Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Gjerdani krijues i dashurisë - vlerë dhe peshë letrare kombëtare

| E enjte, 18.10.2018, 07:00 PM |


GJERDANI KRIJUES I DASHURISË - VLERË DHE PESHË LETRARE KOMBËTARE

Doli nga shtypi Revista Kulturore Periodike “Urat” nr. 5 e Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë

Nga Sejdi BERISHA

Edhe sot e kësaj dite, kombi dhe atdheu, njeriu dhe popujt përgjithësisht kanë nevojë që t’i afirmojnë, t’i zhvillojnë dhe t’i përjetësojnë të arriturat shpirtërore, kulturore, letrare dhe historiografike, sepse, ato përveç se afirmojnë dhe i ofrojnë njerëzit, popujt dhe vendet e ndryshme të botës, dukshëm dhe padiskutueshëm i sensibilizojnë marrëdhëniet ndërnjerëzore, cilësinë krijuese, ngritin shkallën e afrimit dhe të dashurisë, por edhe të gjitha ato begatitë dhe madhështitë që u ngjajnë trenit në lëvizje dhe binarëve që nuk kanë fund as të sosur. Kjo, sepse, vlerat shpirtërore, kultura dhe historia janë i vetmi instrument, i vetmi almanak i cili njeriun jo vetëm se e fisnikëron, por edhe shndërron në temë studimi për njerëzoren, për rehatinë dhe peshën shpirtërore, për lirinë fizike dhe mendore të njeriut në tërë globin, gjë e cila edhe sot në këtë shekull i nevojitet popujve dhe kombeve, pa marrë parasysh se sa të zhvilluar janë dhe sa të ndritshme e të begatë e kanë historinë.

Kjo punë e rëndësishme por edhe shumë e mundimshme, i nevojitet edhe kombit shqiptar dhe shqiptarëve kudo që janë ata, duke pasur parasysh se historia ka qenë “njerkë” që asnjëherë nuk ka reshtur për ta rënduar ecjen përpara të shqiptarëve në të gjitha sferat dhe fushat. Gjithashtu, edhe sistemet totalitare e kanë ndrydhur, dhe nëse doni, edhe e kanë dergjur vullnetin, talentin dhe pathyeshmërinë mendore dhe shpirtërore të njeriut tonë dhe e kanë sjellë edhe deri tek ndarja e dhunshme edhe me kufi fizik por edhe me kufi tjerë. E gjithë kjo, tani konsiston nevojën që krijuesit, historianët, intelektualët dhe kuadro të tjera të ngarkohen me përgjegjësinë që gjërat t’i qojnë përpara, t’i rrënojnë kufijtë por edhe botëkuptimet që artificialisht u bënë si mur dhe beden i së keqes. Dhe, për të mos e zgjatur, në këtë drejtim ka sa vite që krijuesit, poetët, shkrimtarët, piktorët dhe artistët e artit skenik dhe filmit, kanë arritur shumë, e që, padyshim se duhet bërë edhe shumë më shumë në afirmimin e vlerave krijuese, duke i rrënuar të gjitha barrierat dhe duke vënë ura të forta e të qëndrueshme bashkëpunimi, të cilat do ta forcojnë peshën e fjalës së shkruar, të dëshmisë historike duke i begatuar përvojat e ndërsjella krijuese, më çfarë vlerat tona inkorporohen me plotë cilësi në shoqërinë bashkëkohore kulturore dhe shkencore evropiane dhe ndërkombëtare, për çfarë dëshmojnë e po dëshmojnë shumë rezultate në fushën e sportit, të muzikës, pikturës mbase edhe të letërsisë.

Pesha e fjalës së shkruar përveç se afirmon vlerat kulturore dhe historike, ajo ngrit në piedestal peshën e ndijimit dhe të përgjegjësisë shpirtërore mbase edhe kombëtare

Në këtë aspekt, krijuesit jo vetëm letrarë të Malësisë së Gjakovës por edhe të qendrave të tjera, si të Pejës, Klinës, Malishevës, Kukësit, Prishtinës, Prizrenit, Istogut dhe të qendrave të tjera, por edhe të Lufinës së Preshevës, me organizimet e lloj-llojshme të aktiviteteve letrare i kanë quarpërpara shumë gjëra, e, në këtë drejtim, tani edhe shkrimtarët nga diaspora kanë arritur shumë në afirmimin e vlerave krijuese, cilësinë por edhe shumëllojshmërinë letrare.

Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve-Tropojë, në krye të cilit qëndron, Lulzim Logu, njëri prej promotorëve kryesor të kulturës jo vetëm në Tropojë, tani e sa vite, përkundër vështirësive materiale por edhe problemeve të tjera, ka arritur që peshën e fjalës së shkruar jo vetëm se ta ngrit në piedestalin e ndijimit dhe të përgjegjësisë shpirtërore, por, atë ka arritur që ta shndërrojë si në ujin e pastër të Valbonës, dhe i kanë shtrirë krihet edhe në drejtim të Kosovës, respektivisht, të Gjakovës, e që bashkërisht me krijuesit e këtij qyteti t’ia forcojnë themelet historike dhe kulturore e letrare Mitingut Tradicional Kombëtar e Ndërkombëtar të Poezisë në Gjakovë, i cili ka një bagazh të historisë së tij mbi pesëdhjetëvjeçare. Kështu, në kuadër të këtij aktiviteti, në Bajram Curri u organizua edhe Ora Letrare Tradicionale në kuadër të mitingut, që kishte mesazh e synim të qartë-vënien e urave krijuese me shkrimtarët e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës përgjithësisht, për çfarë edhe u arrit synimi, qëllimi dhe rezultatet.

Pengesat e formave të ndryshme apo edhe “lodhjet”, tmerrësisht i zvetënojnë dhe i dëmtojnë vlerat krijuese...!

Mirëpo, sikurse të gjitha rrugëtimet, edhe ky aktivitet i krijimtarisë letrare dhe kulturore, nganjëherë hasë në pengesa apo edhe në “lodhje”, që zvetënojnë dhe tmerrësisht dëmtojnë vlerat krijuese. Duke mos hyrë me gjerësisht në këtë temë as në “ikjen” e Mitingut të Poezisë në Gjakovë, krijuesit nga Tropoja, si nismë për ta provokuar “feniksin” letrar në Malësinë e Gjakovës dhe më gjerë, kanë vendosur të nxjerrin-botojnë revistën “Urat”, respektivisht, numrin pestë të kësaj reviste, e cila tani e sa kohë, në mënyrë periodike botohet, e ku përfshihet krijimtaria e shumë poetëve dhe krijuesve tjerë pothuajse nga të gjitha viset.

Siç dihet, gjithnjë me qëllim të afirmimit dhe zhvillimit të vlerave letrare, në vitin 2013 u botua edhe Antologjia e Poetëve të Malësisë së Gjakovë, me autorë, Lulzim Logu dhe Muharrem Kurti, ku janë përfshirë afro pesëdhjetë poetë, të cilët tani jetojnë e krijojnë anekënd trojeve shqiptare. Tani kjo vepër është një thesar dhe dëshmi letraro-historike.

Ky numër i revistës “Urat”, i cili kësaj radhe tërësisht për temë ka dashurinë, janë botuar poezitë e pesëdhjetë e tre poetëve nga të gjitha trevat shqiptare, dhe se kjo revistë do t’i paraprijë Manifestimit Tradicional “Ora e Poezisë”-Edicioni i VIII-të, i cili pritet se do të jetë në një format të ri, dhe do të ketë për qëllim e synim rifillimin apo nxitjen për urat më të forta të bashkëpunimit dhe të krijimtarisë, për ngritjen e vetëdijesimit dhe të ndërgjegjësimit për vazhdimin e traditës dhe respektimin e historisë mbi gjysmëshekullore të Mitingut Tradicional të Poezisë në Gjakovë, përmes së cilit, lirisht mund të thuhet se është afirmuar dhe njohur krijimtaria letrare shqiptare edhe instancat ndërkombëtare.

Në këtë numër të revistës “Urat”, është karakteristike se janë përfshirë autor pothuaj nga të gjitha trevat pa dallim, gjë e cila reflekton lloj-llojshmërinë e vlerave krijuese, e që lexuesi do të ketë mundësinë të njihet me krijuesit që ndoshta deri me tash krijimtarinë e tyre nuk kanë pasur mundësi ta kanë në duart e tyre, e aq më pak vargjet që i kushtohen temës më bazike jetësore dhe njerëzore-dashurisë.

Siç thamë edhe në fillim, pesha e këtij numri “Urat”, qëndron dhe është se poetët i kanë pikatur ndjenjat apo reflektimin e shpirtit të tyre në forma të ndryshme, ngase, dashuria si temë, nuk është e re dhe se ajo kurrë nuk plaket, pa marrë parasysh moshën e krijuesit. Në këtë “vorbull” zjarrmie, vargjet ngrehin në piedestal njerëzoren dhe madhështinë krijuese. Dhe, meqenëse autorët janë nga vende e treva të ndryshme, konsiderojmë se aty qëndron vlera dhe pesha e kësaj teme, e cila padyshim se i ngjason një pikture ku ngjyrat dhe mesazhi janë një kolorit shpirti, i cili mund të shijohet e kuptohet në mënyra e forma nga më të ndryshmet.

Afirmimi i krijimtarisë dhe zgjerimi e forcimi i bashkëpunimit gjithëkombëtar krijues-çështja më imediate dhe aktuale por edhe e përhershme kulturore dhe letrare

Në pamundësi për t’i cekur vetitë krijuese dhe të këndimit të secilit poet, po i veçojmë disa më karakteristike. Krijuesi Gjon Neçaj, cili është njëri prej atyre që kontribuoi jo vetëm në afirmimin e krijimtarisë letrare dhe historiografike në qytetin e Bajram Currit, por ai dha kontribut edhe në forcimin e bashkëpunimit krijues në shkallë vendi, e sidomos me Malësinë e Gjakovës, ja se si në mes tjerash ligjëron për dashurinë: “Dikur luanim bashkë lojë dasmash,/Unë bëhesha dhëndër, ti nusja me duvak/Nën hijen e mrizit të dy  shtriheshim,/E drejt njëri tjetrit afroheshim nga pak…”. Ndërsa, Abër Ahmetaj, sikur i ngjanë lëruesit të pagabueshëm të ndijimit shpirtëror: “Kishit përparëse shkolle e bishtaleca/Fjongo, jaka e bluza të bardha/Kishit të brendshme pambuku e mbajtëse gjinjsh të thjeshta/Kishit erë të mirë vajzërisht/Dhe skuqje faqesh/Kishit lule nën lëkurë...”. Ndërsa, poetja, Manjolla Brahaj, duke “rrugëtuar nëpër labirintet e zjarrta të dashurisë, në mes tjerash ligjëron: E ajo e mardhun, e ftofun, deri n'gjunj, deri n'palcë. /Veç kryet i punonte ende, /e pa veten kur kish' qenë në nji shtrat, /jo re, po gacë. /Kur kish' dhanë shpirtin për atë që i preku lëkurën,...”.

Edhe krijuesja dhe veprimtarja e kauzës kombëtare, Mevlyde Mezini Saraçi, temës së dashurisë i qaset si një fenomeni që gjithnjë “shëtitë e lodron” nëpër stinë e mote: “Dashuria kur lindet nuk njeh moshë/Përherë rilindet stinëve e nuk plaket/Nuk vesh rroba as nuk mbathë këpucë/Shëtitë botën e kthehet për një çast/Fluturon qiejve me krahët e shpirtit...”.

Ndërsa, krijuesja, profesoresha dhe studiuesja, Migena Arllati, këndimit poetik ia “ngarkon” atë subtilitetin njerëzor: Merre me vete frymëzimin e qiellit /e mbi piano ulu sonte, /mos pusho së rëni melodisë sonë,/këngën e dashurisë mjellmat të vallëzojnë...”. Muharrem Kurti, njëri prej atyre që nuk pushoi së reshturi për mbarëvajtjen e Mitingut të Poezisë në Gjakovë dhe për vënien e urave krijuese me krahinën  e Tropojës dhe më gjerë, ja se si i këndon dashurisë: “Më shumë se lule/Më e përjetshme se ato/E pa vyshkur as edhe në vjeshtë/Nuk e kalb as dimri/Acari i janarit se ngrin/As terri i natës nuk e nxinë...”.

Krijuesi, Nexhat Rexha, kësaj radhe temën e dashurisë e “prekë” kështu: “Kur ti shkrije të bardhën vesë/Pa mallkim përgjërohem/Në shpirtin tim...”. E Sabit Rrustemi, i cili vargun e kursen nga ngarkesat e mëdha shprehëse, ja se si këndon: Shtrij krahët/duart/të të pres/Dua që rënia të jetë sa më me pak dhembje/e pa një baladë që e grimcoj pa zë...”.

Valbona Hykaj, vargëzon për të mos e harruar madhështinë e njeriut kur shndërrohet në dashuri e sinqeritet: T’kam dashtë, që kur t'kam pasë /Njëlloj si çastin e parë. /T’kam dashtë kur t’kisha larg /E yjeve u lutesha për ty,për një vegim. /T’kam dashtë kur t’kisha pranë/E t’shtrëngoja me mall’ nga frika e takimit tjetër..!”. Ndërkaq, krijuesi dhe njëri prej shkrimtarëve që edhe ai kontribuoi dhe kontribuon në intensifikimin dhe afirmimin e vlerave të përbashkëta kulturore dhe letrare jo vetëm në Malësinë e Gjakovës, Tahir Bezhani, dashurinë e veçon edhe si përmallim: Unë shoh, të ndiej/Të prek si gjithnjë/ Ëndrrave të djegura/Psherëtimë shpirti/E ti/Ku e fshehe kujtimin...”. Dhe, poeti Viktor Gjikolaj, i cili vjen nga Lezha e Skënderbeut, si gjithnjë, vargjet i ka të begatuara me tharmin e veçantë të dashurisë: S’më joshin lirikat e Serembe arbëreshit /Për strigaren e bukur - meteor i djegur.../ Desha në këtë qytet një vajzë/Sonte,Të besonte, që e dua!...”.

Këndim tjetër bën edhe poetja karakteristike dhe shumë me vullnet jete, Zyra Ahmetaj: Zëri yti ëmbël-simfoni jete;/notat e një kënge;/në pentagram zemre.../Ahh,/Vdeksha n`vend /për atë zërin tënd...!”. Kurse, poeti Idriz Gashi, i cili jeton dhe krijon në diasporë, prekë motivin e dashurisë në fshat, që ka peshën dhe mesazhin e veçantë: “...Trupi i saj shtat i hedhur si fiskajë/Bel të hollë në dy damarë/Sa herë që prishte gërshetin/Zemra më shprehej në vaj...”. Krijuesi dhe profesori, Shefqet Dinaj, sikur dëshiron që mos ta lëshojë atë që ia do dhe ia thotë zemra, dhe nga ajo të krijojë një çerdhe të përhershme ngrohtësie shpirti: Ti vazhdon me zemrën kryeneçe,/unë gishtat thyej, s’kam ç’bëj./E dashur, ende bota sillet /e heshtja jote në zemër më therë...!”.

Me qëllim i vura në spikamë vargjet e disa nga autorët që janë prezantuar në këtë revistë, për të dëshmuar për larushinë e qasjes së temës të dashurisë, peshën e krijimtarisë, për të dëshmuar madhështinë dhe rëndësinë krijuese, e cila shprehet dhe lartësohet nga krijuesit në disa këndvështrime, e që vlerat veç sa i bëjnë më të qëndrueshme, pa marrë parasysh cilësinë apo edhe kuantitetin. Është shumë qenësore, që kësaj teme i janë qasur krijuesit nga këndi dhe nga thellësia e ndijimit shpirtëror ashtu siç dinë, e jo në mënyrë shabllone të krijohet, të shkruhet dhe t’i jepet gjallëria e mesazhi vargut e poezisë.

Padyshim, se të gjithë poetët që janë përfshirë në këtë revistë, i kanë vlerat e tyre krijuese, por në pamundësi për t’i veçuar të gjithë, e pashë të udhës t’i theksoj disa syresh dhe pa ndonjë paragjykim.

Dua të them se ky numër i kësaj reviste, tamam le të shërbejë si një provokim mbase edhe energji krijuese, që letërsia dhe kultura kombëtare përgjithësisht të merr rrugëtimin e vetë të merituar dhe të qëndrueshëm. Për këtë këtë shkrim do ta përfundoj edhe me një thënie të Jul Cezarit: Është më mirë të krijosh, se krijimi është esenca e jetës”!