E merkure, 26.06.2019, 05:23 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Përralla për Nënën Terezë dhe Kodrën e Trimave

E diele, 28.10.2018, 05:17 PM


Përralla për Nënën Terezë dhe Kodrën e Trimave

Nga Gani Mehmetaj

Asnjëherë nuk kemi qenë më larg Evropës Perëndimore se sa pas vitit 1999, përderisa asnjëherë nuk ka qenë më e pranishme Evropa Perëndimore e ShBA-ja në Kosovë se sa pas çlirimit.

Të rinjtë e Kodrës së Trimave e të periferisë së qyteteve të mëdha para luftës pikonin shqiptarizëm. Ata e mbajtën mbi supe rezistencën kundër dhunës serbe. Mësimi në shkollat e mesme e në Universitetin paralel u mbajt në periferi të qytetit, në shtëpitë e prindërve të këtyre të rinjve. Mjekimi i njerëzve u bë po ashtu në këto rrugica të varfra. Jeta në periferi mori dimension të ri, të paparë deri më atëherë. Periferia u bë bastioni i shqiptarizmit e atdhedashurisë. Shoqata Bamirëse “Nëna Terezë’ hapi degët në çdo qendër banimi, në çdo lagje e katund për të ndihmuar. Dhjetë vjet të okupimit total i përballuam të gjitha furtunat; dhjetë vjet të dhunës së paparë kundër nesh, nuk patëm nevojë t’ia shtrijmë dorën askujt; dhjetë vjet asnjë fondacion me burim të dyshimtë apo më para të pista, nuk shkeli në periferi as në qendrat e banimit. Ishim solidarë në mes veti më shumë se kurrë më parë, ishim pranë njëri-tjetrit si asnjëherë tjetër.

Emri i Nënës Terezë nuk përmendej vetëm sepse ishte shqiptarja më e famshme në rruzullin tokësore, por sepse shoqatat humanitare me emrin e saj e mbuluan Kosovën, duke e mbajtur gjallë popullatën. Mijëra jetë u shpëtuan, mijëra familje u gëzuan. Gati s‘kishte shqiptar i Dardanisë që nuk u ushqye me ndihmat e shoqatës “Nëna Terezë”, s’kishte shqiptar që nuk e ndjente vetën mirë edhe kur nuk ua kishte nevojën ndihmave, sepse e dinte që familja e tij, pavarësisht çka do t’i ndodhte, nuk do të vuante urie e skamje. Asnjëherë nuk u kushtëzua askush gjatë shpërndarjes së ndihmave, nuk ia thanë ndonjë fjalë që do të ishte kundër bindjeve të tyre politike, nuk u dallua në baza fetare apo në çfarëdo baze tjetër. Për veprimtarët e shoqatës ata kishin nevojë për vaj, qumësht, miell, kishin nevojë për veshmbathje. Shoqata të tjera nuk pati, as nuk ua kishim nevojën.

Në Kodrën e Trimave askënd nuk e adhuronin më shumë se sa nobelistën shqiptare. S’kishte familje që nuk e kishte portretin e saj të varur në mur. Për të flitej nëpër familje, në rrugë, nëpër shkolla, i këndoheshin këngë, fëmijët i shkruanin vargje, poetët e shquar i thurnin himne. Shumica e të rinjve të sotëm janë rritur me qumështin e Shoqatës “Nëna Terezë”. Baballarët tanë e mbajtën shpirtin nga ky burim jetese.

Shoqata “Nena Terezë” funksionoi edhe disa vjet pas luftës, pati edhe Klinikën më të madhe private në Kodrën e Trimave, ku kujdeset bëheshin falas jo vetëm për dyzetë mijë banorët e kësaj lagje të varfër, por edhe për banorët e lagjeve të varfra të qytetit.

Fatkeqësisht rrëfimi këputet këtu. Askush s’mund të jep përgjigje: ç’u bë me shoqatën më të madhe humanitare në vend? Pse shtërzuan burimet? Ku shkuan njerëzit e vullnetit të mirë? Askush nuk e dha asnjë sqarim: ku treti Shoqata “Nëna Terezë”? Pse i braktisen lagjet më të varfra? U bë kjo me ndonjë marrëveshje, ishte konspiracion apo ata që e udhëhiqnin e vlerësuan gabimisht situatën? Gabimin nuk do t’ua fal historia. Banorët e Kodrës së Trimave, lagjes më të madhe e më të varfër, kishin nevojë për ndihma, kishin nevojë edhe qindra lagje të tjera, por ndihmat ua dhanë të tjerët me bisht prapa...

Kodra e Trimave-bastion i varfërisë

Lagjet e varfra i braktisi edhe shteti. Nga to hoqën dorë partitë politike, ose manipuluan frikshëm me të varfrit. Liderucët dukeshin nëpër rrugicat e përbaltura vetëm kur ua kishin nevojën për vota. Banorët e skamjes dale ngadalë u zhytën në errësirë, u bënë bastion të primitivizmit e hajdutërisë, çerdhe të prostitucionit e të krimit. Brezat e rinj u dëshpëruan, ia mbathën në Perëndim, apo ranë në misticizëm për të ikur nga realiteti. Nga energjia e dikurshme mbeti pak gjë, shqiptarizmi nisi të zvetënohen. Nga “Xhamadani vija, vija” dikur, më shumë u shkonte ta këndonin pesë herë në ditë: “Kafshatë që s’kapërdihet asht or vlla mjerimi” të Migjenit, sepse mjerimi në Kodrën e Trimave dhe në lagjet e varfra të Kosovës vetëm sa po thellohej, kurse luksi i pafre dhe pasurimi i paskajshëm i pushtetarëve po shtohet. Mjerimin nuk e sollën shoqatat islamike nga Irani e Turqia, nga Arabia Saudite e Egjipti, por këto shoqata kriminale që rekrutojnë terroristë islamikë po e keqpërdorin deri në paskajë mjerimin e shqiptarëve. Ato familje që s’arritën të ikin në Perëndim ilegalisht, ose duhet të qëndrojnë dinjitoz e të mos blihen me hurma e paga mujore, ose ta përballojnë varfërinë

Kodra e Trimave është bërë bastion i mjerimit e jo i një partie apo tjetre. Gënjejnë ata që thonë ndryshe, ose që përfitojnë nga mjerimi i tyre.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT