Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: Kolonel, të vranë natën, të vajtojnë ditën

| E diele, 14.10.2018, 01:04 PM |


KOLONEL, TË VRANË  NATËN, TË VAJTOJNË DITËN

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Ishte hera e parë që primati për organizimin e Akademisë Përkujtimore, kushtuar Kolonel Ahmet Krasniqit, ishte zyrtare. Një pjesëmarrje numerike, pykuar në sallën e vogël të Teatrit, për ta përkujtuar njeriun e madh.

Skena ishte përgaditur sa kujdesshëm, aq edhe falsifikueshëm. Ishte shmangur, qëllimshëm, emërtesa - Ministër i Parë i Mbrojtjes të Republikës të Kosovës -, në cilësinë e së cilës u ekzekutua Kolonel Krasniqi. Personalisht, nga ulsja e sallës, thirra përfaqësuesin e organizimit dhe i kërkova, zëshëm, t`i shtohet cilësori - Ministër i Mbrojtjes-. Dhe, ai u gjegj: "Ani, ani, po, mirë, mirë" dhe u largua për t`u konsultuar me shefat. Megjithatë, asgjë nuk ndryshoi.

Dalja në foltore Hashim presidenti, zëri i tij i mekur, hipokrizia dhe cinizmi i skajshëm, ishin një provokim i rëndë për Familjen Krasniqi; bashkëluftëtarët e Brigadës 138 të Kosharës; miqtë dhe dashamirët e Kolonelit si dhe të gjithë të pranishmëve.

Shumë syrësh sollën në kujtesë kërcënimin e drejtëpërdrejtë telefonik të Hashimit, ndaj Kolonelit: "...Së shpejti kam me mbarue punë me ty...!" Si dhe gëzimin e shprehur, pas ekzekutimit zyrtar të Kolonelit: "Djemtë tanë nxitohen për t`i krye punët më herët!" Dihet, Ministri Krasniqi asaj jave përgaditej të futej në Kosovë, në krye të një sulmi frontal, ballor.

Por, banda e LPK-së, e cila për vite ishte thirrur për luftën dhe tani nuk po kalonin as Urën e Zogut, në Milot, nuk mund ta pranonin primatin e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, (FARK). Andaj, duhej penguar dhe sabotuar luftën kundër Serbisë dhe kjo bëhej me vrasjen e kreut të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqit, pikërisht, në përgaditjet e fundit të mësyemjes të organizuar ushtarake.

Eksponenti i përfolur, për skenarët kriminal të LPK-së, Xhavit Haliti, "rehabilitoi" zyrtarët komunistë shqiptarë, për vrasjet politike të kuadrove të luftës të Kosovës, brenda territorit të Shqipërisë. Në mënyrë shumë sempliste, të thjeshtëzuar, "sqaroi" këto vrasje, duke shfajësuar politikën.

Paneli, simpatik e luftarak, i gazetarëve bëri, të paktën, një lëshim të madh: Pse nuk u pyeti zotin Haliti, për kontrollin e çdoditshëm të Kolonel Ahmet Krasniqit dhe të rojave të tij, deri në ditën fatale të ekzekutimit zyrtar, kur makina e dytë shoqëruese u ndal, në ecje e sipër, pas makinës së parë, ku ishte Ministri i Mbrojtjes. Atentatorët ishin aq të siguruar, për çarmatosjen e Kolonelit me rojat e tij, sa që njëri syrësh e tërhoqi për xhakete Ministrin!!

Është dizinformim i qëllimshëm i zotit Haliti, kur thotë se "vrasja e Ilir Konushevcit, tashmë, është sqaruar". E vërteta është se asnjë vrasje politike nuk është hetuar dhe as zbuluar në masën e duhur. Drejtësia është marrë, madje, përciptazi, me ndonjë vrasës ordinier, pa zbuluar urdhërdhënësin faktik të vrasjes.

Nuk e kuptoj, pse zoti Haliti ndryshon deklaratën e parë, për vrasjen e gazetarit, në perspektivë, për të qenë zëdhënës i UÇK-së, Ali Ukaj. Dikur, Xhavit Haliti ka thënë se "për vrasjen e Ali Ukajt është akuzuar dhe arrestuar Hashim Thaçi. Unë i telefonova një gjenerali të SIGURIMIT, (pra, të SHISH-it) dhe Hashimi u lirua dhe çështja u mbyll".

Fjala e Hashim presidentit u zbeh edhe më shumë, kur ai, mjerueshëm e turpshëm, anashkaloi, qëllimshëm, cilësorin përcaktues - Ministër i Parë Mbrojtjes të Republikës të Kosovës -, sepse Hashimi kishte emëruar një ministër të dytë të Mbrojtjes", i cili trajtohej si i sëmurë psiqik në Zvicër, Azem Sylën dhe se "nuk i kishte pesë pare", as për luftë dhe as për paqe.

Organizimi i Akadaemisë Përkujtimore, me rastin e varrimit të Kolonel Ahmet Krasniqit, nga institucionet aktuale zyrtare të Kosovës, ngjalli pakënaqësi masive, jo vetëm në sallën Përkujtimore, por edhe jashtë saj, kudo në Shqiptari. Sepse krerët shtetërorë dhe qeveritarë konsideroheshin si pjesë e atentatimit zyrtar, së bashku me Tiranën zyrtare dhe Serbinë armike.

Vrasja e Azem Hajdarit, me regji e skenar, të të njëjtit shtab kriminal, që ekzekutuan zyrtarisht Ministrin e Parë të Mbrojtjes të Republikës të Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqin, janë goditjet më të rënda të Kombit Shqiptar. Nëse vrasja e Tribunit të Demokracisë Shqiptare, Azem Hajdarit, konsiderohet - Vrasje e Shekullit - në Shqipëri, ekzekutimi i Kolonel Krasniqit është - Vrasje e Shekullit - për Kosovën.

Të vritet Ministri i Luftës, në qendër të Tiranës, në vlugun e luftës në Kosovë dhe projektuesit e urdhërdhënësit të jenë në kupolë të shtetit dhe të pushtetit, edhe pas 20 vitësh, ky është krim i shumëfishuar, është përdhosje, deri në dhjerje, të  një populli, të Kombit mbarë.

Organizimi, pjesëmarrja, madje, edhe fjalimet e kryezyrtarëve të Kosovës, në Akademinë Përkujtimore, me rastin e ceremonisë të rivarrimit të Kolonel Ahmet Krasniqit, ngjallën shumë reagime:

"Kolonel, dje të vranë, sot po të vajtojnë!"

Edhe Familja e Kolonelit u vu nën akuzë. Më të zëshme qenë Familjet, viktima të organizatave kriminale: SHISH, SHIK, "Shqiponjat e Zeza". Këto Familje, mike e dashamire të Familjes të Kolonel Ahmet Krasniqit, janë të një mendjeje se Familjet e të vrarëve, për qëllime politike, nuk duhet të pranojnë as patronazh, as organizim përkujtimor dhe as dekorata nga zyrtarët e akuzuar apo të dyshuar, si pjesë e vrasjes ose të festimit të vrasjeve politike. Dhe, vërtet, shumë nga Familjet e viktimave të krimit politik, kanë refuzuar dhe stopuar çfarëdo paraqitje, apo lajkatimi hipokrit, joshje për pajtim të zyrtarëve, pa u sqaruar, madje, ligjërisht, ekzekutimet politike.

Megjithatë, Ministri i Parë i Mbrojtjes të Republikës të Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi, u kthye trimfal, fitues në vatrën lindake. Sepse Kolonel Krasniqi krijoi infrastrukturën e UÇK-së, të dalë nga FARK-u, mbi bazën e së cilës shokët e tij ushtarakë, bënë luftën, duke e legjitimuar luftën e Kosovës, me formacione të organizuara ushtarake, gjë që shtabistët e LPK-së nuk e arritën asnjëherë dhe kurrë!

Familja Krasniqi, miq, dashamirë, ushtarakë, kuadro e veprimtarë të Ibrahim Rugovës, qytetarë nga e gjithë Kosova, i bënë nderimet e çilëtra në hollin e Kuvendit, në sallën e Teatrit, në Varrezat e Dëshmorëve në Velani, atje ku prehet, përjetësisht, edhe Kryekomandanti i Parë i Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Nder e Lavdi për Kolonel Ahmet Krasniqin!

Turp, mallkim dhe ndëshkim për urdhërdhënësit vrastarë!