E marte, 19.03.2024, 06:02 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Përralla për Nënën Terezë dhe Kodrën e Trimave (2)

E hene, 29.10.2018, 08:26 PM


Përralla për Nënën Terezë dhe Kodrën e Trimave (2)

Kur grupet fetare dalin nga kornizat kombëtare

Nga Gani Mehmetaj

Këtë zbrasti nisën ta plotësojnë shoqatat arabe, turke e iraniane, të cilat nuk bëzan në kohë okupimi, ndërsa në kohë paqe nuk treguan frymë solidariteti, po kushtëzim, nuk shquheshin për tolerancë, por për përjashtim. Kusht i hurmave e ndonjë litër vaji ishte të mësuarit e ndonjë lutje arabisht, kusht i ndihmave më të mëdha u bë futja në tarikatin e “bamirësve”. Arabët që i shpërndanin këto ndihma, shkruanin gazetat tona atëbotë, i kushtëzonin vejushat fatkeqe, duke prekur në nderin e shqiptares. Terroristët e parë islamikë ishin pa prindër, ose pa baba.

Kështu kur ne e braktisëm krejtësisht periferinë e vendbanimet tjera të varfra, sikur të mos ishin, konfiguracioni ndryshoi dukshëm. Edhe struktura e popullatës në veshje pësoi tronditje: moda puro evropiane u larua me të rinj me mjekra, gra të mbuluara me shami të zeza, të murrme apo lara-lara, varësisht a i financonin shoqatat iraniane, saudite, apo turke. Secila shoqatë e kishte modën e vet të veshjes, natyrisht edhe kushtet që ua diktonte hallexhinjve. Fatkeqit u nënshtroheshin kushteve. Moda u kthye dyqind vjet prapa, mendësia po ashtu.

Duke i lënë të varfrit në mëshirën e shoqatave islamike me rivalitet të përgjakshëm në mes veti në Lindjen e Mesme, ne po i humbim burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat, të cilët po bien në kthetrat e sekteve të frikshme, ndërsa nesër mund t’i ndërsejnë kundër nesh.

Pushtetarët e të gjitha ngjyrave politike deshën t’i heqin qafe shtresat e varfra, t’i shmangin trazirat sociale, të mos kërkojnë hallexhinjtë punë as bukë para zyrave të tyre, prandaj i mbyllën sytë para shëmtive. Trazirat sociale mbase po i shtyjnë për ndonjë ditë, por problemet mund të shpërthejnë më të mëdha. Një ditë kjo papërgjegjësi do t’u hakmerret të gjithëve, sepse energjia e ndrydhur dhe pakënaqësia është e madhe. As klerikët-hoxhallarët gjysmanalfabet me një shqipe të zvetënuar s’mund t’ua fashisin deri në pakufi zemërimin besimtarëve, që ua kanë dhënë për detyrë pushtetarët.

Ata që dikur pikonin shqiptarizëm më shumë se të gjitha shtresat tjera sociale, ata që do të binin në flakë për atdheun e Nënën Terezë, nisën të krijojnë idhuj tjerë, të përbuzin kombin, të na ndajnë në fe e në krahina, në sekte e tarikate. Një transformim të këtillë, s’ka bir nëne që e shpjegon, edhe më pak mund ta arsyetoj. Këta të rinj pa busull e të braktisur nga shoqëria, nisën ta përbuzin kombin e tyre, të nënçmojnë gjuhën e tyre, të harrojnë përshëndetjet shqiptare për t’i zëvendësuar me ca murmurima arabe të dala kohe. Nga njerëz praktikë, të gatshëm të sakrifikojnë për komb e atdhe, u bën fanatik fetar të gatshëm të sakrifikojnë për gjëra që s’t’i kap mendja, duke krijuar armiq imagjinarë dhe duke i harruar armiqtë real.

Largësi feje a afri kombi?

Ndërsa dihet fare mirë se të gjithë këta djelmosha nga mosha 20-35 vjeçare që u rritën me qumështin e shoqatës ‘Nëna Terezë’, sot jo vetëm e durojnë ndonjë hoxhë mjekër palarë t’ua fyej bamirësen e tyre, por ku e ku murmurisin nën mjekër edhe vet ndonjë blasfemi. Frymën që e bartën brenda disa vjetësh shoqatat “humanitare’ islamike bëri që lagjet periferike të shndërrohen në çerdhe për regrutimin e njerëzve për lufta fetare apo që të bëhen mish për çorbën arabe. Një ditë fare lehtë shqiptarët mund të gdhijnë kombi më i urryer ndër arabët, sepse po u ndërhyjnë në luftërat e tyre të brendshme, po i vrasin në emër të fesë së tyre. Shqiptarët e islamizuar po bëhen edhe frika e Evropës.

Lagjet të cilat frymonin shqip ditë e natë, tolerancë e mirëkuptim, sot janë bërë e kundërta, të duken lagje të rrëmujshme arabe a turke që s’frymojnë shqip, që s’dinë çka është respekti ndaj traditës, ndaj kombit e atdheut. Grupet e tilla edhe nëpër këto lagje janë më të pakët, janë më të rrëmujshëm, përpiqen t’i imponohen shumicës. Asnjëherë gjatë historisë nuk jemi shquar për fanatizëm fetar, asnjëherë nuk e kemi shikuar bashkëkombësin nga largësia e fesë, por nga afria e kombit. Po sot?

Sa afër e sa larg Evropës Perëndimore!

Asnjëherë nuk kemi qenë më larg Evropës Perëndimore se sa pas vitit 1999, përderisa asnjëherë nuk ka qenë më e pranishme Evropa Perëndimore e ShBA-ja në Kosovë se sa pas çlirimit. Këtë largësia e krijoi krimi i organizuar, korrupsioni e zhvatja. Por këtë largësia e krijuan edhe shoqatat “humanitare”, që rekrutojnë mish për top, ndërsa ne nuk i pengojmë. Këtë largësi po e thellojnë disa klerikë të cilët në vend t’u flasin për rrethin ku jetojnë, ata gjithë kohën u predikojnë besimtarëve për Sirinë e Afganistanin, duke i larguar nga problemet sociale e problemet e tjera në atdheun e tyre. Ata po i largojnë nga realiteti i hidhur, duke i mashtruar me ëndrrat për parajsën dhe 70 “hyriat e xhenetit” të cilat i presin ditën që do të sakrifikojnë në luftën e shenjtë! Të rinjtë e shkret s’kanë mundësi sociale ta mbajnë një grua, ndërsa ua përkëdhelin ëndrrën marroqe për 70 gra!

Derisa perëndimorët na ndihmuan pa kursim, na ndihmojnë edhe sot e kësaj dite më shumë se sa që bëjmë ne për vete, çuditërisht fryma e importuar nga kaosi arab, ka nis të depërtoj në Kuvend, (deputetët “tonë” votojnë kundër shtetit laik si të ishin deputetë të Homeinit, ndërsa beduinët e Arabisë Saudite dolën më të qytetëruar se sa grumbulli i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ).

Fryma shkretinore po përhapet edhe në disa qarqe kuazi intelektuale, nëpër disa gazeta, nëpër çajtore periferie, meqë para e madhe e shoqatave “bamirëse” është shpërndarë gjithandej.

Fryma e mos durimit po depërton si murtaja nëpër qytete e katunde.

Por qytetet e katundet e pasura, nuk e kanë këtë frymë, as këto probleme. Jetojnë në paqe me vete e me të tjerët, janë në paqe edhe me punën dhe paratë e veta. Ata s’ua kanë nevojën të tjerëve.

A duhet ta riaktivizojmë Shoqatën Bamirëse "Nëna Terezë" që t'i nxjerrim nga kthetrat e islamikëve shqiptarët e mashtruar e në nevojë, apo t’ua lëmë t’i bëjnë mish për top e qen të luftës?



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora