E marte, 19.03.2024, 11:39 AM (GMT)

Kulturë

Hysen Kobellari: Ali Asllan Sulejmani, liriku i fjalës së ëmbël - rebeli i revoltës së hakërruar

E shtune, 03.11.2018, 06:22 PM


Ali Asllan Sulejmani ( 1882-1966 ), liriku i fjalës së ëmbël; rebeli i revoltës së hakërruar ! …

Nga Dr. Hysen Kobellari

“ Askush tjetër nuk e përjetoi udhëkryqin e historisë sonë me atë tronditje, me aq stoicizëm njerëzor e artistik si Ali Asllani; askush nuk u ngrit brenda vetes – në radhë të parë brenda vetvetes në lartësira të atilla meditimi brengosës, kur njeriut i këputet pika e lotit dhe ai nuk e kupton dot, nëse qan apo qesh njëherësh. “

Fatos Arapi

Teksa isha duke kundruar ekspozitën e pasur të skulptorit të talentuar vlonjat Zeqir Alizoti, më tërhoqi vëmendjen portreti i një burri me shtat mesatar, i hijshëm në fytyrë, me sy të bukur ëndërrimtarë, i cili në njërën dorë mbante kapelen rrethore të administratorit shtetëror dhe diplomatit, ndërsa në dorën tjetër shtrëngonte bllokun e shënimeve të lirikave, vjershave të tij të bukura. Poetët janë njerëz të bukurisë dhe s’ka se si të mos jenë të tillë. E pyeta krijuesin e këtyre skulpturave të shumta dhe ai më informoi se burri i shtatores quhet Ali Asllani, vjershëtori famshëm lab. “Një bust me emrin e këtij poeti e kemi vendosur në Shkollën e Mesme në Kotë, pranë Lumit Shushica, 10 kilometra larg fshatit Vajzë, vendlindjes së tij.”, më tregon me krenari skulptori.

Në bisedë e sipër mësoj se poeti ynë lirik është “Qytetar Nderi” i Vlorës dhe ka marrë titullin “Nderi i Kombit” në vitin 2005, po mbi të gjitha ka marrë një rivlerësim të merituar dekadat e fundit nga lexues dhe dashamirës të shumtë të letërsisë dhe kultures sonë kombëtare.

Shumëkush përpiqet të thellohet e të kuptojë shkaqet e ndodhive dhe gjërave në shoqëri dhe me të drejtë bën pyetjen : Si është e mundur që ky poet kaq i ëmbël, me vargun e tij sa ledhatar ndaj bukurive të atdheut dhe njeriut shqiptar, po aq edhe të hakërruar kundër veseve tona, prej shumë vitesh na ishte fshehur ?!...

Ka popuj dhe kombe që i perkëdhelin dhe i duan shumë poetët e tyre, ndërkohë që ne sikur gëzohemi t’i mundojmë e stërmundojmë ata, pa i kuptuar e vlerësuar sa janë gjallë, duke iu dëshiruar një jetë tokësore plot andralla, vuajte e mundime pa fund; pastaj, kur ata largohen nga kjo botë, sulemi t’i lavdërojmë e t’i përmendim, duke synuar të marrim mbi vete sadopak dritë nga vlera e veprave dhe mirësive të tyre të mëdha …

Jeta e poetit, si dallgët e detit …

Poet Ali Asllani u lind në fshatin Vajzë të Vlorës, në vjeshtën e vitit 1882. Babai i tij ishte Asllan Sulejmani, hoxhë i Zonës, myfti dhe myderriz, mësues për fëmijët që mblidheshin në xhamitë e fshatrave, të cilët mësonin shkrim e këndim dhe lexonin e shkruanin Kuranin Kerim. Asllani kishte një arsim të kënaqshëm fetar, zotëronte arabishten dhe turqishten, por ishte i sëmurë dhe vdiq shpejt, pa mbushur i biri akoma 6 vjeç. Hyria, nëna e Aliut ishte e bija e Isuf Meminajt, nga fshati Trevllazën, derë e njohur për bujari, ndershmëri dhe atdhetari. Ajo u kujdes për të birin edhe për tre vite të tjera pa e patur bashkëshortin, deri sa i shkoi pranë atij. Për poetin e ardhshëm mbetur jetim u përkujdesën kushërinjtë e babait nga fshati Vajzë, në fillim Seit Muharremi, pastaj Hoxha Sulejman Kapo.

Djaloshi jetim ndoqi mësimet në Shkollën Ruzhdije në Vlorë, nxuri gjuhët arabe dhe turke, por edhe persisht, pastaj përvetësoi alfabetin e greqishtes në një shkollë të qytetit, për të shkuar më vonë në Gjimnazin e Janinës, Idadi, që e nisi më 1898 dhe e përfundoi më 1902. Në këto vite studimesh provoi të thurte vargje në turqisht dhe persisht, ku pati sukseset fillestare. Kur shkoi në Stamboll pas disa muajsh, këto vjersha i botoi në revistat “Malumat” (Dituria), “Mysaver fen ve edep” (Parafytyrimi i shkencës dhe edukates), “Baballëk” dhe “Irtika” (Ngritja). Me sa jam në dijeni, këto krijime kanë përgjithësisht karakter fetar, por me nuanca të theksuara lirike dhe sociale …

Djaloshi i talentuar lab u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Stamboll, por pas një viti mësimesh, ato iu dukën të egra, nuk i duronte dot gjakun dhe plagët e pacientëve dhe e la shkollën, duke kaluar një provim të vështirë hyrës në Institutin e Lartë Administrativ “Mülkiye”, me ndihmën e Ismail Qemal Vlorës dhe Mulla Xhaferr Drashovicës, ku u diplomua më 1906. Menjëherë u dërgua ne Janinë për të kryer stazhin e detyrueshëm si administrator i shtetit për dy vjet, pas të cilave e caktuan të zëvendësonte për tre muaj Nënprefektin e Delvinës, për t’u kthyer përsëri në Janinë. Aty poeti u bë anëtar aktiv dhe më pas udhëheqës i Klubit “Bashkimi”, i dha mbështetje Ismail Qemalit, i cili u akuzua si nxitës i grushtit të shtetit në Turqi më 1909; së bashku me major Zija Musaraj, Ali Asllani i tërhoqi vërejtjen përfaqësuesit të Komandës Ushtarake të Janinës, i cili kishte shkuar në Klub për të përhapur propaganda kundër I.Qemalit si kundërrevolucionar turk. Filloi një periudhë persekutimi nga organet qeveritare, madje u dha urdhri për internim në Halep të Sirisë, por për të shpëtuar nga internimi Aliu kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Si përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Janinës mori pjesë në Kuvendin e Dibrës. Pas një viti kthehet në Stamboll, pasi ra kabineti që desh ta internonte. Me ndihmën e Shahin bej Kolonjës (Ypi), u emërua sërish nënprefekt, me kusht që të punonte në viset shqiptare, por deri në vitin 1912 punoi në këtë detyrë në Akseqi, Ellgen dhe Boksër të Vilajetit të Konias në Anadoll. Pas shpalljes së pavarësisë, Ismail Qemali i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës së Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar 1914. Për disa kohë punoi si nënprefekt i Fierit dhe kaimekam i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi për ca kohë në Itali; pas kthimit administrata lokale e caktoi Sekretar të Përgjithshëm (1915-1917). Ishte nënprefekt kur pushtuesit e parë italianë e pushuan nga puna, pasi kundërshtoi pushtimin. U bë Kryetar i Bashkisë së Vlorës nga 1918 deri më 1920, pastaj për dy vite ishte Kryekëshilltar i qeverisë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Shkoi konsull në Trieste dhe ambasador në Sofie të Bullgarisë, derisa më 1930-1932 ishte minister i akredituar në shtetin grek. Nga 1934-1939 ishte përsëri Kryebashkiak në Vlorë dhe pastaj e emëruan anëtar të Këshillit të Lartë në Tiranë.

Pas ardhjes së regjimit të ri monist, më 1945 ishte ndër të parët nismëtarë të themelimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, duke shpresuar për mbarësi në të ardhmen, ndërkohë që deri në vitin 1952 e mbante familjen me të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, deri sa doli në pension.

Përveç vjershave të botuara ndër vite në shtypin e kohës, u bë i njohur me poemën “Hanko Halla” botuar e plotë në vitin 1942, pasi gazeta “Minerva” e pati botuar me 1933 në gjashtë numëra. Nga 1960-1966 botoi katër libra “Vidi-vidi pëllumbeshë”, “Shqipëria kryesorja”, “Vajzat dhe dallëndyshet” dhe “Kur merr zjarr rrufeja”; më 1972 u botua në “Poezia shqipe”, ndërsa më vonë pati botime të tjera. Vjersha e tij e famshme kushtrimore “Vlora Vlora !” u muzikua nga kompozitori Thoma Nasi dhe u bë e pavdekshme, një himn i vërtetë për këtë qytet dhe banorët e saj “Vlora, Vlora; Vlora, Vlora,/ Bjeri, moj të lumtë dora !”, duke mbetur përjetë në thesarin e muzikës dhe kulturës sonë kombëtare.

Lirika atdhetare.

Të shkruash për veprën poetike të Ali Asllanit nuk është e lehtë. Poeti ka frymëzim popullor, por fjala e tij shkon më thellë. Vjershat e tij janë në dukje të thjeshta e të lehta për t’u kuptuar e mbajtur mend, por mbartin brenda tyre kuptim të thellë filozofik; ato i përshkon mençuria e jetës plot besim e shpresë, kanë humorin e shëndetshëm e përtëritës të popullit me kryefjalë dashurinë për vendlindjen dhe dëshirën e madhe për liri. Ai është romantik dhe illuminist, realist dhe kritik.

Shpirti lirik atdhetar i Ali Asllanit shkëlqeu që në vjershat e para të nxënësit të Vlorës, i cili gjithë jetën e ndjeu veten krenar për bukuritë e vendlindjes së tij, për hijeshinë e maleve, krojeve e luginave, për bukurinë e vashave labe, për madhështinë e detit të kaltër, për gjithçka që vjen era atdhe dhe atdhedashës… Vargjet, motivet, fryma, detajet e shpalosura në lirikën atdhetare aliasllaniane i parafytyroj si një varg rrathësh bashkëqëndrorë ku në qendër, në mes, si bërthamë është Vajza, fshati i tij i lindjes, pastaj vjen Vlora (Vlorë, tungjatjeta, vend i mrekullive,/ maten me Sazanin degët e ullinjve !”; më tej Shqipëria, nëna e madhe “Vendi i zonjave si lule,vendi i luleve si zonja,”dhe në fund vjen bota e gjerë ku poeti jeton, me rrethin e skajshëm të fundit, të pambyllur plotësisht.

Vargu i poetit në të gjitha rastet e perkëdhel me shumë dashuri dhe butësisht atdheun dhe vashën (keçen), që e përtërin jetën e tij, me dashurinë e natyrshme që jep e merr. Harmoni në fjalë dhe tinguj. Përkedhelje e fjalës plot dashuri dhe respekt. Hijeshi e poezisë popullore. Në vargjet e vetvetishme, që dalin nga shpirti, buron një mirësi parajse, ndërkohë që një lexues i vëmendshëm vëren kontrastin e dallueshëm midis vrazhdësisë së jetës së kohës dhe njerëzve, me butësinë dhe ëmbëlsinë e fjalës dhe vargut të poetit. Vargu i tij lirik, si një puizë endacake, si mëndafshi i butë plot lule, sikur përpiqet të zbutë zemrat e egërsuara të lexuesve, të munduar nga brengat dhe hallet e mëdha të jetës së kësaj bote…

Lirika erotike, dashurore…

“Po për Zotin, moj, për Zotin,/ në shërbim të dashurisë Perëndia krijoi lotin.”

Ali Asllani ishte lindur si poet lirik, që gjithë jetën i këndoi dashurisë për Krijuesin, deri në adhurim dhe femrës, përtëritëses së jetës mbi dhé, krijesës që ka qenë amanet për përkujdesje të përjetshëm për burrin … Nga vështrimi romantik i jetës së labit, të cilit i mjaftojnë një tufë dhen, një stan në mal, një e dashur që e pret tek dera, uji i pastër i kroit dhe liria, mbi të gjitha, poeti kalon në hollësira të këndshme të veprimtarisë njerëzore. Ai e krahason femrën me goguftunë dhe pëllumbeshën, me sorkadhen e malit dhe pelën e lirë egrushe, duke harmonizuar kësisoj krenarinë e njeriut tjetër, shok i burrit, me butësinë natyrore të saj, ku ai gjen prehje e qetësi, sipas porosive të Krijuesit të gjithëditur. “Kush të paska rritur, kush të ka selitur ?/ Trupi yt i bukur, si flori i situr !”; “Në je ndonjë hije, një hije hyjnore,/ kthema zemrën time, zemrën që ma more !”

Dhe vasha shqiptare i përgjigjet poetit se kush e krijuar atë aq të bukur : “Është dritë e diellit, është dritë e hënës,/ më shumë nga të gjitha është sisë e nënës ! “ Poeti shpreson tek Krijuesi i gjithësisë për një stinë të bukur jete: “ Si një dorë, dorë e Zotit, ajo dorë që s’ka të dukur,/ dalngadalë nënë tokë përgatit beharë e bukur …”

Poeti është thellësisht besimtar: “Perëndi, o Perëndi ! / Bota thonë se ti kur dashke, bën si do e bën si di.”

Duhen shkruar libra të tërë për të përshkruar ndjenjat dhe mendimet që të frymëzon lirika e vetëvetishme e poetit Ali Asllani …

Poezia e revoltës deri në hakërrim.

Ali Asllani na shfaqet poet i revoltës sociale me vargje të protestës së fuqishme ku shkallë-shkallë shpaloset realiteti, realizohet demaskimi i veseve njerëzore, duke i hiperbolizuar, zmadhuar ato; pastaj jepet kushtrimi për protestë, e cila përfundon me vendosjen e drejtësisë së Zotit, realizuar nëpërmjet robit … Të gjithë i kemi dëgjuar interpretimet e ndjera e drithëruese të aktorëve Reshat Arbana, Bujar Asqeriu e Mirush Kabashi të poezisë së Ali Asllanit “Hakërrim. Hani, pini e rrëmbeni !” një nga kryeveprat e poetit. Sa reale edhe e fuqishme është ajo në të gjitha kohrat, sa kush e dëgjon për herë të parë mbetet me gojë hapur : “Hani, pini e rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,/ të pabrekë iu gjeti dreka, milionerë iu gjeti darka ! “

Fryma e revoltës është e pranishme edhe në poezi të tjera të Ali Asllanit. Më e fuqishmja ndër to është “Dasma e madhe”, “Dhëmb për dhëmb e sy për sy, si ti mua dhe unë ty !/ Nëna ime, nëna jote, zënë e qajnë për të dy.”; “E, pra, ti, o Perëndi, pse na le në dorë të djallit,/ që na shtypi, na përtypi nëpër nofulla të çakallit ?!”, e cila mbaron me besimin e përtëritjes se “dhe aty ku bie zjarri, bëhet lulja më e mirë.”

Leximi i kushtrimit “Hakërrim” të ngjall ndjenja e mendime të fuqishme, si rrallë ndodh në poezinë shqipe; aty përzihet urrejtja me mëshirën, përbuzja dhe neverinë, faji me shfajësimin, mëkati me ndëshkimin; “ A e dini se fitimi brenda katër vjet mizor/ nuk është yti, nuk është imi, është i kombit arbëror,/ është i syrit në lot mekur, është i vendit djegur pjekur./ Ju do thoni si të doni… po e drejta dërrmon hekur ! “

Poezia humoristike, deri tek satira …

Humori dhe satira e shëndetshme e përshkon gjithë veprën poetike të Ali Asllanit; ajo buron tërësisht nga humori dhe gazmendi popullor që zë fill e shtjellohet në mënyra nga më të ndryshmet në çdo rrethanë të jetës njerëzore. Lexuesi qesh hidhur e tund kokën me trishtim pasi ka sosur së lexuari “Imam efendiu” –n, apo “U betova një ditë rëndë …”, ku vetëpërqeshja dhe vetëqesëndisja kalon deri në zhgënjim për mosmbajtjen e betimit të burrit pijetar, që nuk e mban fjalën: “I ka hije detit vala, i ka hije kalit shala,/ po më shumë nga të gjitha, i ka hije burrit fjala !”. Sa kam qeshur kur mbarova së lexuari vjershën lakonike “Xhaxho”, ku personazh kemi edhe Hanko hallën ! Po edhe vetë poema “Hanko Halla” është burim gazi të shëndetshëm, teksa Hankoja del asimetrike me njerëzit e rinj dhe zakonet e reja të kohës, me mjediset e panjohura më parë. Hanko Halla na del krejtësisht si Lakuriq Nate : “Jemi bërë, moj motra, çfarë të them nuk di,/ gjysma e trupit zog, gjysma e trupit mi !”

Figura tragji-komike e Hanko Hallës, për sinqeritetin e saj deri në naivitet, na ngjall ndjenja simpatie edhe për shkak të betimit që ajo bën përpara lexuesit : “Pra dhe beja bëhet po për atë hënë,/ po për atë nënë,/ për diell e për qiell,/ dhe për atë Zot që është më i thell’ !”…

• * * *

Poeti thotë : “Ngreh me arte një kështjellë,

Me fuqinë e vjershës sime !”

Me kështjellën e vet të bukur Ali Asllani hyri në panteonin e letërsisë shqipe për të mbetur aty përjetë; lexues të brezave të ndryshëm le të përpiqen të hyjnë si të mundin në këtë kështjellë interesante dhe le të shohin se ç’bukurira ka aty !



(Vota: 46 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora