Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Do na zë shiu i vjeshtës...!

| E diele, 14.10.2018, 02:42 PM |


Cikël poezish: DO NA ZË SHIU I VJESHTËS...!

Sejdi BERISHA:

KAPESHNICA

(Lagjja Kapeshnica e Pejës, si legjendë e dashuri)

Një pajton ishte tek Urë e Zallit

Tash vetëm uji i Lumbardhit përmallon

Janë edhe disa furra buke

Që ta kujtojnë erën e simitave

Por rruga e ngushtë

Hiq nuk ka ndryshuar

Dhe ngjitesh

Në atë Lagjen e Kapeshnicës

Ku dikur në secilën shtëpi

Shtrohej sofra me bukë e kripë

Nga një grimë djathë e lëngë

Pak spec e një rrotëz turshi

Të gjithë fëmijëve faqet ua kuqnin

2.

E kur vinte Shëngjergji

Muret e sokakut gëlqeroseshin

E mbi dyer nga një dushk shelgu

Rrinte si shëndet e bereqet

Edhe një hith me të cilin

Nënat na zgjonin më herët nga gjumi

Më vonë tërë lagjen

Erë e mishit të qengjit e përshkonte

Në tepsi edhe pak oriz

3.

E në mbrëmje

Vashat me ëndrrat e dashurisë

Reshnin dyerve të shtëpive

E kalldrëmin e çmendnin

Me nallanet e me pak zjarr në gji

Ndonjëherë e përvidhnin

Edhe ndonjë djalë të ri me sy

4.

Për festën e Bajramit

Kapeshnicasit kishin edhe bujari

Në atë “Udhën e Keqe”

Ishte edhe një mulli

Ishte edhe mulliri i Bekës

Bluanin misër për bukë e për pite

E ndonjëherë edhe për fli

5.

Për çdo mëngjes

Mbusheshin rrugët plot me dhi

Bariu i lagjes i dërgonte në kullosa

Te Kroi i Mulla Dërvishit

Edhe te Livadhi i Sakës

Në mbrëmje

Secila dhi kthehej në të veten shtëpi

6

Po Kapeshnica...

Secila shtëpi kishte nga një kapixhik

Ashtu i quanin deriçkat e vogla

Përmes tyre lidheshin shtëpitë me komshi

Nuk di a ju kujtohet

Por dikush e di

Oborr m’oborr sa ora dilje

Në Savat e mbi Kanal

E besa edhe në qytet e në Çarshi

7.

Te Xhamia e Kuqe

Ishte kroi me tri gurra

Kajnak i thoshin

Aty mbushnin ujë vajza e nuse

Kush me bokall e kush me kënata

Kështu nganjëherë

Duke pritur në rend

Si me qëllim edhe i zinte nata

8.

Tash ka ndërruar Kapeshnica

Por dëshmi e ka historinë

Nuk bartën më dru me vllakë

Nuk ka as përroska as jazije

Me atë ujin e pastër

Nuk ka as pata që reshnin vezë

Buzë ujit të kulluar

9.

Por Kapeshnica

Trime bujare dhe krenare

Të gjitha madhështitë e veta

I ruan si dëshmi kujtim e histori

Si thesar relikt dhembje e mall

Sepse

Shkruhet e flitet se Kapeshnicën

E ka njohur Krajli e Krajlica

Mbreti e Mbretëresha

Ushtritë, trimat e komitat

10.

Që ta shihni e rikujtoni mirë Kapeshnicën

Dilni sipër Pejës

Do ta shihni e kujtoni këtë kështjellë

Do t’u kujtohet Kapeshnica

Do t’u kujtohen sofrat bujare

Në to shtruar zemra e njerëzia

Të shoqëruara me nga një copë djathë

Do t’u kujtohet edhe pak ajron

E marmelata e “turzuar” me ujë shumë

Do t’u kujtohet

Edhe ndonjë rriskë sheqer e ndonjë petull

11.

Sa e madhe ka qenë Kapeshnica

Sa e madhe dhe bujare

Edhe sot është Kapeshnica

12.

Tash merr frymë ndryshe

Por është zemra dhe shpirti i Pejës

Është kështjellë ku paloset historia

Ku shtresohet dhembja dhe krenaria

Ku madhështojnë malli e sakrifica

Kjo është e Pejës Kapeshnica

Ktheni atje për ta shijuar

Sa e ëmbël është jeta

Përherë keni për t’u vërtetuar...

LARG TEJ OQEANEVE

Edhe pse larg tej oqeaneve

Ndonjëherë më ëndërro

Ashtu siç të kujtoj unë Ty

Ashtu siç digjesh Ti

Për takimin që nuk ka ndodhur

Edhe pse larg

Kujtoi sytë e mi të etur

Edhe duart

Drejtuar kah buzëqeshja jote

Edhe pse larg

Bile bëma qejfin

Se më do

Si në ëndrrën e parealizuar

Nuk është vonë

Largësitë për t’i bashkuar

Dhe gjithçka për të treguar

Për etjen tënde

Për shkrumbin tim

Ti atje tej oqeaneve

Ndoshta më kujton ndonjëherë

Se këtu ëndrrat çmendin

Vetëm njëherë u takuam

Në hotelin e qytetit tonë të vogël

Aty i poqëm dhe i dogjëm shikimet

I thamë vetëm disa fjalë

Dhe u përshëndetëm pa thënë gjë

Por kështu thamë gjithçka

Andaj

Edhe pse larg

Ndonjëherë me ëndrrën tënde

Trembi ëndrrat e mia...

DO NA ZË SHIU I VJESHTËS

Do të ulemi pranë njëri-tjetrit

Thua se nuk ka ndodhur asgjë

Sa rrëfimet do na bëjnë të qajmë

Për atë që ka ikur

Do na zë shiu i vjeshtës

Duke kallëzuar për ëndrrat tona

Do na zgjojnë cicërimat e zogjve

Në ato mëngjeset e hershme

Por tash

Ne jemi ulur pranë njëri-tjetrit

Me duar të shtrënguara

Që fjala u rri besnike...

KUR SHIU MASHTRON DHEMBJEN

Njëherë kur ktheva në shtëpi

Sikur më kishte humbur çelësi i derës

Atë ditë ishte qetësi

Si në ulësen e parkut të qytetit

Kur në vjeshtë bijnë gjethet

Kurse shiu e mashtron dhembjen

Me pak riga që lagin faqet

Desha të kthehem prapa

Por më ra ndërmend:

Ku do shkoja

Shikimin ma rrihte

Ajo pamja përrallore e qytetit

Me pak njerëz

Të cilët nuk di se ku nxitonin

Diçka e kishte kapluar

Atë panoramë me peshë kujtimesh

Mu si vesa e pakuptimtë e mëngjesit

E putha derën e shtëpisë

Duke i thënë disa fjalë

As vetë nuk e di se çfarë thashë

Por duart më rrëshqisnin

Mbi rezën e lagur

Të ftohtë e të ngrohtë

Pastaj

Nuk di se çfarë ka ndodhur

Më kishte rrëmbyer

Edhe letra edhe lapsi

Sa shumë dëshiroja

Të ndahesha nga ta...