E marte, 29.09.2020, 12:50 PM (GMT+1)

Komente

Ndue Dedaj: Kur Skënderbeu i shkruante Papës nga Kepi i Rodonit

E hene, 29.10.2018, 08:19 PM


KUR SKËNDERBEU I SHKRUANTE PAPËS NGA KEPI I RODONIT

NGA NDUE DEDAJ

Kisha françeskane e Shna Ndoit në Kepin e Redonit thirret ndryshe “Kisha e Skënderbeut”, sa dimë e vetmja me këtë emër në Shqipëri. Pas 90-s atje shkoi dhe u mbyll murgu i fundit i “françeskanëve të mëdhenj” At Zef Pllumi. Askund më mirë se aty pena e tij nuk do të nxirrte kapitujt tronditës të veprës së tij “Rrno vetëm për me tregue”. Mundet që asnjëherë më parë në historinë e letrave shqipe nuk ishte shpallur si një urdhër “pleqërie” rrojtja e njeriut për të rrëfyer historinë e kohës së vet. Ngjan disi më priftin tjetër shkodran, Marin Barletin, i cili në ato mote të largëta e ndjente si detyrë historike të rrëfente për Skënderbeun, historinë dhe bëmat e tij, sa ato nuk ishin harruar. Kishte qenë pjesë e misionit të benediktinëve, françeskanëve, jezuitëve dëshmimi i së kaluarës, si dhe vrojtimi dhe përshkrimi i bashkëkohësisë.

Kisha katolike e Rodonit, që shërbeu si një seli e Heroit Kombëtar, asokohe ishte në kushtimin e Shën Mërisë. Prej saj ka dalë dhe një letër e Skënderbeut drejtuar Papa Piut II më 29 tetor 1463, ndërkohë që korrespondenca mes dy autoriteteve të larta dhe kancelarive përkatëse kishte qenë e mëhershme. Gjergj Kastrioti e bën me dije Papën se është i gatshëm të marrë pjesë në një takim të rëndësishëm që do të organizohej në Selinë e Shenjtë me princët katolikë dhe se për këtë ai mandatonte me të gjitha të drejtat diplomatin Martin Muzaka, këshilltar dhe zëdhënës i tij: “Ne, Gjergj Kastrioti Skënderbeg, zotëruesi i Shqipërisë, duam të numërohemi në radhët e të krishterëve, që të mund të jemi pjesëmarrës të së mirës aq të madhe dhe aq të meritueshme, plotësisht të bindur për legjitimitetin, ndershmërinë, urtinë dhe përvojën e Martin Muzakës, të cilin e caktojmë si nuncin (lajmëtarin) tonë special, që të paraqitet në emrin tonë para Papës, në takimin që do të organizohet, bashkë me princat e tjerë dhe atje të diskutojë për temat e asaj natyre, sikurse asht ndihma ndaj fesë sonë të krishterë, të propozojë, vendosë apo ratifikojë, si të jetë më e dobishme për një aksion aq të madh...” Muzaka autorizohet nga Skënderbeu “të japë pëlqimin dhe miratimin eksplicit në atë takim për çka do të vendosej”, për rolin që do të luante më pas vendi ynë dhe vetë Skënderbeu, duke vënë në dispozicion të asaj marrëveshje të gjitha pasuritë dhe tokat shqiptare, kështjellat dhe qytetet, fortesat, nënshtetasit dhe luftëtarët. Nisur nga një zotim i tillë merret me mend vlera e atij takimi në Vatikan me Papën, kadrinalët dhe princërit katolikë, pas shumë dëmesh të shkaktuara “nga tirani turk Mehmed”. Letra përfundon me emrat e të pranishmëve në hartimin dhe miratimin e saj, si të atit fort të nderuar në Krishtin, zotëri Pali (Engjëlli), Argjipeshkv i Durrësit dhe i krahinës së Ilirisë, të nderuarit Abat Pjetër Duka (Perlati), protosingjellit i Shën Aleksandrit të Molendinit, të Dioqezës së Arbit, të nderuarit Fratel Vlashit, priorit të Kuvendit të Shkodrës të urdhërit të Predikatarëve dhe nuncit apostolik në Shqipëri, si dhe të nderuarit zotëri Kajan Çelnikut. (Letra e Skënderbeut për Papa Piu II, 29 tetor 1463, dalë nga Arkivi i Vatikanit.)

Kisha e Skënderbeut e Kepit të Rodonit është e stilit arkitekturor romaniko-gotik, si dhe kisha të tjera në Arbërinë mesjetare dhe i përket shekullit XIII. Deri në shekullin XV kuvendi i Shën Mërisë së Kepit të Rodonit ishte nën kujdesin e françeskanëve të provincës dalmatine, me qendër në Dubrovnik, që asokohe kishin administrimin e kishave françeskane në Shqipëri. Më pas ata kalojnë në kustodinë e Durrësit. Më 3 mars 1592 përmendën pesë kuvende: i Sebastesë në Laç/ Kurbin, i Lezhës, i Rubikut, i Mamlit dhe i Kepit të Rodonit me gjithësej 40 fretër. (Z. Mirdita, “Krishtenizmi ndër shqiptare”, 1998, f 264.) Marin Bici në vitin 1702 njofton se në Kepin e Rodonit ishin tre fretër, së bashku me privincialin At Martin Gjonamin, pasi në dekadat e parë të shekullit XVIII ky kuvend ka qenë dhe qendër e provincës shqiptare, me siguri ngaqë selia në Durrës ishte e kërcënuar, paçka se dhe Kepi i Rodonit kishte qenë dëmtuar nga turqit. Johan George Hahn me 1854 shkruan: “Në Kepin e Rodonit gjindet një kuvend katolik i Shën Andonit të Padovës, por sot asht i braktisun, sepse nji tërmet e ka ba të pabanueshëm”. (G. Hahn, Studime Shqiptare, Tiranë, f. 129.) Tërmeti nuk kishte kursyer as Koloseun e Romës dhe amfiteatro të tjerë antikë, por “tërmeti” më i rëndë në Shqipëri duket se ka qenë gjithnjë harresa e monumenteve dhe lënia e tyre në shkretim.

Kisha e Rodonit fitoi një kuptim të veçantë kur nisi të frekuentohej nga Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, ku jo rastësisht në muret e saj të vjetra shihet e pikturuar figura e një kalorësi mbi kalë dhe shqiponja dykrenare. Studiuesi Jaho Brahaj shkruan: “Rasti e solli që shqiponja e Kastriotëve e pikturuar në një afresk të zbulohet mbrenda tokës arbërore e jo në kancelaritë e arkivat e huaja, si ruhen shumica e dokumenteve të historisë tone”, çka na bën ta shtojmë vëmendjen edhe në të ardhmën ndaj çdo afresku, embleme, mbishkrimi që nëntoka apo mbitoka jonë mund të na dhurojë sërish. At Zef Pllumi ato vite pas 90-s nxitonte gjithandej nëpër kishat e vjetra, si në Rodon, Rubik, Troshan, Shkodër të sinjalizonte ato vepra arti që kishte mundur të shihte në rininë e tij misionare, që mund të kishin shpëtuar. Pikturat murore të kishave, vizatimet e simboleve kombëtare e fetare, mbishkrimet datuese e kushtuese të tempujve të ndryshëm, ikonostaset etj. janë një “alfabet” nga më të bukurit i monumentologjisë shqiptare. Mjafton të përmendim në këtë qasje Voskopojën, Beratin, Shpatin (Elbasan), Vaun e Dejës, kishën e Shën Mërisë së Ndërfanës, ku në këtë të fundit qenë zbuluar pjesërisht nga Teodor Ippen dhe pastaj të plota nga Dhimitër Shutëriqi, Stema e Arbërit dhe Mbishkrimi epigrafik i Gëziqit, që i pëkisnin shekullit XIII, .

Sipas të moshuarve, kujtimi i Skënderbeut në atë tempull do të bënte që Shna Ndoi i Rodonit të trajtohej me “biografi” të mirë atëherë kur do të niste revolucioni i pashembullt atesist shqiptar, ku për të do të flitej me vlerësim gjer në konferencën kombëtare kushtuar 500-vjetorit të Heroit Kombëtar, me 17 janar të vitit 1968, në prani të krerëve më të lartë të shtetit komunist, ndërkohë që Shna Ndoi i Sebastesë në Laç (Kurbin) ishte kthyer në prenë më të madhe të revolucionit ideologjik m-l kundër klerit, fesë dhe institucioneve të saj. Thënë ndryshe, ndërsa mbi kodrën shkëmbore të “Kishës së Laçit” gjuanin predhat e artilerisë së rëndë, tashmë e kthyer në poligon qitje, Kisha e Rodonit do të ruhej si një hirushe e vetmuar mes gjelberimit të drurëve, por pa ndonjë status të veçantë mbrojtjeje si monument kulture. Fundja, dhe ajo sa për sy e për faqe ishte veçuar nga simotra e saj kurbinase, që ishte kishë peligrinazhi e të gjithë shqiptarëve. Ideologjia ishte aq diabolike sa kishte hyrë dhe në muret e vjetra 700-vjeçare të Shna Ndojt, disa tempujt të tij duke i shembur me dinamit si reaksionarë e ndonjë duke i quajtur atdhetar, meqë atë e kishte bekuar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.

Kalaja dhe kisha e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, si një aset i rrallë i turizmit kulturor, janë mjaft të vizituara këtë vit. Muaj më parë kishin vërshuar për atje dhjetëra arbëreshë, kurse këtë fund tetori, avokati i pasionuar pas historisë, Alfred Duka, Tiranë, ka mbledhur në Rodon miqtë e tij shkrimtarë, gazetarë, studiues etj.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora