E enjte, 18.04.2024, 10:24 AM (GMT+1)

Speciale

Hysen Matoshi: Eqrem Çabej dhe historia e letërsisë shqipe

E shtune, 20.09.2008, 12:35 PM


Eqrem Çabej
Eqrem Çabej dhe historia e letërsisë shqipe

 

Nga Hysen Matoshi

 

Sa herë që flasim për Çabejn, si për njërin ndër albanologët më të njohur, ndalemi krye­sisht te kontributi i çmuar që ka dhënë në fushën e studimeve gjuhësore, duke i lënë anash, jo rra­llë, rezultatet e punës së tij shkencore që nuk i përkasin kësaj lëmie. S’do mend se studimet nga fusha e letërsisë shqipe, po edhe nga fusha të tjera të albanologjisë, nuk mund të maten as për nga sasia dhe aq më pak për nga vlerat me ato të gjuhësisë, por ato, në të rend të parë, janë dë­shmi e pamohueshme mbi interesimet e gjera të Çabejt për kulturën dhe shkencën shqiptare.

Interesimet e Çabejt për letërsinë shqipe kanë të bëjnë më së shumti me periudhën e para­luftës, gjë që në fakt përputhet me rininë e tij, kohë kjo kur ai shprehte një angazhim më të shumanshëm në fushën e shkencës; ndërsa çështjet që i trajton kanë të bëjnë me aspekte his­torike, teorike, ato krahasimtare të letërsisë, të kritikës letrare, të letërsisë popullore etj. Kë­sh­tu, përveç aspekteve teorike që ndërlidhen në historinë e letërsisë shqipe, me gjenezën e saj, me romantizmin si një formacion stilistiko-letrar të zhvilluar në kuadër të saj, Çabej më 1936 i rreket punës për ta hartuar një histori të letërsisë shqipe. Fjala është për librin «Elemente të gju­hësisë e të literaturës shqipe». Në pjesën e dytë të këtij libri, ku bën fjalë për letërsinë e de­ria­tëhershme shqipe, është dhënë një kronologji e shkurtër e zhvillimit të saj, duke u ndalur në mënyrë të veçantë, nëpërmjet të dhënave biografike dhe bibliografike, te secili autor dhe pa ndo­një pretendim që ata të paraqiten në kontekstin e rrymave, drejtimeve a formacioneve sti­li­sti­ko-letrare që u përkisnin, fakt ky që pamundëson krijimin e një pamjeje tërësore për le­tër­si­në shqipe. Nevojën e studimit të letërsisë në kuadër të modeleve të përgjithshme, Aleksander Fla­keri e ka potencuar në veprën «Stilske formacije», ku thotë: «Duke u nisur nga modelet e për­gjithshme, mundemi pastaj t’i qasemi edhe modelit të veçantë e individual, duke i kra­ha­suar strukturat specifike ose strukturat individuale me modelin e përgjithshëm dhe vendin e ty­re në kuadër të formacionit stilistik ashtu që të arrihen përfundime të reja, pa të cilat nuk ësh­të i mundshëm interpretimi i plotë historik i veprës letrare»[1]. Sado që kjo histori nuk mbë­shtetet në premisa të këtilla dhe i mungon sinteza, po të kundrohet në kontekstin e kohës dhe të qëllimit të hartimit të saj (ajo duhej të shërbente si një libër shkollor) pa dyshim se e pa­raqet një kontribut të rëndësishëm për historinë e letërsisë shqipe e për të cilën profesor Na­mik Resuli në studimin e tij Katërqind vjet letratyrë shqipe është shprehur: «Libër fort i thjeshtë, vërtetë, po në të cilin dukej që ahere dora e mjeshtrit»[2].

 

Dokumentet gjuhësore dhe veprat literare

 

Në hyrjen e librit Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqi­pe Çabej e thekson domosdonë e përdallimit ndërmjet do­ku­men­tit gjuhësor dhe veprës letrare, të cilat, sikundër edhe në le­të­rsitë e tjera, ashtu edhe në atë shqipe mpleksen, sidomos, në fi­lli­met e tyre. Ai, madje, në pjesët e librit ku bën fjalë për le­tër­si­në shqipe, dokumentet e para të gjuhës sonë i ka radhitur në kua­dër të një nëndarjeje të veçantë. Megjithatë, aspektet do­ku­men­tue­se gjuhësore nuk kanë të bëjnë vetëm me ato dokumente të shkri­mit të shqipes që i njohim gjer më sot, por sikundër pohon edhe vetë Çabej, ato duhen dalluar si te shkrimtarët tanë të vje­tër, ashtu edhe tek ata arbëreshë. Vetë fakti se pjesa më e madhe e veprave të shkrimtarëve tanë të vjetër konsiderohen si për­k­thi­me, përshtatje dhe me një nxitje jashtëletrare, flet më shumë në fa­vor të vlerës dokumentuese gjuhësore krahasuar me atë ar­ti­s­ti­ke. Besoj se ky fakt do ta ketë nxitur Çabejn që këtë pro­ble­ma­ti­kë ta trajtojë qysh në hyrjen e këtij libri.

 

Periodizimi i letërsisë shqipe

 

Edhe pse Çabej në planin teorik në studimin Për gjenezën e literaturës shqipe përcaktohet për një periodizim të letërsisë shqi­pe, i cili do të bëhej në baza krahinore, përkatësisht për qar­qet letrare të krijuara në bazë të veçorive etnopsikologjike të po­pu­llatës shqiptare të viseve të ndryshme e me ç‘rast do të kri­jo­he­shin katër sish, periodizimi që në praktikë zbaton ai mbë­sh­te­tet në modelin, të cilin kushtimisht mund ta quajmë të kom­bi­nuar e që realizohet në bazë të ndarjes nëpër qarqe dhe pe­rio­di­zi­mit historik. Kjo mund të argumentohet me faktin se Çabej i për­fill disa periudha zhvillimore historike të letërsisë shqipe (Shkri­mtarët e vjetër, Shkrimtarët e shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX), krahas ndarjes së autorëve në qarqe të caktuara (Shkri­mtarët shqiptarë të Greqisë, Shkrimtarët shqiptarë të Ita­li­së). Sado që një periodizim i këtillë i bazuar në faktorin gjeo­gra­fik, nuk mund të mos përfillet për shkak të kompaktësisë së the­k­suar të autorëve të të njëjtit qark dhe njëkohësisht dallimeve të the­ksuara nga autorët e qarqeve të tjera, kjo pikëpamje e Çabejt, e cila më parë ishte lansuar nga Maximilian Lambertzi, nuk i of­ron konturat e një periodizimi të mirëfilltë e me kritere shke­n­co­re letrare. Së pari, një ndarje e tillë e strukturës zhvillimore të le­tër­sisë shqipe nuk është gjithëpërfshirëse, ngase Çabej nuk e quan të denjë letërsinë e bejtexhinjve, përkatësisht atë që u shkrua me alfabet turko-arab dhe që ishte nën ndikimin e orientit për ta krijuar një qark të veçantë, ose për ta përfshirë në ndo­një­rin nga qarqet ekzistuese dhe si pasojë e këtij fakti në historinë e tij nuk ka gjetur vend as edhe një përfaqësues i vetëm i kësaj pri­r­jeje në letërsinë shqipe. Së dyti, po të nisemi nga vetë historia që e harton Çabej do të përfundojmë se ai nuk e zbaton me për­pik­mëri parimin mbi ndarjen rigoroze të autorëve në kuadër të qar­qeve të caktuara letrare. Kështu, autorët arbëreshë, të cilët his­torikisht i takojnë letërsisë së vjetër shqipe, ai i radhit sipas kro­nologjisë së paraqitjes së tyre dhe jo në grupimin Shkrimtarë shqi­ptarë të Italisë; sikurse edhe autorët e Jugut, përkatësisht të qar­kut ortodoks të Shqipërisë Jugore - Theodor Kavaliotin dhe Dha­niel Haxhiun (Teodor Kavalioti dhe Mjeshtri Daniel), i ka për­fshirë në kaptinën Shkrimtarët e vjetër tok me autorët e ve­riut: Buzukun, Budin, Bardhin e Bogdanin me çka s’e përfill de­ri në fund konceptin e tij për periodizimin e letërsisë shqipe për të cilin tre vjet më vonë angazhohet me ngulm në planin teo­rik.

 

Apostulli dhe shkrimtari

 

Një çështje tjetër tejet interesante që e gjejmë në historinë e letërsisë shqipe të hartuar nga Çabej është edhe raporti ndërmjet vlerës artistike të veprës letrare në njërën anë dhe ak­ti­vi­tetit patriotik të autorit të saj në anën tjetër, të cilën si problematikë më 1906 në Albaninë e tij Konica e thekson jo pa shkak si nevojë të dallimit ndërmjet nocioneve «atëdhesië» dhe «let­rëtyrë». Ai, duke bërë fjalë për Naimin, pa dyshim shkrimtarin tek i cili këto aspekte ha­sen më të gërshetuara se te çdo shkrimtar tjetër, thotë: «Gjykimi i veprës poetike të Naimit ësh­të i vështirë; sepse te ky burrë apostulli dhe poeti janë një; qëllimi i shumë veprave të tij ka qe­në kombëtar. Kështu, është vështirë të ndahet artisti nga patrioti. Naimi patriot panshqiptar e jo lokalist, Naimi idealist është bërë me të drejtë një simbol për nacionin shqiptar, gati një mit, një legjendë. Nga ana tjetër kritika literare duhet të studiojë shkrimtarin.»[3]

Është e kuptueshme se kjo pikëpamje e Çabejt përbën një qasje të avancuar dhe të pranuar në studimet moderne e që ka të bëjë me përdallimin e krijimtarisë artistike nga veprimtaria shoqërore e shkrimtarit. Kundrimi i veprës letrare të shkrimtarit si një strukturë artistike, me jetën e saj të veçantë dhe të pavarur nga aktiviteti shoqëror e përgjithësisht nga biografia e shkrimtarit po bëhet përherë e më aktual. Po a qe kështu në studimet tona dhe veçmas në ato që mbështeteshin në metodën e realizmit socialist? Jo rrallë objektivi shkencor i historianëve të letërsisë dhe i kritikëve letrarë e ka fokusuar më shumë aktivitetin shoqëror e politik në vend të atij letrar e artistik, përkatësinë ideologjike më parë se mjetet artistike me të cilat realizohet një vepër letrare. Me një fjalë, kemi pasur të bëjmë me një dukuri të cilën historiani i letërsisë shqipe, Rexhep Qosja, e konsideron si «trajtim i letërsisë artistike në mënyrë të skematizuar sociologjike»[4].

 

Vlerësime të Çabejt për shkrimtarët

 

Krejtësisht në pajtim me natyrën e librit Çabej ofron, në të shumtën, të dhëna të për­gji­th­shme për shkrimtarët dhe për veprën e tyre, duke filluar nga ato biografike, zakonisht tejet të shkurtra, për të vazhduar me përmendjen e veprave të botuara, përkatësisht të shkruara, dhe pak më rrallë ofron ndonjë vlerësim mbi vendin që e zë në kuadër të qarkut, ose të letërsisë shqi­pe, autori, përkatësisht vepra e caktuar, ndërsa për to fare rrallë i referohet mendimit të ndo­një studiuesi dhe kjo është deri diku e kuptueshme po ta kemi parasysh faktin se bëhet fja­lë për një histori të letërsisë të shkruar në më pak se dyzet faqe tekst. Një përjashtim në këtë drej­tim e përbëjnë shkrimtarët Jeronim de Rada, Naim Frashëri dhe pak a shumë Gjergj Fish­ta, te të cilët Çabej ndalet më gjatë, duke ofruar të dhëna për veprat e tyre si dhe përfundime në të cilat ai shpreh pikëpamjen e tij mbi vendin dhe rëndësinë e shkrimtarit të caktuar.

Fillimisht do të ndalemi diçka më shumë për vlerësimet që Çabej ua bën shkrimtarëve të vje­tër. Ndonëse ai në veprat e tyre i sheh më shumë vlerat gjuhësore dokumentuese e historike se­sa ato letrare, gjejmë ndonjë vlerësim, sikundër është ai për Pjetër Bogdanin, të cilin e konsideron si më të rëndësishmin shkrimtar shqiptar të kësaj periudhe të zhvillimit të letërsisë so­në, duke ia lavdëruar mendimin e thellë, gjuhën e bukur e mjeshtrinë e stilit, për të kon­sta­tuar krejtësisht në fund: «Vepra e tij ka siguruar një vënd të pavdekur në literaturën t’onë[5]

Një vlerësim tejet interesant e gjejmë edhe për Jul Va­ri­bo­bën, i cili është radhitur në qarkun e shkrimtarëve shqiptarë të Ita­lisë. Duke bërë fjalë për poezinë e tij përfundon se Variboba ësh­të poeti më i vjetër i letërsisë shqipe. Se Çabej e vlerësonte lart letërsinë arbëreshe këtë fakt nuk e dëshmon vetëm numri i auto­rëve arbëreshë, të cilëve u bën vend në historinë e tij, në ra­port me numrin e tërësishëm të shkrimtarëve, por edhe për­fun­di­met që nxjerr për ta. Jeronim de Radën e quan të parin e poetëve shqip­tarë të Italisë, Zef Seremben si improvizator gjenial dhe «një nga fytyrat më markante të literaturës shqipe»[6], Zef Ski­roin e konsideronte poetin më të madh shqiptar të Sicilisë, ndër­sa për poemën «Kënka e sprasme e Balës» ka mendimin se nuk ësh­të mistifikim letrar, por vepër origjinale e Gavrill Darës dhe, si­pas tij, ajo «është një nga veprat më të bukura të literaturës shqi­pe»[7].

Edhe përsa i takon letërsisë së shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX Çabej në historinë e tij, jep vlerësime kryesisht për autorët më të dalluar: Naimin e cilëson si apostull të idesë nacionale e romantik të vonuar; Fishtën si shkrimtarin e parë të kohës kur u shkrua historia; Asdrenin e konsideron «poet artist në kupëtimin e plotë të fjalës»[8] dhe si autor që «formon kalimin nga brezi i kaluar në poezinë moderne shqiptare»[9], Konicën e çmonte për stilin e mprehtë dhe revistën më të mirë që kishte dalë deri atëherë - Albaninë, kurse Nolin për përkthimet e tij e në mënyrë të veçantë për Rubairat e Khajamit.

Në përgjithësi vlerësimet e Çabejt për shkrimtarët e le­tër­si­së shqipe, që kishin gjetur vend në historinë e tij, edhe pse shpesh të përmbledhura në dy-tri fjali, janë me interes, sidomos po të shihen në kontekstin e rrethanave të përgjithshme kur u bë­në ato. S’ka dyshim se te Çabej manifestohet një prirje për vle­rë­sime, të cilat i favorizojnë autorët arbëreshë (ai e quan Va­ri­bo­bën poetin e parë të letërsisë shqipe, duke mos e pranuar si të ti­llë Budin, që kishte shkruar rreth 3.000 vargje gati një shekull më parë). Formimi i autorëve arbëreshë, krahasuar me shkri­m­ta­rët shqiptarë që u formuan në frymën e orientit, nën ndikimin e kul­turës letrare evropiane e në veçanti të asaj italiane, si duket, ish­te më i pranueshëm për Çabejn. Ky qëndrim nuk mund të shpje­gohet vetëm me faktin se kultura evropiane në përgjithësi dhe ajo letrare në veçanti, shënonte një nivel tjetër të zhvillimit në raport me kulturën e Lindjes atëbotë, por fakti se Çabej u for­mua nën ndikimin e së parës e përbën bazën e një vlerësimi të ti­llë. Se ai qëndron shumë më afër koncepteve evropiane për le­tër­sinë konsideroj se ky fakt më së miri dëshmohet kur bën fjalë për poemat e Naimit «Histori e Skënderbeut» dhe Qerbelaja: «Gja­tësia e këtyre poemeve është shkakëtuar nga influenca e poe­zisë epike perse, së cilës i mungon ndjenja evropiane e ma­sës së kohës»[10]. Sado që Çabej e pranon faktin se krahas ndi­ki­mit të poezisë orientale, që ai e quan influencë, në poezinë e Nai­mit një ndikim me rëndësi e kanë ushtruar romantikët ev­ro­pia­në, e sidomos poetët frëngë, megjithatë sipas tij «Naimi ka mbe­tur gjithmonë i lidhur me poezinë islamike e sidomos atë per­se»[11], konstatim ky që mund të kontestohet me faktin se ai për­pos nën ndikimin e kulturës orientale, ishte formuar edhe nën ndi­kimin e kulturave të tjera letrare, përfshirë këtu një pjesë të le­tërsisë shqipe së traditës dhe atë popullore, lidhjet me të cilat ja­në lehtë të hetueshme.

Një element tjetër interesant dhe i denjë për një qasje ana­li­tike është edhe paralelja që Çabej e vë ndërmjet dy ro­ma­n­ti­kë­ve më të spikatur të letërsisë shqipe: Naim Frashërit dhe Jeronim de Radës, duke i theksuar përbashkësitë krijuese si romantikë, por edhe dallimet e ambientit dhe burimet e formimit të tyre si shkri­mtarë.

 

Përfundim

 

Kontributi që Çabej ua ka dhënë studimeve në fushën e le­tër­sisë, si në planin e kritikës letrare, në studimin e romantizmit shqi­ptar të vënë në një raport krahasues me romantizmin e po­pu­j­ve të Evropës, në periodizimin e historisë së letërsisë shqipe dhe në hartimin e një historie po për këtë letërsi, tok me një për­zgje­dhje pjesësh nga vepra të autorëve që i kishte përfshirë në të, përpos që është i shumanshëm, ai shënon rezultate, të cilat, ku më shumë e ku më pak, u kanë rezistuar të arriturave më të re­ja të shkencës. Edhe pse letërsia nuk ishte fusha, ku ai e dha kon­tributin e tij më të madh, Çabej për një numër çështjesh ka hy­rë në literaturën e tyre, duke lënë në këtë mënyrë gjurmë të pa­shlyeshme. Nëse mund të thuhet se periodizimi që ia bëri his­to­risë së letërsisë shqipe mbetet si një qasje interesante për të gji­thë studiuesit që synojnë të merren me këtë çështje, historia e le­tërsisë e përfshirë në librin «Elemente të gjuhësisë e të li­te­ra­tu­rës shqipe» nuk e ka pasur këtë fat dhe në radhë të parë për shkak të destinacionit të tij si një libër shkollor. Kjo histori, si­ku­ndër u tha më parë, synonte që për shkrimtarët shqiptarë të of­ro­jë një informacion të domosdoshëm për punën me nxënës në shko­llat e atëhershme në Shqipëri. Si libër shkollor ai nuk e sy­no­nte zgjidhjen e problemeve, por vlera e tij shkencore, siç thotë ve­të Çabej në hyrjen e librit, ishte «hedhja e problemeve në lë­më të bisedimit».[12] Numri i madh i çështjeve të shtruara na bën të kuptojmë se Çabej, së paku, në planin e aktualizimit të prob­lemeve, me librin e tij ia kishte dalë mbanë.



[1] Aleksander Flaker, Stilske formacije, Institut za znanost o knji`evnosti, Zagreb, 1978, f.28.

[2] Namik Resuli, Katerqind vjet letratyrë shqipe, «Përpjekja», nr. 1, 1994, Tiranë, f. 45.

[3] Eqrem Çabej, Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe, Tiranë, 1936, f. 47.

[4] Rexhep Qosja, Prej tipologjisë deri te periodizimi, ASHAK dhe IAP, Prishtinë, 1979, f. 315.

[5] Eqrem Çabej, vepra e cituar, f. 29.

[6] Eqrem Çabej, vep. cit., f. 41.

[7] Eqrem Çabej, vep. cit., f. 40.

[8] Eqrem Çabej, vep. cit., f. 55.

[9] Eqrem Çabej, vep. cit., f. 55.

[10] Eqrem Çabej, vep. cit., f. 47.

[11] Eqrem Çabej, vep. cit., f. 47.

[12] Eqrem Çabej, vep. cit., f . IV.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora