E premte, 29.03.2024, 07:22 AM (GMT)

Kulturë

Tefik Selimi: Një vepër kronikë për shtigjet e jetës së njeriut tonë

E merkure, 24.10.2018, 06:00 PM


Një vepër kronikë për shtigjet e jetës së njeriut tonë…

Nga Tefik Selimi

E kaluara jonë e hidhur kurrë nuk do të ndriçohet, nëse ato ngjarje e të bëra jete nuk i përfolim apo nuk i hudhim në letër. Një aforizmë e thotë bukur mendimin se, ajo që hudhet në letër, mbetet në vepër! Kjo është fakt i “gjallë”. Andaj, e kaluara jonë, e cila po harrohet dhe po “ndryshohet”, do të ishte mirë që atë kohë të përjetuar, ta rrëfejmë dhe ta qesim në letër, me të vetmin qëllim që pasardhësit tanë të mësojnë nga ajo periudhë kohore.

Një punë të mirë e ka bërë edhe Qazim Maloku (1935), nga Lisocka, i cili, ditë më parë botoi një vepërzë (kronikë) me titull: ”Shtigjet e jetës sime”, botuar nga Sh.B “Sogjetime”, në Gjilan. Ndonëse vepra nuk është aq voluminoze, përkundrazi, ajo në vete ngërthen një jetë të autorit e të familjes së tij të jetuar në një kohë të hershme jete. Sipas editorit të librit (Sh. Shkodra), koha për të cilën bëhet fjalë janë vitet 1877/78, kur dhunshëm është bërë shpërngulja e popullit shqiptar “nga Sanxhaku i Nisht dhe viseve të tjera të Serbisë Jugore të sotme, ku, gjyshi i Qazim Malokut, Hima (Ibrahimi) nga Drogobuzhda, ishte vendos rrëzë Majës së Kikës”(f.5).

Pra, ishte kjo kohë e hershme dhe me shumë mundime jete, ku njerëzit jetuan me skamje dhe me droje mu në kohën pas okupimit të Kosovës nga ana e Serbisë të vitit 1912. Kjo popullatë e këtyre trojeve të Gollakut, jetuan me vafëri të skajshme. Jetuan me bagëti nga një dimër në tjetër, me të vetmin qëllim ta ruanin identitetin e tyre kombëtar. Arsimimi, si shton editori, ishte në zero. Jeta kalohej nëpër errësirë, ku pushteti i asaj kohe nuk lejonte të hapeshin shkollat shqipe etj. Vendi, Gollaku, ishte një bukuri e rrallë e jetës së njerëzve. Ky vend ishte i pasur me ujë të shëndetshëm.

Autori, Qazim Maloku, 83-vjeçar, në veprën e tij në  fjalë, ka rrëfyer jetën e tij të kaluar, e cila jetë ishte plot me peripeti më të ndryshme. Ai ishte arsimdashës i madh i arsimit. Sipas editorit, Qazimi pati dëshirë të madhe për shkollim. Por, kjo dëshirë, asnjëherë nuk iu është plotësuar. Jo vetëm kjo.

Qazim Maloku është i lindur në vitin 1935 në fshatin Lisockë, në Kiktë të sotme. Qysh në fëmijëri pati vuajte e vështirësi të ndryshme, por ishte edhe pak i sëmurë. Ishte njeri me shpirt të ndjeshëm. Rrëfimet e tij janë plot ndjenja melankolie, sepse, ai sot flet jo vetëm për jetën e shëmtuar, por flet edhe për të bukurën e përjetuar të një kohe. Më tepër ky autor ka folur e rrëfyer për jetën, të cilën e ka dashur pa masë.

Sipas rrëfimeve, ai dy herë e ka parë vdekjen me sy në moshën fare të re. Pradaj, kjo “jetë” e tij interesante rrëfehet nga fillimi gjer në mbarim, por jo edhe tërësinë e biografisë së tij të plotë. Stili i tij i të rrëfyerit në këtë vepër, është joshës, stil komunikues apo i rëndomtë. Pra, në këtë kronikë kohe të jetës së tij, rrëfehen ngjarjet natyrshëm, në stilin popullor dhe në dialektin geg. Kjo e bën autorin të jetës modest në ato rrëfime të jetës së tij të shtegëtuar nëpër kohë të jetuar...

Libri “Shtigjet e jetës sime” i autori Qazim Maloku, është një lloj kronike apo “shtojcë e  vogël socio-historike. Është ëmblemë nëpër kohe”.

Siç dihet, odat (dhomat), kanë qenë mësonjëtore të popullatës. Nëpër këto mësonjëtore, popullata ka luajtur lojëra më të ndryshme popullore, në të cilat i ka shpërfaqur folklori tradicional, i cili e ngjallte jetën monotone të njeriut tonë në pjesët rurale në këto treva të Gollakut. Qazim Maloku, autor, ka shfrytëzuar këto materje të ruajtjes së dokeve dhe zakoneve shqiptare. Me fjalë të tjera, autori është munduar ta rrëfejë një kohë, tonë, të cilën e kishte kaluar nga  koha e rinisë e gjer vonë kur i është kthyer ta rikujtojë me shkrim për të lënë gjurmë në kohë.

Vepra kronikë e Q. Malokut përbëhet me një kaptinë me poezi (këngë), të  cilat përshkojnë nga një dozë e folklorit tonë shqiptar. Në këto poezi vërehet nostalgjia e autorit për jetën e kaluar, e cila, sot jo vetëm tek ai, por  edhe të  tjerët, është një dhimbë që nuk shërohet lehtë. Këto poezi kanë rimë, ritëm, por kanë edhe shprehje të natyrës së këngës popullore. Bile, ky autor (QM), autodakt, ka  publikuar dy libra të tjerë po me këtë frymë. Libri i parë titullohet “Jetë anekdotike” (2009) dhe libri i dytë mban titull :Tregime e anekdota) 2012.

Pos kësaj, Qazim Maloku ishte adhurues i flaktë i valleve popullore. Pra, në veprën e  tij kronikë, lexuesi do të gjejë materje më të ndryshme. Ai, sipas editorit, ka shënuar të gjitha kujtimet e tij nëpër kohë të kaluar. Por, vepra e tij në fjalë, është me interes për lexuesin, sidomos për gjeneratat e vonshme, të cilët, nëpërmjet këtyre rrëfimeve, do të mësojnë për një të kaluar të rëndë të malësorëve tanë, siç ishte Qazim Maloku, njeri qëndresë i Bjeshkëve të Kikës, aty ku gjendet kufiri me Serbinë, nga ai kufi i kohës  së Turqisë, i vitit 1878, pra nga Kongresi i Berlinit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora