E marte, 19.03.2024, 03:09 AM (GMT)

Kulturë

Sevdail Hyseni: Në Prishtinë, promovohet libri me opinione për Luginën e Preshevës

E diele, 21.10.2018, 10:26 AM


Në Prishtinë, promovohet libri me opinione për Luginën e Preshevës

Nga Sevdail Hyseni

Në Bibliotekën Kombëtare "Pjetër Bogdani" në Prishtinë, gjatë këtij vikendi, të javës së parë të tetorit, në organizim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, Shtëpisë Botuese Rozafa” dhe Shoqatës së Gazetarëve “Etika” nga Bujanoci, Prishtina dhe Presheva, u promovua libri publicistik me opinione për Luginën e Preshevës, të autorit Nexhmedin Saqipit.

Promovimi i librit me opinione nga Lugina, në ambientin madhështor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, e cila si asnjëherë më parë ishte e mbushur me adhurues të shumtë të librit nga të gjitha trevat e etnikumit shqiptar, u vlerësua lart nga kritikët letrarë dhe pjesëmarrësit e këtij evenimenti të lartë kulturor.

Për rolin dhe rëndësinë e librit me opinione nga Lugina e Preshevës, të autorit Nexhmedin Saqipi, foli redaktori i librit prof. dr. Sali Bashota, duke e cilësuar atë si një libër të rëndësishëm, që pasqyron realitetin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ndërmjet presionit, migrimit e integrimit.

“Ky libër ka shumë porosi, ka shumë tema, të cilat e kanë preokupuar në rrethana të zakonshme dhe të jashtëzakonshme autorin e saj, prandaj shumë kujtime, përjetime, qaste të përjetuara nga autori, janë paraqitur në këtë vepër me opinione”,  u shpreh kritiku letrat dr, Sali Bashota.

Po sa t a lexoni librin gjeni tri parime fundamentale e drejta e vërteta dhe liria përbërëse esenciale të shkruar nga autori ku flet për të drejtat shekullore të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, theksoi në vazhdim të diskutimit të tij dr. Bashota.

Libri freskon kujtesën për të gjitha ndodhitë në Luginën e Preshevës, tha recenzenti Sevdail Hyseni,

“S`ka se si mos të na kujtohen gjithë ato zhvillime, ngjarje, bëma, nëpër të cilat ka kaluar vendlindja e autorit e cila sipas tij nuk ka qenë vetëm Luginë e luleve dhe gëzimeve, por edhe e dhembjeve, trishtimeve, nëpër të cilat kaloi vertikalisht, me kokën lartë, pa u përkulur dhe ligështuar asnjëherë”, tha Hyseni.

Lexuesi i këtij libri publicistik, tha më tej z. Hyseni, do të jetë shumë kurioz dhe i entuziazmuar për luftën e paepur mediale të gazetarisë shqiptare në Luginë të Preshevës, do të jetë shumë krenar për qëndresën heroike të shqiptarëve të kësaj Lugine, për ta ruajtur bërthamën etnike dhe identitetin kulturor e informativ, karshi një regjimi, i cili nuk kursente mjete e metoda për ta spastruar etnikisht nga hapësirat e këtij etnikumi, ku ata, gjithmonë, kanë qenë autoktonë.

Në vazhdim prof dr. Faik Shkodra, gjatë fjalimit të tij promovues, tha se “Dashuria për jetën dhe popullin, për lirinë dhe të vërtetën, për idealet e përflakura, për  atdheun dhe traditat, kulturën dhe identitetin shpirtëror e kombëtar, e kanë frymëzuar Nexhmedin Saqipin të shkruaj veprën publicistike me titull të qartë e domethënës “Një libër me opinione për Luginën e Preshevës”.

Në vijim dr. Shkodra, tha se autori i librit ka rritur të depërtoj në thellësi të vuajtjeve, të brengave e të shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe këto konstatime e vlerësime mbi gjendjen e djeshme, të sotme e të nesërme e shqiptarëve të këtij rajoni, do të mbeten të kohshme te të gjithë ata që mbijetuan krizat e jetës së dhunshme nga shteti serb dhe vazhdojnë, mjerisht, të mbeten ende me këtë represion e mungesë lirie.

Kemi përshtypjen dhe bindjen se Nexhmedin Saqipi në këtë libër ka vërtetuar se, para së gjithash, është intelektual i guximshëm e i vyeshëm, është njeri me karakter të lartë dhe të pathyeshëm, si edhe është njeri me ideale të larta njerëzore e kombëtare, tha prof.dr. Faik Shkodra.

Në kuadër të promovimit të librit, moderatorja Ardita Behluli, e konsideroi të hapur debatin me lexuesit e librit, ku nga të pranishmit u paraqitën me diskutime: dr. Dali Emërllahu, dr. Beqir Hamidi, politologu Fehmi Ajvazi etj, të cilët dhanë vlerësime të larta për rolin dhe rëndësinë e këtij libri me opinione, që ka për lexuesit gjithandej hapësirave etnike shqiptare.

Në fund, autori i librit shprehu mirënjohje për të pranishmit dhe për gjithë ata që kontribuan për botimin e librit.

“Ne jemi munduar të prezantojmë gjendjen reale në Luginë të Preshevës, për atë çka mendon popullata e kësaj ane, me çfarë problemesh është ballafaquar në të kaluarën dhe çfarë e brengos në ditët e sotme”, deklaroi autori i librit me opinione Nexhmedin Saqipi.

Gjendja pezull, jeta e rëndë e përcjell me migrim dhe manipulimet e ndryshme politike janë shkas që shqetësojnë banorët e Luginës, të cilët nuk do të ndalen me kërkesa legjitime drejt realizimit të ëndrrës së tyre shekullore, u tha me rastin e promovimit të Librit me opinione për Luginën e Preshevës.

Vlen të ceket se Libri me opinione i publicistit Nexhmedin Saqipi, është publikuar në kuadër të Shtëpisë Botuese “Rozafa”, në Prishtinë dhe ndahet në katër kapituj: Në retrospektivë, Farsa politike dhe manovrat patriotike, Problemi i quajtur kufi dhe Intervista dhe biseda. Nëpër këto kapituj janë radhitur 22 opinione dhe tetë intervista dhe biseda të autorit, të cilat janë ndarë sipas karaktereve, vendit dhe kohës, kur ato janë zhvilluar dhe realizuar.

Promovimi i librit me opinione për Luginën e Preshevës, u përcoll nga medium të ndryshme me karakter nacional e lokal.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora