pushtetit një pjesë e arbërorëve ndërronin gjuhë e fe. Të tjerët nuk e gjenin veten aty ku u ngulitën, iknin kah sytë këmbët. Rrënjëshkuluri nuk zinte rrënjë askund.

Kronistët e dioqezave në raportet që na i dërgonin në Ipeshkvi shkruanin se banorët e qytetit prapë ia mbathën në veri si zogjtë e trembur, kur ikin nga flakët e luftës. Pjesa tjetër, në kohë pasigurie, shndërrohej në turmë të shqetësuar, duke u dyndur në kryeqytetin e pushtuesit.

Kostandinopoja (me emërtimin turk Stamboll) u bë magnet që i tërhiqte sërish arbërorët si në kohën e Perandorisë Bizantine. Kush nuk nisej drejt Kostandinopojës, ia mësynte Romës, apo zotërimeve të tyre në veriperëndim të Gadishullit Ilirik. Zemërimi i dy perandorive gjithnjë binte mbi arbërorët kryeneçë.

Në këto rrethana ishte trishtuese të shihje qytetet që po vdisnin. Në grahmat e fundit rigjallërohej nga banorë të rinj. Të mbyste ngashërimi kur shihje katunde që nuk ishin më, pushtuesi në shenjë hakmarrjeje i digjte, banorët i vriste a i dëbonte, disa tërhiqeshin prapë nëpër male. Tokat mbeteshin djerrë. Të çahej zemra kur të dilnin banorët e paktë të dioqezave dhe ta kërkonin mendimin, u duhej ndihma, kurse s‘kishe mundësi t’ua jepje asnjë ndihmë, pos t’i ngushëlloje.

“Zoti ka menduar edhe për ju, ai ka një plan”, u thosha po aq i dëshpëruar sa ata, por duke e mbajtur në vete dëshpërimin.

Me javë bridhja nëpër qytete e katunde, përpiqesha të ngjallja besimin dhe të ngrija shpresën, me ndihmën e tyre rinovoja ndonjë kishë, por besimin e pata vështirë t’ua ringjallja. Një pjesë e braktisnin fenë e vjetër, kalonin në skizmatik, në atë fe nuk i ndiqnin, të tjerët bëheshin myslimanë, në fenë e re u jepej mundësia të vazhdonin jetën, pa frikën se do t’i vrisnin kot. Më kryeneçët i shpërngulën këmbë në Anadoll...”

E mbylla kaptinën e kronikës, sepse më bëhej sikur isha unë në vendin e të dëbuarve që ecnin të etur e të uritur shkretëtirës, prapa u digjte kamxhiku i sejmenëve.

Jashtë po binte shi rrëke, sikur ishte bashkuar qielli e toka. Drini doli nga shtrati, rrugët ishin të pakalueshme.

Më çahej zemra nga fati nopran në Arbëri. Sikur të mos e pllakoste murtaja, shtetin e Arbrit do ta krijonin para treqind vjetësh, të parët në Gadishullin Ilirik.



(Votes: 3 . Average: 5/5)

Write Your Comment
Comment: