E marte, 19.03.2024, 08:01 AM (GMT)

Kulturë

Sami Velçani: Shndërrimi i ndijimeve në imazhe ëndërrore dhe i përjetimeve në imazhe poetike, në poezinë e Kalosh Çelikut

E merkure, 17.10.2018, 06:00 PM


Shndërrimi i ndijimeve në imazhe ëndërrore dhe i përjetimeve

                               në imazhe poetike, në poezinë e Kalosh Çelikut

(Shënime rreth librit me poezi: Zonjën Vdekje do ta marr për Grua)

NGA SAMI VELÇANI

Poetët, artistët në përgjithësi, janë njerëz që në përditësinë e tyre ata frymojnë si të gjithë. Ajo, që i dallon ata është momenti hyjnor i Muzës Poetike, i frymëzimit.

Kur po shfletoja, jo pa kurreshtje, librin me poezi: Zonjën Vdekje do ta marr për Grua, të (“rrebelit të pandreqshëm”, antikonformistit të lindur Kalosh Çeliku, m’u kujtua Sartri, i cili ka thënë, se: “Artisti nuk ka pasione më të pasura, apo më të shumëllojshme se të tjerët, por pasionet e tij, që janë origjina e temave që ai ka stisur-duke u materializuar në nota (në figurë artistike) kanë pësuar një transubstacion”, pra, në një transformim në substancë.

Si duhet ta kuptojmë këtë transubstacion në funksion të citimit të thënies së mësipërme të Sartrit, krahasimisht me poezinë e fillimeve të shekullit të njëzetë e më pas në Shqipëri, edhe nëpër botë?

Po përmend së pari Zigmund Freud, duke iu referuar psikiatrit Krauss(1859), i cili transubstacionin e lidh me shndërrimin e ndijimeve në imazhe onirike (ëndërrore), pra ky term sintetizon përafërsisht shndërrimin e përjetimit në imazhe poetike. Sipas konceptit lasgushian poeti është krijues hyjnor. ”Vdekja e Nositit”, ”Pasqyrat e Narçizit” të Koliqit, ”Krishti me kamzhik” i Nolit dhe përnjëherë më mbeten sytë tek vargjet e fillimit:

Valle heq nën Rrap, ma tremb Poezinë

Miken me dy shtamba verë nën hije:

Nuse, ma përcjellë pas shtatë maleve...

Dhe vetëm në një copëz vjershe, shihni çfarë imagjinate e përjetimi!

Vini re cili është në dy rreshta më pas imazhi poetik:

Dielli, zbret pa frikë nga Baba Tomorri

Poezia ime zgjohet jerm, në Libër…

Leximi dhe interpretimi i poezive të këtij mjeshtri të vargut, zhbirohet nëpër një pistë soditje, duke shijuar magjinë e një poeti të veçantë të trojeve shqiptare, përjetimit e filozofimit të tij, që i korespondojnë impresionit, improvizimit dhe kompozicionit, pa të cilat nuk mund të kuptohet një vepër artistike:

Mikja ime Di, vjen me dy shtamba verë

Nateditë. Ehu, më mbyti nën hije Rrapi!

Thotë: pi, o burrë! Vardari nuk ka ujë...

Ai luan me fjalët, duke krijuar imazhe, fjalë të reja, mbiemra të emërzuar, ”Ditënatë”, ”Natëditë”, ”Dudumi”, ”Kori i kopesë me zgjebe”, ”Xha Dërralla”, “GruaVerë“ - dhe këto jo thjeshtë për improvizim, por me një delikatesë e përkujdesje të tillë që gjithë mesazhi që do të transmetoj tek lexuesi, të tipizohet në ironinë therëse, në vesin e keq të përditësisë së njerëzve pa ideale, pa atdhetarizëm, duke u sintetizuar në dy vargjet e mëposhtëm:

Ditenatë duke u përkundur në djep druri

Vëllai - vëllanë ta vrasë natën në gjumë.

Edhe pse antikonformist hermetik, në këtë rast, nuk vonon të kridhet në shtambat me verë, aty ku shuan dëshpërimin:

Mikes te Kroni ia thyen Dy shtambat

Gji dua të pi! Fuqi për luftë heroike!

Por, kush e lexon këtë Poezi Erotike, duke ndalur fjalë pas fjale këtë Libër magjepës, menjëherë do gjej zgjidhjen e kësaj lufte:

Zanat e Malit, ende i mashtron Bajlozi Zi

Gji mos më japin nën Rrap. Fuqi për luftë.

Shtatë sahat larg, matanë ta fluk vargun...

Ky është transtubstacioni, magjia e Çelikut. Përjetimi tij i shndërruar në mesazh poetik: “Shtatë sahat larg, matanë ta fluk vargun...”

Kjo është për artistët e shquar të fjalës që ka të bëjë me cilësinë e lartë të ligjërimit. Vargu i tij nuk kufizohet brenda metrit, me numër të caktuar rrokjesh, gjatësia e vargut është e papenguar, e pagozhduar nga rreptësia e rimës.

Çeliku i tejkalon Mjedën, Fishtën, Koliqin, Migjenin, Camajn, duke shqyer vargonjtë e vargut metrit klasik dhe të atij paramodernist. Poeti më i kompletuar i poezisë shqipe, ai është vetvetja, syri tij rrok hapsirën tokë-qiell, kalon nga lartësia në thellësi, fillimisht nga bjeshka, përmes Shqipërisë deri në Baba Tomorr...

Megjithë kontestimin që jeton brënda poetit dhe në të shumtën e krijimtarisë e shpreh atë hapur, nuk mund të lë pa theksuar se në vargjet e tij është përjashtuar deliluzionizmi, ai ushqen forca brënda vetes në vazhdimësi: Unë s’kam kohë të plakem/ Nuk më lë vera/ Nuk më lë Mikja”…

Poezia ecën së bashku me poetin, në qënien e tij, nëpër moshën tradicionale, midis fëmijërisë dhe rinisë: Pleqëria vjen si një mbasdite e ngrysur, tretur në muzg... E, muzgu më pas me një pasmesnate... Nuk ka sinor mes tyre, ka vazhdimësi, indetifikim të së bukurës, njerëzores, të madhërishmes Shqiptare.

Kalosh Cheliku,  Kur, “iku” nga nën Rapi  bukë dhe verë”, e ka Rrapin Historik , në Shkup. Netët e Pozisë Erotike nën Rrap,: Miken Di me Dy shtamba verë nën sjetulla, “Baba Tomorrin” e Çajupit, deri tek Liqeri i Lasgush Poradecit, i cili “bukë dhe verë” e ka Liqerin dhe aty ua shtrrinë në sofrën Shqiptare Drekën Potike: armonizohen në një në mesazhet e magjishme Shqiptare. Çeliku e quan “Liqeni i Poetit”, dhe ja:

Më tha Liqeni: me një varg e kape Hënën.

Peshkun e artë e nxorre në breg

Lumit malor ia zgjove dallgën.

Kohë, kur dikur Lasgushi nëpër qiell

Ditenatë me aeroplan e ndiqte Miken

Verë e dimër e përkund barkën mbi ujë

Peshkatarin me dy shtambaverë në brez...

Natyrshëm ndihesh mes peisazheve lasgushiane, tingëllimave me Drin të Mjedës, teksteve me korb të Camajt, mes motiveve biblike të Nolit dhe së pari mendon të veçosh “bukën dhe verën” e seicilit, nga tërësia e krijimtarive të zgjedhësh cila është “trup dhe gjak i Krishtit”, duke shijuar kënaqësinë e këtij transtubstacioni që është mistike, po aq sa është mistik krijimi i Krishtit prej Zotit.

Krijimtaria, sipas ligjeve estetike është shfaqje e së bukurës. Ajo i dhuron artistit një kënaqësi të madhe. Qysh në kohët e lashta filozofi dhe esteti romak  Longin, të bukurën e pat lidhur me një zhvillim të veçantë të sasisë, të anës sasiore të fenomeneve të realitetit.

Lind pyetja: - Ç’e dallon të madhërishmen nga e bukura?

Muji dhe Halili janë të madhërishëm sepse kanë trupa gjigandësh, luani dhe shqiponja paraqiteten si të madhërishëm në botën e kafshëve dhe të shpendëve si personifikim i forcës kolosale.

Një poezi e madhërishme nuk mund të jetë një vepër voluminoze, ose mania për të shkruar sa më shumë vepra artistike. Jo!

E madhërishmja është cilësia e veprës artistike, mesazhi që ajo u përcjellë brezave dhe mesazhi i Kalosh Çelikut në gjithë krijimtarinë e tij letrare. Kënaqësia estetike që ndjen lexuesi mes këyre rreshtave artistike, është e thellë... Botëkuptimi dhe idealet estetike, objekti i vargjeve të tij, mbushur me humor, sarkazëm, alegori dhe i mbytur në shtambat me verë personifikojnë vuajtjet dhe aspiratat e popullit, të trojeve shqiptare.

Lasgush Poradeci përmes poezisë ka zgjedhur si objekt të vargjeve të tij një vajzë lozonjare, flokëverdhë:

“Leshrat e tua moj çupë,

Valle sumbullash e rruazash,

Ndaj të derdhen mbi supe,

Porsi vargje prej unazash,

Kur ndaj tufësh borzilogu

Lulëzonte lul’e kuqe,

Pranë saj unë isha zogu

Që çukiste çdo burbuqe”.

Migjeni, tek ”Melodi e këputun”, nga një këndëvështrim të kundërt, shkruante:

“Brrylat ndër gjunjë mbështetun,

Fytyrë në shplakë e fundosun,

Qan, gruaja e pikëllueme,

Me zemër të piksueme.”

Ja, dhe “rebeli i pandreqshëm”, Kaloshi:

Xhadia

Xhadi, oj Kurvë! Bijë Kurve, në Shkup

Lëmën na e mbushe plot me kopila!

Gjumi, si nuk të mori për “pushtet” argati

Gji pi me kusi, te Pragu i Derës madhe.

Ditenatë duke u përkundur në djep druri

Vëllai - vëllanë ta vrasë natën në gjumë.

Xhadi, oj Kurvë! Bijë Kurve, në Shkup

Burrë, si nuk u gjetë për ty deri më sot?!

“Nagëntin” nxjerrë nga brezi, në shtrat

Palojë kulaç në mes të Odës. Oxhakut...

Prandaj, unë ndaj të njëjtin mendim me akademikun Uli Rothfuss, që në parathënien e librit konstaton se: “Poezitë e Kalosh Çelikut lexohen si lajme nga një vend, i cili vazhdimisht ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme, aludime të shkurtra mbi erupcionin, të cilat e vënë në spikamë personalen, shoqëroren, të shkuarën, por që i referohen gjithmonë të tashmes dhe e lënë të hapur çdo zhvillim në të ardhmen. Lajme këto, të cilat e fshikullojnë fuqishëm vetëdijen njerëzore, botën ndijore të lexuesit.

Poezitë e Kalosh Çelikut i përjeton gjithkush, që i lexon, ato e prekin drejtpërdrejt lexuesin, thënë në mënyrë eksplicite: ato jo vetëm që e prekin atë, por edhe e godasin furishëm, nganjëherë janë të shkur tra, lakonike, të drejtpërdrejta (kështu duket në shikim të parë), dhe i thonë gjërat me emër dhe mbiemër: “Unë nuk e kam shitur veten” është titulli i një poezie, dhe qysh këtu vërehet mllefi i poetit, i cili e ndjek rrugën e tij dhe kurrë “ nuk e ka shitur veten”: në qeveri/ as për një post/ dhe as për një mike”. Dhe ai, me këto pak fjalë, e karakterizon mendimin dhe veprimin e një gjenerate të tërë të vendit të tij në IRJ të Maqedonisë, cepin më jugor të Jugosllavisë së dikurshme, i cili qëndron si sinonim për kthesat politike-shoqërore të kohëve më të reja në shtetet lindore, ish-socialiste; dhe kjo i bën poezitë e tij shumëdimensionale.”

Duke ndjerë jehonën dhe kumbimin e zërave poetike të këtij libri kuptojmë më së miri se për poetin qielli dhe hapsira e tij lëvizore janë shumë të ngushta dhe nuk mund të mbajnë atë brënda tyre. Kjo reflekton  dhe një lloj ndjenjë padurimi dhe pakënaqësie që e mundon autorin prej vitesh, në kërkim të dimensioneve reale të  vetvetes. Autori nis të krijoj dhe të ravijëzoj diej  lirikë dhe botra të reja, me  kënde   vështrimore dhe konture të rinj dashuror, duke i veshur ato njëkohesisht edhe me një lloj misteri të cilën edhe mund ta zbërthesh  vetëm duke njohur koncepte të tij estetike. Poezia e Kalosh Çelikut është poezi konceptesh shoqërore  dhe dimensionesh lirike. Ajo nuk është vetëm evidentim por edhe qëndrim intelektual, karikatura e absurdit, por edhe pikturë deri në detaje të imta  të asaj  ai vështron. Shpesh kjo pikturë kaq besnike kalon  deri ne hiperealizëm. Duke qënë dashnor patologjik i gjithë kësaj të bukure ai kalon çdo lloj sensi maturie duke rënë pafajësisht në dashuri me to si Muza poetike.

Poezitë e Kalosh Çelikut janë senzuale, ato njëkohësisht shprehin largësi dhe afërsi, po, ato lëvizin drejtpërdrejt nëpër botë dhe dalin përtej saj, tabllot e saj përsëriten vazhdimisht - shtambat me verë, që pihen nën Rrap - dhe janë vetëm shprehje e poetit, për të gjetur fjalë për të pathënën: për t’ia dalë mbanë me mllefin e tij, me përmallimin e tij në një vend, i cili e ilustron senzualitetin dhe njëkohësisht pamundësinë e sjelljes së lirë të individit, si në sferën private ashtu edhe në atë publike, si për shembull “vera”: lejon arratisjen nga përditshmëria, e cila përndryshe të çon në çmenduri; lejon senzualitetin, përvojën e larmishme, e cila përditshmërinë monotone e ngre në ekstazë; lejon dalldinë, arratinë në fjalë, të cilat përfundimisht dinë t’i përshkruajnë të gjitha përvojat e tjera artistike.

Kur në vitin 1827, Bodlerit i vdes babai, volterian i bindur, nëna e tij martohet me majorin Aupick, mëshirim autentik i asaj shoqërie autoritare, i cili më 1848 do të jetë ambasador në Stamboll dhe më vonë senator, e ndrydhte dashurinë e Bodlerit ndaj nënës, ndaj përmes një eksperience intime eksperimenton urrejtjen ndaj një shoqërie.

Kaloshi, këtë eksperiencë e mëshiron me Njerkën, personazhi më i tipizuar, ku ai gjen rastin të shkarkoj gjithë sarkazmën dhe ironinë e tij:

SHKUPI

Imzot, Shkupi historik i shqiptarëve antik

Jo, s’ka mëkate. Faj ka Dudumi “kuqezi”.

“Shehit”, që pi gji Njerke si qëngji butë

Bishtëpërpjetë me atë, thënjen e popullit:

Qingji butë me zile përqafe,  thithë dy nana.

Edhe pse Kalosh Çeliku shkruan në mënyrë koncize dhe me pak radhë jep mendim të koncentruar, në këtë poezi zgjatet dhe sintetizon në të dhimbjen, urrejtjen, sarkazmën, ironinë e thellë.

Dhe, pse fjala “Njerkë” dhe historia e “Qingjit të butë, që pi dy nana”, përmendet vetëm një herë dhe më poshtë ndërthuret me elementë të tjerë, kuptohet qartë se autori u ka shpallur luftë dudumëve:

Luftë, u kam shpallur shtambave me verë

Lotëve të Shën Mërisë. Virgjër!

Edhe të Azreti Fatimes në xhami

Përinat, të Rrufjanit. Dhe, Njerkës azgane.

Ai, (kjo poezi është e para e librit) që në fillim dhe përsërit si një amanet:

Buçat pjellin kopila. Dhe, na i lënë pas porte

Bythekrye dehen me çaj rusi në “Bit-Pazar”:

Valle  heqin me Dexhallin, bien “shehitë” në luftë.

Në këtë poezi që shpalos pikësëpari rrebelin Kalosh, botën e tij dhe shpirtin atdhetar, qartazi edhe mesazhin e poetit të mbrujtur e ngjizur me gjak të pastër shqiptari, duke i tejkaluar lajkatarët e puthadorët Qosen e Kadarenë, që e kanë mbyllur gojën sot, ku po luhet akti i fundit i tragjikomedisë shqiptare, duke stigmatizuar ”Njerkën”, ”Buçat që pjellin kopila”, që dehen me ”çaj rusi”.

Sa i madhërishëm është ky mesazh poeti! Sa na duhen zëra të tillë, të protestës për dhimbjen që na kanë shkaktuar si komb!

Matanë, Urës Gurit: Dhe, Aleksandri Madh

I ka hipur kalit. Shpatën, nxjerrë për luftë.

Filipi Maqedonisë, grushtin si xhaxhi Enver

Ndalë: këtu, është kufiri shqiptaro - shqiptar!

Ka qëndrim më të hapur, më madhështor, më proshqiptar?

Njëherazi, haptas, kur është fjala për trojet shqiptare, poeti me figurën e Heroit Kombëtar, Skënderbeut, shtron Rrugën e lirisë, duke i vënë në gojën e tij fjalët që duhen:

Skënderbeu në Shkup, moti i ka hipur Kalit

Dorën lartë: herë nga Perëndimi e nga Lindja.

Shpatën, në brez për paqe: Ndaluni, o burra!

Car Dushani, sot nuk rrëzohet me çekiç druri

Po, me tokmak vathe. Bythekrye, në Vardar...

Po, këtë zgjidhje nuk e gjejnë në “Liri”:  “Komandantët” pa ushtarë, që i kemi në xhami/ Dehen me çaj rusi në çajtore, deri në “sabah”. Poeti denoncon edhe bindjen e religjoneve fetare, të keqen po aq të madhe që u kanoset shqiptarëve: “Me tespihe kuqezi. Kryqin mbi kokë... Dhe, ilahi arabe në shtratë.”

Ky shkrim i magjishëm, kulminacionete artistike që arrin, mesazhet mbresëlënëse dhe deduksionet, nuk është thjeshtë një trill poetik, një transubstacion i një ëndrre, por një hymn i cili ndez zjarr në shpirtin e lexuesit shqiptar, ai e shpërfill Zonjën Vdekje, të keqen, meskinitetin, grafomanët, ziliqarët e cmirëzinjtë.

Poeti nuk vdes, sepse nuk vdes poezia e tij, madhështia e tij dhe kjo jo pse është në ato perceptimet ëndërrore të shndërruara në mesazhe poetike, por sepse është gjallë dhe sfidon pushtetin e pamoralshëm, ato buçet meshkuj, njerkën rrospi që pjellë kopila, pseudoatdhetarët që lypin lëmoshë e pinë çaji rusi, mbi këto vogëlsira ndërton botën e madhe, botën e shqiptarit që nuk shitet, Zonjën vdekje do ta marr për grua”:

Zonjën Vdekje do ta marr për Grua

Gjumë ende s’ka. Unë dihet, jam i çmendur

Ndodhë, një ditë Vdekjen do ta marr për grua!

Gjithë jetën e lume, pata Gra besnike në shtrat.

Poeti, duke marr pë grua Zonjën Vdekje, ngre portretin e të gjithë pasojave negative të saj, ato që rrëmbeu, në planin personal dhe kombëtar.

Poeti, gjatë gjithë librit është marrë gjatë me Zonjën Vdekje, që nga Voskopoja, ku realisht pësoi vdekje klinike për një orë, nga Qafë Thana ku bëri aksident me makinë, ai nuk e nënçmon, nuk e përbuz Zonjën Vdekje, por krahas qënies i vdekshëm, ndërton piedestalin e pavdekshmërisë, garant ka poezinë, shtambat me verë dhe gratë besnike.

Mund të vazhdoja gjatë me impresionet e mia për këtë libër, madhështor, i një poeti suis generis, ezuberant e profilik, duke u ndjerë keq që do ta ndërpresë këtu udhën e këtyre impresioneve, thjesht të një lexuesi dhe për të përfunduar po u referohem fjalëve të akademikut Uli Rothfuss, i cili e konsideron këtë libër si: Lajme nga një vend, i cili vazhdimisht ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme. Një dokument i kohës dhe një dëshmi intensive poetike e një poeti të pakompromis sa i përket goditjes së lapsit në përzgjedhjen e temave dhe fjalëve, e një poeti të madh ndër shqiptarët e IRJ të Maqedonisë, duke shtuar mendimin tim, poet i madh i trojeve kombëtare dhe në fund, po fjalët e akademikut Uli Rothfuss:Faleminderit Kalosh Çeliku!”



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora