E merkure, 24.04.2024, 12:45 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Pushka e vjetër

E shtune, 20.10.2018, 03:25 PM


PUSHKA E VJETËR

TREGIM NGA RESMI OSMANI

1

Mesditë. Sokoli dhe Dila ishin ulur nën qershi. Qershia ishte e mbushur me kokrra të pjekura që kuqëlonin.Kishin vjelur një shportë plot. Prej saj, herë pas here shijonin ëmbëlsinë e frutave. Nga pirgu i berthamave dukej që u kishin pëlqyer. Në kurorë të saj zogjtë çukisnin kokrrat dhe cicërinin. Më përtej ishte livadhi me bar e lule, bletë e flutura, ku kulloste lopa larë dhe lodronte viçi. Ishin ditët e para të pushimeve verore të shkollës. Të dy mësonin në një klasë, ishin hedhur në maturë. Katundi i tyre nuk ishte larg qytetit. Shkonin e vinin përditë bashkë. Duheshin, në heshtje. S’kanë ç’duhen fjalët kur flasin sytë me shkëlqim drite, buzëqeshja lodërtare që hijeshon e përndrit gjithë fytyrën, ajo tërheqja e vetvetishme me atë drithërimë  zemre. Sokoli nuk  nginjej me soditjen e bukurisë së vashës. E kapi përdore,Dila u afrua më pranë. Sokoli e puthi në buzë, lehtë, butë. Buzët kishin ëmbëlsinë e qershive. Vajza fërgëlloi dhe u shkëput.Po shtrëngonte vapa. Ishte koha për t’u kthyer në shtëpi.

Përanash asaj që quhej “Udha e madhe” e katundit, në gardhin e kopshtit, kapërcyelli  hapte shtegun e kalimit që ndahej në dy degë, njera,përmes gurëve dhe shkurreve të dëllinjave të shpinte për te kulla e vetmuar e Dilës, tjetra merrte për nga zabeli i dushkajës dhe i ngjitej pyllit.Dila mori lopën për litari,shportën e qershive dhe ngau shtegut për në kullë. U ndanë me premtimin se do të shiheshin sërish të nesërmen.

Deri neser, sa afer, sa larg!

2

Në shtëpinë e vjetër të Prel Nik Shtjefnit jetonin dy pleq dhe një i ri. Të moshuarit ishin gjyshërit lala Prel dhe nanloke Mara. i riu, nipi, Sokoli, që pas vdekjes së prindërve e kishin rrirur vetë. Pasuria: lopa,qymezi i pulave, kopshti i perimeve dhe gëzimi i pleqërisë, trashëgmtari, stolia e shtëpisë, nipi, Sokoli. E çonin jetesën hollë e si të mundnin,me ato pak të ardhura nga shitja e qumshtit, vezëve, zogjve shqerakë e ca perimeve, por djalin se kishin ndarë nga shkolla.

Kur u kthye Sokoli në shtëpi, me një qeskë qershi në dorë, lal Prela  i kishte hyrë një pune të çuditshme. I ulur këmbëkryq, para vetes mbi shtroje sargie gjëndej një pushkë e vjetër e gjatë, e zbërthyer, që Sokoli se kishte parë ndonjëherë, një mashtrapë e vogël alumini me vaj pushke, thupra e pastrimit dhe do lëvere të pastra. Sido që duart i dridheshin dhe shikimi i ishte zbehur, dukej që atë punë e bënte me zell. Pushka e pastruar shkëlqente me reflekse mavi. E fshiu me kujdes , e mbertheu, pastaj e mbushi me një ballë fishekë. Fishekët e bronztë me njolla zgjyre të gjelbër, ishin të gjatë , me plumba të kuqërremtë bakri me majë.Të vogjël ata fishekë po e madhe gjama që bajshin. Aq vlente jeta e njeriut, një fishek i shkrehun! E tërhoqi shulin pas pastaj e shtyu përpara, lëvizte lehtë, fisheku shkoi në fole.E vuri në siguresë dhe ia zgjati të nipit:

-A je burrë Sokol Zef Shtjefni!

Ishte e para herë që gjyshi e përshëndeste kësilloj: me emër, atësi dhe mbiemër.

-Qofsh me nder lal Prela. Po kjo nga na doli?

-Ta gzosh dhe e mbajtsh me nder! Ka qenë e murosur tash e gjashtëdhjet vjet. I thonë “Grykëhollë” është manxerr turqie, e kam trashëgim nga im atë. Qëllon atje ku e shënon, edhe njëmijë hapa larg. Ndan qimen më dysh!

Në atë e sipër, hyri nanloke Mara, me një kovë me qumësht dhe përparsen mbushur me vezë. U hodhi një sy jo pa habi burrave por nuk bzajti. Ajo e dinte,s’kishte tagër në punët e tyre. I shoqi ishte i prapët e nopran. E kotë të pyeste apo të fliste.

-Ashtë kanun. Po të jetonte yt atë, që kur mbushe pesëmbëdhjetë vjeç, kur djali zihet burrë për armë, e kishte detyrë me t’a ble pushkën. Unë prita sa të hyje në tetëmbëdhetë, se në këto vakte, djelmtë burrënohen ca si vonë e burrat plaken ca ma heret.

- E ç’më duhet kjo shpifësirë e vjetër?Përse më hyn në punë?

- Burri e don armën. Më së shumti, edhe e mira edhe e keqja vijnë nga si prêt. Arma duhet për faqe të bardhë. Kështu na e kanë lanë pleqtë.  Arma e mirë për ditë të keqe.

Nanlokja, pa fjalë, u vuri para një tas me qershi nga ato që kishte prurë Sokoli e që  sapo i kishte larë. Mbi korrat e kuqe ndrinin piklat e ujit.

- Ku i more këto qershi?

- I mblodhëm me Dilën e Mark Dedës.

- Si shumë po i avitesh asaj cuce!-Heshtje, e më pas- hiq dorë sosh. Mos të të rrejë  mendja për ma shumë. S’asht fat për ty. A ndjeve?

- Me Dilën na shkon shoqnia, pëlqehemi.

- Pëlqeheni apo jo, tash që po trashet hesapi, ka ardh koha t’i  dish do gjana që s’t’i kam thanë.Me kanun,djali,sa t’ket prindt,ska tagër për me mendue për martesë të vet.Por kur s’ ka prind, mund t’a mendojë .Që ta mendosh, je në të drejtë tande, por jo që ta vendosësh.S’ke uzdajë. Kjo sa për ty. Vajza, edhe në mos past prindt gjallë, s’ka tagër për me mendue për martesë , apo me zgjedh fatin e vet, do të shkojë tek aj  me të cilin do t’a fejojnë prindt apo vllaznia. Kjo për Dilën.

Sokoli,për ta nderuar gjyshin, dëgjonte me vëmendje, por pa interes, këtë shkoqitje të nyjeve të mykura të  kanunit që vinin si një jehonë e një kohe të tejshkuar. I gjyshi vazhdonte të ishte si pjesë e gjallë e kanunit të folur, të trashëguar e të pashkruar, që ishte rrënjosur thellë e shfaqej në mënyrën e tij të të menduarit dhe të vepruarit, që pas një harrese të detyruar dhunshëm, ishte rikthyer si pjesë e jetës, e sjelljes dhe mardhënieve me vllazërinë, gjininë, fisin, katundin dhe bajrakun. Ai ishte pjesë e “Pleqësisë “ së katundit dhe shpesh e thërrisnin për të gjykuar e zgjidhur mosmarveshjet si qëmoti. Kjo i pëlqente dhe e bënte të ndihej i nderuar. Jetonte me kumtet dhe jehet e   tjetër kohe që vinin nga tjetër botë. Për të vlente e shkuara dhe jo e tashmja apo e ardhmja e panjohur.Sipas tij edhe e nesërmja nuk duhet të ishte ndryshe nga e shkuara.

- Lal, hala me kanun? Kemi shtet, kemi ligje, kemi rend, kemi elektricitet, televizor, telefon celular.  Tjetër kohë, të tjerë njerëz, zakone të reja.

- As njanën prej tyne të saktë.Veç rrena. Ka gati tridhet vjet që qeveritë vinë e shkojnë, bajnë ligje si ua don puna, na pëlqejnë apo s’na pëlqejnë, e halle s’na zgjidhin e punë s’na kryejn. Ani.  Na kemi ligjet, doket tona, që na i kan lan t’ parët. Besimi n’Zot dhe ato janë themeli që e kanë mbajt n’kambë  malcinë.

Sokoli e njihte dhe e dinte, me të  e kotë të arsyetoje, ishte si të doje të ngulje një gozhdë në gur. U ngrit të hapte televizorin, po afronte koha e  ndeshjeve sportive, por i gjyshi e ndali:

-Prit ke hala për me  ndigjue. N’martesë ka ndalesa: djali e vajza të mos jenë gjak e gjini; të mos jenë të një fisit, vajza të mos jetë mes fisit të djalit që don me e xanë, të mos jetë grue e lshueme; t’mos ketë kumari, vllazrim me gjak, t’marrë t’flokve. Edhe katërqind breza me kenë! Na me shpinë e Mark Dedës kena kumari të vjetër dhe jemi të një fisi. Harroje Dilën! Kush i shkel këto ndalesa , gruaja i quhet pa kunorë, e me kanun shpia i digjet, toka i jet djerrë dhe nxirret prej vendit! Fmija që do të kenë,janë jasht kanuni e kurrfar të drejtë në trashëgim nuk do të kenë!

Gjyshi fliste ngadalë, paçka se e ngiste një kollë e keqe, ndaj nga gulçi, i shkoqiste fjalët që i thoshte si me hakërrim, si për një të keqe që nuk duhet të ndodhte,që nuk dihej se nga mund të vinte, si një paralajmërim i kobshëm e gjëmëmadh, që përsillej skutave e nuk gjallonte  vetëm në mëndjen e tij të vjetër.

-Ka edhe ma. Ti s’din tjetrën. Me Dedajt na jena n’gjak. Ata janë gjaksit, dorërasit. Mos u mahit, s’ke si me e dit. Ka hane- hane që ka ba vaki. Dukej se kjo ishte harrue, po ndrruen kohët. U ngjall kanuni, gjindja u kujtue e na, na ka jet turpi n’derë. Dy gisht ndere n’lule t’ballit, na i njit Zoti i madh që kur kemi le. Ndera e marrun s’falet kurrë. Ndera e marrun vihet n’vend me të derdhun t’ gjakut. Mua pleqnija mi ka pre gjunjët, duart më dridhen, drita e syve po më fiket, as marr dot shenj, as e shkreh dot pushkën. Përndryshe, e merrsha vet gjakun. Ti je mashkulli i vetëm i shtëpisë dhe kjo barrë t’mbetet ty, me vra nji të Dedajve, tatën apo  vllan e Dilës!

Kjo ishte si një shkrepëtimë në qiell të kthiellët, një tërmet që i trandi trup e shpirt.

- Përnjimend e ke Lal?

- Po ti, nuk e kuptove pse “Grykëholla”, doli nga murimi dhe përse ta dorzova ty?

-Jo!-kundërshtoi i nipi, me një jo të prerë - gjë që s’bahet. Si të shkon ndërmend? Është çmenduri! Të vras Nikollën, vllan e Dilës, që e kam shok e shkuar shokut? Të bëhem vrasës për një gjakmarrje të harruar që s’mbahet mend kur ka ndodhur?

Lal Prela e priste kundërshtimin e të nipit, ky brez e kishte bjerr burrninë,  por ani, ai vazhdoi në të vetën:

- Ti mos u ngut ti japish gojës para mendjes. Atyre nuk u erdhi keq, kur vllaun tem , e vranë për një vadë uji. Nuk e menduan a do na dhimbte shpirti e do na therte zemra. Edhe aj ishte i ri e në lule të moshës dhe ishte prerë dita e dasmës. Dedajt na e kanë borxh gjakun, e di gjith katundi. Na edhe pse në heshtje,pas lufte,të detyruem, bam sikur e harruem, asnjiherë nuk e falëm edhe pse pushteti i atëhershëm vuni shtrëngesë. Tash, veç vedit, askush nuk na detyron. Asht kanun: fytyrën e vrugueme n’daç laje, n’daç zezoje edhe ma. Je i lirë me mbajt burrnin tande, por je i lir edhe me u shburrnue për turp e faqe të zezë! Zgjidh e merr!

Si tha këto, lal Prela e vari pushkën e gjatë    mur, në një gremç anash oxhakut.Pushka zuri vend e heshtur, por mizore. Ajo dinte të fliste veç me krisma. Pastaj shkoi në një sepet  të vjetër , nxori një këmishë dhe e shpalosi. Në gjoksin e saj  dukej një birë plumbi dhe pllanga e gjakut të tharë e  nxirë nga koha. Ishte këmisha e përgjakur e të vrarit. E vendosi anës pushkës së vjetër. Kështu e kërkonte kanuni. Ajo këmishë e përgjakur ishte thirrja e hakmarrjes, dhe pushka, mjeti. Do të rrinte, si një gjemb i ngulur në tru, kujtesë e paprashme, atje, bashkë me shpirtin e të vrarit, që t’u fliste syve dhe mendjes, të ngjallte guximin dhe zemrimin, vegim dhe jeh i një kohe të largët,  derisa të merrej gjaku .

Kanuni. Gjakmarrja. Pjellë e lindur nga skutat e errëta të urrejtjes, egërsisë dhe ligësisë. Fantazmë mizore që sillesh ende në hapsirat e malsisë. Gjithçka e llogaritur, si në një teatër tragjik që luhej në pritat, pusitë dhe kullat e gurta. Ishte burrëri të vrisje për gjakmarrje apo nder të marrun, e paburrëri e turpërim po të mos e bëje. Sokoli papritur krejt çuditërisht, me padëshirë u përfshi  në vorbullën e gjakut.U bë hallkë e atij zinxhiri. Nga të gjitha anët rridhte me gulshe gjaku njerzor: i kuq, i ngrohtë, avulli dhe duhma e tij e rëndë ishin mbytëse.Gjithçka u ngjye në të kuq dhe pikonte gjak, nga muret, nga tavani, i trashë, veshtullor. Simboli i jetës së ndërprerë mizorisht.Gjaku dedhej, jeta fikej, dhimbja dhe gjëma ngjitej deri në kupë të qiellit. Një qerthull mbytës e marramendës laku i të cilit I shtrëngonte fytyn e nga i  cili nuk dilej dot: gjakderdhja që shkymte jetën, dorërasi, vrasësi që kishte shkrepur pushkën. I zoti i gjakut shtëpia e Prel Nik Shtjefnit, që kishte të drejtën e gjakmarrjes,  dhe borxhliu i gjakut, shtëpia e Mark Dedës, ngujimi,arratia, pështjelloheshin kaqë shumë prapësira ! Lal Prela e shihte drejt në sy, me një vështrim idhnak, dhe pyeste me një fjalë të vetme mizore: ”Kur?”, dhe priste që ai t’i përgjigjej. Por ajo përgjigje ishte për të aq e vështirë dhe trallisëse, si të trandte nga vendi një mal  të tërë.

Nuk deshi të hante.Shkoi në dhomën e vet dhe u shtri. I flihej gjumë.

3

Nanloke Mara, hapi një sepet të vjetër punuar e gdhendur nga dru arneni, dhe nxori sish një palë petka burrërisht: çorape leshi me lule, tirqe të bardha stolisur me gajtan të zi, këmishë mëngëgjerë, xhurdi me jakëz stolisur me xhufka e sumbulla qelqi dhe një ksulë borë të bardhë.

-Janë të tyt eti. Vishi, të bien pas shtati.

Ai i veshi. U pa në pasqyrë. Andej e shihte një malësor që kishte fytyrën e tij. Pastaj ai hodhi pushkën në krahë. Nanlokja bëri kryqin dhe i dha bekimin “Zoti t’rujt”. Kur doli nga shtëpia me pushkë krahut dita ishte në të thyer. Që të mos e shihnin i dredhoi rrugës së madhe. Kaptoi kapërcyellin dhe zuri vend në shtegun që vinte nga shtëpia e Dedajve. Prita ishte në vend të mirë. Aty ai do të priste rrezikziun që do të vinte prej shtëpisë së hasmit. U shtri. E vuri pushkën në të djathtë. Qetësi e kobshme. As nuk frynte as nuk pipëtinte. Veshi nuk i zinte as fëshfërimën e hollë të gjetheve.Mori pushkën dhe e mbështeti në sup, pastaj vuri shenjë në shtegun nga ku do të shfaqej gjaksi. Pushka foli: ”Eh sa më ka zënë malli të këndoj kengën e luftës! Po të kesh zemër të fortë, sy të mprehtë dhe mendje të kthiellët, nuk të turpëroj apo të dal bosh. Mbështetmë mirë e fort pas supit. Shtrije dorën e majtë dhe mbështetmë. Hiqe siguresën, vëre gishtin hjekës në këmbëz, rrafsho shqekzën me thepin  dhe merr shenjë në lule të ballit. Mbaje frymën dhe shkrehmë.Punë e kryer, askush nuk mund t’i shpëtojë të shtimes sime”Kështu foli pushka e vjetër , ai e dëgjoi dhe bëri si i tha.

Gjaksi, orëziu, që se dinte ç’e priste, po vinte drejt pritës me çap të qetë e të sigurtë. Ishte Nikolla, vëllai i Dilës. Shtatlartë si lastar, i hijshëm , dy a tre vjeç më i madh se Sokoli. Kishin shoqëri, luanin bashkë futboll, shkëmbenin libra.Por tani duhet ta vriste.Gjaku duhej larë! Sokoli e la sa u afrua në vend të hapët dhe i bëri zë:

-Nikoll Mark Deda, bëj të fala n’at botë Martin Nik Shtjefnit!

Zëri i tij erdh e kumboi me një jeh të qartë e të prerë  në heshtjen e rëndë. Nikolla ngriu në këmbë, pa menduar se ç’e priste. E njohu zërin e Sokolit.  Duhet të ishte ndonjë shaka e tij. Nuk arriti as të fliste. Sokoli nuk priti përgjigje, frigohej se mos ligështohej dhe e bjerrte guximi. Këmbëza u tërhoq.Bam! Pushka u shkreh, krisma, flaka dhe era e athët e barutit e shurdhuan dhe verbuan. Nikolla u gremis plasur në vend. Jehu i krismës u përhap në luginë. Sokoli u ngrit nga prita dhe me këmbët që i dridheshin dhe pushkën me një dorë iu afrua të vrarit. Ai kishte rënë përmbys. E ktheu mbarë,(kështu e donte kanuni) me fytyrë nga qielli dhe duart ja kryqzoi mbi gjoks. Ishte ende i ngrohtë dhe nga plaga i rridhte gjak. Sytë e pajetë dukej sikur e shihnin dhe e pyesnin :”Pse? Pse?....” Ia uli kapakët e syve. Se duronte dot shikimin e tyre të pajetë. Trupi iu shkreh, e la fuqia dhe i vinte për të vjellë. E kishte zënë gjaku. Lakadredhas e me zor, pastaj me një vrap të çartur, hodhi kapërcyellin dhe doli në rrugën e madhe te katundit. Aty hasi lorin e lopëve të katundit, Pjetrin, që u habit nga pamja e tij.

- Pjetër,më bëj një nder.Shko në shtëpi të Dedajve dhe thuaju se Nikollën  e vrava per të larë borxhin e gjakut…….

Sokoli brofi dhe qëndroi ndenjur mbi shtrat. Ujë në djersë, zemra i rrihte fort dhe gulçi i merrte frymen. O ç’tmerr, ç’llahtari! Në sy kishte ende pamjet e ëndërrës , që po i përjetonte si të vërteta. Kishte fjetur shumë dhe nuk e kuptoi ishte ditë apo natë. Pa orën: kishte kaluar shtatë e gjysmë e pasditës , dielli ishte ulur në perëndim dhe dhoma ishte zhytur në të mugët. Doli përjashta. E vuri kokën nën muslluk dhe e la ti rridhte ujët që t’i kthjellohej mendja.

Të nesërmen Sokoli  u ngrit heret. Mori çantën e shpinës, e mbushi me tesha trupi dhe do sende të tjera.

Pasi mbaruan së ngrëni sillën, lal Prela hodhi sytë nga muri ku ishte varur pushka e vjetër dhe këmisha e përgjakur dhe pyeti me një fjalë të vetme:

- Kur?

- Lal, u kry! Dje pasdite.Në andërr.E vrava. Ishte krejt si e vërtetë, aq sa edhe tash me dridhet trupi kur e kujtoj.

- Paj bre, mos ban hajgare!

- Nuk bahem dot vrasës.Mendo si të dush e çka të dush.

U ngrit dhe hodhi çantën në shpinë.

- Në kët shtëpi e në kët katund , me pushkë e kanun, s’ka ma vend për mue.

- Po hikën ? E ku do të shkosh. Po ne dy pleq , që i kemi sytë në ty, ku do të na lesh?

-U mendova gjatë dhe e kam ndarë mendjen. Bota asht e madhe, do të gjendet edhe një vend për mue, pa kanun e pa gjakmarrje, ma mire kshtu edhe per ju edhe për mue. - Tha dhe pastaj bëri një telefonatë në celular.

Lal Prela nuk e dha veten . Burrat kan burrni. Perqafimit për tumirë mbetsh të Sokolit iu përgjigj ftohtë.

Nanloke Mara qante në heshtje, lotët i rigonin në rrudhat e faqeve dhe i mblidheshin në mjekër.Mllefin e kishte me të shoqin, keqardhjen për të nipin. Sokoli e përqafoi. Ajo e përcolli deri jashtë portës, bëri kryqin dhe e bekoi ”Zoti t’rujt”. Pa sesi i nipi, i çliruar nga makthet , mori fluturim si zogu kur shkëputet nga foleja e vjetër.Rrinte dhe e shihte me sy të mjegulluar nga lotët. Diku, në fund të rrugicës, Sokoli qëndroi. Me të u bashkua edhe një vajzë. Me një valixhe në dorë. Ishte Dila. Ata kthyen kokën pas , e përshendetën me dorë dhe i dërguan një të puthur në ajër. Ajo i ndoqi me sy deri sa  humbën në kthesën e rrugës së madhe.

Tashmë i burrëruar dhe zot i vetes, tok me të dashurën,  po ikte drejt së panjohurës , në kërkim të një jete tjetër, të lumturisë dhe dashurisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora