E enjte, 28.03.2024, 08:36 AM (GMT)

Kulturë

Ferit Lamaj: Që prej shekujsh rron e thëna, qengj i urtë pi dy nëna

E shtune, 20.09.2008, 03:17 PM


Ferit Lamaj
Ferit Lamaj: Që prej shekujsh rron e thëna, qengj i urtë pi dy nëna, po ju s’dini më të renë Pijnë rrufjanët gjithë kopenë

Kam publikuar  2500 fabula

Fabulën e do edhe nipi, edhe gjyshi, edhe shkencëtari, edhe bariu

Nga Albert Zholi
 
Jetëshkrim letrar


Ferit Lamaj u lind në Korçë më 6 janar 1955. Ka publikuar 60 libra, në faqet e të cilëve renditen mbi 2500 fabula. Disa nga titujt e librave: “Lepuri që bën shaka”, “Në kopshtin zoologjik”, “Gjelkokoshi zgjon derrkucin”, “Zemërqeshur”, “Tosi me fustan”, “Kush e hëngri mjaltin?”, “Bilbili dhe gjinkalla”, “Fabula”, “Mikrofabula”, “201 kryefabula”, “Mjau, mjau!”, “Ham, ham!”, “Ka, ka, ka!”, “Ki, ki, ki!”, “Mak, mak!”, “Dhelpra doganiere”, “Dhelpra e Trojës”, “Kafshët flasin”, “Bubi, bebi dhe kaleci”, “1111 fabula”, “Papagalli pinguin”, “Një deve pranë Eifelit”, “Derri me tri këmbë”, “Fabula erotike”, “Gërvisht e gërvisht”, “Lakuriqi lakuriq”, “Miss Dhia”, “Mbreti xhuxh”,  “Mjeshtër Pinoku”, etj. Fabulat e Ferit Lamajt janë përkthyer e botuar në disa gjuhë: anglisht, frëngjisht, spanjisht, italisht, greqisht e rumanisht.
Krijimtaria e tij është ekranizuar në albume fabuleske nga TV shqiptar, nën interpretimin e aktorëve Kadri Roshi, Margarita Xhepa, Lazër Filipi e Roland Trebicka.
Është hartues i përmbledhjes antologjike të fabulës shqiptare si dhe fitues i mjaft çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, ku spikatin: çmimi i parë në konkursin kombëtar të 45-vjetorit të Çlirimit (1989); çmimi “La Fonten” nga Ambasada Franceze në Tiranë (1995); çmimi “Libri më i mirë për fëmijë në gjuhën shqipe” (Maqedoni, 1996); çmimi i Karrierës (1996); medalja e argjendtë në konkursin ndërkombëtar “Il faro d’Argento” (Itali, 1998); medalja e argjendtë nga Biblioteka Ndërkombëtare e Poezisë (SHBA, 2002); medalja “Naim Frashëri” akorduar nga Presidenti i Republikës (2005); lista e Nderit e IBBY-t (Kinë, 2006).
Ka studiuar e hulumtuar në fushë të fabulës në Greqi, Itali, Francë, Gjermani, SHBA, Bullgari, Rumani, Zvicër, Austri, Egjipt, Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, Çeki, Kinë.
Është anëtar i Shoqatës Botërore të Fabulistëve si dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj. 

Me origjinë nga Tepelena, lindur në Korçë dhe rritur në Tiranë? Ky është rrugëtimi jetësor i Ferit Lamaj?


Po. Por mësimet e para i kam marrë në shkollën e Kuqe, më tej te “Hasan Vogli”, për ta mbyllur ciklin 8-vjeçar në shkollën “7 Marsi”. Përgjithësisht kam qenë natyrë e qetë, e urtë, e përhumbur në meditimet e moshës.
Marrëdhëniet me shokët dhe mësuesit kanë qenë reciprokisht të çiltra e të sinqerta. Çiltërsinë dhe sinqeritetin i vlerësoj edhe sot ndër virtytet më të vyera që lipset të bartë qenia njerëzore. 
Si lëndë të preferuara, natyrisht Leximin letrar dhe Gjuhën shqipe, por parapëlqeja jo pak edhe gjuhën e huaj, ndonëse atëherë në sistemin shkollor mësohej masivisht një gjuhë lindore, rusishtja. Gjuhët e Perëndimit u desh t’i përvetësoja individualisht shumë vite më vonë, në mesmoshë.

Kur keni shkruar për herë të parë në bankat e shkollës dhe çfarë?

Kam qenë nxënës i klasës së 6-të, kur hartimet nisa t’i shoqëroja me vargje. Rashë në sy të një kandidati, që kryente praktikën studentore në shkollën tonë. Ishte pikërisht ky njeri, që më shpuri në rrethin letrar të Pallatit të Pionierëve, ku në një “Gazetë xhepi” ne, letrarët e vegjël publikonim vjershat e para.Më tej, gjatë shkollës së mesme nisa të bashkëpunoj me revistën e mirënjohur satiro – humoristike “Hosteni”, në faqet e së cilës do të gjesh edhe fabulat e mia të hershme.

Krijimtaria ju çoi drejt studimve në degën e preferuar?

Studimet e larta  për gjuhë – letërsi i kam kryer pa shkëputje nga puna. Ndonëse kisha fituar të drejtën e studimit nga ish-Komiteti Ekzekutiv, edhe pse kisha botuar librin e parë me vargje humoristike, sekretaria e fakultetit nuk më regjistronte si student, meqënëse unë nuk punoja në mësimdhënie. U desh një shkresë zyrtare nga dashamirësi dhe përkrahësi i talenteve të reja, shkrimtari dhe njeriu i mençur, ish-Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli, që unë të nisja studimet e larta.
Ëndërroja të hyja në radhët e shkrimtarëve dhe të botoja sa më shumë libra. Natyrisht, edhe një punë të mirëfilltë redaktoriale, që të lidhej me krijimtarinë letrare.
 
Krijimtaria ka ditë nga më të ndryshmet, mbushur me surpriza, befasira, netë pa gjumë, por edhe ditë ngazëlluese?

Le ta fillojmë nga dita më e pakëndshme. Së toku me kritikun A. Kallulli, pas dy vjet punësh intensive hulumtuese kishim dorëzuar në redaksinë përkatëse të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në vitin 1988 përmbledhjen antologjike të fabulës shqiptare, nisur me Santorin, Naimin, Çajupin, Negovanin etj. Në redaksinë e revistës së Ministrisë së Brendshme, ku punoja bie telefoni dhe nëndrejtoresha e Shtëpisë Botuese, mjaft e shqetësuar më thotë se “me antologjinë e fabulës ka dalë një problem i mprehtë. Midis 45 autorëve keni përfshirë edhe Kristo Floqin. Kërkojnë përgjigje urgjente në KQ të PPSH…”.  I shkruaj një letër sekretarit të K. Qendror, F. Çamit, ku përpiqem ta bind se K. Floqi nuk është trajtuar kundërshtar në nivelin e Fishtës apo Konicës në Historinë e letërsisë shqipe, se komeditë e tij luheshin nga studentët e Institutit të lartë të Arteve, se vetë sh. Enver në rini ka luajtur rolin kryesor në një nga komeditë e tij, etj.. Pas kësaj letre më thirrën në aparatin e K. Qendror. Ndonëse më dhanë ca përqindje të drejte, antologjisë së fabulës shqiptare iu grisën faqet me krijimet origjinale të Floqit.

Dita më e bukur?

Për fat nuk është një e vetme, por disa: ditët e daljes së librave nga shtypi, ditët e marrjes së çmimeve letrare, ditët e realizimit të filmimeve televizive fabuleske me aktorët e mirënjohur të skenës dhe të ekranit. Nëse do të zgjidhja mes këtyre shumë ditëve, le të veçoja kohën njëjavore të interpretimeve të fabulave të mia nga mjeshtri Kadri Roshi në lagunën e magjishme të Divjakës. Më pëlqen të rikujtoj një nga çastet e atyre ditëve të pashlyera në kujtesën time. Kur i erdhi radha interpretimit të mikrofabulës “Një thënie e re”, mjeshtri më kërkoi leje, që vargut të fundit t’i bëjë një ndryshim të vogël. Dhe unë e lejova me gjithë zemër. Ja vargjet e dala nga thellësia e shpirtit të madh të Kadri Roshit: /Që prej shekujsh rron e thëna:/ “Qengj i urtë pi dy nëna”/ Ju nuk dini më të renë: / “Pijnë rrufjanët gjithë kopenë…”.

Në disa fabula ju keni nxjerrë në pah talentin e shkrimtarit, raportin me punën, rolin që zënë ato në kohën e krijimit…
 
Historikisht shkrimtarë të mëdhenj, kanë bërë present rolin e talentit dhe të punës në krijimtari. Edhe unë thënieve të tyre u përmbahem. Fillimisht talenti, vijimësisht e përditshmërisht puna. Truri i shkrimtarit është një “kompjuter” fantastik, i cili duhet të jetë gjithnjë në punë kreative, të fantazojë, të skicojë, të modelojë, të parashkruajë, të korrigjojë, e më në fund të printojë.

Cilët kanë qenë idhujt tuaj në letërsi dhe muzikë brenda e jashtë Shqipërisë?

Në letërsi: D. Agolli, D. Bubani; A. Nesin, E.Kishon, O Henri. Në muzikë: V. Zela, A. Gjebrea; A. Çelentano, Xh. Morandi, Bitëlls.

Pse zgjodhët pikërisht fabulën në krijimtari?

Arsyeja e parë, sepse çastet e krijimit fabulesk më japin një kënaqësi të përkryer shpirtërore, që pa hezitim do ta konsideroja si kënaqësinë e kënaqësive. E dyta, sepse shigjeton artistikisht tërthorazi, por kurdohet godet në shenjë. Dhe e treta, ngaqë u përcillet lehtësisht të gjitha moshave. Dritëro Agolli në parathënien e librit  “Dhelpra e Trojës” shkruan: “Fabulën e do edhe nipi, edhe gjyshi, edhe shkencëtari, edhe bariu”.

Cilët janë fabulistët shqiptarë që i shihni si konkurrentë?

E kam konsideruar veten në një garë vrapimi, si 35 vite të shkuara kur shkruaja vargjet e para, ashtu edhe sot, pas publikimit të mbi 2500 fabulave. Ndihem ende energjik në korsinë time. Për mua është tepër e rëndësishme të ruash të pacënuar nivelin artistik. Pastaj, nëse je Usaim Bolt apo një “atlet” i panjohur, le ta përcaktojnë sytë e “spektatorit” lexues.

Në botë cilët fabulistë keni për zemër?

Stërgjyshin e sojit tonë, Ezopin, e më tej La Fontenin, Krillovin, Trilusën.

Si do ta përkufizonte fabulisti Lamaj “detin” e sotëm të botimeve?

Të ishte thjesht inflacion, gjysma e së keqes. Unë do të thosha se ka një amulli të skajshme, një anarki të theksuar botimesh. I serviren lexuesit fukara si ushqim shpirtëror lloj – lloj turlirash e skarcitetesh artistike. Mesa duket ky vendi ynë fanarndritës po nxjerr jo për çdo fis, por për çdo familje nga një shkrimtar, një piktor, një këngëtar, një …
Për fatin e keq, botuesit tek ne, me përjashtime të rralla, janë, po të përdorja ngjyrimin zbutës: të parekomandueshëm, dhe nëse do të shprehesha disi më troç: matrapazë djallëzorë. Ky biçim botuesish, grafomanëve veteranë u merr paratë e pensionit, ndërsa të talentuarit i rrjep për së gjalli e për së vdekuri.

Sa afër është politika dhe shteti shqiptar me krijuesit?

Aq “afër” sa edhe e rrëmbeu godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, pas zinxhirosjes në mesnatë të portës kryesore të saj. 

Përkufizimi juaj për politikën shqiptare?

I mungojnë ca “çikërrima” të parëndësishme, si: morali, dinjiteti, premtimmbajtja…

Ju vetë a jeni marrë me politikë?

Në diapazonin aq të gjerë tematik jam marrë e do të merrem seriozisht edhe me fabulën politike.

Aktualisht çfarë keni në duar?

Fabula dhe …fabula. Kam dorëzuar pranë Shtëpisë Botuese “Extra” vëllimin dorëshkrim “Gici dhe polici”, ndërkohë që kam thuajse të përfunduar një tjetër libër fabulesk, të titulluar “Dhelpra dhe fiqtë”. Kam përkthyer në italisht rreth 100 fabula për konkurrimin “Estroverso” në Itali, ku libri “Dhelpra e Trojës” është përzgjedhur krahas 4 autorëve të mirënjohur shqiptarë: I. Kadare, M. Kuteli, P. Marko, V. Zhiti. Gjithashtu, po bashkëpunoj me një shtëpi botuese të Barcelonës për publikimin e fabulave në spanjisht.

Nga krijimtaria e Ferit Lamaj:

Dhelpra dhe fiqtë

Vapa piqte, ish korrik;
Dhelpra shkrihej nën një fik:
- Ata fiqtë janë për mua,
Shumë i dua, shumë i dua!
S’i arrij, fjalë e vërtetë;
Veç kur rreshken, bien vetë…
 
Kali i Skënderbeut

Pranë kalit, mu në shesh,
Ky maçoku qesh a s’qesh.
“Fap” t’i hidhet përmbi shpinë;
Nga gëzimi mjaullin…
Gic polici beh me shkop:
- Zbriti shpejt, se të rras gjobë!
Ky maçoku llap së koti:
- Po ti ç’ke, kur s’flet i zoti?!
 
Mbretëresha

Dhe Luani sheh kosheren:
- Jam unë Mbreti, hapma derën!
Bleta rojë ç’e përqesh:
- S’kemi Mbret, por Mbretëreshë!…

Deriketutuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuu
Pasdiktaturë
          - Nostalgji -
Një majmun kockë e lëkurë,
Shumë po vuan, shumë po heq.
Flet me vete si mahmur:
- Ishim mirë, kur ishim keq!...
 
1, 2, 3, 5

Njëshi, dyshi, treshi
Çelën tok biznes
Me pulovra leshi.
- Do fitojmë me thes!
Dreq, s’u qeshi fati,
Ngelën bash në kiç,
Pasi rezultati
Doli pesë me hiç…
 
Punë e zezë

Pelikani peshkatar
Po punoka pa orar,
Pa kontratë, pa librezë:
Pendëbardhë …në punë të zezë!
 
Dallëndyshe!

Dallëndyshe, moj e mirë,
Fluturo si zog i lirë
Tejembanë në hapësirë…
Unë i mjeri s’të ndjek dot
Nëpër shtete, nëpër botë,
Se …s’kam vizë në pasaportë!
 
Shatërvani

Shatërvanin kur pa foka,
Tha: - Po bie shi nga …toka!
 
1 Prill

- Maçoku dhe Pinoku -
Rras një rrenë maçoku,
Rrenë të paparë.
Hundën zgjat Pinoku:
- Maçok gënjeshtar!
Daci ç’u çudit:
- Unë respektoj ritin,
Se rrej veç një ditë,
Jo si ti, tërë vitin!...

Mish e thua

“Burrë e grua,
Mish e thua.”
Burri qeshi
Edhe shtoi:
- Unë jam mishi,
Ti je thoi!...

Imuniteti

Del akrepi nga foleja.
Pa të shohim, kush është preja?
Ç’ia ngul thumbin zonjës mizë;
E kaloi në paralizë.
More, qysh s’helmohet vetë?!
…Epo ka imunitet.
 
Ujku Ministër

Zgjodhi pylli Qeverinë.
Ujku kapi Blegtorinë,
Goxha peshë si Dikaster.
I shkon tigri: - Bëmë nder,
Ta drejtoj dhe unë një grigjë;
Brez pas brezi biem miq!
 -  Ç’biem? – ujku shqyen sytë.
-  Jemi baxhanakë të dytë!...

Akuarium

Peshku peshkut seç i flet:
- Këtu jemi më të qetë,
Më të sigurt se në det!
S’të them gjepur, s’të them rrenë:
Se, për fat, s’ka peshkaqen…
 
Gaforrja

Kjo gaforrja erdh’ nga deti;
Një guaskë kërmilli gjeti.
Për pronarin s’pyet fare,
Rraset brenda ashiqare.
Bëka cubin, bëka trimin;
Tash po pret legalizimin…

Origjinë

Qeni mburrjen kish në gen:
- Jam qen – ujk e jo thjesht qen!
Origjina është e qartë:
Nëna buçe, ujk im atë…
Flet mushkonja pak me qibër:
- Dhe unë jam …mushkonja – tigër!
Krizë presidenciale
I sfilitur një majmun,
I papunë tash tre vjet,
Brofi befas: - Gjeta punë!
Ka vend bosh për President…

Në kopshtin e Edenit

Përmbi fik flet një majmun:
- Eva gjethet, frutat unë…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora