E premte, 23.04.2021, 03:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Vëzhgime vjeshte

E marte, 23.10.2018, 06:10 PM


Blerim Rrecaj

Vëzhgime vjeshte

Tetor. Java e tij e fundit. Gjethe të verdhura e të zverdhura, të kuqe, të skuqura e të kuqërremta, e kolorit i përzier i tyre përsëri ta tërheq shikimin e vëmendjen. Të duket se fletët e drunjëve të ndryshëm ta bëjnë me dorë e me sy. Pëllumba të hirtë vërdallisen qiellit të përhirtë dhe sikur ndjejnë të rrëqethura nga ky fllad ftohtësie. Ndryshimet klimatike na bëjnë të ndiejmë tjera ndijime e shijime për të na kujtuar ngjyrat e larmishme të stinëve. Sorrave e korbave s'u zihet vendi vend e grupe-grupe e klane-klane zhurmërojnë sapo aterojnë këtej a andej. Mbase dhe dallëndyshet e fundit vazhdojnë fluturimin e tyre plot mallëngjim. Valë valë qeniet tona pushtohen nga emocione të përziera, ku s'mund të mungojnë kokëdhembjet e as kokëçarjet, as ëndrrat, idetë e dëshirat të shoqëruara nga ethe harejeje a shqetësimi. Kllapia veç zë prita. Orientimet vështirësohen nga mjegullat e bardhëllëmta që shtrihen e pritet të shtr ihen. Ndërkohë vazhdon rënia e rreshjet e gjetheve të cilat qetësisht e butësisht gati pa u ndjerë zbururojnë copëra sipërfaqesh. Diku ato rrijnë të patrazuara, derisa ndonjë puhi, erë a stuhi të fillojë t'i bartë e të loz me to, e diku dikush me to ka mbushur një thes, e ka mbështetur atë për një trungu të pemës dhe ky duket si një thesar i sapozbuluar monedhash të lashta, pikërisht si ato që i pamë të ekspozuara në muze. Dhe nga muzeu i pamjeve të vjeshtës ne mund të përmendim edhe një gjeth të rënë lisi në koritën e një kroi, i cili lundron nëpër atë ujë të ftohtë, akull. Mund të përmendim dhe një ketër me një shtagë akulloreje duke endur atë nëpër gojë në degën e një druri ahu ose qarri. Këtij mozaiku tashmë mund t'ia shtojmë dhe ndonjë pamje të freskët me gështenja të egra të shpërndara, të mbuluara e të pambuluara me gjethurina. Cicërimat kumbuese të zogjëve diç thonë derisa ata pareshtur fluturojnë e bijen nga dega në degë, nga çufrra në çufërr. Këto lëvizje të tyre duken si frymë lirije e paqeje në park. Hapat e ndonjë kalimtari këtejpari sikur të thonë se këto çaste vjeshte nuk janë dhe aq të vetmuara. Katër fëmijë lozin e lodrojnë nëpër këndet e tyre të lodrave. Tash njëri prej tyre ia kujton mocanikut se veç ka nisur të bëhet vonë dhe i kanë thënë në shtëpi të mos vonohet shumë, e tjetri i lutet e paksa këmbëngul me fjalët: "Të rrijmë edhe pak, veç edhe pak..." Tre a katër plus një kamarier që rri në këmbë brenda kafenesë në qoshk të parkut rrijnë e vështrojnë, e duket se jashtë e mbrenda ndihet erë e lehtë melankolie. Pikëlza të imta shiu bien në intervale të shkurtëra kohore, për aq sa të hapësh e të mbyllësh sytë dhe një shtresë e ftohtësie e ngrohtë ka përqafuar fytyrat e duart...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora