E merkure, 24.04.2024, 06:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Tefik Selimi: Avni Behluli, një piktor me talent të fortë krijues

E marte, 16.10.2018, 08:01 PM


Avni Behluli, një piktor me talent të fortë krijues ...

Nga Tefik Selimi

Ditë më parë, në Galerinë e Ministrisë së  Kulturës, në Prishtinë, piktori gjilanas, Avni Behluli, ka hapur një ekspozitën personale me punime arti nga opusi i tij artistik. Ekspozita në fjalë e piktorit gjilanas është pritur dhe është vlerësuar si ngjarje e shënuar për autorin në qendër të Prishtinës. Kjo ekspozitë është titulluar “Miti për jetën”, një titull domethënës dhe shumë provokues për artdashësit tanë. Pse jo? Avni Behluli, gjer më tani ka krijuar një personalitet të artistit me përvojë e talent të fortë krijues. Jo vetëm kjo.

Edhe në këtë ekspozitë personale, ai nuk po e lëshon nga mendja e puna identitetin autokton dhe të bukurën e jetës. Për artistin, Miti, për jetën është kudo: në veprat letrare, skulpturore, në këngë artistike, në jetëshkrime, dokumentarë, në romane, drama, epika e gjini të tjera. Por, miti është edhe në piktura arti. Arti e thotë më “fortë” këtë ndjenjë të paraqitjes artistike. Këtu është mesazhi i piktorit, Avni Behlulit, i cili, gjer më tani ka pasur tema të tjera të punës artistike, ndërsa, tash, me paraqitjen e ekspozitës së fundit në Prishtinë, sikur ky “mjeshër” arti po hapëron guximshëm në punën e tij me një përvojë në artin e bukur të jetës...

Edhe Akademik Rexhep Ferri, piktor, duke vlerësuar artin e Avni  Behlulit, pos tjerash, ka shtuar se: “Nuk i paske harruar (Avniu) ëndrrat! Me shpirt krijues i paske gdhendur, vizatuar artistikisht, i paske stolisur... Tani  po mendoj se aty (në piktura) e takova mbretin Dardan dhe Mbretëreshën Dardane”.  Ky vlerësim të pushton dhe të paraqet kompletin e formësimit të autorit piktor, në këtë rast, Avni Behlulit, i cili, me pak ndryshime nga bota e mëparëshme tij artistike, i është kthyer temës së mitit dhe jetës. Pra, këtu është një histori e qenies sonë, e cila, po kalon nëpër kohë të pritura e të papritura, ku qenia jonë ka luftuar për të bukurën dhe për mbijetesë e të qenunit frymorë i  botës. E kjo “mbijetesë” e tij e paraqitur në ekspozitëën në fjalë, ka përkushtim, sepse, gjer tek ardhja e një kohe,  jona, është bërë një luftë për të jetuar e për adhuruar të Bukurën e Dheut, JETËN.

Te piktura “Gjilpërë e thatë”, e A. Behlulit, vërehet qartë intuita e artistit, ajo e lexuar me një hijeshi dhe me një hollësi të vëzhgimit piktural, ku janë paraqitur nyancat më delikate të qenies sonë si njeri. Aty shihet jeta delikateske, e cila formimi i saj është tejet delikat, pra me vija të holla, të cilat aludojnë tek figurat mitike, që krijuesit tanë kanë thurur jo vetëm  vargje e poema, por kanë krijuar edhe vepra të mëdha epike e dramatike. Kjo paraqitje e artistit në fjalë të lë pa frymë, ku të bën të imagjinosh përtej asaj që e kap mendja e njeriut tonë. Duket një strukturë me reflektime hermetike, por në realitet, aty është miti, e bukura, dhembja, loti, vuajtja, dashuria për jetë, ëndrra për të  bukurën e dheut etj., etj. Në pikturë të A. Behlulit janë të dukshme nyancat e vashës së  BUKUR. Bukuria e saj është magjepse, sepse ajo ekspozohet në natyrë, pranë dritës, në reflektim të rrezeve, ku trupi i saj vetëm duket një bukuri e mitike e prezentuar para botës. Ky reflektim artitik, madhëron. Këtu ka ekspresivitet, realitet e ndjeshmëri të thella ndjenjore të njeriut.

Edhe njohësi i mirë i artit piktural, Bislim Aliu, piktor dhe studiues arti, duke vlerësuar këtë ekspozitë të Avni Behlullit, ka shtuar se, Avniu “ka një rrjedhë kreative të mirëfilltë e ecejake të sigurt, i cili çdo herë e ngrit cilësinë e vet kreative. Çdo vepër e tij ka veçanti, ndjesi, porosi, por ka edhe filozofi. Ai është krijues i veçantë. Po edhe i gjithanshëm: vizuatues, skulptor dhe grafik. Kjo gjithanshmëri e tij rezonuese, i dha kuptim të lartë kreativitetit idealizues dhe logjikë të shëndosh, sis dhe aspektin sensistiv e përmbajtësor”

Pra, në pikturat e artistit në fjalë paraqiten dy forma të botërave: njeri dhe qenie animale. Këtu është paraqitja e njeriut me ato vija e forma të punuara në mënyrën rrethanore, të cilat vija reflektojnë kah një gjendje mitike e njeriut, i cili “krijon” sende e gjendje shpirtërore, të cilat figura lënë gjurmë tek artdashësit  dhe tek të tjerët, si një hapësirë ku ka vend për shije arti, shije të së bukurës së asaj që quhet shpirtërore, duke i nxitur njerëzit për të thelluar mendimin kah vlerat e artit të mirëfilltë piktural. Këto janë vepra arti. Këto vetëm piktori me përvojë i jep shije dhe krijon vepra artistike e estetike. Avniu krijon art për shije të hollë tek masa. Ky art ka fuqi joshëse dhe efekte ekspresive, për të mos thënë se, aty është shprehur edhe doza e filozofisë për të bukurën.

Nuk ka me të bukurën e artit! Arti jo vetëm i Avni Behlulit, por edhe i disa piktorëve tjerë, të bukurën e kanë pjesë të unit të tyre profesional.  Vërtet, ekspozita e Avni Behlulit, e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishitnë, ka shënuar një ngjarje të madhe të vitit për autorin dhe për artdashësit e artit.

Edhe autori, Avni Behluli, në një bisedë rasti, ka shtuar se, ekspozita e tij ka pasur një pritje të madhe nga vlerësuesit e artit dhe dashamirët tjerë të kësaj fushe të dijes. “Po, tha Avni Behlulil, piktor  gjilanas, -ekspozita ime e para do ditëshme, në Prishtinë, është pritur me interesimin më të madh nga kritikët dhe vlerësuesit tjerë, e cila gjë ka dëshmuar me numrin e madh të vizitorëve artdashës në hapjen solemne, por edhe në ditët tjera në vazhdimësi. Arti im po pëlqehet dhe po vlerësohet lart. Kanë ardhur shumë qytetarë, nxënës e studentë të moshave të ndryshme për ta parë nga afër artin e ekzpozuar. Në këtë ekspozitë kam shpërfaq dy botëra: ate njerëzore dhe qenjen animale”.

I pyetur se si reflektohet bota e tij në artin e shpërfaqur, Avni Behluli tha se, artin që krijon, e ka parasysh të BUKURËN si art. “Tek punimet e mia të kësaj ekspozite, më tepër jam ndalur të reflektoj dashurinë ndaj së bukurës, ndaj qenies njerëzore dhe qenieve të  tjera të planetit, në përgjithësi. Çdo vepër arti ka një porosi,  filozofi apo mesazh, të cilin mesazh e shpërfaqi përmes formave artistike apo elementeve figurative të shpehura me mjete rrethanore në letër apo pëlhurë, ku kjo e paraqitur e të bukurës së përgjitshme, ngërthen në vete të pathënien shpirtërore, e cila, në një mënyrë a tjetër, ngacmon- nxit dhe “provokon” vizitorin për ta analizuar me thell çdo detaj të veprës sime artistike.

Pra, arti im është reflektim i së bukurës shpirtërore e artistiko- estetike”, ka shtuar A. Behluli, piktor gjilanas.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora