E premte, 29.03.2024, 09:22 AM (GMT)

Kulturë

Agron Duro: Fjalor i termave bazë teknikë

E marte, 21.08.2018, 08:48 AM


FJALOR I TERMAVE BAZË TEKNIKË

(shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip), hartuar nga Dr. Gani S. Pllana

Shkruan Prof. Dr. Agron Duro

Kohët e fundit, në Kosovë, është vënë në qarkullim një vepër leksikografike e vecantë, e titulluar “Fjalor i termave bazë teknikë”, në të cilin janë pasqyruar termat e fushave themelore teknike, të përfaqësuara nga tri degë: dega e mekanikës, elektricitetit dhe e ndërtimit. Ky objekt pasqyrimi i termave më përfaqësues të fushave teknike, të përmbajtura thelbësisht në tri degët kryesore të dijes teknike njerëzore, tradicionalisht më të hershme të njohjes dijore, përbën edhe anën më cilësore dhe më me vlera të Fjalorit në fjalë, i cili shërben për një publik të gjerë, duke filluar qysh nga nxënësit, studentët, studiuesit dhe të interesuar në përgjithësi për terminologjinë, sidomos për gjendjen e saj, bashkëekzistuese të termave të huaj me ata të shqipëruar, një pjesë si shqipërime që po fillojnë ose kanë filluar të nguliten, si:trysni për presion, autolarje për lavazh, kurse një pjesë të propozuar për t’u futur e aktivizuar si ndërkat (soletë), bërrylor për kolodok etj. Vlerë të veçantë në Fjalor marrin jo vetëm termat e shqipëruar që paraqiten si parësorë, por edhe ish terma shqip të zëvendësuar me terma po shqip, por më të përpiktë dhe më të motivuar nga ana e shprehjes së konceptit, duke u përafuar me standardin ndërkombëtar (anglez), si: hallkë e ngarë për hallkë e udhëzuar, hallkë ngarëse për hallkë udhëzuese, ngas për drejtoj (makinën) etj.

Duhet nënvizuar në mënyrë të veçantë puna mbledhëse dhe katalogjizuese e autorit për të futur në Fjalor pothuajse gjithë termat teknikë të shqipëruar në kundërvënie me termat e huaj, një pjesë e të cilëve përdoren më shumë para atyre të shqipëruar, por që në Fjalor termat e huaj duhen nxjerrë jashtë përdorimi, çka edhe shënohen si të tillë. Lidhur me këtë duhet të pranojmë disa parime mbi të cilat është mbështetur autori Dr. Gani S. Pllana, si p.sh. zgjidhjen e problemit të dysorëve, të homonomisë, çka, lidhur me këtë, duke dhënë gjithnjë termin më të pranueshëm, më të saktë e më të motivueshëm. Kjo jep një ndihmesë të çmuar në punën për sistemimin, rregullimin dhe standardizimin e terminologjisë teknike shqipe. Lidhur me ndërmarrjen e suksesshme të kësaj pune vetjake të autorit duhet ricituar thënia e autorit në parathënie se një punë e tillë, si rregull, bëhet nga specialistët në bashkëpunim me gjuhtarët..., por... unë i hyra kësaj, duke u nisur nga thënia e Daniel Xhonsit, sipas së cilës “fjalorët janë si orët, ku edhe ato më të mirat shkojnë herë pak përpara e herë pak prapa, madje edhe ato më të këqiat të orientojnë deri diku”.

Fjalori realisht përmban 3000 terma bazë të fushave teknike (të indentifikuara në tri fushat kryesore të përmendura më sipër), në shqipe dhe në gjermanishte, që në total përbëjnë një sasi relativisht të vogël, por shkalla e lartë e përdorimit të tyre si terma themelorë, që gjejnë zbatim kryesisht në sistemin shkollor të ulët e gjysmë të lartë, e shëndërron Fjalorin edhe në doracak shumë të nevojshëm për shkollarët, por edhe për nivelin më të lartë. Këtë fakt e përligj edhe sipërmarrja, botimet e këtij Fjalori nga një ent botues shkollor, siç është “Shtëpia Botuese, Libri Shkollor i Prishtinës”, 2018. I përshtatur si i tillë, për një kategori të gjerë lexuesish, përligjet plotësisht paraqitja estetike e Fjalorit, me format relativisht të vogël për t’u mbajtur në çantë edhe nga nxënësit dhe për t’u përdorur edhe në orën e mësimit për të kryer dertyra praktike, si përcaktimin e termave dysorë, përzgjedhja e termave më të saktë nga forma, përmbajtja etj.

Përveç vlerave praktike dhe zbatimin Fjalori është i verifikuar dhe mbështetur dhe shkencërisht, duke sjell këtu si shembuj vlerësuesit kompetentë të Fjalorit, qysh nga recenzuesit, profesorët Agron Duro, Valter Memisha dhe Bedri Dragusha; kryeredaktorë: Prof. Agron Duro dhe Prof. Xhemajl Fejzullahu; redaktimi i pjesës së gjermanishtes nga një njohës të mirë e gjuhës gjermane: Prof. Manfred Grafinger dhe  Prof. Sadete Pllana; realizimi kompjuterik dhe përkujdesja artistike nga Fisnike G. Pllana dhe Studio Venera 2000  etj.

Siç është nënvizuar edhe më sipër, vlera më parësore e Fjalorit, mendoj se është pikërisht paraqitja në të e termave jo vetëm, e atyre që qarkullojnë në përdorim (kryesisht në tekste, në fjalorë), por edhe i atyre që, ndonëse janë shqipëruar, nuk kanë gjetur realishr përdorim, për fat të keq, nga mosnjohja e tyre nga specialistët, nga hartuesit e teksteve etj., dhe që këtu janë përzgjedhur me kujdes të veçantë nga autori; si të tillë ata duhen futur në përdorim si terma “potencialë”. Kështu, ata do t’i bëjnë një shërbim të madh terminologjisë teknike me futjen  në qarkullim të tyre, për t’i forcuar asaj fizionominë shqipe dhe kryesisht për t’i rritur motivueshmërinë, qartësinë e koncepteve, si: kapëz (për borno), përthithës (për absorbues-e), mjedis (për ambient), pështjellje (për avolxhim), gazqitës-i (për skapamento), miush (për mi, maus), kujtesë (për memorie) etj.

Fjalori, si fjalor bazë, do të shërbejë si model për hartimin e fjalorëve të veçantë terminolologjikë teknikë, në të cilët, sidomos termat e shqipëruar, të papërdorur, të panjohur, do të përfshihen në ta në të ardhmen. Nga ana tjetër, paraqitja e tyre në vargje sinonimike do të shërbejë si bazë studimesh për hulumtimin e evidentimit të gjendjes së terminologjisë teknike, të vlerësimit të mëtejshëm të saj. Prandaj, për këtë arsye ai mund të quhet edhe Fjalor terminologjik me orientim studimor, por që ka vlera të mëdha praktike, për përzgjedhjen e termave të përshtatshëm në çiftet sinonimike, si: përmasë(për dimension), trysni(për presion), fjalëkalim (për pasvord) etj.

Vështruar nga pikëpamja e mësipërme, Fjalori mëton të hedhë dritë edhe për zgjidhjen e disa problemeve teorike-praktike dhe të zbatimeve të parimeve e të kritereve në fushën e terminografisë. Ideja e zgjidhjes së disa problemeve themelore të terminologjisë është vënë në bazë të konceptimit të Fjalorit si vepër, çka del edhe nga mikrostruktura dhe makrostruktura e tij.

Kështu, në Fjalor përfshihen gjithë çiftet e vargjet sinonimike, të cilat në terminologji njihen si sinonime absolute ose dysorë (dublete), meqë shënojnë gjithnjë një koncept si kolodok/bosht motorik/bosht bërrylor, dhe, që në të termi i pranueshëm (që plotëson kushtet për t’u përdorur si standard, si p.sh.: bosht bërrylor ose bërrylor jepet si parësor. Gjithë kjo probematikë lidhet me pranimin e sinonimeve në terminologji si dukuri e dëmshme, por gjithsesi e pranishme, prandaj parimi i përzgjedhjes së tyre merr rëndësi parësore në praktikën terminologjike, sidomos për hartimin e fjalorëve terminologjikë, në mënyrë të veçantë të atyre teknikë.

Përveç kësaj, Fjalori në fjalë mëton të zgjidhë edhe probleme të polisemi-homonimisë, sidomos kur një termi në shqip i përgjigjen dy barasvlerësve në gjermanishte. Vështruar nga kjo pikëpamje, duhet vërejtur, se ballafaqimi i shqipes me gjermanishten në fushën e terminologjisë teknike lehtëson punën edhe për trajtimin e çdo problemi teorik të terminologjisë, meqë terminologjia e gjuhës shqipe krahasohet me një gjuhë që shërben si model standardizimi ndërkombëtar për terminologjinë teknike (krahas anglishtes si e parë, frëngjishtes e rusishtes). Prandaj, krahasimi me gjermanishten ndihmon edhe për të vështruar teorikisht, por edhe për të dhënë zgjidhje praktike për probleme të sinonimisë absolute dhe të homonimisë si çështje të zgjidhura në terminologjinë teknike gjermane. Kështu, duke u mbështetur në Fjalor, mund të jepen zgjidhje me të drejta në standardizimin e terminologjisë teknike shqipe për përcaktimin më drejtë të termit standard shqip, duke u bazuar në mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi në gjermanishte.

Duke u nisur nga sa parashtruam më sipër, mendojmë, se Fjalori i mësipërm, siç e kemi theksuar më lart, duhet konsideruar si një vepër terminologjike e veçantë, me orientim studimor, me vlera praktike zbatimore, prandaj vepra mund të pranohet edhe si prurje origjinale e autorit. Po kështu, Fjalori shërben edhe si model i përzgjedhjes së termit standard, duke u mbështetur në një gjuhë standarde në fushën e terminologjisë, siç është gjermanishtja, çka ka vlerë të veçantë të nënvizohet, sepse kjo gjuhë është pasqyruar në mënyrë shumë të mangët në literaturën terminografike në Kosovë dhe në Shqipëri, për të mos thënë aspak, në Fjalorët terminolologjikë të shqipes, qoftë teknikë, qoftë edhe në ata joteknikë. Këtë fakt e nënvizojmë, sepse ballafaqimi me gjermanishten, dhe kryerja e kësaj pune me profesionalizëm në këtë vepër terminografike nga autori (si njohës shumë i mirë i terminologjisë teknike, si të anës gjuhësore, ashtu edhe të asaj konceptore), përbën një kontribut të veçantë. Kjo ia rrit vlerën Fjalorit dhe e bën shumë të domosdoshëm botimin e tij. Ai u shërben studiuesve të terminologjisë, studentëve universitarë e pasuniversitarë në studim për terminologji specifike, në radhë të parë për shkollarët,si edhe hartuesve të teksteve mësimore teknike e të fjalorëve, jo vetëm terminologjikë, por edhe joterminologjikë, ku, në këta të fundit, termat zënë vendin e tyre dytësor.

Tiranë, më 25 qershor 2018



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora