Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Lushaj: Partizani i Kosovës e pedagogu i Tiranës, Dervish Ram Gjongecaj 'Qytetar Nderi' i Tropojës

| E premte, 26.10.2018, 08:36 PM |


Partizani i Kosovës e pedagogu i Tiranës, Dervish Ram Gjongecaj “Qytetar Nderi” i Tropojës

Nga Ramiz LUSHAJ

Njëqind vjet ma herët, më 1 korrik 1919, në një kullë alpine të lagjes Gjongecaj (sot qyteti i Bajramcurrit) lindi Dervish Ram Gjongecaj. Në këtë fshat qëndror (Kolgecaj), i konsideruar i tillë prej austriakëve që më 1917, e kreu arsimin fillor 5-vjeçar, ku spikati për intelektin e tij, me veçantitë e tij.

I edukuar për të qenë i lidhur fort me tokën, vendin, Shqipërinë Etnike; i pajisur me konstitucionin solid shpirtëror e moral të birit të Malësisë së Gjakovës - si armë, si gjendje mbijetese - në vitin 1943, në moshën 24 vjeç, Dervishi i Gjongecajve u përfshi aktiv në luftën nacional–çlirimtare dhe në vitin 1944, si partizan dallimtar i Brigadës XXV-Sulmuese, ku luftoi dhe në Kosovën dardane e deri në Sanxhak, Bosnje.

Pas lufte, në paqe, u vesh ushtarak, i ndoqi studimet në Shkollën e Oficerëve në Tiranë, po arsye të shëndetit fizik e detyruan të mos vazhdojë mëtejshëm edukimin ushtarak, ndaj kreu studimet e të mesmes në një gjimnaz të Tiranës. Kësokohe martohet me një vajzë nga Berati, Nimete Polovinën, ndërton familjen e tij, me katër çika e një djalë të vetëm.

Dervish Gjongecaj, për të mbajt familjen e vet, angazhohet në administratën lokale të Tiranës, po pasioni i tij i madh për dijen e kërkesat e larta për ardhmërinë e tij, për të qënë në vijën e parë  të shoqërisë shqiptare, për t’u bërë model real e i prekshëm për fëmijët e tij, për kohën, përfshihet në studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Studimet e larta i mbaron pa humbur asnjë ditë nga koha ligjore, duke studjuar ditën, natën, ecur, punuar, pushuar, përtypur ushqimin… dhe kryer në mënyrë shembullore detyrimet e tij familjare, me një punë titanike.

Për shkak të rezultateve të shkëlqyera, në vitin 1965 emërohet pedagog në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, në katedrën e Ekonomisë Politike, një nga shkencat më të vështira në fushën ekonomike: të asaj kohe, të kësaj kohe dhe të kohëve që do të vijnë. Në këtë mënyrë, Dervishi bëhet pedagogu i parë nga Tropoja në Universitetin e Tiranës, që më vonë, sigurisht, pasohet edhe nga shumë pedagogë të tjerë, të shquar për inteligjencën e tyre.

Dervish Gjongecaj, gjatë kësaj kohe universitare e gjithë jetën e tij ishte një “ambasador” për studentët e Tropojës në Tiranë, ishte një pikë reference e modeli i Tropojës në Tiranë, ishte një nga figurat emblematike të Malësisë së Gjakovës (Tropojës).

Ndër miqtë e tij tropojanë kohanik të vet po i permendim disa prej tyre, si: Idriz Mulosmanaj; Tahir Malaj; Tahir Vukaj;  Halil Margjeka, Can Doçi (Mala), Qazim Mani,  Imer Alushi, Mehmet Bajrami, Azem Abazi, Maxhun Doçi e të tjerë, po dhe brezni të mavonshme si gazetari e pedagogu i ekonomisë Sadri Rrahmani, gazetari e shkrimtari Mehmet Elezi, doktori Sali Berisha, ing. Tahir Aliaj e dhjetra e qindra të tjerë.

Në kohë ligjore, në moshë  60 vjeçare, del në pension, duke qënë thellësisht i bindur se misioni i tij edukues e përkushtimi ndaj vendit, veçanërisht ndaj brengës më të madhe të jetës së tij, Kosovës, nuk ka përfunduar ende. Përkundrazi, ato shpërthyen aktivisht e lartnisht  si kurrë më parë në jetën e tij. Askush që e njihte Dervish Ram Gjongecaj nuk mund të dallonte se ku mbaronte dashuria e tij për familjen dhe ku fillonte ajo për Kosovën, sepse ishte një dashuri e vetme, “një copësh”. Dervish Gjongecaj i Tropojës i mbylli sytë në 15 qershor të 1995, në moshë 76 vjeç, pas një beteje të dhimbshme me sëmundjen. Ishte i qetë, sepse kishte lënë një familje të përgatitur për të përballuar jetën. Por shpirtin e kishte të trazuar kur u nda nga kjo botë, plot ankth, nën peshën e një dhimbjeje që nuk pushoi kurrë së dhimburi: Kosova e burgosur nën pushtimin, aneksimin e barbarinë  sllave, e cila e fitoi Lirinë  4 vjet ma vonë, më 1999 dhe Pavarësinë – 13 vjet ma vonë, më 2008.

Më 25 tetor 2018, në ditëdhënien ceremoniale nga Këshilli Bashkiak i Tropojës i titullit të lartë “Qytetar Nderi” i Tropojës, në fjalët e tyre kryebashkiaku Besnik Dushaj e deputeti i Tropojës, Isuf Çelaj, ndër të tjera, theksuan se “që në fillim të Lëvizjes Demokratike në Shqipëri, veterani i luftës e arsimit kombëtar shqiptar, qytetari dinjitar Dervish Ram Gjongecaj u paraqit publikisht në përkrahje të saj. Ajo që e mbushte me një krenari, të cilën nuk e kishte çfaqur kurrë aq hapur, ishte jo lëvizja demokratike në vetvete, por fakti që në krye të saj ishin tropojanët. Kjo ishte prova e pakundërshtueshme për të që ata, tropojanët, nuk ishin “malokë”, por kasnecët e vërtetë të qytetërimit tradicional shqiptar e euroatlantik! Por, kishte një shkak edhe më të thellë që i dha krahë për të përqafuar lëvizjen demokratike të ’90-tës: ideja se vetëm kështu do të bëhej e mundur që Kosova të fitonte Pavarësinë. Kjo ishte bash ëndrra e tij, forma sublime e jetës që e jetoi...”.

Në një bisedë telefonike, intelektuali tropojas në Tiranë, Lirim Mulosmani, më thotë për komshiun e tij ndër vite, për pedagogun Dervish Gjongecaj i Tiranës, se ai “ishte personalitet njerëzor e dijetar, me burrëri të lartë, sojni të çdokohshme, nuk i përseriste fjalët në bisedat e tij; nuk tërhiqte kurrë prej vetes...”.

Dervish Gjongecaj ka shumë kontribute e merita në jetën e tij, po një nga ma madhoret, nga ma të shquarat, është edukimi lartnor i pesë fëmijëve të tij, të gjithë me arsimim të lartë, e dy prej tyre me tituj e grada shkencore si Shpresa Gjongecaj, prof. dr., arkeologe mbi katër dekadore, ish drejtore e Intitutit të Arkeologjisë; pedagogu Besnik Gjongecaj- ish rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës e ish ministër i Arsimit të Lartë e Shkencës të Shqipërisë.

Shembullori në jetë, partizani i sakrificës, pedagogu i shquar, Dervish Gjongecaj, ishte njeri i mirë, model i përhershëm në shtëpi e shoqëri, kontributor ndër kohëra, që nuk i bani hije askujt dhe rrezatonte në gjithçka...Edhe tek emri Ynë Tropojan...! Edhe tek Vlerat e Tua - Shqipëri...!.

Tropojë, tetor 2018