E shtune, 28.03.2020, 01:56 PM (GMT)

Kulturë

Nebi Dragoti: Dritë e poetëve

E diele, 28.10.2018, 10:54 AM


NEBI DRAGOTI

KORRIK-GUSHT

Çmenden gjinkallat nga vapa,

kërcet shalqini në arë;

ngarkuar plot e përplot fshatrat.

Rrushi në vreshta bëhet mjaltë,

nxihet e zverdhet nga pjekja.

Fusha u deh,

a na godet, a na gostit

me shalqi a bostan?

Fiku gjithë krekza në degë

kullon buzëçarë;

neve na përqesh…

A e dini?

Desha t’i ngjaj natyrës:

unë ulur mbi shalqinj

a nën vreshtë,

mbushur frymëzim e ëmbëlsi

shkarkohem në vjershë.

-Aaa, për vete ,- thoni ju?!

-Jo, jo, jo!

Ja, siç bën natyra me frutat,

unë poezinë për ju e pjek…

Korrik-gusht,

zheg që djeg.

Korrik-gusht

plot me ëmbëlsi,

plot me musht.

DRITË E POETËVE

Të rëndët poetë në ecje , në marsh

ardhur prej shekujsh porsi mysafirë;

e rëndë poezia e tyre, i rëndë  ç’do varg,

i rëndë çdo mendim, e ëmbël çdo rimë.

Të rëndët poetë me mision si ushtarë

lodhur prej shekujsh, por ardhur krenarë…

Ulemi në tavolinë si miq të vërtetë;

shfletojmë poezitë , figurat, mesazhet,

për filozofi e këshilla kapelen u heq,

kapelen u heq për mesazhet me vargjet;

diskutojmë figurat e artin e madh

ç’ bagazhe sjellin poetët nga larg.

Nerud, Majakovsk, Esenin, Uitman,

letërsi lindjeje dhe letërsi perëndimi

servirin vepra me vlerë si margaritar.

Në diskutim për Migjenin dhe për Pushkinin:

natyrshëm mal ligjëratash ngrihen si flakë,

hej Nerud, Majakovsk, Esenin, Uitman!

“Na ndëgjoni, bëjmë përpara. Ej, rrugën shihni!

Ju në udhën e artit na ndiqni nga pas!

Hapnani krahun! Rrugën mos na zini!

Vëzhgonani mirë në rrugën e mbarë,

nuk lodhemi rrugës së drejtë dhe të gjatë.

Ngjitemi lart dritë t’i japim dhe yllit polar…

PËR NË VLORË

Imitim.

Në hyrje për në Vlorë

ullishta më pret me fëshfërima degësh

si me fëshfërima vargjesh të Fatos Arapit

si himne të paqës plot zëra melodiozë…

Pastaj, së pari, përshëndetem mallshëm

me të broncëtin Monumenti i Pavarsisë;

miqësisht për shëndetem dhe me Fatosin

me korifeun tonë të letërsisë,

me korparmatën e krijimtarisë së artë,

me korparmatën poetike të gjelbërt

flladitëse, që i shtohet bukurisë së ullishtës

edhe bukurisë së Vlorës mrekullisht

e gjitha qëndisur si me tantellë

stërkalash të alabastra deti.

ARKITEKTURË VLERASH

Qënka koha te ngresh vlerat,

vlerat e tua reale të tregosh…

S’e bën askush më mirë se vetja;

ti, njeri veç mirësi të demonstrosh!

Të tregosh vlerat qënka koha,

se syri i poetit rrok gjithçka,

ekstremitetet me varg qëlloka

dhe të mirave sociale u jep krah.

Se poeti s’e bën askush më mirë,

se poeti shikon edhe botën larg,

se, si askush, poeti e do njerinë,

për dhënie vlerash e ke përkrah.

Veç mirësi vlerash të demonstrosh

siç bën poeti syzgjuar natën vonë.

Këngë për vlerat, këngë të këndosh,

ne, o njerëz të vlerave, kjo na bashkon.

Dhe… arkitektë të artit poetët janë…

Dhe… arkitektë të ndjenjave në filozofi.

Ç’ është pa poetët kjo botë e gjallë?!

Fjala e poetëve është paqë edhe liri…

NA ZURI NATA

Të dy na zuri nata jashtë,

punë e madhe! Na zuri jashtë…

Të dy numërojmë dhe yjet lart;

prozhektor i hënes ndriçon sakaq.

Na zuri nata të dy bashkë,

ngrohtë e ëmbël të dy bashkë

jashtë na zuri nata. Punë e madhe!

Na shtroi mëndafsh kjo nazemadhe!

Na zuri nata, o, qoftë e gjatë!

Ka çaste të arta nata e gjatë.

Jo, jo shpejt mëngjesi mos ardhtë!

Jemi qafëperqafë. Jo, mos ardhtë!

Nata e gjitha shpirt lirik idilik

Zbriti në zemra me shpirtin lirik.

O ç’ritëm zemre, shpirt, moj shpirt,

as dita mos zbardhtë, shpirt, o shpirt!

Mos ardhtë mëngjezi, mos ardhtë!

Dashuruar jemi bashkë. Mos ardhtë!

Hënes i lutemi të na japi unazë

dhe yjet të ulen gurë pë unazë…

KËTO VAJZA

Ç, më qeshin këto vajza, vajza durrsake,

kukuriskan me lotët si vesa në male.

Ç’ më qeshin gazmoret vajza durrsake

të çiltrat, të pastra, të shkathta pa naze.

Bukuri saqë edhe jeta stoli i ka,

kështu le të jenë: punëtore, duararta.

Hijeshojnë qytetin, na çmend eleganca,

serbese buzëdetit si shtojzovalle, najada.

Të qeta, të shtruara janë në muhabet

me krahët si flutura, lule mbi lulet,

dhe të ëmbla janë besnike për jetë.

Qeshni, ju të qeshurat, vajza durrsake!

KËNGË PË VETTINGUN

O vetting, o ti vetting,

të ka kapur “gripi” keq…

Dhe ish ministra si iriq

fshehur ferrë më ferrë.

Ku e gjejnë pasurinë,

që jetojnë në luks si mbret;

nuk punojnë, nuk djersijnë,

kush dreqin i mbështet!?

Kanë vila, kanë makina,

kanë toka e ç’nuk kanë.

Jetë bëjnë këta qafira,

këta bandilla pa moral.

Veru ferrën , o vetting,

të përgjunjemi vetëm ty,

sekuestroja pasurinë,

se s’po shohim gjë me sy.

Ka derrkuca, derbederë

kriminelë dhe në drejtësi;

për korrupsion bien erë

e s’ janë për ty, o Shqipëri!

O vetting, o ti vetting,

ne nuk po shohim gjë me sy…

Ka, ç’ nuk ka në politikë,

Ne fshesën ta besojmë ty.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT