E shtune, 28.03.2020, 03:26 PM (GMT)

Kulturë

Baki Ymeri: Doktor Arben Kojqiqi dhe bota e medicinës shqiptare

E diele, 28.10.2018, 03:57 PM


Doktor Arben Kojqiqi dhe bota e medicinës shqiptare

Nga Baki Ymeri

“Udhëtimi im” është një dëshmi interesante e njerëzve që kanë shtegtuar jashtë trojeve të tyre, thekson Dr. Arben Kojqiqi në kuadrin e një portreti që e ka qëndisur për te Bashkim Metalia: „Secili nga ne e ka një histori më vete, që shtjellon ecejaket e ngjyrosura nga djersa e pluhurosur. Nga t’ia nisësh e të mbarosh rrugëtimin tonë. Ne vërtitemi pa reshtur, si një hije e diellit vjeshtak që për rroba ka gjethet e rëna, për mbulojë po ato...! Gjumi shpesh të del pa shijuar as në ëndrra frutat e këtyre pemëve gjetherëna, sidomos kur mendon se stinët janë të paparashikueshme. Shtjella e mendimeve sa vjen e shtohet.” Më tej po ia japim fjalën Bashkimit për mejkeun e respektuar kosovar:

Bashkudhëtari ynë i radhës e ka përqafuar fatin e tij, e ka bindur udhëtimin e tij se do të triumfojë pavarësisht sfilitjes së tepruar të regjimeve totalitare, kohës së pa kohë… Ai arriti në Britaninë e Madhe në fillim të vitit 1998 dhe vendosi të mos dëgjonte asnjë sugjerim nga bashkatdhetarët e tij, që e sugjeronin të kthehej në Kosovë, apo të fillonte ndonjë punë në ndonjë restorant apo si taksist. Ishte i vendosur të ndiqte ëndrrën e tij për t’u bërë doktor, pikërisht këtu në metropolin britanik.

Arben Kojqiqi ia nisi nga e para, nga gjuha angleze, për të arritur në majë, për t’u bërë doktor, në sajë të vullnetit dhe vendosmërisë për të ndjekur ëndrrën e tij. Po si nisi udhëtimi i tij në BM? Pas përfundimit të studimeve në Kluzh-Napoka të Rumanisë, filloi të punojë për farë kohe në Kluzh e pastaj edhe në Kosovë. Pasi gjendja në atë kohë nuk ishte e mirë dhe presioni në veçanti ndaj familjes së tij po shtohej dita-ditës, vendosi të largohet nga Kosova për në Perëndim.
         Në fillim kishte marrë vizë studentore për në Austri, ku shpresonte të fillonte specializimin në kirurgjinë kardiake, mirëpo pas një qëndrim njëmujor dhe pamundësisë që të specializohej aty u largua për në Gjermani dhe një muaj më vonë mbërriti në Londër. Problemi i parë ishte gjuha. Gjatë studimeve kishte mësuar gjuhën gjermane, ngase vëllau i tij ishte kirurg kardiak në Gjermani, dhe shpresonte se aty do të mbërrinte edhe ai, dhe gjuhës angleze nuk i kishte kushtuar vëmendjen e duhur, kështu që iu desh të fillonte nga e para, mësimin e gjuhës angleze.

Fillimisht ndoqi një kurs të gjuhës në Hendon College, pas të cilit kaloi provimin IELTS në Universitetin e Cambrixhit. Kjo i hapi rrugën që më pas të fillonte me provimet shtetërore të mjekësisë PLAB dhe të punësohej në Royal Free Hospital në fillim e pastaj në University College London. E gjithë kjo i mori jo pak kohë (2 vite të plota), mirëpo ishin vite që ia vlente të investonte për të ardhmen. Problemet financiare, kuptohet, në vitin e parë ishin serioze, por edhe ato u tejkaluan me të filluar punën në profesion, një vit në Kirurgjinë kardio-torakale në Universitetin e Oxfordit. Tani ai është kirurg kardio-torakal, në University College London Hospital.

Është specializuar në Londër dhe më pas ka punuar në Papworth Hospital, Cambridge University për një vit, në transplantimin e zemrës dhe të mushkërive si dhe në përdorimin e medical assist devices. Pas kësaj ka punuar për një vit në kirurgjinë kardio-torakale në Universitetin e Oxfordit dhe më pas u rikthye në Universitetin e Londrës. Profesionin e mjekut e ka trashëguar nga familja. Ai e zgjodhi mjekësinë ndoshta më shumë për arsye të atit, të ndjerit Prof. Dr. Abedin Koiqiqi. Dëshira e tij ka qenë që vetë të studionte mjekësinë, mirëpo në ato vite, vitet ‘60–’70, nuk kishte fakultet të mjekësisë në Kosovë dhe, kuptohet, babai i tij nuk e kishte lejuar që ai të studionte në Beograd, nga frika se mos do ta humbiste djalin, kështu që ai studioi gjuhën dhe letërsinë shqipe.

Kjo ka ndikuar tek Abedini që t’i drejtojë fëmijët në studimin e mjekësisë (tani janë tre vëllezër që kanë studiuar mjekësinë dhe dy janë specialistë në kirurgjinë e zemrës, ndërsa i treti është në përfundim të specializimit po për zemër). Pra, kjo më tepër ka qenë arsyeja pse e zgjodhi këtë profesion dhe kuptohet zgjedhja ka qenë mëse e drejtë. Nuk ishte e lehtë për Arbenin. Kur mbërriti në Londër kishte një qëllim, që sa më parë të fillonte të punojë në profesionin e tij. Kuptohet kjo nuk ishte e lehtë.

Numri i shqiptarëve në atë kohë ishte i vogël dhe për fat të keq nuk kishte njeri të afërt që ta ndihmonte apo drejtonte mirë, përkundrazi këshillat e tyre ishin negative, si p.sh largohu nga Anglia se nuk ke gjasa të punosh në profesion etj. Atë kohë e dinte se disa shqiptarë që kishin studiuar mjekësinë punonin ose si taximetristë ose në restaurante dhe kjo nuk ishte një gjë e mirë as edhe për të. Përkundrazi duke i njohur aftësitë dhe vullnetin e tij, ai filloi të studiojë gjuhën dhe pastaj të kalojë provimet e mjekësisë.

Pas tetë muajve në Londër, arriti që të inkuadrohet në Clinical Attachment në spital, kuptohet pa pagesë, por kjo ia ngriti vullnetin sepse njeriu mund të arrijë të punojë në profesionin e tij, përkundër peripecive të ndryshme dhe ajo çfarë dëgjonte ishte vetëm një histori e njerëzve të dështuar për fat të keq. Arbeni është rritur dhe edukuar në një familje ku atdheu ka qenë gjëja më e shenjtë. Babai i tij ka qenë shumë herë i ndjekur dhe kontrolluar nga policia serbe vetëm pse kishte vizituar Shqipërinë në vitet ‘70 dhe nga ajo kohë mendohej si njeri i rrezikshëm për pushtetin jugosllav. Edhe gjatë studimeve por edhe gjithë këto vite në Londër, ai punuar me një qëllim, që një ditë të njëjtën punë të bëjë në vendlindje (nuk ka rëndësi në Kosovë apo në Shqipëri, pasi kjo për atë familjarisht Kosova e Shqipëria kanë qenë një dhe e vetme).

Vetë Arbeni shprehet: Vendi ynë dhe populli ynë meriton atë çfarë sot kanë edhe popujt perëndimorë. Është shumë e dhimbshme të shohësh që edhe në këtë shekull shqiptarët bredhin poshtë e lart Ballkanit dhe Evropës për të pas një ndërhyrje të suksesshme në zemër apo mushkëri. Kjo më ka bërë që atdheun ta kem në plan të parë dhe të vendosi të kthehem atje (në Tiranë). Shpresoj që të paktën populli të përfitojë nga kjo.” Që në Prill 2013 kam lënë Universitetin e Londrës, dhe përkundër Ofertës që kishte në Universitetin e Oxfordit që të punoj si Consultant Cardiothoracic Surgeon, por Doktor Arbeni zgjodhi Shqipërinë dhe pikërisht spitalin Amerikan në Tiranë. Aty shkuan, së bashku me vëllain e madh të tij, Doktor Besnikun (nga Gjermania), me idenë që të bëjnë një qendër shqiptare të kardiokirurgjisë që të ofrojë për pacientet shqiptarë si çdo qendër në Britani apo Gjermani.

“Mendoj që kësaj ia kemi arritur sepse sot në Tiranë i bëjmë të gjitha operacionet e zemrës dhe të mushkërive që deri dje për këto operacione pacientet shqiptarë shkonin në vendet e huaja ku edhe nuk merrnin një trajtim adekuat” – shprehet Dr. Arbeni. Tani është konsultant kirurg kardiotorakal, anëtar i plotë i Shoqatës Evropiane të Kirurgjisë Kardiotorakale që nga viti 2007, anëtar i Kolegjit Mbretërorë të Kirurgëve të Anglisë dhe Edinburgut, si dhe anëtar i Shoqatës Amerikane të Kirurgjisë Kardiotorakale. Por kjo ëndërr e kjo dëshirë e Arbenit përballet me një realitet tjetër në Londër. Arbeni mendon se “shqiptarët në Angli janë duke kultivuar vlerat e mirëfillta që na karakterizojnë si komb. Janë shumë arsye pse kjo është duke ndodhur, sepse në vend të parë duhet të mos harrojmë se në Britani shqiptarët si komb janë të vonë”.

Numri më i madh i shqiptarëve në Londër erdhën gjatë viteve 90, dhe numri më i madh i tyre ishin në moshë shumë të re dhe të paformuar. Përndryshe, nga disa vende të tjera perëndimore, në Britani nuk kishte një komunitet shqiptar që t’i priste këta të rinj dhe t’i drejtonte në rrugën e duhur. Për fat të keq, një numër shumë i madh i tyre filluan të merren me gjërat më të këqija. Kjo ishte jo vetëm nga ana e problemeve financiare që ata kishin por edhe nga shoqërimi me elementët më të këqijtë të popujve të tjerë prezent këtu.
Mjerisht edhe kapaciteti i tyre intelektual ishte nën zero, ndaj nuk mund t’i bënin ballë këtij realiteti të ashpër të Britanisë.”

Kjo bëri që britanikët, që deri dje nuk dinin asgjë për shqiptarët, – thotë Arbeni, – të shohin dhe të mësojnë vetëm gjërat më negative për ta. Imazhi për shqiptarët ishte shume i keq. Çdo gjë shqiptar identifikohej me drogën, vjedhjen, prostitucionin etj. Unë ndoshta kam qenë shqiptari i parë në Britani që kam filluar të punoj në spital në atë kohë dhe kur më pyetnin se nga jam dhe u tregoja. Shumë kolegë si për sarkazëm më thoshin po bordello të prostitucionit keni, po drogë shitni? Pra kjo ishte përshtypja e tyre për shqiptarët. Për fat të keq në përgjithësi një imazh i tillë vazhdon ende të ekzistoj në Londër”.
Dy ambasadat shqiptare në Londër mund dhe duhet të bëjnë më tepër për të përmirësuar këtë imazh.

Për Arbenin nuk është asnjëherë vonë që këta të rinj të arsimohen. “Vullneti për të arritur lart në profesion dhe në karrierë është më i fortë se të gjitha pengesat që mund t’ju dalin përpara. Pa një angazhim të madh, pa një punë të dyfishtë në krahasim me kolegët e tu vendas, nuk mendoj se do te keni sukses të madh në karrierë. Të punosh çdo gjë vetëm për të fituar lekë, është e kotë dhe e përkohshme. Ju dëshiroj të gjithëve suksese në jetë dhe në punë. Vendi ynë ka më shumë nevojë për njohuritë tuaja profesionale se sa që ka nevojë sot Britania dhe Evropa”, përfundon Arbeni, i cili sot nderon jo vetëm emrin e tij, por ermin e kombit, një shqiptar i suksesshëm që jeton e punon për mrekulli në profesionin human e të nderuar të mjekut.

Sitali Amerikan realizon ndërhyrjen e rrallë në mushkëri

Ekipi i specializuar i mjekëve të Spitalit Amerikan realizon me sukses një tjetër ndërhyrje të vështirë kirurgjikale. Pacientja, Sevdie Rimnica e cila ka ardhur nga Kosova për të kryer një ndërhyrje të veçantë në mushkëri nga ekipi i mjekëve të Spitalit Amerikan, vuante prej kohësh nga kanceri pulmonar i një lloji të rrallë. Me një tumor në mushkëri, që peshon plot 5kg, pacientja i është drejtuar Spitalit Amerikan për të kryer ndërhyrjen si e vetmja mundësi e shpëtimit të saj. Një mundësi, që sipas familjarëve ju mohua në disa spitale të tjera në rajon.

Ekipi i mjekëve i kryesuar nga Dr. Arben Kojqiqi dhe mjeku i ardhur posaçërisht nga Londra Dr. Martin Hayword për të kryer këtë ndërhyrje të specializuar në kirugjinë torakale marrin përsipër t’i shpëtojnë jetën Sevdies edhe pse shprehen që ky është një rast i rrallë. Sipas kardiokirurgut Dr. Arben Kojqiqi, për fat të keq diagnostikimi i kësaj sëmundjeje është bërë shumë me vonesë dhe mesa duket pacientja ka një tumor disa vjeçar, ç’ka e bën edhe më të vështirë si ndërhyrje. Pas përfundimit me sukses të ndërhyrjes, pacientja gëzon shëndet të mirë dhe familjarët shprehen të kënaqur dhe mirënjohës për suksesin e arritur, por sidomos për gjendjen e mirë shëndetësorë të pacientes. /albeu.com/ (07/03/2013)

Destinacioni juaj në shëndetësi - Spitali Amerikan

Numri i fundit i revistës së mirënjohur mbarëbotërore Men's Health i ka dedikuar një shkrim analitik shërbimit shëndetësor në Europë dhe destinacionit për shumë qytetarë nga vende të ndryshme të botës... Spitalit Amerikan, të parit spital privat shëndetësor në vend dhe të vetmit të specializuar në të gjithë spektrin shëndetësor. Gazetari i njohur i Men's Health, Will Nicoll shprehet në reportazhin e tij për eksperiencën e kaluar në udhëtimin e tij përgjatë Lindjes së Mesme deri në vendin tonë.

Gazetari Nicoll tregon për takimin me një investitor të huaj nga Dubai që operon në Lindjen e Mesme, i cili shprehet me shumë konfidencë për eksperiencën e tij në Spitalin Amerikan; në fillim dyshimet, mosbesimi i tij për mjekësinë në vendin tonë. I rekomanduar nga Ambasada Amerikane për t’iu drejtuar Spitalit Amerikan për dëmtimin e tij në gju gjatë udhëtimit, ku sot ai është mirënjohës për pritjen, trajtimin dhe shërbimin e kualifikuar dhe dinjitoz shëndetësor. Nicoll pohon se tani biznesmenë nga industria e naftës, gazetarë, pilotë etj, sot udhëtojnë drejt klinikave europiane për trajtim të specializuar mjekësor dhe pa dyshim mes tyre sot është Spitali Amerikan.

“M’u desh kaq pak, shprehet gazetari Nicoll, për të rendur drejt Spitalit Amerikan, që tashmë do ta inspektoja vetë për të realizuar artikullin tim”. Takimi me mjekët kardiokirurgë Dr. Besnik dhe Dr. Arben Kojqiqi në sallat ku zhvilloheshin disa nga operacionet më të vështira kirurgjikale në zemër ishte mbresëlënës dhe u binda edhe njëherë se Spitali Amerikan zotëron të gjitha kapacitetet për t’u renditur si një nga spitalet që u duhet besuar shëndeti juaj.
"Në më pak se 10 minuta pas ardhjes time në Tiranë, konstatova se çdo përshtypje dhe mendim që kisha dëgjuar dhe krijuar për shërbimin shëndetësor në Shqipëri dhe sidomos për kirurgjinë e zemrës, tanimë nuk kishin kuptim. Jam impresionuar!"

Çmimet më të arsyeshme krahasuar me vendet e tjera në rajon e më gjërë, shpejtësia dhe cilësia në marrjen e shërbimit të duhur mjekësor, ekipi i kompletuar i mjekëve, si dhe kushtet spitalore, aparaturat, teknologjia e bëjnë Spitalin Amerikan destinacionin tuaj në shëndetësi. Ai vijon se krahasuar me vendet jashtë, standartet e Spitalit Amerikan janë edhe më të larta se në spitalet në Amerikë dhe Angli, janë padiskutim në të njëjtin nivel me klinikat gjermane e më gjërë. Ndalesa e tij në Shqipëri me një mision për t’u informuar dhe përçuar më shumë për turizmin dhe shërbimin shëndetësor në rajonin tonë, ka shërbyer si një guidë për të gjithë pacientët jo vetëm brenda rajonit tonë por edhe me gjërë që të njohin dhe të zgjedhin si destinacion për shërbime mjekësore të kualifikuara Spitalin Amerikan në Shqipëri. (Shqiptarja.com, 6 Janar 2015)

Sukses i rradhës në Spitalin Amerikan, kirurgjitë në zemër me anestezi lokale

Anestezia e pjesshme në ndërhyrjet kardiovaskulare aplikohet për herë të parë, duke iu ofruar pacientëve një sërë përfitimesh. Mjeku kirurg kardio-torakal Dr. Arben Kojqiqi informon se kjo është një formë e re e ndërhyrjes kirurgjikale, e cila sjell shërbim më të ri për pacientët, duke ju mundësuar daljen sa më të shpejtë nga spitali. “Ndërhyrjet më të reja dhe të fundit që kemi realizuar në kirurgji janë ndërrime valvulash dhe By Pass-e. Pacientët kanë qenë zgjuar, pa intubim dhe me anestezi epidurale” thekson Dr. Kojqiqi.

Ndërkohë Shefi i Anestezisë në Spitalin Amerikan, Dr. Gentian Huti shprehet se kjo risi është aplikuar më sukses në 7 raste të ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër dhe të gjithë pacientët brenda 7 ditësh kanë lënë spitalin në një gjendje shumë të mirë shëndetësore. Sipas Dr. Huti, anestezia rutinë për këto lloj operacionesh është anestezia gjenerale në disa pacientë me probleme të veçanta kryesisht pulmonare. Ekziston edhe metoda tjetër e anestezisë lokale (epidurale), ku pacienti gjatë gjithë kohës është zgjuar. Përfitimi më i madh në këto raste është aktivizimi i pacientit post-operator, i cili është shumë herë më i shpejtë në krahasim me anestezinë e përgjithshme.

Përmes anestezisë së pjesshme pacienti mund të ndjekë të gjithë procesin e ndërhyrjes pa dhembje. Anestezia e pjesshme është risia e fundit që vjen në Shqipëri dhe në Ballkan,  për herë të parë nga Spitali Amerikan, duke garantuar edhe njëherë shërbimin cilësor, si dhe mundësinë më të mirë për kurimin e të gjitha sëmundjeve. (2 Korrik 2015)

Spitali Amerikan realizon ndërhyrje të veçantë kirurgjikale

Stafi i mjekeve kardiokirurge me në krye Dr. Med. Arben Kojqiqi, kirurg kardiotorakal në Spitalin Amerikan ka realizuar me sukses ndërhyrjen e veçantë kirurgjikale Riparim i Pectus excavatum, "Nuss procedure” për herë të parë në Kosovë dhe Shqipëri, e cila u realizua në një pacient 25 vjeçar. Procedura Nuss është riparim i defekteve torakale me ndërhyrje mini-invazive dhe me kamerë. Kjo teknikë konsiston në vendosjen e shufrave metalike në zonën e krahërorit me ndihmën e kamerës, e cila lejon dhe krijon akses për të riparuar në zonën e dëmtuar. (GazetaExpress, 13 Maj 2016)

25 vjeçarit nga Kosova i rikthehet buzëqeshja dhe shëndeti

Stafi i mjekëve kardiokirurgë të Spitalit Amerikan me në krye Dr. Med. Arben Kojqiqi, kirurg kardiotorakal në Spitalin Amerikan ka realizuar me sukses ndërhyrjen e veçantë kirurgjikale Riparim i Pectus excavatum, nëpërmjet Nuss procedure, për herë të parë në Shqipëri dhe Kosovë; e cila realizua në një pacient 25 vjeçar. Ardian Maraj, pacienti 25 vjeçar i është nënshtruar kirurgjisë së specializuar në Spitalin Amerikan, pasi prej vitesh vuante nga sëmundja e diagnostikuar si Pectus Excavatum, sëmundje që manifestohet me dhimbje të vazhdueshme të kraharorit dhe vështirësi të theksuara në frymëmarrje.

Procedura Nuss konsiston në riparimin e defekteve torakale me ndërhyrje mini-invazive dhe me kamer. Kjo teknikë konsiston, e në vendosjen e shufrave metalike në zonën e kraharorit me ndihmën e një kamerë cila lejon dhe krijon akses për të riparuar në zonën e dëmtuar. Kjo ndërhyrje specifike është realizuar nga kontributi dhe mbështetja e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe donacionet që kanë ardhur nga qytetarët kosovarë të sensibilizuar dhe njohur me rastin i cili u bë publik pak kohë më parë në media dhe rrjetet sociale. (13/05/2016)

Tumori gjigant i mushkërive largohet me sukses në Kosovë

Kosova po vazhdon të jetë një nga vendet me rritjen më të madhe të të prekurve me kancer, kryesisht në mushkëri. Dhe një nga arsyet kryesore është pirja e duhanit. Por, kur diagnostifikimi është i hershëm, rezultatet mund të jenë të suksesshme. Kështu ndodhi me një pacient në Spitalin Amerikan në Prishtinë. Dr Arben Kojqiqi ka postuar fotografi nga kanceri i mushkërive i larguar me sukses.

*****

Objekti i Qeverisë solidarizohet me luftën kundër kancerit të gjirit. “Kanceri i mushkërisë ka shënuar rritje viteve të fundit në vendin tonë. Arsyet janë të ndryshme, por përkundër kësaj, diagnostikimi i hershëm çon në trajtimin e hershëm dhe si rrjedhojë rritjen e jetëgjatësisë, por edhe të cilësisë së jetesës. Ky është një kancer i diagnostikuar në kohë dhe i larguar me sukses në Spitalin Amerikan”, shkroi Kojqiqi. /Gazeta Shneta/ 08/11/2017/. (Tekste të huazuara nga revista „Shqiptari” kushtuar misionit fisnik të Dr. Arben Kojqiqit)





(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT