Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bashkim Saliasi: Hajri Kapllani, model i mësuesit

| E hene, 29.10.2018, 08:16 PM |


Hajri Kapllani, model i mësuesit

Portret

Nga Bashkim Saliasi

-Mësues që japin lëndën e vështirë të matematikës, janë vërtetë të rrallë. Ajo që e bën atë të lehtë, varet nga komunikimi njerëzor, takti dhe përkushtimi njerëzor, - e nis bisedën e tij Luan Saliasi, që ka pasur fatin të dëgjojë nga shokët e shoqet e tij për mësues Hajri Kapllanin, përshtypjet më të mira si profesionist i lëndës së matematikës gjatë kohës që mbaroi gjimnazin në qytetin e Çorovodës, por edhe gjatë viteve të punës  që punoi në detyrën e drejtorit të shkollës, në fshatin e lindjes, Dobrushë, kohë në të cilën Hajriu kryente detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Rrethit Skrapar.

-Unë mbarova gjimnazin në Çorovodë, -vazhdon tregimin Luani, -por nuk e pata fatin që të më jepte mësim Hajriu. Ai nuk ishte një mësues pedant i autoritetit fals dhe i komunikimit të vrazhdë, përkundrazi, tek Hajriu do shikoje fytyrëqeshurin, babanë e mirë, shokun, mikun, njeriun e ndershëm dhe përherë, mësuesin dinjitoz të matematikës.

Për kontributin e mësues Hajriut flasin breza të tërë nxënësish të arsimit tetëvjeçar, nëntëvjeçar dhe gjimnazistë të gjimnazeve “Ramiz Aranitasi”, në Skrapar, gjimnazi “Katundi Ri”, Yshek dhe së fundi gjimnazistët e gjimnazit Prezë, në Tiranë, që ruajnë në kujtesën e tyre mësuesin e përmasave model.

Nën përgatitjen që ai u dha, dhjetëra nxënës u bënë studentë të kësaj lënde dhe në një farë mënyre i janë mirënjohës mësues Hajriut për ndihmën që u jepte në zgjidhjen e ushtrimeve dhe problemave të vështira që kërkonin impenjim dhe vullnet.

Në këtë kuadër dalin në pah virtytet dhe pasioni i mësues Hajriut për lëndën e vështirë të matematikës që nxënësve të tij mos t’ua bënte të vështirë, por të kishin dëshirë të ndiqnin mësimin me këtë mësues model që nuk i lodhte nxënësit e tij, por përkundrazi me metodat dhe rrugët novatore që zbatonte, ua bënte orën më të lehtë dhe mësimin të kuptueshëm edhe për ata nxënës që nuk kishin interes.

-Kishte raste, -tregon Pajtim Çela, -kur disa ushtrime që nuk zgjidheshin aty për aty, ushtrime dhe problema me yll, siç quheshin, dhe dukej se rruga për të arritur te ai yll përbënte një largësi qiellore, por mësues Hajriu, nuk e jepte veten dhe në orën e ardhshme ato ushtrime të vështira ishin zgjidhur nga ai.

Mësues Hajriu i ngarkonte shpesh nxënësit e mirë dhe shumë të mirë me kësi lloj ushtrimesh dhe kur nuk arrinin që t’i zgjidhnin në klasë, shpesh na thoshte: -Nesër ua jap përgjigjen. Ne e kuptonim se ai do qëndronte gjithë natën, derisa t’i zgjidhte.

Shpesh në biseda me Hajriun,  më tregonte:

-Shumë ushtrime dhe problema të vështira zgjidhjen ua kam dhënë në gjumë, po, po, në gjumë!?

-Jam ngritur, e kam hedhur zgjidhjen dhe në mëngjes e kam kontrolluar rishtas dhe vërtetë zgjidhja ishte e saktë.

-Ai, - tregojnë shumë nxënës të tij, me të cilët kam bashkëbiseduar, nuk bënte si kolegu i tij që jepte mësim në klasat e tjera paralele e shpesh kur nuk i zgjidhte dot këto lloj ushtrimesh, u thoshte nxënësve: -Ky ushtrimi ka një “kleçkë”, do ta shikoj mësuesi në shtëpi dhe në orën e ardhshme do e sqarojmë, por në fakt e “harronte” premtimin e dhënë dhe ne nxënësit e tij, ishim mësuar me këtë lloj justifikimi të mësuesit tonë.

Nuk mbaj mend të lëshonte mësues Hajriu ndonjë fjalë dekurajuese kur ne nuk i zgjidhnim dot ushtrimet me yll, që ai na jepte në klasë apo edhe në shtëpi. Ai afrohej ngadalë dhe, si një ndihmës i mirë që të kap për krahu për të kaluar një rrugë të vështirë dhe të rrezikshme, vinte me ty derisa t’ia dilje mbanë në zgjidhjen e tyre.

-Ky ishte mësues Hajriu, dinjitoz, gazmor, kokulur dhe i thjeshtë, model i mësuesit dhe njeriut; këto cilësi ai i shkrinte harmonikisht dhe ne e kishim të vështirë t’i kuptonim ku fillonte njëra e ku mbaronte tjetra, -e mbyll bisedën ish nxënësi i tij Kastriot Hebibasi.

Në arsimin e rrethit Skrapar, por edhe në Tiranë, mësues Hajri Kapllani zë një vend të veçantë në një sfond nderi, jo vetëm se nxori nxënës që ecën në profesione nga më të vështirat si mjekë, inxhinier, mësues matematike etj, por edhe si aktivist shoqëror dhe përçues të ideve progresive të kohës.

Po kush është Hajri Kapllani?

Vendlindja e tij është Kuçova, por fati nuk e ndihmoi që të gëzonte jetën qytetëse të naftëtarëve, ku i ati, Jakupi, pas përmbushjes së detyrës për çlirimin e vendit, filloi punë në sektorin e naftës, por për arsye “banale” familja e tij pas peripecish të kohës, vendoset në qytetin e vogël të Çorovodës.

Lindi në vitin 1952 në një familje patriotike dhe arsimdashëse. Arsimin fillor dhe tetëvjeçar i kreu në shkollën “Kareman Ylli” në Çorovodë. Pas përfundimi arsimin tetëvjeçar  me rezultate shumë të mira, vazhdonte gjimnazin “Ramiz Aranitasi”, në Çorovodë. Përfundimi i gjimnazit me rezultate shumë të mira sidomos në shkencat ekzakte të matematikës dhe fizikës e mundësuan Hajriun që të ndjek studimet në ILP Gjirokastër, dega matematikë.

Stazhin e punës si mësues e filloi në shkollën tetëvjeçare Radësh dhe pas përfundimit të detyrimit ushtarak emërohet mësues në fshatin Qafë. Kudo që shkoi mësues Hajriu, la gjurmë shumë të mira dhe Komiteti Ekzekutiv i asaj kohe e emëroi në Kabinetin Pedagogjik të Rrethit si metodist në fushën e shkencave ekzakte.

Kohën më të shumët të viteve të punës në Skrapar, Hajriu i kaloi në gjimnazin “Ramiz Aranitasi”.

Gjatë viteve të punës në rrethin e Skraparit Hajriu kryen detyrën e n/drejtorit dhe drejtorit në shkollat tetëvjeçare “Zylyftar Veleshnja” dhe “Kareman Ylli”. Nga viti 1997-2004, në një periudhë kohore prej gjashtë vitesh, kryen detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Arsimit të rrethit Skrapar.

Në shtator të vitit 2004 fillon punë në gjimnazin “Katundi Ri” Yshek dhe më pas transferohet në gjimnazin e Prezës, ku dhe doli në pension vitin e kaluar.

Gjatë viteve të punës për rezultate të larta është dekoruar nga presidenti Republikës me Medaljen “Naim Frashëri”, në vitin 1990 dhe në vitin 1995 u dekorua me Urdhrin “Naim Frashëri”, të Klasit të Dytë.

Hartues dhe botues i teksteve të matematikës për ciklin nëntëvjeçar dhe “Ushtrime dhe problema të zgjidhura për klasën e nëntë dhe Maturën Shtetërore”.

I thjeshtë, fjalëpakë, syqeshur dhe mjaftë i vëmendshëm në çdo fjalë që thua, i përgatitur profesionalisht me të rejat e profesionit të tij, bashkëpunëtor për çfarëdo dhe për këdo, i gatshëm t’u shërbej të gjithëve, ka fituar respektin e gjithë gjeneratave të nxënësve dhe kolegëve me të cilët punoi mbi 40 vjet në fushën e mësimdhënies.

Evidentimi figurave të tilla, qoftë edhe përmes një shkrimi të thjeshtë, është nder për brezat që Hajriu Kapllani përgatiti për jetën. Baza e formimit të nxënësit, e mbjelljes së filizave të dashurisë për dijen, e kultivimit të pasionit atëherë, po edhe sot, duhet të jetë arsimi nëntëvjeçar dhe gjimnazi.

Në këtë cikël shkollor punuan mësues të aftë dhe të devotshëm të lëndës së matematikës dhe një ndër ta është dhe Hajri Kapllani, mësues dhe intelektual i formuar, ndaj çdo fjalë e thënë nuk justifikon asgjë tjetër, përveç faktit dhe përvojës së njohjes për një mendje të mprehtë dhe një zemre të madhe të tij.

Po e mbyll këtë shkrim me thënien e një ish nxënësi të mësues Hajriut, Kastriot Hebibasi.

-Ajo që e bënte të veçantë mësues Hajriun, modelin e mësuesit, ishte respekti. Kur nxënësit sapo dëgjonin emrin e tij, ngriheshin në këmbë vetvetiu prej konsideratës dhe respektit që kishin për të, qoftë nxënësit e ditës, por edhe ata që ndiqnin shkollën e mbrëmjes pa shkëputje nga puna edhe pse ishin në një moshë më të madhe se ai”...