E hene, 16.09.2019, 11:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Panoramë kaotike

E merkure, 31.10.2018, 08:01 PM


Blerim Rrecaj

Panoramë kaotike

Kah je? Ksajde. A dalim ecim pak? Dalim. A po del menjëherë? Po. Behëmi bashkë. Duke u parë në sy dhe duke zgjatur duart me nga "një si je e ç'bëre e si ia kalove". Hë, kah po shkojmë? A po e vazhdojmë ecjen e zakonshme a ndërrojmë pak rrugëtimin edhe pse s'flitet për ndonjëfarë ndryshimi lëvizjesh kushedi se çfarë. Merremi vesh. Kuptohemi. Pajtohemi që rrugët që t'u japim këmbëve edhe pse keq s'do të ishte të udhëtonim me pajton a mjete tjera lëvizjeje më bashkëkohore. E vazhdojmë ecejaket në ambientin tollovitës e trullosës me kujdes të shtuar duke tejkaluar vetura të parkuara trotuareve të ngushta, por kjo s'do të thotë të mos gostitemi me ndonjë sirenë që po të jetë e ndonjë mjeti të rëndë transportues për t'i dhuruar do të rrëqethura të forta trupi. Dhe nëpër mend vërtiten pamje të shumta aksidentesh, vetaksidentesh e incidentesh që kemi parë jo vetëm kronikave mediale. Dhe ne të humburit e të zhgënjyerit e mëdhenj humbasim nëpër fjalë. Humbim nëpër shpërthime e plasje fjalësh sikur mjete lëndësh plasëse për aktu(ban)alitetin shoqëroro-politik e mjerano-idiotik. Që vazhdon. Pamjet e përditshme me prindër me fëmijët e tyre përdore duke i dërguar e marrë prej shkolle, e shkolla të duket si kamp refugjatësh dhe mendja të vete se mos po na vije puna se është duke na ardhur puna të mësojmë përsëri të mësojmë nëpër shkolla shtëpi si atëherë në robëri në sistemin paralel. Ku nuk na shkon mendja neve robërve të lirë e modern. Lëmë mendjen të lirë dhe shfrytëzojmë rastin për t'iu drejtuar një të njohuri për të ndërruar kokën e një poçi të djegur elektrik dhe për një gyp uji që rrjedh. Kryen punë dhe i lehtësuar që ndonjë usta për kaq punë nuk ta rrëmben një 10-she a 20-she mbase dhe më shumë. Dikur një copë dite mund ta kalosh në ndonjë qendër të madhe tregtare, fëmijët t'i lëshojmë brenda kënde lojrash e vetë të ndodhemi përballë një espresoje në kafenenë që mban emrin e një kryeqendre të njohur jo vetëm europiane. E sytë mbi ajfon, samsung e bredh diku e bredh dikund. Si e thotë njëra prej këngëve: "Fati ynë shpresë dhe marrëzi. Mund edhe ta lexosh libër-thin që e bleve në njërin nga kioskat e librave në sheshin e kryeqendrës me titullin: "Fati i njeriut". A të shfletosh të hënën një gazetë të dieleje që e blen të shtunën. Gjumin mund ta bëjmë jo të lehtë e me ëndrra plumb të rënda. Zgjimi sjell fjalë të papunësh e punëtorësh që të lodhur me kokat tym e të pëhumbur e të mrrolur themi çka është kah bëhet e deri në vit të ri a po ka liberalizim. Një roje para një shumëkatëshje së cilës po i bëhet izolimi, dikush aty ushqen dy mace. Është natë dhe fryen erë. Kanë nisur të përhapen fjalë se Kosova së shpejti mund të mbesë me 300 mijë ose 400 mijë banorë... Përditshmëria përsëritet. Pret ftesën me fjalët: Kah je, a po dalim?...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT