E marte, 19.03.2024, 04:34 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Besim Xhelili: Një e shtunë letrare në Kapfenberg të Austrisë

E diele, 21.10.2018, 10:09 AM


NJË E SHTUNË E KËNDSHME LETRARE NË KAPFENBERG TË AUSTRISË

Shkruan: Besim Xhelili

Krijuesit shqiptarë në Austri, dita-ditës po hapin shtigje të reja bashkëpunimi me krijuesit austriakë dhe të nacionaliteteve të tjera që gravitojnë në këtë shtet alpik. Kjo është një metodë e mirë e krahasimit dhe matjes së nivelit të krijimtarisë, duke ndërmjetësuar dhe përçuar vlerat mes kulturave të ndryshme. Ata i kanë shtuar edhe botimet në gjermanisht dhe në gjuhët e tjera.

Të shtunën, më 6 tetor 2018, në qytetin Kapfenberg, nën organizimin e shoqatës Internationaler Verein Kapfenberg, në bashkëpunim me Rrethin Letrar Europa (Europa Literatur Kreis Kapfenberg), Theater Baum Schere dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” u organizua një takim letrar, ku krjijues të shumtë, të ardhur nga disa vise të Austrisë, lexuan nga krijimet e tyre në gjini të ndryshme letrare. Krijuesit shqiptarë ishin për të tretën herë në një organizim të tillë në këtë qytet, pas herës së parë në vitin 2014 dhe të dytës në vitin 2015.

Kësaj radhe nga LSHKSHA “Aleksandër Moisiu” me krijimet e tyre u prezantuan katër autorë. Anton Marku, kryetar i Lidhjes, pasi bëri një prezantim të krijimit, qëllimit dhe të aktiviteteve, synimeve e caqeve të Lidhjes, ai lexoi gjithashtu disa poezi, për të vazhduar me Mërgim Osmanin, një tjetër autor shqiptar, i cili lexoi një tregim nga vëllimi i tij me tregime në gjermanisht “Sykaltra”. Vehbi Haliti, një lexoi disa poezi nga antologjia “Illyricum” në gjermanisht, botuar në vitin 2013. I fundit nga autorët shqiptarë u paraqit Besim Xhelili, i cili bëri një prezantim të shkurtër të romanit të tij në gjermanisht “1803”, botuar në shqip në vitin 2016, kurse në janar të këtij viti edhe në gjermanisht dhe në suedisht. Ai më pas lexoi disa poezi nga antologjia “Ne, gurët lëvizës”, botim i PEN Klubit austriak në bashkëpunim me Platformën “Letërsi pa kufi”. Vlen të theksohet se autorët shqiptarë të pranishëm në këtë aktivitet janë pjesë aktive e qarqeve letrare e kulturore në Austri, në vendlindje dhe gjetiu në Europë, janë anëtarë në klube e shoqata të ndryshme si: Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” Gjakovë, PEN Qendra e Shqipërisë, PEN Klubi Austriak, Lidhja e Shkrimtarëve të Austrisë etj. si dhe kanë botime në disa gjuhë të huaja dhe janë prezantuar në antologji të ndryshme në disa gjuhë të huaja.

Moderimin e kësaj ore letrare e bëri znj. Monika Vukelic Auer, kurse nga autorët austriakë u prezantuan Christine Teichmann, Ruth Barg dhe Hans Bäck, i cili lexoi një tregim mjaft interesant me mbresat e tij nga shëtitja me një grup turistësh austriakë verën e fundit nëpër viset shqiptare. Këtë aktivitet e nderoi me pjesëmarrjen e saj znj. Marianne Gruber, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë, e cila lexoi dy tregime. Sabine Aigner dhe Helmut Schlatzer nga Theater Baum Schere performuan disa lojëra me lëvizje trupore dhe lexuan disa aforizma interesante, shoqëruar me ilustrime dhe grafika mbresëlënëse.

Në fund u shtrua një koktej i pasur me ushqime tradicionale shqiptare dhe pije freskuese. Këtë aktivitet e mbështeti Komuna e qytetit Kapfenberg.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora