Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Viron Kona: Mani i shtëpisë sime

| E merkure, 24.10.2018, 06:45 PM |


Viron Kona

Mani i shtëpisë sime

Manin më të famshëm kisha unë në oborr,

të dëgjuar për frutat e shijshme e lartësinë,

ndaj shpesh herë s`më rrihej pa u mburrur:

si ky man s`gjeni dot në t`gjithë Shqipërinë!

Kacavirresha me shokë n`degët e përthyera,

hipnim dhe zbrisnim si ketra dhe majmunë,

mani na gostiste me kokrra t`ëmbla,të zeza,

paçka se e gjuanim vençe me shufra e gurë...

Kur ai bëhej prush ne hanim me grushte,

përlyheshim me ngjyrë n`faqe e gjer në sy,

pastaj mbushnim përplot pjata edhe tase,

dhe ua shpërndanim fqinjëve për mbarësi.

Manin e krahasoja me gjyshin tim t`dashur,

që qeshte e gudulisej kur i varesha në trup,

më përkëdhelte dhe më jepte ca lekë t`holla,

t`blija akullore apo ndonjë ëmbëlsirë e frutë.

Një ditë manit i erdhi fundi si çdo gjallese,

pas një krisme të mbytur ra në tokë i qetë,

një erë shpërndau gjethet skajeve t`oborrit,

në vend t`tij një lastar nisi të rritej përpjetë.

Ashtu si gjyshi edhe mani jetoi kohën e tij,

por lastarit të i ri i “la me gojë” një amanet:

t`i mirëpriste e t`i gostiste përherë  fëmijët,

që i kish shpallur miqtë më t`dashur n`jetë...

...........................

Mani(i bardhë, i zi,i kuq, laraman) është pemë që ka frutë të ëmbël dhe të shijshëm, bëhet gjatë verës, përdoret për reçel e pekmez, në akullore, por dhe për prodhimin e rakisë. Në gjethet e pemës së manit, “lulëzojnë” krimbat e mëndafshit, të cilët, sa më shumë gjethe hanë, aq më shumë mëndafsh prodhojnë. Çaji me mana të zinj përdoret kundër diabetit, presionit të lartë të gjakut, kollitjes, djersitjes, inflamacioneve të zgavrës së gojës etj..