Saturday, 17.11.2018, 02:41 AM (GMT)

Kulturë

Jusuf Zenunaj: Ahh, Demo, Demo!

Sunday, 04.11.2018, 10:46 AM


Jusuf Zenunaj

AHHH, DEMO, DEMO !

Ahh, Demo, Demo Berisha !

Ku të zuri nata, ku të zbardhi dita ?!

Grave e fëmijëve u ke zënë prita,

gjaku i tyre , britma ,as vaji

nga ushtria serbe

nuk mundi të të ndajë !

Dardaninë e vjetër

shkele pa mëshirë,

nën këmbën vrastare

të mos sheh hënë , as diell.

Ahh, Demo, Demo kapiten,

plaga e atdheut fare nuk të dhemb!

Luftove UÇK -ën,

në luftën e saj për liri,

sot, Këshilli Kombëtar Shqiptar

kërkon me i pri !!?

J.Z. 4 nëntor 2018

NJËRA ANË E IBRIT

Njëra anë e Ibrit në Kosovë,

tjetra në "Kosmet",

flamujt serb valojnë

kudo në qytet !

Shteti ynë me sovranitet,

rrymën ia pagun veriut

sikur çdo vjet !

J.Z. 3 nëntor 2018

BËHUNI GATI

Gazetat e Tv -et

do na ia çelin sytë

me lajm të "freskët":

Djali i filanit do të bëjë namin

bashkë me një tjetër,

asgjë nuk na solli

politika e vjetër !

Bëhuni gati

se tash nis vrapi

me një parti të re,

me fjalë të mëdha,

për punë e atdhe.

J.Z. 2 nëntor 2018

QETË NË ZGJEDHË

Dy qe në një zgjedhë,

në arën midis mali

mbrapa i ndiqte lavërtari.

Njëri ka në të majtë

tjetri ngrehte në anën tjetër,

bujku kishte harruar thuprën,

zanatin e tij të vjetër...

J.Z. 2 nëntor 2018

ME NDËRRIMIN E STINËVE

Interesi çelës i rrugëve të mia,

kur ndërrohen stinët

pse të mos ndërrohet partia?!

Dje isha në njëren,

sot jam në tjetren,

mos u befasoni

në shkofsha në më të vjetren.

Ndërrimet në parti

si në ekip të futbolli,

kështu thotë partiaku

Guralec Tomorri.

J.Z. 1 nëntor 2018

DIKUR NË KASOLLË

Në luftë komandant

edhe nga hoteli,

sot, ngreh kokën lart

si n'ag mbi pleh gjeli.

Në lagje, fshat

edhe në qytet,

kudo me pushtet ,

sillet e mbështillet

sikur t'ishte mbret !?

Sejmenët përreth ditë e natë

sikur ai kush ka dorë të gjatë ?

Dikur në kasollë;

mbas lufte me villë

edhe në bregdet

pasurinë që ka

nuk e di as vetë !?

J.Z. 1 nëntor 2018

ÇETA E " AGIMIT TË ARTË "

Çeta e " Agimit të Artë"

tokën ilire erdhi të përgjak !

Kocias vetë i gjashti

me kallash;

rrugës pakrye

i hyri në Bularat,

në tokën e gjakosur

shtatë pashë .

J.Z. 30 tetor 2018

PA MARAZ

Gjeli sikur dje

këndoi pa maraz,

për akrepat e orës

që i kthyen një orës pas.

Deri në fundmars

ndryshe maten nata edhe dita,

ehhh, sikur ora

të ndërrohej politika ?!

J.Z. 28 tetor 2018



(Votes: 5 . Average: 5/5)

Write Your Comment
Comment: