E shtune, 28.03.2020, 03:15 PM (GMT)

Kulturë

Zymer Mehani: Atdhedashuria në vëllimin poetik 'Mall mërgimtari për atdhe' të poetes Bukurie Binjaku

E marte, 30.10.2018, 07:00 PM


ATDHEDASHURIA NË VËLLIMIN POETIK “MALL MËRGIMTARI PËR ATDHE” TË POETES BUKURIE BINJAKU

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Bukurie Binjaku si poete për lexuesit tanë është e njohur me vëllimet poetike “ Drejt teje… “ (Tiranë, 2017), me të cilin hodhi hapat e parë drejt shtegtimit në shtigjet e poezisë sonë shqipe dhe “Rreze të zjarrta” (Prishtinë, 2018). Kjo autore tani lexuesve të saj të shumtë po ua dhuron edhe vëllimin e tretë poetik me vjersha atdhetare, të titulluar “Mall mërgimtari për atdhe”.

Në këtë vëllim poetja Binjaku trajton motivin e atdhedashurisë dhe mallin për atdhe, ku në poezitë e shtjelluara shfaq shenja të qarta për një përparim të ri të shprehjes poetike. Nga libri në libër kjo poete nuk e ndërpret vazhdimësinë tematike të motivit atdhetar dhe të stilit të saj, porse në vëllimin e tretë veçse priret nga thellimi dhe kah perfeksionimi i shprehjes së saj, me ç’rast teksti poetik fiton vlera, kuptime dhe dimensione të reja, si dhe, risi e kësaj përmbledhjeje mund të merret edhe tendenca e poetes Bukurie Binjaku, që të jetë më sistematike, më përzgjedhëse në krijimin e vargjeve dhe shumë më e përqendruar kur bëhet fjalë për krijim të variacioneve stilistike dhe gjuhësore sipas urdhërit teoriko-letrar.

Mes vjershave të këtij vëllimi ekziston një ndërlidhshmëri maksimale, edhe tematike, edhe motivore, por edhe kompozicionale. Meqë lajtmotivi i kësaj përmbledhjeje poetike të autores Binjaku është atdhedashuria dhe malli për atdhe, kjo na bën të konstatojmë se ky vëllim i gjason një poeme, të cilës do t’ia kishim shtuar edhe një atribut tjetër, pra atributin simfonik, sepse vërtet këto vargje shquhen për muzikalitet dhe janë simfoni për atdheun.

Poezia e vëllimit “Mall mërgimtari për atdhe” pra, është epiko-lirike, ndonëse me një shumësi idesh, me një temë qendrore dhe me një lajtmotiv kryesor-atdhedashurinë dhe mallin për të, që shtrihet prej vargut në varg, prej strofës në strofë dhe prej poezisë në poezi dhe shquhet për pasurim të repertorit figurativ dhe për laryshi rimash. Bile shumica e rimave që përdoren në këto poezi, janë të ngjashme, përsëriten prej rreshti në rresht dhe prej strofe në strofë, jo për shkak të pamundësisë për të zgjedhur shprehje të reja,  por për arsye të përforcimit të ideve, figurave poetike, ekspresionit poetik dhe të refleksionit.

Poezitë e vëllimit “Mall mërgimtari për atdhe” të poetes Bukurie Binjaku sikur tentojnë të na japin një model poetik krejt të veçantë të kësaj autoreje në evoluim e sipër. Brenda strukturës së librit hasim në variatete të ndryshme të shprehjes poetike, konstrukteve leksiko-figurative, sitemit të motivikës së poezisë dhe të vetë strukturës kompozicionale.

Teksti poetik i autores Binjaku , të folurit e saj poetik i afrohet më tepër burimeve të së folmes së përditshme, duke e pasuruar kësisoji kreativitetin poetik, përkatësisht e zmadhon këtë deri në maksimum.  S’do mend se kjo lloj poezie që e kultivon autorja Bukurie Binjaku, madje edhe në rastet ekstreme,  do të thotë se është e pasuruar nga elementi poetik, mirëpo ky element shtrihet në shumëdimensionalitetin kuptimor të shprehjes, mbase edhe në dominimin e elementit trivial të realitetit të pasqyruar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT