E shtune, 28.03.2020, 02:50 PM (GMT)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Përsëri për Lenien

E marte, 30.10.2018, 06:29 PM


Nga vëllimi me poezi “Ekuinokset ndërrojnë vendet”

Pjese nga poezia “Përsëri për Lenien”

Syri nuk ngopet në mëngjes

Në hapsirën pa mbarim

Ja thot këngës një këndes

Kur merr vesa vezullim

Atje zilja nuk ka vlerë

Të zgjon zogu me këndim

Ulesh buzë atij lumi

Nën një hije plot gjelbrim

Ja,  si bucet lumi dhe s’ndal

Ushi e mëlleza era i përkul

Dallgët  i con  lart si mal

Plot stërkala dhe prap i ul

Kujtesën e lumit ngacmojnë

Dhjetra liqej lart maleve

Qielli ndizet flakë dhe prushi

Shuhet në shkumbën e valëve

Kthjelltësia e ujit brenda

Gurgullima e tij është magjia

Brigje e valë melodi të rënda

E Lenies është  përjetësia

Në vend të parathënies për librin

“Vendlindja trazon shpirtrat”

Për Shënepremten, vendlindjen tonë të përbashkët, uniteti, nisur nga familja, fisi  e fshati është mbase karakteristika më tipike e cila është shfaqur gjithnjë si pikënisje para çdo ngjarje të madhe për të. Ksisoj, forca e përbashkët ka qënë doninuese në përballimin e cdo situate që i është paraqitur. Vlera të qëndrueshme e virtytet tradicionale, si trimëria, besnikëria, bujaria, atdhedashuria, uniteti dhe cilësi të vyera të popullit të Shënepremtes është frymëzuese dhe formon një individualitet të veçantë e lehtë të dallueshëm. Ato ringjallin frymëzime të reja për gjeneratat e ardhëshme. Me këto zhvillimet e sotme, kur “tronditet deti i njerëzve nën Lenie” këto virtyte tradicionale marrin një rol të veçantë për njohjen dhe përforcimin e tyre në kushtet e reja. Këtë synim, midis të tjerave, ka edhe ky libër modest që i jepet në dorë lexuesit. Veçanërisht, të rinjtë dhe të rejat të shpërndarë kudo në vendin tonë dhe në botë, kanë të drejtë të dinë se nga e kanë origjinën, cilat janë disa nga “emblemat” e Shënepremtes, traditat dhe vyrtytet dhe si kanë evoluar ato dhe më e rëndësishmja, çfarë duhet të bëjë sejcili për vendlindjen, Shënepremten.

Si fill i pandërprerë për Shënepremten, Liria dhe Dituria kanë qënë dhe mbeten drejtimet kryesore të forcës së përbashkët. Për

Lirinë dhe diturinë “deti i njerëzve nën Lenie” nuk ka pyetur shumë për bindjet politike. Me punën në themel, e cila është babai i të gjithave, me qartësi mendimi dhe këmbëngulje, ata kanë qënë dhe do të mbeten forcë dominuese në çdo situatë që do i paraqitet atyre dhe vendit. Në kushte të vështira klimatike e tokësore, në një teritor relativisht larg qendrave banuese me një ndihmë relativisht të pakët nga shoqëria, aty dashuria njerzore u rrit e u forcua, duke u bërë një dhe e pandarë me jetën, me zhvillimin shoqëror. Ajo, edhe sot është një lloj garancie për vazhdimin e mëtejshëm të traditave më të mira të atij populli. Mos harrojmë kurrë thënien lapidar të Naim Frashërit “Topi që shemb kështjellat më të forta është atdhedashuria”.

Ka në botë disa vende të këndëshme të cilat për sytë e  njeriut kanë një bukuri epshore. I duam ato me një dashuri fizike. Nuk ka banor të Shënepremtes të mos e joshë toka, vendlindja. E kush nuk ruan kujtime të ëmbla për Liqenin e Zi, Krorët Binjekë, Kroin e Mushkës, Gurrëzën, Rreshkën apo Kroin e Pishës!  Kush nuk ruan vegime mallndjellëse për pyllin e Sogorës, nisur nga Dereshnica, për Rrasybekun, Ahishtën e Zezë të Lenies apo pyjet e rinj me pisha në Gurrëz!

Sapo ke kaluar “portat e hyrjes” për në Shënepremte, në dimër apo në verë, do të prezantohesh me një heshtje të përzier me madhështi. Pamje që të mposhtin. Oshëtima e gurgullima ujrash që të gjallërojnë, të çojnë shpirtin peshë, njëkohësisht të gjunjëzojnë para gjithshkaje që të lajmëron se do të shikosh, hasësh,  prekësh e nuhatësh.

Kështu nis të shfaqet Shënepremtja, për cilindo që është futur nga qafa e Dushkut, Qafa e Shënepremtes apo nga Qafa e Mushkës. Herë joshëse, herë e egër, shpesh me borë. Borë e vjetër dhe e re, e cila duket sikur u thotë njerëzve “pse çuditeni? Unë këtu e kam vendin”. Kur del mbi Shkëmbin e Kopaçit, duket sikur i ke në pëllëmbë të dorës Shënepremten dhe Grabovën Sipër. Akoma më i gjërë bëhet horizonti i parë nga Qafa e Kuratës. Të prekin thellë në shpirt aty jo vetëm pamjet magjepse, por edhe zhurmat e ujrave të dy lumenjve malorë alpinë, dhe buluritja e ndonjë gjedhi, lehja e ndonjë qeni apo zëri i kaposhit. Ato, ne banorët që i kemi prekur dhe na kanë prekur, kur vimë në vendlindje,i kujtojme dhe i marrim si ngjarje të lumtura. Nganjëherë dhe mendimi fluturon dhe kthehet në një qoshe pylli, afër ndonjë burimi, pranë një lugine me pemë të pudrosura me lule. Ato mund ti kesh parë vetëm njëherë, në një ditë të gëzuar dhe që kanë mbetur në zemrat tona si një nga ato figurat e grave të takuara në rrugë në një mëngjes pranvere me veshje të celta shumëngjyrëshe, si vetë stina.

Pranvera vjen kudo e për sejcilin. Kur mendimi fluturon për në Shënepremte, pranverën e shikon me sytë e mendjes si një mrekulli që vjen pas një dimri të gjatë dhe lind e munduar, por pa kthim. Midis pranverës dhe emrit të fshatit tim te dashur ka një lidhje të fortë. Në librin  e parë me titull “Misteret e Shënepremtes” me bashkëautor zotin Abedin Bici, kemi prekur fare pak prejardhjen e emrit të fshatit. I jemi referuar gazetarit studjues elbasanas zotit Taulant Ceka, i cili emrin e Shënepremtes e lidh me emrin e Afërditës, si transformim i tij në vite. Në vijim, mbasi kemi studjuar të dhëna burimore historike, legjendare dhe studimore, midis të cilave dhe veprën “Gjuha e perëndive” të shkrimtarit të shquar arvanitas, Aristidh Kola, hapet një horizont i ri.  Problemi i emrit të Shënepremtes  i marrë si një trasformim në kohë të gjatë, (dhjetra shekuj) i Afërditë, është më bindësi, më joshësi. Afërdita ishte personifikim i yllit më të shndritshëm, më të shkëlqyer, ylli më i gëzuar, më shpresëdhënës për njerzit primitivë. Ai paralajmëron mbarimin e natës së errët e plot rreziqe dhe ardhjen e ditës, me lindjen e atit diell, i cili jep jetë kudo. Në lashtësi ajo, Afërdita, u muar dhe si sinonim i dashurisë. Le ti lëmë linguistët, studjues e historianë të merren me punën e tyre dhe ti kthehemi rishtaz emrit të Shënepremtes. Duke e personifikuar lindjen e diellit dhe pranverën e cila lidhet me dashurinë, ku ka fshat që të plotësonte më mirë se kudo këto kushte? Dhe Shënepremtja e ka gëzuar emrin e Afërditës në lashtësi. Shkencërisht vërtetohet se etërit e shenjtë të kishës pro- kristiane veç deformimit të miteve të lashtësisë e veçanrisht atyre greke me origjinë pellazgjike, transformuan dhe Afërditën, duke i vënë emrin e kryeshejtanit “Eosforo”, i cili sinonohet me yllin që sjell agimin. Afërdita kishte muajin e saj, Prillin, kur zhvilloheshin festat për nder të saj. Ato festa të transformuara në “ditvera” erdhën deri në ditët tona. Në këto kushte është transformuar dhe emri i Afërditës pagane në Shënepremte. Që ka pasur kishë Shënepremte në atë fshat, ky është një fakt. Por i pari ishte fshati, njerzit, pastaj vinte kisha, vazhdë e transformimeve që thamë më lart. Dhe emri Lenie lidhet ngushtë me Afërditën dhe Shënepremten. Mësuesi i talentuar dhe studjues Ramadan Bici, në një studim të hershëm të tij, emrin e Lenies e lidh me lindjen e diellit, me lënien e hijes etj. fakt që çon në  vazhdën e transformimit të emrit dhe lidhjen e tij me dukuritë e fenomenet e natyrës dhe lashtësinë.

Në Shënepremte të pëlqen fshati dhe aurela e mrekullueshme që e rrethon, ku dallohen brezaret që zbresin nga malet për rreth, përrenjtë alpinë dhe ata më të vegjël. Vendi i përshkuar nga rrëke e lugina të buta që shtrihen mbi “dritaren tektonike të Lenies”, porsi vena, duke i prurë gjakun dheut. Banorët e Shënepremtes e kanë dashur dhe e duan ujin me një pasion të pa parë. Nga maja e Lenies dhe fusha e Ymer beut, apo nga Kroi i Pishës, të gjithë e kemi parë dhe shijuar perëndimin e diellit. Deti, në largësi duket si i përflakur nga dielli që pas pak minutash do të zhytet i gjithë në të. Një det që është shumë i madh, shumë i lëvizëshëm, i pa zotrueshëm. Të gjitha ata që e kanë parë këtë bukuri mahnitëse në prag të një mbrëmje vere, nuk ka si të mos u shkojë në mend se kjo qënie maramendëse, deti, i ka arteriet deri në përrenjtë alpinë të cilët zbresin me vrull nga Valamarja dhe Liqeni i Zi, drejt tij. Po më e pabesueshmja do të ishte që të mendohej në atë kohë që një pjesë e mirë e banorëve të Shënepremtes do të vendoseshin pas viteve nëndëdhjetë pikërisht pranë detit.Të gjitha këto lënë në trup dhe shpirt një dëshirë të pashuar, të paharrueshme,ndijimin e lumturisë që vetëm sa na ka prekur. Këtë nuk ka banor të Shënepremtes që nuk e e ka provuar. Me këto imazhe magjepse në sytë e mendjes, nuk ka njeri, bir a bijë me origjinë nga ai vend  të mos thotë:Ah!Të isha atje tani!”

Me lexuesin kemi pasur një kontratë të pashkrur. Ky fshat i madh, me këto tradita, arritje në fushën e arsim e kulturë, sigurisht, edhe me mangësi, këta njerëz ku janë tani? Çfarë drejtimi kanë marrë, çfarë bëjnë sot? Pikërisht këtyrë pyetjeve do përpiqemi tu japim përgjigje sot nëpër faqet e këtij libri. Të merresh sot me këtë temë, është sa lehtë, aq dhe vështirë. Lehtësinë na e mundëson fakti se flitet për ditët e sotme, të cilat i jeton lexuesi dhe autori i librit. Ana tjetër, vështirësia qëndron se këto mbi 25 vjet, të quajtura periudhë e tranzicionit, zhvillimet janë aq të vrullëshme e të ngjeshura, sa që çdo përshkrim dhe koment për to do të ishin të pamjaftueshëm që në përshkrime të futej një brez i tërë, një gjeneratë  e re,që mohon brezin e vjetër.

Për tja arritur qëllimit kemi përdorur analizën dhe sintezën, jemi mbështetur në të dhëna faktike si të treguesave të ekonomisë dhe të demografisë. Veç metodave statistikore, kemi përdorur deduksionin e fantazinë, kur e ka dashur puna. Për aq sa na kanë lejuar mundësitë, jemi kthyer dhe në retrospektivë, sidomos aty ku kemi ndonjë boshllëk të ndjeshën në librin e parë për Sënepremten. Si shihet, gama e trajtimeve do të jetë e gjërë dhe e larmishme, ashtu si është  vetë jeta, zhvillimet, njerzit. Në themel do të jetë veprimtaria njerzore, traditat, transformimet që kanë ndodhur, me synim që si i vjetri, dhe i riu, si nxënësi dhe student, emigrant, familja e fëmijët e tij të gjejnë një copëz jete nga vendlindja e tyre, apo e prindëve,nga Shënepremtja.Në botimin e parë, në kapitullin ku flitet për disa personalitete, si simbole dhe “emblemat” e Shënepremtes, e pamë me vend, mbështetur dhe në verejtjet e miqve e shokëve, ta zgjerojmë numurin e tyre, mbështetur në të dhënat që kemi dhe roli tyre ne komunitet. Në themel  të veprimtarisë njerzore, dihet se është puna, burim i të gjitha të mirave që gëzojnë njerzit.  Afërsisht këto përbëjnë dhe një lloj strumbullari ku mështetet ky botim për Shënepremten.

Shyqyri Fejzo



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT