E premte, 20.09.2019, 05:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Ngadhënjimi i idesë

E merkure, 31.10.2018, 08:13 PM


Vlerësim eseistik

NGADHËNJIMI I IDESË

Izmi Zeka: EPOKA DEMAÇIANE dhe shkrime të tjera; Ars Clubi “Beqir Musliu”;  Gjilan, 2018

Nga Mehmetali Rexhepi

Libri i radhës i historianit dhe veprimtarit kombëtar e politik Izmi Zeka, titulluar”Epoka demaçiane dhe shkrime të tjera”, botuar përmes  Ars Clubit “Beqir Musliu”, përkatësisht Bibliotekës Omnibus, në Gjilan, më 2018, hapet me brengën për veprimtarët e devotshëm atdhetarë, ata që mbetën “të patrajtuar si duhet, të pavendosur në vendin meritor të historiografisë sonë kombëtare”[1] Përmbyllja e renditjes së këtyre shkrimeve që përmbushin këtë libër të karakterit e llojit të pleksjes së publicistikës historike  me vështrime të aktualitetit, shtrohet brenda katër kapitujve.

“Shpalime“ është kapitulli që mbizotëron lëndën, prej tetëdhjetë e dy faqesh, përderisa i tërë libri përmban njëqind e njëzet e dy sosh. Këtë kapitull e përshkon uniteti tematik e motivues, i shkallës maksimale të dashurisë deri në sprovat më të rënda të besnikërisë ndaj idealit atdhetar. Domosdo që ky ideal, ideali i dashurisë për atdheun, përshkohej nga vuajtje, tortura e sprova të pa treguara dhe të pashkruara… Andaj, pikërisht këtu e gjen motivin autori i këtij lloji të shkrimit, për t`i zbardhur e pikasur flijuesit idealistë, të pa-tjetërsuarit me asnjë çmim, personazhet që do të jenë modele për rrënjët, degët dhe frytet e lirisë. Në këtë kontekst  më vjen natyrshëm parafrazimi i pohimit margaritar të dëshmorit Bahri Fazliu: Nëse doni të dini për dëshmorët ecni rrugës së tyre.

Brenda “Shpalimeve” të tija historike, autori mëton të gjejë fijet e këputura të veprimtarëve, të organizatave orientimesh e bindjesh të ndryshme, për t`i lidhur hallkat e këputura një strumbullar, nën një kulm e nën një flamur, nën flamurin e strumbullarit e të kulmit kombëtar.

Çka sjell dhe çfarë është për tu nënvizuar në publikimin e ri të autorit Izmi Zeka? Shpërfaqja e karakterit kryengritës, fryma flijuese dhe shpirti luftarak i katër veprimtarëve e luftëtarëve, aspekte bëmash, qëndrimesh e përjetimesh mizorive të birucave, antinomive të egra e të lavdishme të fushë-betejave; dhimbja e thyerjeve fizike dhe ngadhënjimi shpirtëror i Efendi Haki Sermaxhajt, i Rexhep Malajt, i Nuhi Berishës, i Bekim Berishës-Abejes, mandej spikatja e disa veçorive të prijatarëve shpirtërorë, ideorë, të ideologëve artistikë, të frymëzuesve të intelektit kombëtar, si: Adem Demaçi, Ukshin Hoti e Dritëro Agolli.

Në tre kapituj pasues të librit “Epoka demaçiane...”: Meditime, Gjykime dhe Vrojtime, historianin dhe publicistin Izmi Zeka e thërret zëri i ndërgjegjes së pafjetur: të meditojë, të gjykojë dhe të vrojtojë, gjithnjë sipas diskursit atdhetar, kahet e rrjedhojave, trajtimin dhe nëpërkëmbjen e konceptit çlirimtar në rrethanat e shtet-bërjes dhe të shtet-ndërtimit të Kosovës! Ai vë në shënjestër të satirës shtresimet servile, pushtet-përfituesit e deridjeshëm të mendësisë jugosllave, ndjekësit e bartësve të idesë kombëtare, indiferentët e djeshëm peng-vënës të sotëm dhe sojin e tillë, gangrenë e ecjes së drejtë të etnisë...

Izmi Zeka ngre diskursin e mospajtimit për rrethanën e shpërfilljes, të përbuzjes, të inkriminimit, pas provës së dëshmuar të sakrificës, në emër të “(pa)pastërtisë” së Luftës Çlirimtare në Kosovë! Ai nuk pajtohet assesi që individët e inkriminuar të identifikohen me shenjtërinë dhe pastërtinë e UÇK-s. Inkriminimi i konceptit çlirimtar nga kushdo që bëhet, brenda dhe jashtë subjektit etnik,  me dashje për ta mbuluar ligësinë e shtresimit përkatës të njërës palë dhe, për t`i barazuar krimet e gjenocidin e palës tjetër me çlirimtarët... Në kursin e autorit, këto prirje rrënimtare kanë një emërues të përbashkët: që emblema çlirimtare të mos ketë fytyrën e vet, as  sinonimin e shkëlqimit të bardhësisë!

Në publicistikën e periudhës të pas Luftës Çlirimtare, autori togfjalëshin e konceptit luftë çlirimtare priret ta zgjerojë, duke kapërcyer periudhën e veprimit e të ndërveprimeve dinamike në këto hapësira, për t`i vendosur në një përmasë më të gjerë, më gjithëpërfshirëse, të emërtuar: epoka demaçiane. Po kështu, me përplasjet e valëve të një diskursi të tillë të eseistikes politike, do të përballej, para tetëmbëdhjetë vitesh, autori i njohur Ismail Syla në librin “Joplotënia e lirisë”, publikuar në Prishtinë, në vitin 2000. Për të mos përjashtuar të tjerë autorë e pena të mprehta të publicistikës historike e politike, pikë-përqendrimi ynë nuk lë hapësirë për zgjerimin me emra lavërtarësh tjerë të kësaj fushe.

Interesimet publicistike të vrojtuesit Zeka, siç duket në këtë vëllim shkrimesh, i kapërcejnë caqet e përmasave shqiptare dhe shfaqin shqetësime për turbullimin e rrjedhave të paqes, veçmas për Rajonin tonë. Lexuesi i sinqertë përballë tendencave vërshuese gjithë-sllave, nuk do ta parapëlqente indiferencën ose injorimin e tendencave agresive. Ai, po ashtu, do të kërkojë opinion për pyetjen e tij ekzistenciale: ku është ombrella jonë?! Ky diskurs shqetësues i këtij autori nuk sjell diçka të re, diçka të panjohur e të pathënë. Mirëpo, katrahurat, zbrazjet etnike të përmasave biblike të trojeve stërgjyshore, ia kanë stërholluar intuitën  për nuhatje të gjëmës në stilin: Hanibal ante portas! Shkrimet duhet të lexohen në kuptimin se çfarë kanë tri të katërtat e tyre të padukshme. Porosia mund të dalë e tillë varësisht prej qasjes ndaj saj: herë si kumt për sy-çelësi, herë si përgjumje e vonuar... Në shtrirjen Ilirike të etnisë shqiptare, tashmë tejet të rrudhur dhe të ballkanizuar, të karakterizuar si “fuqi baruti”, rrethana shqiptare dëfton: të flesh prore me njërin sy të hapur...

Megjithatë, vrojtimet e sferës së politikës globale, gjithnjë në vetën e tyre ngërthejnë realitete të ndryshueshme, të rrëshqitshme, me shtytje të dukshme e të padukshme dhe aktin e kryer, sikurse shpërthimi i kërpudhave pas shiut të ngrohtë... Konstanta politike e qarqeve botërore vazhdimisht vibron me tendosje e shtendosje, me ndikime e kushtëzime; por dihet saktë: të vegjlit e dobët pësojnë. Shqetësimi  intelektual i autorit Zeka, për vonesën e radhitjes së etnisë tij nën ombrellën Euro-Atlantike, është i përtrollitur dhe legjitim.

Shkaset e luftërave fetare  fshihen prapa shkaqeve të gërshetuara, me një varg faktorësh për mbizotërime burimesh nëntokësore, ujërash, udhëkryqesh, hapësirash strategjike, ushtarake, politike, interesash ekonomike dhe si përplasje qytetërimesh...

Reflektimi i publicistit Zeka përkitazi ndikimeve e ndërlikimeve të politikës së fqinjëve  dhe të rajonit, të emërtuar si Ballkani Perëndimor, ka një shtytje reale, ndonëse puro-realistët do t`i thoshin: shiko ndodhitë brenda gardhit tënd ende të pa thurur! Kuptohet, një logjikë e tillë frenuese për autorin, pjesëtarë i kombit të ndarë në pesë njësi administrative-shtetërore-politike-ekonomike, është  i papranueshëm. Realiteti shqiptar përshkohet me kufij... Andaj, edhe si  etni, edhe si përkatësi gjeografike e zonës sizmike tërmetet janë të parashikueshme.

Duke dalë  nga vokacioni i publicistit e historianit, që e lidhin shtytjet e brendshme për qasje temash, motivimesh për ngjarje e figura historike, stili i të shprehurit kushtëzohet nga diskursi i paraqitjes së vërtetësisë. Shfaqja e drithërimave emocionale e cenon veçorinë parësore të kësaj natyre: faktografinë.

Në rrethanën e parë  autori, me ndonjë oscilim, përfilli parimin shkencor; përderisa në rrethanën tjetër të tipologjisë, shtjellimit i huazoi fjalor ndjeshmërie dhe kaloi në natyrën e eseistikes politike me reflektime poetike. Me këtë stil shkrimi, autori Zeka, iu kthehet herë-pas herë dukurive, rropatjeve, lëvizjeve, kundërthënieve shoqërore, personazheve për tumirje, përgjegjësisë a papërgjegjësisë institucionale, thumbimeve për akëcilat prapështi, qortimeve, demaskimit, me dhimbje e spikatje meritash e modelesh, me brenga të vjetra e të reja... Tipi, stili dhe objektivi i shkrimit, që e hasim gjatë leximit të këtij libri, arrin shkallën e artikulimit themelor të qëllimit të paravënë: të mos zbehet e stërkeqet kujtesa kombëtare dhe njerëzore për brezat. Ky qëllim i lartë ngërthen çiltërsi dhe fisnikëri. Mirëpo, që të arrihet e bukura e kësaj mësymje lypet guxim, kulturë, durim e mjeshtri. Të gjitha këto premisa kanë koston e vet.

I vetëdijshëm për kërkesat dhe kriteret e bërjes së shkrimit të lexueshëm, Izmi Zeka për asnjë çast nuk iu shmang kësaj kostoje intelektuale. Pyetjes: a do t`ia  dalë? Përgjigjen e dha libri i tij më i ri” Epoka demaçiane...”

Përvoja e autorit Zeka, për bërje të kënaqshme të shkrimit, tashmë ka filluar t`i buzëqesh. Pse mund të pohojmë kështu pa drojë? Zeka  në qasjet e tija të shkruara arrin t`i kap, t`i reduktojë, t`i ndërtojë dhe t`i përgjithësojë, t`i shkurtojë, t`i kondensojë pohimet, konstatimet, përshkrimet e gjatësinë e lodhshme të thënies. Në këtë mënyrë, vërej një ngritje cilësore në llojin e tij të shkrimit, të cilin në paraqitjet e ardhme  duhet edhe më tej  ta disiplinojë, ta pasurojë, ta bëjë më dinamik, ta fisnikërojë kursin dhe diskursin, t`i analizojë e sintetizojë depërtimet në të fshehtat e jetës sonë.

Në esetë e tipit përgjithësues për Ukshin Hotin, “Ukshin Hoti kreator i politikës moderne të fundshekullit XX” dhe “ Epoka demaçiane...”, shtrohen e zbatohen disa nga kriteret e eseistikes politike moderne; ngase mundësia e shkurtimit të tekstit vihet në funksion të dendësimit dhe përgjithësimit të argumenteve. Ndërtimi i një teksti të qëndrueshëm, qoftë në trajtën e kumtit, ose të paraqitjes analitike të fenomeneve e ngjarjeve paraqet teori më vete. Skeleti i asaj teorie, pa mëdyshje, është sintaksa; përmbushja sintaksore dhe ndërtimi sintaksor i kuptimit... Këtu, ngjitjes së kësaj të përpjete  intelektuale çalojmë të gjithë: kush më shumë e kush më pak.

Mjeshtëria e shkrimit, të shprehurit me shkrim është: të mbjellësh, të kultivosh, ta vjelësh dhe të mos e lëndosh frytin përkatësisht argumentin e vendosur në letër, në shumë ose pak faqe të librit.

Njeriu në botën e gjallë është i përkohshëm, por mençuria e njeriut pritet të jetë e përhershme. A do të mbesin të pavdekshme dëshmitë në qoftë se nuk shkruhen, nuk materializohen, nuk mbillen në libra si fond  i çmuar trashëgimie e të gjallëve, si dëshmi të pashlyera ngjarjesh e bëmash, tragjedish e heroizmash, qyqarësh e trimërish, krimesh e pikëllimesh, dhimbjesh e ngazëllimesh?... Nga bota e amshuar nuk dihet të jetë kthyer ndonjë urtar i mençur... I mençuri i shkon si dhuratë amshimit, përderisa  amshimi është  kategori absolute e pangopur, ndaj asnjëherë mos të presim rikthimin e dhuratave të amshuara... Mirëpo, vijon inkarnimi lasgushian  si zbutje e absolutes...

Janë karakterizuese dhe me peshë njohëse për të djeshmen dhe të sotmen, referencat e nënvizuara në librin “Epoka demaçiane dhe shkrime të tjera” nga Izmi Zeka. Çka është për tu theksuar si më parësorja e këtij libri? Dialektika e ideologjisë kombëtare. Nisma, formësimi, ngritja, rëniet dhe ri-ngritjet e idesë kombëtare në rrethana e dukje krejtësisht të pamundshme për rritën dhe përmbushjen e idealit kombëtar. Për ta fituar të drejtën e qytetarisë ideja kombëtare shqiptare duhej t`i thyente tri rrethana: a) shtrirjen e idesë së penguar në  çdo kënd e hapërim të saj nga farsa“Autonomia e Kosovës” nën kontrollin e rreptë të Beogradit e të Prishtinës, si llogaridhënës dhe të Federatës Jugosllave; b) përballjet me policinë, aparatin policor, shtetëror,  ushtarak e propagandën e tyre dhe, c) mosnjohja e injorimi i faktorit ndërkombëtar përkitazi çështjes shqiptare,  pothuaj se të paqësuar...

Referencat e nënvizuara të këtij publikimi, nxjerrin në pah bartësit më tipik të idesë kombëtare, mynxyrat rreth tyre e mbi ta, veçmas për figurat emblematike të Rexhep Malës, Ukshin Hotit e të Adem Demaçit, të cilët ia dolën që ideja e pjekur e tyre kombëtare të përqafohej nga masa dhe t`ia hapte vetës rrugën drejt qytetarisë kombëtare e ndërkombëtare.

Shkrimi i referencës për librin e përjetimeve të tmerrshme e kujtimeve të burgjeve serbe-jugosllave të Rexhep Malës, nxjerr në dritë  një të vërtetë trishtuese, por njëkohësisht heroike; një jetëshkrim e jetë përcaktim unikët, ndoshta të paparë ose tejet të rrallë në analet e egërsisë e të mizorisë, të drejtësisë e burgjeve ndërkombëtare, të qëndresës antologjike të atdhetarit e revolucionarit model shqiptar!

Me përcaktimin e tij jetësor, i brumosur me idenë e shenjtë për atdheun, i ndriçuar nga drita e yllit prijatar të Adem Demaçit, Rexhep Mala hapi udhën çlirimtare për lirinë e etnisë tij: mbi goditje kërbaçi të udbashëve, mbi plagë torturash të përgjakshme, mbi burgje e biruca të errëta, mbi mallin e të dashurës e të dashurisë së prindit, mbi joshjen e moshës rinore, për tu shndërruar në pararendës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndonëse përmasa e ushtrisë tij ishte gjithëshqiptare.

“Ai e kishte të qartë se lufta ishte e pashmangshme dhe si e tillë duhej mbështetur nga të gjithë faktorët, si të brendshëm ashtu edhe të jashtëm, ndërkombëtar. Nuk kishte ngurtësi politike as edhe ideologjike”[2] Ja si ngërthehej e zbërthehej pamja vizionare, paravajtëse e heroit Rexhep Mala.

Shkathtësia e autorit të një libri matet në peshoren e gjetjeve, e shkëputjeve të citateve, e analizave dhe sintezave, e zbërthimeve përkufizuese, e vizioneve, e ideve të pjekura që rrumbullakojnë qëllimin.

Karakterizimet tipike të tipareve filozofike të akëcilit personazh, kur zbërthehen në kontekste, ilustrimet e tyre përkufizuese ndërtojnë formulat çelës për filozofinë e akëcilës sferë të jetës. Le t`i shkëpusim disa pohime të tilla formula konceptuare: Bekim Berisha-Abeja: “Serbët nuk e kuptojnë dialogun, por vetëm marrëdhëniet “zjarr për zjarr”.[3]

Ukshin Hoti: “Historia e shqiptarëve nuk duhet bërë nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët”.[4]

Izmi Zeka: “Epoka demaçiane më shumë se  sinonim është ide, projekt-platformë që historia e Evropës pak njeh projektues të kësaj filozofie. Filozofia demaçiane për dallim prej të tjerëve të Ballkanit e më gjerë ka konceptin jo figurën, idenë jo individin, me një fjalë tërësinë dhe lirinë si aspekt fondamental jetësor.”[5]

Këtu, në një mënyrë ose në një tjetër, preket dhe pulson ideja e djeshme dhe gjallërimi sot, për ngadhënjimin e nesërm të saj.


[1] Izmi Zeka:” Epoka demaçiane dhe shkrime të tjera” Ars Clubi”Beqir Musliu” në Gjilan, më 2018; f. 7[1]

[2] Po aty,f.41

[3] Po aty, f.66

[4] Po aty, f.69

[5] Po aty,f.78



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT