E enjte, 25.04.2024, 11:49 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Margaret Thatcher, ikona e politikës botërore

E shtune, 20.09.2008, 09:15 AM


Margaret Thatcher
Është e vështirë të mendosh se si mund të ndryshonin bindjet politike botërore pa ndihmën e Margaret Thatcher, e cila solli idetë novatore në një kohë kur qeveritë luanin me pushtetin absolut

Margaret Thatcher ka qenë katalizatori i një sërë eventesh të ndërthurura me njëra-tjetrën, të cilët i dhanë një shkundje dy dekadave të fundit të shekullit dhe ndihmuan racën njerëzore dhe mijëvjeçarin, duke i dhënë më tepër shpresë dhe vetbesim. Triumfi i kapitalizmit, afirmimi gati universal i tregut si gjë thelbësore për prosperitet, kolapsi i imperializmit sovjetik, zvogëlimi i pushtetit absolut të shtetit gati në të gjithë kontinentet dhe të gjithë vendet e botës - Margaret Thatcher luajti një rol të rëndësishëm në të gjithë këto transformime dhe nuk është e lehtë të mendosh se si mund të kishin ndodhur këto ngjarje thelbësore pa të.

E lindur më 1925, Margaret Hilda Roberts ishte një vajzë shumë e zellshme. Vajza e një tregtari Grantham, studionte me anë të bursave që fitonte, punoi shumë për të studiuar në Universitetin e Oxfordit dhe arriti të merrte dy grada në kimi dhe drejtësi. Magjepsja dhe përkushtimi i saj për politikën bëri që të ishte anëtare e Parlamentit në moshën 34-vjeçare. Mendja e saj e mprehtë dhe goja e shpejtë bëri që të evidentohej në zgjedhjet Tory dhe në moshën 44-vjeçare ajo fitoi postin e parashikuar për gratë në Kabinet si ministre e Arsimit, gjë që dukej se ishte kulmi i karrierës së saj.

Por, Thatcher ka qenë dhe është, shumë me fat. Rasti i saj është një dëshmi e mahnitshme që tregon rëndësinë e fatit dhe rastësisë në histori. Në vitin 1975 ajo sfidoi Edward Heath për të qenë kryetare e Tory, thjesht pasi kandidati i krahut të djathtë braktisi zgjedhjet në momentin e fundit. Thatcher mori përsipër të zgjidhte situatën e tensionuar. Kur ajo u paraqit në zyrën e Heath-it për t'i komunikuar vendimin e saj, ai nuk denjoi as të ngrinte sytë për ta parë. "Do të humbësh", tha ai. "Ditë të mbarë".

Por, siç e ka vlerësuar edhe Viktor Hygo, asgjë nuk është aq e fuqishme sa një "ide të cilës i ka ardhur koha". Nga mesi i viteve '70 të gjithë ishin mërzitur tashmë me politikën e Heath. Ajo i zgjodhi me kujdes çështjet e saj dhe për fat të mirë goditi në shenjë. Duelet ligjore që ndërmori ajo gjatë mandatit si kryeministre e bënë atë një lidere të vërtetë dhe ndikuan në reformat e ndryshme të hapjes së tregjeve dhe në aleancat e ndryshme. Ndër luftrat e saj të para, më e rëndësishmja dhe më e vështira ka qenë unionet tregtare britanikë "jashtë kontrollit", të cilat kishin shkatërruar tre qeveri paraprijëse. Thatcher e ktheu ndjenjën anti-union në mazhorancë parlamentare dhe krijoi një mandat për të kushtëzuar privilegjet e unioneve me anë të një sërë ligjesh, të cilat fundosën me efikasitet problemet e unioneve tregtare të Britanisë një herë e përgjithmonë. Ndërkohë që unionet luftonin për pushtet, ajo bënte pyetjen e saj të famshme "Kush e qeveris Britaninë?" deri në vitin 1980, të gjithë e dinin përgjigjen: Thatcher.

Pasi u shemb fortesa e unioneve, Thatcher zbuloi shumë shpejt se çdo sferë e ekonomisë ishte e hapur ndaj reformave gjyqësore. Edhe në kohën kur pjesa tjetër e Evropës luante me socializmin dhe pronësinë e shtetit, ajo vendosi të privatizojë industritë shtetërore, të cilat konsideroheshin si të shenjta edhe pse ishin totalisht inefiçente. Funksionoi. British Airways e cila konsiderohej si thesar i shtetit, por që nuk arrinte as të nxirrte shpenzimet e saj, u privatizua dhe u kthye në linjën ajrore më fitimprurëse të të gjithë botës. Ndërmarrja e çelikut të Britanisë, e cila kishte humbur më shumë se një bilion paund në vitet e saj të fundit si shqetësim shtetëror, u bë kompania më e madhe e çelikut në Evropë.

Në mes të viteve 1980, privatizimi ishte një term i panjohur për qeverisjen botërore. Deri në fund të dekatës mbi 50 vende në të gjithë kontinentet, kishin mobilizuar sistemin e privatizimit, duke shndërruar ndërmarrjet shtetërore të padobishme në kompani private mjaft fitimprurëse. Madje edhe vendet me bindje të majta, të cilët ishin skeptikë përsa i përket privatizimit, filluan të zvogëlonin me kalimin e kohës sektorin e tyre publik. Qeveritë e vendeve të ndryshme dërgonin në Britani grupe administrative dhe ligjore për të mësuar se si bëhej ky proces. Ndoshta ka qenë kontributi më i madh i Britanisë për ekonominë praktike botërore që në kohën kur J.M. Keynes shpiku "Keynesianizmin" ose kur Adam Smith publikoi Pasuritë e Kombeve.

Por, Margaret Thatcher u bë një figurë botërore jo vetëm për politikën e saj. Ajo ndërthuri fuqinë e saj të shkëlqyer me feminilitet të dukshëm. Tërhoqi vëmendje universale, veçanërisht kur e çoi Britaninë drejt një fitoreje spektakolare ushtarake kundër Argjentinës në vitin 1982. Ajo e kuptoi se politikanët duhet t'u jepnin ushtarakëve urdhra të qarta përsa i përket përfundimit dhe më pas t'i lënë të arrijnë objektivat e tyre. Megjithatë, ajo nuk donte kurrsesi të humbte ushtarë ose anije. "Ja përse kemi më shumë anije dhe avionë seç duhet", detyroheshin t'i thonin asaj admiralët, "për të mos të ndjerë humbjet". Besnikëria, ashtu si dhe kurajo, vendosja dhe përkushtimi ishin disa nga virtytet kryesore të saj, të cilat i zotëronte në gradën më të lartë. Njerëz nga e gjithë bota filluan të studionin më nga afër metodat dhe arritjet e saj, duke kërkuar t'i imitonin. Një nga admiruesit e saj të parë ka qenë Ronald Reagan, i cili mori pushtetin 18 muaj pas saj. Ai filloi të imitonte hapat e saj në reformat që ndërmori në Sh.B.A duke prerë taksat, duke hapur mundësi tregjesh më të mëdha për kompani të lira. Reagan-it i pëlqente shumë të dëgjonte leksionet e ndryshme të Thatcher për virtytet e tregjeve dhe ekonomi të shëndetshme. "Do ta mbaj mend këtë, Margaret" thoshte ai. Ajo i dëgjonte me vëmendje shakatë e tij, mundohej të kapte thelbin e tyre dhe qeshte në momentet e duhura.

Ata e transformuan afeksionin e tyre në një partneritet të fuqishëm të politikës së jashtme. Me Reagan dhe Thatcher në pushtet, aplikimi i një presioni të matur kundrejt shtetit sovjetik për ta bindur atë të ndërmarrë refoma, të shfuqizohej ose të shpërbënte veten e tij, u kthye në një politikë mjaft efikase dhe e lejueshme.

Thatcher inkurajoi fuqishëm Reagan-in për t'u riarmatosur dhe për të sjellë Rusinë në tavolinën e negocimit. Ajo u bashkua me këndvështrimin e tij që Moska drejtonte një "perandori të ligë" dhe sa më shpejt të shkrihej ajo, aq më mirë do të ishte. Bashkë me Reagan, ajo shtyu Mikhail Gorbachev që të ndjekë politikën e tij perestroike deri në fundosjen e elitës sovjetike.

Historianët kanë debatuar ashpër përsa i përket rolit preciz të luajtur nga figura të ndryshme politike në shembjen e Unionit Sovjetik. Megjithatë, është evidente nga të gjithë që Thatcher ka një vend të rëndësishëm në këtë ngjarje gjigande. Ishte fillimi i një epoke të re historike. Të gjitha fuqitë e mëdha, të cilat e kishin bërë shekullin e XX-të një zhgënjim të madh për idealistët si, totalitarizmi, pushtetet absolute, shkatërrimi i zgjedhjes individuale dhe iniciativës, u mposhtën publikisht dhe në mënyrë spektakolare. Pasardhësit e tyre ishin vlerat të cilat Thatcher i kishte mbrojtur me aq fanatizëm kundër çdo opozicioni: tregjet e lira dhe mendjet e lira. Bota hyri në shekullin e XXI-të dhe në mijëvjeçarin e III-të me bindje të reja, më të mençura, duke ia detyruar një pjesë të madhe të sukseseve, vajzës së tregtarit, e cila dëshmoi para botës se asgjë nuk është më efektive sesa vullneti i ndërthurur me disa ide të qarta, të thjeshta dhe praktike. Në fund të fundit, politika nuk është edhe aq e vështirë.


Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora