Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Marie Logoreci

| E merkure, 08.03.2006, 09:09 PM |


Marie Logoreci

Maria lindi në Shkodër më 23 Shtator 1920. I jati Palok Çurçia ishte zejtar kurse e ëma Roza, shtëpiake. Ajo u bë gëzimi i vetëm i familjes dhe prindërit u kujdesën ta edukojnë me ndjenja të flakta patriotike. Paloka ishte një nga themeluesit e "Shoqërisë punëtore" një shoqëri sindikaliste. Maria që fëmijë u njoh me vështirësitë ekonomike dhe me dramat shoqërore të kohës që ndjeheshin edhe në familjen e saj. Që në vegjëli Marien e thirrën me përkëdheli Tushi. Ishte fëmijë e mbarë, topalake e shoqërueshme me të gjithë moshatarët megjithëse ishte vajzë e vetme; ishte e butë e pa shenja llastimi e kokëfortësie. Tushi ngadalë u rrit dhe filloi shkollën femërore të "Motrave Stigmatine", një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative.

Vitet e shkollës kalojnë shpejt dhe Tushi rritet e hyn në gjimnaz. Që në këtë kohë filluan të duken prirjet e para. Ajo vizaton bukur, këndon dhe më vonë fillon t’a shoqërojë veten me mandolinë ose kitarë, nuk i pëlqen matematika dhe lënda e Besimit. Por kënga e vizatimi ishin pasioni i moshës. Fatmirësisht ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe në të cilat dëshmon një shpirt të butë e delikat dhe një raport fin me objektin që vizaton; dashuria, syri i mprehtë e vëzhgues, harmonia e ngjyrave dhe fantazia në vizatim të bëjnë të mendosh vetëm për talent.

Kënga dëgjohej kudo ku ishte Tushi, në shtëpi, tek fqinjët, në raste festash tek të afërmit. Me mësime shkonte mirë. Brenda një kohe të shkurtër mësoi gjuhët italiane e malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë ishte njohja që në vogli me zakonet, traditat dhe eposin e veriut nëpërmjet malësorëve që bujtnin në shtëpinë e të jatit. Njohja dhe më vonë studimi i këtyre zakoneve, mjedisit, folklorit e etnografisë u bë një pasion i ri për Tushin. Të jatit kur i thonin se Tushi është e shkathët si djalë, bisedon me të rriturit këndon dhe i bie mandolinës shumë mirë, ai përgjigjej: - "Po, por nuk është djalë!" ...Kujtonte kështu fëmijën e parë, djalin që i vdiq.

Duke shfletuar hartimet e shkollës së kësaj periudhe ndeshim një me titull: "Dje në Tiranë...sot në Shkodër..."

Më 27 të Nandorit shkova në Tiranë me e pritë kremtjen e flamurit. Atje ndeja edhe do dit të tjera me e pa ma mirë kryeqytetin,... - dhe pasi përshkruan bukuritë e Tiranes, vazhdon - Mbasi e njofta mirë, ktheva në Shkodër e u kujtova se më kishte marrë malli për njato pak dit që ndenja atje.

Mandej thashë: dje në Tiranë sot në Shkodër, ma mirë sot se dje, se si i thonë një fjalës: Vendin e huej ta lëvdoshin, por mbrendë mos i shkosh.

Nuk kaluan as 6 vjet dhe Maria shkoi përgjithmonë në Tiranë. Ajo u largua nga Shkodra në vitin 1937, në moshën 17 vjeçare, duke marrë me vete nga familja përveç frymës atdhetare, talentin, dashurinë për folklorin, mandolinën e saj dhe emrin e shkurtër Tushi që e shoqëroi gjatë gjithë jetës në familje e të afërm.

Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi. Pranë "Miqve të muzikës" kishte ndjekur për pesë vjet mësimet për instrumentin e dashur të Vjenës, violinën. Ai ishte ekonomist shumë i zoti dhe brenda disa vjetësh u bë Shef i Buxhetit të Shtetit dhe mori titullin më të lartë të kohës në Shqipëri "Kalorës i urdhërit të Skënderbeut". Kola ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit) një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Ai rridhte nga familja e njohur e Logorecëve që përmendet që në vitin 1300 me emrin Logoreseos. Në shtëpinë e Logorecëve Maria ra në kontakt me shoqërinë e kohës me bisedat e Matisë me Fishtën, Koliqin, Çabejin, Xhuvanin dhe me bisedat për Luigj Gurakuqin, e Mjedën (të cilin Matia e kishte djalë halle).

Në këtë mjedis pasioni i Maries gjeti terren që të zhvillohej dhe bota e saj shpirtërore e intelektuale u bë më e gjerë. Ajo filloi të mësojë nga i shoqi gjermanisht. Në pasionet e saj u fut edhe biçikleta. Bënte shëtitje duke shkuar me të shoqin me biçikleta shpesh në Durrës, por edhe deri në Shkodër.

Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme.

Në vitin 1947 bëri pjesë si soliste në korin e përgjithshëm të Shtetit me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit.

Duke parë aftësinë interpretuese të Maries kur këndonte i propozuan të punonte në Teatrin Popullor. Ky kalim ishte i vështirë edhe për Marien dhe për mjedisin. Por familja e emancipuar dhe i shoqi Kola luajti një rol të madh, jo vetëm duke qenë dakort, por edhe duke e ndihmuar, duke e liruar nga shumë punë që ajo të ecte përpara, të zhvillonte talentin e saj. Kështu në Nëntor të vitit 1947 për Marien u hap perdja e jetës së vërtetë skenike, ajo tashmë ishte aktore e Teatrit Popullor.

Rruga e saj skenike kaloi me perpjekje, por me kënaqësinë, e përmbushjes së pasionit dhe suksesit. Por kjo rrugë u pengua nga vështirësitë familjare nga vdekja e të shoqit Kolës dhe detyrimet që e vetme t’i plotësonte gjithçka të birit; që ai në atë kohë të formimit të personalitetit e karakterit të mos ndjente zbrazëtinë që normalisht shkakton mungesa e njërit nga prindërit.

Maria ishte shumë sistematike, gjithmonë e ngarkuar me punë por gjente kohë që të merrej me kopshtin, me lulet e shumta, me pëllumbat, qentë e macet, të gatuante, të përgatitej për shfaqjen të lexonte apo dëgjonte muzikë. Nuk thoshte kurrë "u lodha". Gjithmonë e shihje t’i bënte gjërat shpejt, plot energji e temperament, sa dhe kur ecte dukej sikur vraponte. Kishte një kujtesë që të mahniste, ajo mbante mend vargjet e legjendave tona, faqe të tëra nga Iliada e Odisea, siç mbante mend tekstet e shfaqjeve që ishin dhënë 30 vjet më parë.

Marie Logoreci ka mbetur në kujtesën e atyre që e kanë njohur ashtu siç ka qenë, e qeshur, e thjeshtë, e sinqertë, e gjallë e plot jetë; një grua me njohuri të gjithanëshme me të cilën kishe dëshirë të bisedoje për çdo gjë e të kërkoje një mendim, një këshillë.

Maria ishte në harmoni të plotë me temperamentin dhe specifikën e të gjitha tipareve të natyrës së saj, që kanë gjetur forcën e shprehjes, thellësinë psikologjike dhe pjekurinë artistike në artin e saj.

Me punën e saj krijuese Marie Logoreci na ka dhënë një galeri të pasur figurash që nuk harrohen për skalitjen me mjeshtri, për forcën shprehëse e realizmin. Gama e roleve të interpretuara nga Maria është e gjerë dhe e pasur në tipa e karaktere të afërt e të kundërt. Mjeshtëria interpretative dhe forca e saj emocionale janë shtrirë që nga anët më të ndritshme të shpirtit njerëzor deri në skajet më të errta.

Kujtojmë Alisa Lengton, borgjezen kapriçoze, konservatore, të kamufluar e raciste te "Rrënjët e thella".

Kristina Padera, hipokriten e djallëzuar, kreun e kompllotistëve tek "Komplloti i të dënuarve".

Gertruda, mbretëreshën që lufton me vetveten pa rrugëdalje te "Hamleti".

Fatimja, gruan e regjur me intrigat e oborrit, sa servile aq arrogante, te "Halili dhe Hajria".

Bernarda Alba, gruan e zezë me fuqi të ftohtë e tronditëse.

Kush e ka parë, nuk u emocionua e nuk fshiu një lot të fshehtë nga interpretimi i Maries në Loken te "Toka jonë".

Kështu në veprat e Shekspirit, Molierit, Lorkës, Gorkit etj., si dhe në veprat kombëtare të Kolë Jakovës, Ndrekë Lucës etj., numri i personazheve të interpretuara dhe numri i madh i figurave artistike të krijuara nga ajo, na japin në tërësi portretin e plotë të kësaj artisteje të shquar. Porteti i saj është veçanërisht shprehës, me tipare të qarta individuale, me ngjyrim të veçantë, me një harmoni të papërsëritshme të brendshme e të jashtme.

Karakteri dramatik, ekspresiviteti i lëvizjeve dhe tipareve, temperamenti i flaktë, kanë gjetur shprehje të plotë në të gjithë qënien dhe në vokalin e saj. Ajo di t’i imponojë spektatorit figurën artistike me të gjitha mjetet e arsenalit të saj aktoresk që nga pasuria intonative e zërit, deri te natyra dinamike e ekspresive e tipareve. Ajo ka arritur ta njohë deri në virtuozitet forcën akustike të zërit dhe veprimin e saj mbi spektatorin.

Puna e gjatë si aktore e bëri që t’i lindë interesi edhe ndaj regjisë. Aktiviteti i saj si regjisore është i suksesshëm por modest e nuk zë vend me rëndësi në krijimtarinë e saj, por tregon për interesat e saj të gjera, shpirtin krijues që nuk e humbi gjallërinë as nga vitet.

Maria ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Ajo ishte interpretuese në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, në 12 filma të Kinostudios dhe Televizionit. Interpretimi i Marie Logorecit në film ruan deri në një farë mase tiparet e interpretimit skenik. Rolet e para në kine- matografi sigurisht kanë patur vështirësitë e veta, gjë që ajo e ka vënë në dukje duke folur për interpretimin e saj në film. Është e kuptueshme, se ishin hapat e para të kinematografisë sonë, aktorët e teatrit sillnin një farë teatraliteti në interptretim, megjithatë heroinat e krijuara nga Maria në film, janë figura të individualizuara, çka ruajnë vlerën e tyre në historinë e filmit shqiptar në raport me kohën.

Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj. Duke qenë vrojtuese e mprehtë e jetës së popullit arriti të mbledhë polenin jetësor e ta hedhë në veprën e saj artistike duke i dhënë spektatorit shpirtin e njeriut, dhembjen, protestën, revoltën, urrejtjen, cinizmin, hipokrizinë, dinakërinë, etj... atë që është esenca e rolit, atë magji që shkakton një art të vërtetë. Gjuha e saj artistike është ekspresive dhe me kolor, mjetet skenike që ka aplikuar Maria, janë realizuar prej saj me mjeshtëri duke vënë vulën e vet të interpretimit, atë që ishte personale të Maria.

Rolet më të suksesshëm të saj janë: Xhesi te "Çeshtja ruse", Alisa Lengton te "Rrënjë të thella", Kristina Padera tek "Komploti i të dënuarve", Fatimja te "Halili dhe Hajrija", Aljona Patrovna te "Gjashtë dashnorët", Lokja te "Toka jonë", Ledi Milford te "Intrigë e dashuri", Tringa te "Shtatë shaljanët", Gertruda te "Hamleti", Bernarda Alba te "Shtëpia e Bernarda Albës", Tadrahova te "Morali i zonjës Dulska", Nëna Xhun te "Muri i madh pakapërcyeshëm", Mara te "Përkolgjinajt", Plaka te "Çatia e të gjithëve", Nëna te "Cuca e maleve", Gjela te "Përmbytja e madhe" etj.

www.logoreci.com

Kolë Jakova
shkrimtar

Loken e kam shkruar për Marien

Ata që e njohën së afërmi Marie Logorecin, sidomos në lidhje me punën në skenë, ndjejnë një dhimbje krenare tani që ajo nuk është mes nesh. Sa më tepër kohë të shkojë, aq më shumë do të rritet figura e saj si aktore, aq më tepër do të kujtohen rolet e saj të papërsëritshëm.

Si u çlirua Shqipëria mua më emëruan drejtor të të parit teatër shtetëror. Teatri nisi punën me aktorë partizanë, të ardhur nga mali, si Besim Levonja, Anton Pano etj., amatorë të qyteteve të ndryshme të vendit, të dashuruar pas artit të skenës që kishin luajtur edhe më parë si Loro Kovaçi, Mihal Popi, Mihal Stefa, Xhevat Serezi, Gjon Karma. Veç këtyre, në teatër kishim edhe vajza të reja si Behije Çela, Marta Buda, Liza Vorfi. Problemet e teatrit ishin të shumta dhe të vështira. Aktorë si Mihal Popi, Kadri Roshi dhe ndonjë tjetër kishin vetëm katër klasë fillore, kurse Besim Levonja nuk kishte qenë kurrë në shkollë. Ndaj duheshin mbushur boshllëqet.

Në këtë kohë erdhi Maria

- Ti duhet të vish në teatër!, - i thashë.

- Po mua më pëlqen të këndoj, - m’u përgjigj.

- E po mirë, herë pas here edhe do të këndosh. Këtu kanë ardhur edhe Behije Çela dhe Liza Vorfi që këndonin në Radio.

- Do të mendohem një herë, - tha.

Kështu Maria erdhi e u fut në ansamblin tonë. Regjisorët Pandi Stillu e Sokrat Mio që e morën në prova thanë fjalët më të mira. Skena për Marien nuk ishte e panjohur. Në një pjesë të huaj, Maries iu dha roli kryesor, bashkë me Naim Frashërin. Suksesi i të dyve qe i madh. Maria u paraqit e shkëlqyeshme në këtë rol, ku edhe u afirmua si aktore me merita. Me sa di unë Maria nuk vajti më të këndonte në Radio.

Më pas ajo luajti edhe role të tjera, në të cilat u dallua gjithnjë e më tepër. Kam parasysh rolin e Fatimes, magjistares në dramën "Halili dhe Hajria". Loja e saj me partner Naim Frashërin ishte me të vërtetë diçka e rrallë. Qeshja e saj dhe e Loro Kovaçit si dhe sjellja e tyre revoltonte edhe vetë aktorët në studio jo më shikuesit kur u shfaq në skenë.

Maria shkëlqeu jo vetëm këtu, por në çdo rol, si tek Shekspiri, në dramën spanjolle etj.
 
Besa Imami
Artiste e Merituar (aktore)

Pasione që buronin nga një shpirt i gjerë

E njoha Marien ashtu siç ish. E bukur, me sy, vetulla e flokë të zes. Tepër e gjallë, tepër e qeshur, me një gaz tingëllues. Me sy ekspresivë si të Maries, që ishin aq të ëmbël në butësi e aq të egër në inat. Këta sy i mbaj mend mirë, sepse shpesh më ka qëlluar të jem ballë për ballë me të në skenë si nënë e bijë, si nuse e vjehërr, si motra, si shoqe, si armike. Partnere serioze. Fantazia e saj... si bahçe me lule! (Ah lulet! Maria i deshte aq shumë. Kopshti i shtëpisë së saj edhe sot është si qilim me ngjyra të shumëllojshme dhe ky qilim ishte "thurur" nga ajo vetë. Ajo i mbillte, i prashiste, i ujiste...)

Me Marien, partneren e mirë, gjithë potencë, kam inter-pretuar në mjaft drama, nga kohët më të hershme e deri në rolin e saj të fundit ku ishim dublante.

Pothuaj tërë jetën skenike kemi qenë në një kabinë. Njëherë, tek punonim për të zgjidhur "maskat" e roleve tek "Morali i zonjës Dulska" ajo ishte e shqetësuar, diç i mungonte personazhit të saj. E pyes:

- Çfarë ke, moj Marie?

- S’po e gjej ça dreqin i mungon këtij grimi!,- m’u përgjigj dhe befas bërtiti,- E gjeta moj! Nishani! Nishani në faqe më mungon! Ai ma bën fytyrën jo vetëm të egër, por edhe të bukur para zonjës Dulska!

Kur përgatisnim dramën "Halili dhe Hajria" gjatë provave në skenë i them Maries që luante Fatimen:
 
Ndrekë Luca
Artist i Popullit (aktor)

Skena - jeta e saj

E pashë së pari në rolin e Alisës në dramën "Rrënjët e thella", ku Maria zbuloi qartë rrënjët e thella të talentit të saj që më vonë do të krijonte figura të përsosura nga dramaturgjia kombëtare dhe ajo botërore. Në këtë kohë ajo luante aq bukur edhe Fatimen fallxheshë, dinake e cinike në dramën "Halili dhe Hajria". Por personazhi që në të ardhmen do t’i jepte emrin e vet ishte Lokja, interpretuar prej saj për herë të parë në vitin 1954. Ishte e re për këtë rol, 34 vjeç, por Maria krijoi një nënë- loke me aq vërtetësi e besueshmëri, saqë me të drejtë gjithkush u trondit. Unë nuk gjej fjalë për ta përshkruar atë çast. Zëri i saj aq njerëzor me tingull tragjik mbyste dhimbjen e madhe dhe dukej sikur u bënte thirrje të gjitha nënave që të qëndrojnë krenare e burrërisht si ajo e të mos mposhten edhe para goditjeve të tilla. Kam interpretuar rolin e Lekës në atë shfaqje dhe thirrjen e Lokes e dëgjoja jashtë skene. Me tronditjen që më shkaktonte, hyja më vonë në skenë, ku e përqafoja për herë të parë nënë Loken, çka e prekte aq shumë publikun. Lokja-Marie, menjëherë kalonte në një gjendje tjetër shpirtërore dhe shfaqjes i jepte një tingull optimist. Kjo Loke tipizon plotësisht nënën shqiptare dhe me të drejtë vlerësohet si një nga figurat më të suksesshme në skenën tonë.

Me këtë rast po kujtoj një nga ngjarjet që lidhet me këtë rol. Ishim në turne dhe mbas shfaqjes na afrohet një fshatare plakë e na drejtohet: "A ma gjeni Loken, se dua t’i flas dy fjalë me të". - Unë jam Lokja - i tha Maria. - Ti?! - ia priti plaka e çuditur. Unë, - u përgjigj Maria duke qeshur, - apo nuk po ta mbush synin? Maria ishte me rrobat e saj, jo të personazhit. Plaka, mbasi e shikoi me vëmendje, iu kthye: - mos u qeshni me mua plakën. Deshta atë që pashë atje, - dhe bëri shenjë me dorë nga skena, - kurse ti qenke nuse e re. Atë ma dëftoni ku është, se dua t’i them diçka. Maria i drejtohet me ngrohtësi: Ç’farë don të thuash, moj nanë? - Dua të them... - vazhdoi fshatarja.- Ah, moj nuse, qava së bashku me të...qava me Loken, se m’u kujtua jeta ime e mjerë, plot dhimbje e vuajtje, pa asnjë ditë gëzimi. Desha ta përqafoj e t’ia shtrëngoj dorën... desha të them se ajo vuajti, por ma së fundi i erdhën ditët e gëzimit në jetë. Heshti, iu njomën sytë dhe, duke u përpjekur ta përmblidhte veten, vazhdoi: "Mos ma vini re, ju e shikoni, jam plakë, por... Lokes nuk iu shue shtëpia, i shpëtoi një djalë, kurse mue asnjë". Maria me lot në sy e përqafoi dhe u ulën të bisedojnë bashkë, kurse ne të tjerët u larguam.

Më vonë kur Maria interpretoi Bernarda Albën, shumë thanë se këtë rol sikur e kishte shkruar Lorka për të. Kaq fuqishëm shprehej despotizmi i saj përmes syve, zërit dhe plastikës, saqë ajo atmosferë mbytëse që krijonte në skenë kalonte edhe në sallë. Apo qëndrimi i saj në rolin e Tringës te "Shtatë shaljanët", ku nisi djalin e vetëm në një vdekje të sigurt, pa e dhënë veten para kësaj sakrifice. Askush nuk mund të qëndronte pa u tronditur para Maries-Tringë. Gertruda te "Hamleti" dhe Ledi te "Intrigë e dashuri", dy figura me botë të madhe shpirtërore që tingëlluan fuqimisht në skenë. Plaka te "Përkolgjinajt" që shikonte se po i shkatërrohej familja e saj e madhe patriarkale dhe përpiqej ta pengonte këtë, vepronte aq besueshëm, sa të vinte për të qeshur në shumë raste, kaq me vërtetësi e interpretonte Maria. Nëna te "Cuca e maleve" ishte një krijim aq i bukur, sa që, edhe pse nuk dilte shumë herë në skenë, ajo ngulitej te çdo shikues, kaq e dashur bëhej për të.
 
Margarita Xhepa
Artiste e Popullit (aktore)

Aktorja më shqiptare e të gjitha kohrave.

Maria Logoreci ishte një nga shtyllat e rëndësishme të zhvillimit të teatrit dhe pati fatin e madh të shkëlqente në kohët e mëkëmbjes së Teatrit Kombëtar. Vitet ‘50-‘60-‘70 janë padyshim më të ndriturat, ato përbëjnë një epokë më vete, nga e cila dolën gjigandë të vërtetë të artit.

Pikërisht atëherë shpërtheu talenti i saj i mrekullueshëm, si një ogur i mbarë për të gjithë ata që e shijuan nga afër. S’mund të harrohen ato vite. Nuk mund të vjetërohen kurrësesi fuqia dhe madhështia e grave që ajo aq hijshëm diti t’i lartësonte në skenë.

Loket e saj shqiptare janë të pashoqe, të papërsëritshme. Teatri ynë duhet ta quajë veten fatlum që pati një aktore si ajo. Dashuria për teatrin, vullneti, përkushtimi, zëri i saj melodioz, gjykimi i saj çudibërës janë mishëruar në një varg rolesh përmendore. S’ka pluhur t’i mbulojë ato, s’ka kohë dhe sistem t’i venitë. Kur ke thënë Marie, ke pohuar krijuesin dhe njeriun bashkë. Është e vërtetë që këto nuk shquhen te kushdo, veçse ajo dinte t’u shërbente që të dyve, dinte t’i shkrinte mjeshtërisht ato, duke i skalitur nga roli në rol.

Po, ajo ishte artiste e mirëfilltë, në çdo qelizë e pjesëz të saj. Ajo edhe paskëtaj do të vijojë t’i japë leksionin e vet kujtdo që do të guxojë t’i përvishet rrugës aq të mundimshme të aktrimit.

Na ka mbetur në mendje dhe në sy motra Tone e Kol Idromenos, pejsazhet e Vangjush Mios etj. Kështu është e skalitur Lokja e Marie Logorecit që është sintezë e gjithë Lokeve shqiptare.

Edhe paskëtaj, ajo do të vijojë të mbetet një nga Shën Mariet tona më të shtrenjta.

Maria u shfaq në skenën tonë si fenomen krejt i pazakontë për nga përmasat dhe përmbajtja. Këtë e provon më së miri e tërë krijimtaria e saj 40 vjeçare. Në repertorin e saj Maria ka një gamë të gjerë rolesh. E kujtojmë atë me dramën "Komploti i të dënuarve" në rolin e Kristina Paderës. Në interpretimin e këtij roli ajo zbuloi hipokrizinë djallëzore të kësaj gruaje që është gati të sakrifikojë çdo njeri mjafton që të arrijë qëllimin e saj.

Nuk mund të harrohet kurrë Marie Logoreci në rolin e Alisa Lengton te "Rrënjët e thella". Alisa e Maries është një vajzë kapriçoze, mondane, që ka vetëm një lustër të jashtme, që vetëm sa shqipton fjalët "barazi", "vllazëri", kurse në thellësi të shpirtit të saj është konservatore, e mbytur nga paragjykimet.

Një sërë rolesh të tjerë të suksesshëm janë: Gertruda te "Hamleti", Ledi Milford te "Intrigë dhe dashuri", Zabelina te "Orët e Kremlinit", Mara te "Përkolgjinajt", Prenda te "Cuca e maleve", Tringa te "Shtatë shaljanët", Manushaqja te "Drita", Fatimja te "Halili dhe Hajria" etj.
 
Tish Daia
Artist i Popullit (kompozitor)

Maria këngëtare

Maria ka kënduar që e vogël, por e njohur në të gjithë Shqipërinë u bë mbas luftës. Ajo këndonte në aktivitetet e rëndësishme që bëheshin përkrah të mirënjohurve Gjyzepina Kosturi, Maria Kraja, Kristaq Antoniu, Jorgjia Truja, Hysen Pelingu etj., të shoqëruar nga Lola Gjoka e nga Mario Ettore. Pjesëmarrja e saj në Radio Tirana e bëri të dashur e të njohur për publikun e gjerë. Këndonte gati çdo ditë drejtpërdrejt 5-6 këngë nga repertori i saj i mbi 100 këngëve. Në nëntor 1946 me Korin e Përgjithshëm Shtetëror bëri një turne në Jugosllavi e Bullgari ku këndoi si soliste përkrah Kristaq Antoniut dhe Hysen Pelingut. Suksesi në koncertet e dhëna ishte i madh. Jehona e tij u ndje mes artistësh, gjë të cilën e pasqyroi edhe shtypi i kohës.
 
Pirro Mani
Artist i Popullit (regjisor)

Ajo ishte personifikim i epikës

Isha shumë i ri, i pasionuar pas muzikës, dëgjoja në kinema "Kosova" apo në radio duke kënduar Marie Logorecin një mexosoprano që të magjepste me zërin e saj të ngrohtë, muzikalitetin, ishte një mrekulli në atë thatësirë artistike të asaj kohe. Njerëz si Maria ishin për ne si oaze, burim me ujë të pastër e të kthjellët.

Pasi kaluan disa vite, unë do të filloja shkollën për aktor. Në verë para fillimit të shkollës shkojmë në plazh me disa shokë. Atë ditë e kam parasysh në çdo moment. Po qëndronim në rërën e nxehtë pasi ishim larë, kur nga uji dolën dy gra të reja e vijnë drejt rërës. Pamë njeri tjetrin.

- Sa e bukur!

- Është Marie Logoreci, - tha njëri nga shokët.

- Këngëtarja?

- Jo, nuk këndon më, ka shkuar në teatër!

Mua më doli parasysh imazhi i njohur me kostum popullor që e kisha parë nga larg në skenë.

E pashë Marien me tiparet, sytë, flokët, trupin e bukur, lëkurën ngjyrë ulliri të hapur e mendova: "vërtet kështu janë aktorët", kështu i kishim parë nëpër filma dhe u mbusha me një ndjenjë të çuditshme shprese e krenarie. Edhe unë do të studjoja e do të bëhesha aktor.

Pasi kreva Liceun Artistik për aktor më morën në teatër dhe aty luajta disa role episodike. Në atë kohë në teatrin e Tiranës ishin grumbulluar nga gjithë Shqipëria por sidomos nga Shkodra e Korça, qytete me traditë. Në mes të të talentuarve ishte dhe Maria që vinte nga familja e Logorecëve e njohur dhe e nderuar në Shqipëri.
...
Eshtë e vështirë të thuhet e të shkruhet imazhi, marrëdhënia, megjithatë do përpiqem të them çfarë përshtypjesh kam për Marien.

Kështu fillova vitet e bashkëpunimit me aktorët e mëdhenj të teatrit të Tiranës. Që në rolet e para që ndava, sigurisht Maria kishte role kryesore se edhe vetë shkrimtarët i kishin shkruar për të, "Përkolgjinajt", "Cuca e Maleve", "Përmbytja e madhe". Mënyra si Maria punoi me këto personazhe, botën e të cilave e njihte mirë, ishte mahnitëse, vetë natyra e saj nuk e pranonte artificialen, të huajën. Maria në çdo sekondë ishte Ajo. Ishte një sinqeritet poetik plot vërtetësi artistike që dilte nga shpirti i Maries, e, është i saj. Nuk huazonte Maria, nuk e pranonte protezën, prandaj rolet e saj ishin të pastër, të kulluar, të thellë, pasionantë, të logjikshëm, të sinqertë, që komunikonin me spektatorin. Këto fjalë janë pak letrare, pozaike, sa keq që nuk mund të thuhen në poezi. Nga interpretimet e saj nuk më harrohen kurrë, Alisa te "Rrënjët e thella", Kristina te "Komploti i të dënuarve", apo edhe roli i vogël, por që është figurë shumë e qëndisur, Magjistarja te "Halili dhe Hajria", një kararkter mjaft i njohur.

Më kujtohet në punën me rolin te "Cuca e Maleve", ajo na shpalosi rolin që ditën e parë duke na dhënë të plotë atë që unë imagjinoja për këtë personazh. Ajo jo vetëm krijoi rolin e vet, por duke qenë e besueshme dhe e vërtetë u imponohej edhe partnerëve. Mendoj se kulmi i Maries ishte Gjela te "Përmbytja e madhe". Ajo ishte një figurë simpatike, një figurë kontrapuntale, e si e tillë ishte një copë e vërtetë e asaj malësie, e psikologjisë, një copë shkëmb i atyre maleve. Ajo ishte një dhimbje. Harmonia e interpretimit, muzikaliteti, vërtetësia e madhe e veprimit psikofizik, mënyra si e dëgjonte partnerin, si gjestikulonte, të gjitha këto krijuan një figurë që do ta krahasoja me Nënën Kurajë të Brehtit të luajtur nga Helen Vaiger (e shoqja e Brehtit). E them i bindur se Gjela e Marie Logorecit është në atë nivel me Nënën Kurajë të Helen Vaiger. Ai ishte një personazh që nuk e ka patur më skena jonë. Sigurisht një pjesë e të rinjve sot nuk e dinë se ç’është ky rol i Maries, por ata që e kanë parë në skenë shpërthimin e Maries nuk do të harrojnë sytë e saj, zërin e saj. Ajo ishte Marie Logoreci. Kritika shqiptare i është shumë borxhlie teatrit në përgjithësi e Marie Logorecit në veçanti. Unë them me bindje Marie Logoreci është Eleonor Duzë, Greta Garbo, Sara Bernar, Jermollova.

E prisnin Marien nëpër turne si një njeri të jashtë-zakonshëm, në rrethe të ndryshme në Shqipëri, por edhe në turnetë në Kosovë.

Asgjë nuk mund të zëvendësojë emocionet që ajo të shkaktonte në skenë, emocionet që ia jepte spektatorit, por edhe ne kolegëve. Regjistrimet që na kanë mbetur prej saj, fatkeqësisht, për shumë arsye na japin një imazh të kufizuar e mjaft të zbehtë të talentit e figurës së saj të madhe.

Çdo teatër, ai italian, francez, gjerman, rus, anglez ka karakteristikat e tij, ka fytyrën e tij që i përshtatet dhe është njëkohësisht shprehës i karakterit të popullit të vet, pra shpirti i tij. Çdo teatër ka edhe aktorët e mëdhenj të tij, që janë ata që përmenden bashkë me teatrin e secilit vend. Po kështu ndodh edhe me teatrin shqiptar. Marie Logoreci është një nga këto emra që e përfaqëson. Marie Logoreci me rolet që krijoi dha me mjeshtëri figurën e shqiptares, të asaj të Shqipërisë së Veriut. Ajo ishte personifikimi i epikës. Pra shkurt, të gjithë ne kemi vënë gurë në zhvillimin e teatrit, por Maria e disa të tjerë kanë vënë ata gurët e mëdhenj të themelit që nuk lëvizin. Ajo ishte shumë shqiptare në çdo qelizë të saj e të artit të saj.

Këto figura si Maria e shokët e saj të mëdhej të teatrit shqiptar, janë vlerësuar, për mendim tim jo aq sa duhet në kohën e vet, por vlera e tyre rritet çdo ditë se ata janë pika referimi.

Madhështia e saj u arrit në rolet që ajo mishëroi te "Toka jonë", "Përkolgjinajt", "Cuca Maleve", "Përmbytja e madhe" etj.

Bashkëkohësit 20-30 vite rresht, të moshuar e fëmijë, intelektualë, punëtorë e fshatarë të gjithë e thërrisnin "Loke". Ky ishte emri më i bukur që ajo i dha vetes me talentin e saj. Një emër që tingëllonte bukur kudo ku e thërrisnin.
 
Drita Pelingu
Artiste e Merituar (aktore)

Artistja që mishëroi vlerat morale të gruas shqiptare

Sa herë e kujtoj Marie Logorecin më del para syve Lokja e skenës shqiptare dhe... një ndër bukuroshet e saj. Kur themi Lokja do ishte e pamjaftueshme të identifikonim me të vetëm personazhin tek drama "Toka jonë" e Kolë Jakovës. Padyshim që kjo figurë ka lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën e spektatorit, por këto mbresa u përforcuan dhe krijuan kurorën e Lokes-Marie kur aktorja luajti edhe Marën te "Përkolgjinajt" e Kolë Jakovës, Tringën te "Shtatë shaljanët" e Ndrek Lucës, Prendën te "Cuca e maleve" e Loni Papës, Gjelën te "Përmbytja e madhe" e Kolë Jakovës etj. Te të gjitha këto nëna malësore, Maria, me përshtatshmëri e organicitet të jashtëzakonshëm nënvizoi elementët e rinj të jetës shoqërore.

Njohja e mirë e mjedisit ekzistues dhe, nëpërmjet literaturës dokumentare dhe artistike njohja e peripecive në të kaluarën e vendit e ndihmoi artisten e mirënjohur për të krijuar figura në gjithë gamën e gjerë shpirtërore, mendore e fizike të tyre. Ato mishërojnë vlerat morale të malësores shqiptare ndër mote: dashurinë, dhembshurinë, burrërinë, trimërinë, mikë-pritjen, zemërdridhjen apo vetpërmbajtjen.

Nënvizojnë pozicionin shoqëror të gruas dhe vendin që ka zënë ajo në familje. Një notë dhimbje i shoqëron këto nëna. Po në të njëjtën kohë Maria nënvizon intuitën, trimërinë dhe vetpërmbajtjen e tyre.

Me interes është fakti se të gjitha këto nëna malësore, këto Loke, kanë të veçantën e tyre që i dallon shumë nga njëra tjetra. Në të njëjtën kohë ato i bashkon një karakteristikë e përbashkët: janë nëna orgjinale shqiptare ndonëse i përkasin një treve të caktuar gjeografike.
 
Agim Zajmi
Artist i Popullit
(Piktor, skenograf, profesor në Akademinë e Arteve)

Nuk e përfytyroj Loken ndryshe, veç, me fytyrën e Maries...

Dua të filloj bisedën në aspektin viziv. Kujtoj Marien e re dhe Marien e vjetër në moshë. Disa njerëz janë të bukur nga ana vizive kur janë të ri, ndërsa kur plaken e humbin. Maria, unë nisem si piktor, ishte e bukur kur ishte e re, ndoshta ishte më e bukur e moshuar. Ishte rast i rrallë. Me këtë pamje të bukur e kujtoj Marien edhe në skenë, interesante kur ishte e re, më interesante kur ishte e moshuar. Gjatë punës artistike në skenë ajo fitoi një ekspresion plot vitalitet, që rrallë e ka aktor tjetër. Ndoshta ishte aktorja më e kompletuar që ka pasur Teatri Kombëtar në drejtim të një loje realiste, e cila përveç realizimit mjeshtëror arrinte në kontakte artistike bashkëkohore, me forcën shpirtërore e temperamentin e saj. Përveç zërit të mreku-llueshëm, sytë e saj ishin magjepsës, sy që zhbironin deri spektatorin e fundit. Portreti i saj ishte i tillë që më bënte të mendoj: si nuk ka një regjisor që duke parë Marien të vërë në skenë "Medea-n". Është fatkeqësi që në teatër nuk u vunë disa pjesë të fuqishme si "Medea" ku ajo të shpaloste tërë magjinë e artit të saj.

Maria ishte njohëse e mirë e veshjeve kombëtare. Si skenograf unë duke ruajtur veçoritë dhe natyrën e kostumit popullor, e stilizoja. Diskutonim bashkë se ajo njihte me detaje çdo element që kishte kostumi kombëtar. Këtu ne bënim një diskutim krijues jo vetëm për kostumin, por edhe për mjedisin të cilin ajo duke qënë nga Veriu dhe e pasionuar, e njihte shumë mirë. Gjëja që kujtoj ishte që vinte në teatër gjithmonë me vrap dhe tek dera e teatrit ajo hynte me një vrull të çuditshëm (siç duket nga ngarkesa e punëve në shtëpi) dhe apelit të aktorëve i përgjigjej tek hynte në derë: - Këtu! Këtu!

Në veprat kombëtare ku ajo interpretonte, çuditërisht, pjesët fillonin me futjen në skenë të figurës që ajo luante ose hapja e perdes e gjente atë në skenë. Marien e shikoje në skenë shumë më përpara. Perdja ishte ende e mbyllur, ajo kishte filluar shfaqjen me anë të kujtesës... Nuk donte biseda. Nuk jepte përgjigje. Dy aktorë kam parë tek rrinin kështu në skenë para fillimit të shfaqjes, Loro Kovaçin dhe Marien. Më kujtohet gjatë një turneu në Kosovë, ku kishim para një publik dashamirës, një publik që nëpërmjet skenës komunikonte me Shqipërinë. Unë gjithmonë parafytyroja se, për ta, kur hapej sipari ishte njëlloj si të hapej kufiri e ata mund të hynin në Shqipëri. Para fillimit të shfaqjes u futa në skenë. Aty gjeta Marien që kishte ndezur kandilin të cilin në fillim të shfaqjes do ta mbante në dorë.

...

Maria kishte dy gjëra kryesore: sytë verbues, shprehës dhe vizionin plastik. Ajo ka qenë kundër efekteve, mbështetej, në të dhënat e saj të natyrshme. Ajo kishte një portret shumë shprehës. Po nuk pate fotografi, pas një kohe prej disa vitesh, humbet vizioni i njeriut. Kurse Marien edhe pas kaq vitesh mund ta vizatoj sepse ishte figurë e veçantë, karakter, me linja të pastra. Ajo ishte vizuale.

Në jetën private, jashtë skenës, ishte njeri me humor, dhe bënte humor vazhdimisht me Gjon Karmën, me të cilin kishte njohje më të vjetra, këndonte me Behije Çelën, se ato të dyja kishin qenë këngëtare dhe prej tyre në teatër krijohej një gjendje e ngrohtë. Ajo ishte shumë modeste, ishte artiste e madhe në skenë dhe njeri në jetë. Ishte një nënë e urtë, e qeshur, e muhabetit. Të krijonte përshtypjen e njeriut që e ke në familje. Me Marien uleshe, pije kafe e të dukej vehtja sikur je në shtëpinë tënde. Nuk paraqitej e veçantë, megjithëse ishte e veçantë.

Pa dashur të fyej askënd dua të them se në disa momente të caktuara koha sjell në jetë talente. Tani Marie nuk ka. Nuk e parafytyroj Loken ndryshe vetëm me fytyrën e Maries, nuk parafytyrohet Gjela veçse si Maria, por edhe Bernarda Alba etj. Siç themi për bustin e Skënderbeut të cilin Odhise Paskali e ka përjetësuar.

Rolet e dramaturgjisë shqiptare që Maria ka luajtur duket sikur autorët i kanë shkruar për të, e them këtë se aktorët e tjerë të teatrit ishin të planeve të tjera. Nuk kishte regjizor që të mos kuptonte se ato role ishin për Marien. As në atë kohë, as sot, nuk mund t’i luante askush si ajo. Por Maria jetoi e punoi në një periudhë të artë të teatrit, mes aktorëve të mëdhenj. Ajo pati fat që e lindur për aktore u bë e tillë dhe punoi me të tillë. Kjo plejadë kishte aktorë të të gjithë planeve, ata bënin një fjali me të gjitha shkronjat. Ne sot ndjejmë se na mungon Maria, Loro Kovaçi, Gjon Karma, Mihal Stefa, etj, etj, ku secili kishte zërin e vet, sillte fjalën e vet.
...
Them që rolet e saj janë të papërsëritëshme, kjo nuk është superlativë, por një e vërtetë. Maria është e madhe në mes kolegësh të mëdhenj si Loro Kovaçi, Sandër Prosi, Ndrek Luca, etj., që krijonin bashkë atë orkestër madhore të zërave dhe të interpretimit.
 
Gjon Karma
Artist i Merituar (aktor)

Vajza e vogël me emrin Tush... artiste e madhe

Kur isha fëmijë, më kujtohet një vajzë pak më e vogël se unë, rreth moshës 7-8 vjeçare, me emrin Tush. Tushi ishte një vajzë topolake, e bukur dhe shumë e shoqërueshme me fëmijët. Megjithëse i kishte të gjitha mundësitë (predispozitat) për të qenë fëmijë e përkëdhelur (babai dhe nëna s’kishin tjetër fëmijë dhe veç sytë e saj shikonin), Tushi e vogël nuk tregonte asnjë shenjë llastimi e kokëfortësie, por afrohej me shoqet e shokët dhe i donte sikur t’i kishte motra e vëllezër.

Unë banoja në një rrugë me të. Dera e oborrit tim ishte katër pesë metra përballë derës së saj. Çdo ditë, së bashku me moshatarët luanim herë në oborrin tim e herë në oborrin e saj. Ne e nxitnim herë pas here që të këndonte dhe ajo, me ata sy të zes e shikim të thellë, pa asnjë ndrojtje fëmije këndonte me një zë të fortë e melodioz, sa të gjithë të afërmit e komshijtë dilnin nëpër dyer e dritare për ta dëgjuar... Babai i saj, Palok Çurçia, burrë i ndershëm dhe patriot, punonte këpucar, kurse nëna e saj, Roza ishte një grua shtëpiake shumë e thjeshtë, e dashur, e buzëqeshur me të gjithë komshijtë e farefisin...

- "Tush", - e thërriste e ëma, dhe kjo menjëherë vraponte në shtëpi.

- "Erdha nanë"!...

Bënin jetë familjare të mirë, jo me pasuri, por me nder e dashuri.

Më vonë Tushi hyri në shkollën femnore që ishte në atë u mirëprit nga shikuesi dhe kolegët e saj. Më vonë Tushi hyri në shkollën femnore që ishte në atë kohë në Shkodër. Aty, përveç mësimeve shkollore, nxënëset merreshin edhe me këngë, recitime, teatër fëmijësh etj. Sa për këngë Tushit nuk ia kalonte asnjë nga shoqet, por ajo u dallua edhe në disa bocete teatrore. Me kalimin e viteve u lanë lodrat e fëminisë. Tani Tushi kur dilte për të shkuar në ndonjë vend apo për vizitë, ishte gjithmonë e shoqëruar me dajën e vet Zef Bjankun, sepse në ato kohë të zymta vajzat nuk mund të dilnin vetëm rrugës. Kështu Tushi filloi të shihej më rrallë. Në mbrëmjet e qeta të verës, ne komshijtë e afërt e dëgjonim me ëndje tek këndonte këngët popullore shkodrane.

Tushi e la Shkodrën kur u martua me Kolë Logorecin, djalin e patriotit Mati Logoreci. Megjithëse babai, nëna dhe të afërmit nuk e lëshonin kurrë nga goja emrin Tush, këtu në Tiranë ajo u njoh me emrin e saj të vërtetë, Marie Logoreci.

Në fillim ajo nisi të këndojë këngë popullore në Radio Tirana, ku u prit mjaft mirë nga publiku e pati shumë sukses. Aty u njoh me disa artistë të shquar si Kristaq Antoniu, i cili, duke vërejtur ekspresionin e syve të saj të thellë e guximin e saj në sjellje e këshilloi të bëhej aktore teatri. Maries nuk i kishte shkuar ndërmend asnjëherë kjo gjë. Më në fund, duke parë përparimin që kishte bërë teatri dhe shoqet e saj, u bind... erdhi e bëri një provë në teatër dhe u pranua menjëherë. Ishte viti 1947.

Sapo u pranua në teatër, Maries iu dha një rol kryesor në një dramë të huaj, ku si partner kishte aktorin e ri Naim Frashëri. Këtë pjesë e mbaj mend mirë, pasi luaja edhe vetë në të, së bashku me Liza Vorfin. Regjisori, duke e parë të përshtatshme si fizik për atë rol femre të re, u përpoq e punoi pa masë që ta nxjerrë sa më mirë. Ai e shihte se ajo nuk e kishte përvojën e skenës, por vërente talentin që Maria deri atëhere e kishte ndrydhur brenda vetes "si floririn e fshehur brenda malit". Dhe kështu me përpjekjet e saj dhe të regjisë, doli në dritë roli i parë i Maries, Xhesi. Ky rol i realizuar në mënyrë të shkëlqyer u mirëprit nga shikuesi dhe kolegët e saj. Pastaj Maria bëri emër në Teatrin Popullor dhe rolet e saj erdhën njëri pas tjetrit. Pas rolit të parë që përmendëm më sipër, dubloi rolin e Elmirës në komedinë "Tartufi" të Molierit. Në dramën "Rrënjët e thella", në rolin e Alisa Lengtonit ishte e pakrahasueshme.
 
Ilia Shyti
Artist i Merituar (aktor)

Si u njoha me Marien

Ishte viti 1954 kur u largova nga qyteti im i lindjes Lushnja dhe erdha në Tiranë. Dita e parë që shkova në teatër ka mbetur e paharruar në kujtesën time. Ishte ora 16 e 30 minuta, koha e ardhjes së aktorëve për tu përgatitur për shfaqjen. Me të hyrë në oborrin e teatrit pashë kryeregjisorin Pandi Stillu që dilte nga studioja.

- Erdhe!? - më tha.

- Po, tashti jam i juaji.

Më shtrëngoi fort, ashtu siç e kishte zakon i ndjeri Pandi.

- Marie - thirri ai.

Në këtë kohë kapërcen derën e oborrit të teatrit "Lokja" siç e njihnim ne, Marie Logorecin. Ishte hera e parë që e ndeshja përballë këtë artiste kaq të njohur që në atë kohë, e kisha parë në shfaqjen "Toka jonë" të Kolë Jakovës.

- Eja Marie të takosh Ilian, aktorin e ri të teatrit tonë - i tha kryeregjisori.

- Ilia, - pyeti, - mirëserdhe, paç këmbën e mbarë, suksese! Pastaj duke u larguar, - më fal më duhet të iki. Mirupafshim nesër në orën nëntë. Mos harro të shohësh shfaqjen sonte, - dhe fluturoi.
...
Por koha kur interpretoi Maria ishte një periudhë e artë e Teatrit shqiptar dhe ndoshta e artit në përgjithësi në Shqipëri, ashtu siç kanë pasur të gjithë popujt periudha të tilla në historinë e tyre. Në këtë periudhë me talente të mëdhenj, njeri nga ata ishte Marie Logoreci. Ajo në atë kohe ishte idhulli i shumë aktoreve dhe shkroi në historinë e teatrit shqiptar faqet e saj.
 
Tinka Kurti
Artiste e Popullit (aktore)

Eshtë e rrallë dhe e madhe

Si sot më kujtohet takimi i parë, i çuditshëm me Marie Logorecin. Unë vija nga Shkodra në Tiranë për të vazhduar politeknikumin e ndërtimit, por rastësia bëri që konvikti i shkollës të ishte zënë e mua më çuan në konviktin e Liceut Artistik, për fat ndoshta, nuk u ktheva më në politeknikum se më propozuan (këtu po kujtoj kompozitorin tonë, të paharruarin Tonin Harapi) që unë të vazhdoja shkollën e artit dramatik dhe për këtë duhet të bëja një provim. Provimin do ta bëja para regjisorit rus, Dudin, një regjisor me emër shumë të madh që ndenji për pak kohë në Teatrin Popullor. Në sallë kishte disa aktorë, regjisori rus dhe regjisori ynë Anton Pano. Unë e dija se në Teatrin Popullor kishte shumë aktorë me emër që ishin shkodranë. Ajo që më tërhoqi vemendjen ishte një grua shumë e bukur në fund të sallës që po rrinte pranë sobës duke futur dru në furrën e saj.

Ndërkohë provimi kishte filluar dhe unë duke iu përgjigjur pyetjeve të regjisorit rus i thashë se luaj me top. Atëherë ai më pyeti, nëse shkoja në stadium. Unë nuk e dija çfarë ishte stadiumi. Në këtë moment ndërhyri ajo gruaja e bukur me një zë melodioz:

- Na në Shkodër i thona "Fushë topit"!

Mua më befasoi, zëri, që diku m’u duk se e kisha dëgjuar, aq karakteristik ishte. Dhe nuk isha gabuar, e kisha dëgjuar në radio ku Maria këndonte. Pra kjo ishte Maria Logoreci.

...

Më vonë unë kam pasur fatin të luaj te "Toka jonë" me Marien, Loron, Ndrekën në një shfaqje të përbashkët (duhet thënë këtu që "Toka jonë" ishte vënë edhe nga Teatri i Shkodrës) ku Lokja, Tuçi e Leka ishin nga Teatri i Tiranës. Për mendimin tim, pa dashur të fyej askënd ai ishte një spektakël brilant që nuk përsëritet. Dhe ndoshta ishte ky rol, Filja, që mua më tha "rri në teatër". Kisha filluar në teatër në ‘49, drama u vu në ‘54. Unë isha në mëdyshje, duhet të rri në teatër, apo jo? Se të jesh i fundit më mirë të mos jesh. Në këtë shfaqje unë pata sukses, spektatori e priti me ovacione e shtypi shkroi artikuj të bukur. Por më e madhja ishte se me gjithë atë mrekulli që kishte bërë Marie Logoreci me Loken që spektatori edhe sot atë Loke njeh, kënaqej për suksesin tim dhe me dashamirësi më prezatonte mua para publikut.

Bashkë me Marien kam interpretuar edhe në film, që nga filmi "Tana". Por filmi ka specifikën që aktori është partner në rol e nuk është partner në studio. Kështu në këtë film nuk kemi qëndruar shumë bashkë, se Maria për problemet familjare që kishte largohej shpesh për në Tiranë. Shumë më vonë kam xhiruar "Operacioni zjarri" dhe kujtoj atë disiplinë që kishte ajo grua, ishte shembull për të gjithë. Xhironim natën në një ambjent të lagësht. Bëhej gati e para dhe shpesh ishte e pakënaqur me punën e saj dhe ngulte këmbë për rixhirime.

- Marie, - thoshte regjisori - ishe mirë, moj.

- Jo, jo e ndjej unë, due ta baj prap nesër!

Ajo ishte një shkollë për ne dhe i dha shkollë artit shqiptar. Unë e kam ndjekur vazhdimisht dhe mendoj se kam mësuar shumë prej saj.
 
Klara Kodra
kritike letrare, përkthyese e gjuhës italiane

Maria Logoreci, ashtu si m’u shfaq

Më ka mbetur në mendje që nga fëminia një kujtim për Marie Logorecin.

Isha trembëdhjetë vjeçe. Për herë të parë shkoja në teatër, në Teatrin "e vërtetë", në atë të të rriturve e jo në Teatrin e Kukullave. Pra, babai më çoi në teatër të shihja dramën "Toka jonë". Këtë dramë unë e kisha lexuar. E kishim në tekstin tonë të shkollës.

Dhe ja, më dukej sikur personazhet dilnin përmes një mrekullie nga libri dhe shndërroheshin në njerëz të gjallë.

Maria m’u shfaq si një plakë e imët, me fytyrën e gdhendur nga rrudhat si shkëmb. Në atë shkëmb shkëlqenin si burim drite sytë që derdhnin rreze mbi ne spektatorët. Unë i përfytyroja nënat të bukura e të reja siç ishte mamaja ime.

Maria m’u duk si një "gjyshe" apo si një zanë plakë e përrallave që më tregonte dikur mamaja.
...
Maria qe aktorja e parë që njoha dhe admirova, që zbuloi para syve të mi prej fëmije botën magjike të teatrit.
 
Pjerin Logoreci
Botues

Kujtimet e mia per mamën

Ngjarjet me të cilat nëna ime bën pjesë në kujtesën time në mënyrë të pashlyeshme janë të pafund. Megjithëse kanë kaluar mjaft vite që kur ajo u nda prej nesh unë e ndjej me të gjitha qelizat e trupit mungesën për të: për humorin e mënyrën e të shprehurit figurativ aq karakteristik, për ëmbëlsinë e kujdesin e saj të rrallë, për këshillën e mençur, të kujdesshme e largpamëse, për masën e saktë në të folur e të vepruar, për zemërimin e saj të vrullshëm, për praninë e saj, për qënien e saj.

Edhe sot sa herë që ndodhem në një udhëkryq mendimi dhe veprimi, ndjej veten ta pyes dhe ajo më përgjigjet me zërin e saj të kthjellët e melodioz me timbrin e bukur që e kam në mendje që kur kam lindur e do të më shoqërojë deri në fund të jetës. E ndjej përsëri këshillën e saj që më vjen në mënyrë të natyrshme nga ndërgjegja, por nganjëherë më vonon e herë herë më mungon. Dhe kjo është mungesa më e madhe, zbrastësia më humnerore që ndjej. Ndjej që çdo ditë ajo largohet prej meje duke u pluhurëzuar dhe unë mundohem ta mbaj, ta prek, ta ndjej, ta shoh imazhin e saj ekspresiv, ta kap me thonj për të mos rrëshqitur nga kujtimet, imazhet, vegimet.

Për të shkruar për nënën time sigurisht që është shumë e vështirë, por doja që ky libër ta kishte edhe këtë shkrim për ti dhënë edhe diçka më shumë nga jeta personale e saj. Kështu do të mundohem të organizoj kujtimet e mia të shumta në ato aspekte të jetës së përbashkët që për mua u bënë mësim.
...
Pas 10 vjetësh shkova në Teatrin Kombëtar që tani ka ndryshuar shumë që atëhere. Nuk është ai mjedis mikpritës e i ngrohtë, mungon zëri i bukur i Naim Frashërit, e folura plot pasion e sinqeritet e Ndrek Lucës, mungojnë të gjitha ato fytyra të njohura që u bënë të dashura për mua. Të gjithë ata që nuk janë më Loro Kovaçi, Mihal Popi, Sandër Prosi, Prokop Mima etj., por edhe ata që tashmë nuk shkojnë më Pirro Mani, Ilia Shyti, Drita Pelingu, Margarita Xhepa, Liza Vorfi, Ndrek Shkjezi...

Në oborr në një tavolinë janë mbledhur aktorë të rinj, disa prej tyre nuk i njoh si emra. Në mes tyre edhe Lazër Filipi. Unë iu afrova tavolinës.

- Ou Pjerini!,- tha Lazri duke buzëqeshur,- Pjerini është djali i Maries dhe ne për Marien ngrihemi në këmbë, - tha duke iu drejtuar të tjerëve.

Të gjithë u ngritën.