E shtune, 19.10.2019, 03:21 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm (13-16)

E enjte, 16.08.2018, 07:03 PM


Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 13

Fshehtësitë e kryevarrit

-Mbase i ke menduar si katallanë, - i thosha me shaka. Njerëzit janë ata që ishin qindra vjet më parë, ose janë nipërit e tyre, të ikur maleve që zbritën pas shumë vjetësh, kur ua mori mendja se kaloi mëria e pushtuesve. - Rrudhi supet jo shumë i bindur.

- Kushtet e këqija, luftërat e vazhdueshme e varfëria, mbase kanë ndikuar në racën e pasardhësve të Arbërisë, - shtova, sepse m’u duk sikur nuk e binda..

–Nuk e di, por edhe qyteti është orinetalizuar. Muzika e kafeneve të natës është ndryshe. Ndërhyrjet në godina duken të vrazhda. Mbi katedrale u ndërtua xhamia, mbi themelet e kishave të tjera janë ndërtuar faltore myslimane: teqe dervishësh, varre pashallarësh. Në të gjitha qytetet shqiptare nga do që shkova këtë shpërfytyrim pashë. Kur kalova mes për mes qytetit të vjetër të Pejës, më thanë se kisha më e madhe katolike e Dukagjinit qe shndërruar në Xhami të Çarshisë. Nuk i shtuan asgjë, pos që i hoqën kumbonaren e kryqin, duke ia rindërtuar minaren. Fragmente të ikonave pashë në cepat ku kishin rënë ciflat e gëlqeres. Varreve të vjetra ua hoqën kryqet. Ishte një masakër ndaj kulturës suaj.

Togeri kaloi edhe nëpër Prishtinë, ku e kërkoi varrin e imzot Bogdanit. Por banorët rrudhnin supet, nuk ditën t’i thonë shumë. Disa i treguan se turqit e tartarët, kur e pushtuan për herë të dytë qytetin, eshtrat e ipeshkvit të Arbërisë ua hodhën qenve. Kishën e dogjën.

-U rrëqetha kur e dëgjova këtë rrëfim, - më tha me pikëllim.

Ai erdhi nga Beogradi. E bëri të njëjtin rrugëtim të gjeneralit austriak Pikolomini, para treqind vjetësh. Këto qytete i bënë përshtypje, ia kujtonin mesjetën.

- Si thua: më mirë është të dihet a të mos dihet varri i Gjergj Kastriotit? - më pyeti befas toger Hansi.

E shikova me habi, e dija ku do të dilte, por shtihesha sikur nuk e kuptoja, megjithatë iu përgjigja:

- Është mëkat të hapen e të mbyllen varret, si të qenë strehimore patatesh. Le të prehen eshtrat e njerëzve në paqe e qetësi të përjetshme, le të mbetet kujtimi për ta, -i thashë, ndërsa ngrija kokën lart si t'i kërkoja të falur Zotit për mëkatet e njerëzve. Më shumë e pata hallin e mëkatit të madh të hapjes së varreve, nisur para qindra vjetësh.

Pavarësisht interesimit të oficerit austriak, nuk doja t’i shtoja më shumë sesa që dihej botërisht për çastet e fundit të varrosjes, por edhe të zhvarrosjes së mbretit tonë. Qarkullonin versione nga më të ndryshmet që nga kronika e Barletit, secila duke e ushqyer tjetrën apo duke e mohuar të parën.

Disa kronika nuk e përmendnin kërkimin që ishte bërë në varrin e Skënderbeut, as zhvarrimin që thuhej se u bë më shumë se një herë. Hordhitë osmane, kur erdhën pas luftës së përgjakshme, e kërkuan varrin, disa thonë e gjetën: nxorën eshtrat, i bënë hajmali, i shpërndanë ngado që shkuan. Në ndonjë kronikë lexoja edhe hamendësime të tjera, që binin ndesh me zhvarrimin. Përbetimi nxirrte krye në ndonjë kronikë të vjetër, por më shumë me aluzione sesa të thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Kur për herë të parë e lexova, njëra prej këtyre hamendësimeve me rrëqethi. Pastaj e lashë në gjysmë. S’ta kapte mendja hamendësimin e kronistit françeskan. Dikur për këtë hamendësim mund të shkishërohej. Nuk ia thashë asnjërën nga teoritë që qarkullonin në botën shqiptare. Teoritë e huaja i dinte.

Prandaj, me sa kisha mundësi, përpiqesha t'i shmangesha bisedës së tillë, e kundërshtoja qëndrimin se gjërat me vlerë nuk duhej të rrinin në vendin, ku mund t'i ekspozoheshin rrezikut të zhdukjes a zhbërjes nga hordhitë që vinin e shkonin. Ndërkaq, ai synonte të më bindte se varri i mbretit tonë nuk duhej të rrinte i vetmuar. M’i vinte në pah aksidentet gjatë historisë: përdhosjet e varreve, plaçkitjet, fshehjet e gjurmëve të emrave të famshëm etj. Shpëtimi që e vinte në pah ai, nuk dallonte shumë nga plaçkitja, sepse thesari që ata e gërmonin, po arritën ta nxirrnin, nuk do të mbetej këtu, do të dërgohej në muzetë e tyre si trofe lufte a plaçkë, ashtu sikurse dërgoheshin dikur kolonat e gjata të skllevërve e të pasurive të rrëmbyera nga kolonitë. Nuk ia thosha kështu, por nuk pajtohesha me teorinë e tij të grumbullimit të gjërave të çmuara, në një ambient ku do të kishin mundësi t’i shijonin numër më i madh njerëzish. Nisa t'ia përmendja thesarin e mumiet e Egjiptit. I tregova për shumë gjëra me vlerë që u vodhën në tokat tona.

Tregu i vjetërsirave lulëzonte i papenguar edhe nën okupimin austro-hungarez. Prapë ai zhbironte për fatin e varrit të Gjergjit. Asnjëherë nuk ia pohova as nuk ia mohova ishte varrosur gjetiu mbreti ynë, apo aty ku shkruanin kronikat e kohës, në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Ai që i sigurt se varri i tij nuk u prek. Këtë iluzion e ushqeja edhe unë. Por, nuk ia thashë asnjëherë se ku e mendoja unë varrin e mbretit tonë, që binte ndesh me informacionin e tij. Shumica e kronikave e thoshin të kundërtën. Por athua varri ishte aty ku e thoshin kronikat e kohës apo gjetiu? Nuk arrinim ta zbërthenim as unë dhe as togeri.

Biseda me të nuk reshti gjithë pasditen, ai nuk e zhvlerësonte kronikën e Barletit, por hodhi mendimin se është shkruar për hir të një qëllimi më të lartë. Metodat i arsyetojnë qëllimet, ma thoshte thuajse ishte ushtarak i karrierës.

Ika në famullinë time. Rrugës takoja besimtarë, më ndalnin bashkëkombësit e fesë tjetër dhe më pyesnin të shqetësuar: - Atë ç’po ndodh me ne? - Nuk dija t’u përgjigjsha, por ua ushqeja shpresën:

- Ajo që ka nis nuk zhbëhet!

Pastaj lutesha për varrin e paprekur të mbretit tonë. Nuk e lanë të qetë në këtë botë, nuk e lënë të qetë as në botën e përtejme. Gjithnjë e kërkonin: disa për mburrje, të tjerët ta kapnin pas pesëqind vjetësh për t'iu hakmarrë.

Megjithatë diçka nuk shkonte si duhet. Dyshimi se ata që nga fillimi synonin kryevarrin, ndërsa antika a mesjeta e hershme ishte vetëm shkas, më bënte t'i shihja me dyshim. Gërmimet pranë katedrales së vjetër, aty ku supozohej se qe varrosur Gjergj Kastrioti, ma shtoi edhe më dyshimin. Hapja e gropës tjetër të gërmimeve në Kështjellë, e cila qe shndërruar në rrënoja, pavarësisht se edhe austriakët aty i bënë kazermat e improvizuara, ma forcoi bindjen. Ia thashë dyshimet superiorit në Shkodër, në takimin e parë. Një herë ia nisa një letër përmes korrierit të besueshëm, e kur ai ma kërkoi të takoheshim, atëherë ia shpjegova si ishte puna. Nuk m’u duk i befasuar. Ashtu sikurse unë, e priste një gjë të këtillë nga ekspedita austro- hungareze. Dyshimi na brente që nga fillimi, atëherë kur togeri na tha se hulumtimet arkeologjike do t'i niste në Lisus, në vend të Shkodrës.

-Biri im, - më tha Superiori, - ata do ta bëjnë të vetën, u dolëm ne në ndihmë apo jo. Duhem të tregohemi të matur, acarimet janë të dëmshme, - më qetësonte.

Pajtohesha me të. Në raporte të tilla s’kishte hatërmbetje, as inate. Togeri me grupin e vet do të kërkonte varret a kryevarrin, e ndihmuam ne apo jo.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 14

Qyteti ku u varros mbreti më i lavdishëm shqiptarëve

Secila ushtri me të ardhur në Lezhë, niste nga varret, hapte e mbyllte varre dhe ia mbathte para ushtrisë tjetër. Popullata mbyllej nëpër shtëpi, ose ia mbathnin nëpër male, derisa kalonte stuhia e tërbimit të ushtrive.

Me arkeologun austriak vazhdonim të mbanim marrëdhënie të vakëta. Kur nuk bisedonin për varret a zhvarrimin, vinte në oborrin e kishës, netëve të gushtit. Nuk mungonte as ndonjë gotë verë e ftohtë e qilarit të vjetër. Fiku i kuq, ishte në të sosur, ndërsa atij i pëlqente shumë.

- Është fruta më e ëmbël në botë, i dalë nga Parajsa, - më thoshte: - i lëngshëm, e ngjitës. Nuk flisnin fare për luftën, as për politikën. Shihnim se austriakëve e aleatëve të tyre nuk u shkonin punët mirë, do ta pësonin fatin e perandorisë turke, por mbase me më pak pasoja. Si të mos na ndiqte jehona e krismës së topave, ne bisedonim për librat, filozofët e kohës dhe për verën e mirë, që prodhohej në këto anë. Me tregonte edhe për bisedat që bënte me të rinjtë, që studionin në Romë e Vjenë.

-Ndonjëherë kureshtjen e tyre e shndërroj në shaka me përgjigjen: kërkoja shpatën tjetër edhe më të gjatë se të parën, më tregonte duke i picërruar sytë.

Pastaj kthehej vrulltas nga unë: - E dini atë se asnjë vendës nuk e komentonte varrin e heroit tuaj. Sikur e ndrynin në vete ndonjë fshehtësi. Qytetarët kur afroheshin nga kureshtia, ditën e tregut, nuk flisnin fare, por kur i pyesja me përkthyes, ata rrëfenin legjenda për bëmat e heroit e jo për varrin apo varrimin.

-S’ka vorr mbreti jonë, ai asht në qiell, na vrojton, - më tha një malësor dhe iku në punën e vet, mjaft i zemëruar me pyetjen time, më fliste në natën e qetë të fundgushtit në oborrin e famullisë sime.

-Kjo ma forconte bindjen se varri duhej të ishte, pavarësisht që vendësit përpiqeshin ta mbronin edhe me mite, - tha i bindur në përsiatjet e veta.

Ndërkaq, kur e shteronim këtë bisedë, ku ai kryesisht bënte monolog, më rrëfente për veten.

–Padër, e di ti se jam me fat?, - më drejtohej me entuziazëm.

- Kolegët e mi i degdisën në frontin e Galicisë, të tjerët strukeshin në llogore. Një palë i mbyste shiu e lluca, të tjerët vdisnin nga vapa e pluhuri i Saharës. Unë bëjë jetë civile, më tha.

Mbase vera e kuqe ia hapte valvulet, prandaj fliste si të më rrëfehej. Vetëm uniforma ia kujtonte ushtrinë. Njoftimet që i vinin nga fronti i Lindjes e dëshpëronin. Megjithëse Rusia po tërhiqej nga lufta, por kjo nuk u ndihmonte shumë.

Ma dëshironte natën e mirë dhe ikte i përhumbur. Asnjëherë nuk më foli për jetën private, si të mos kishte as të dashur dhe as vëllezër e motra.

Ishte i çuditshëm arkeologu ushtarak, Hans Valdhajm.

#

Togeri zgjohej herët, i kryente obligimet ushtarake të mëngjesit dhe nisej në terren, jo shumë larg kazermës së improvizuar ku fushonin. Gjurmonte varret e vjetra, sipas disa hartave të Arkivit të Vjenës.

Një muaj para se të nisej në Shqipëri, kur qe kthyer nga Afrika, koloneli i shtabit e thirri në zyrën e mobiluar mirë në Vjenë. Ia kumtoi që ai nuk do të udhëhiqte asnjë togë në luftë, nuk do të merrte pjesë në asnjë aksion ushtarak. Togeri do të niste hulumtimet më të rëndësishme të shekullit, më të rëndësishmet që nga koha e Shlimanit, ia kumtonte ushtaraku i lartë me një zë solemn. Ai u dridh, ndërsa rrinte përballë eprorit, në njërën anë dhe profesorit të vjetër të arkeologjisë në anë tjetër. Që në fillim koloneli i tha me buzëqeshje:

-Nuk do të kërkosh varrin e Paridit as atë të Prijamit, s’do të hulumtosh as për vendndodhjen e thesarit të mbretit plak të Trojës. Ti do të kërkosh varrin e mbretit që nuk e kishin gjetur turqit, ndërsa e mbajtën të pushtuar mbretërinë e tij. Viteve të fundit po e kërkojnë më ngulm rivalet tanë-italianët. Varrin më të famshëm në Gadishull nuk e gjetën as ushtritë që erdhën para tyre. Shërbimit të fshehtë perandorak i vinin informata të ndryshme, dikush kërkonte pareshtur, me dërgata të fshehta, me grupe aventurierësh, gjuetarë thesaresh që gërmonin e iknin, për t’u kthyer sërish vitin tjetër.

Koloneli e hidhte fjalën sidomos për armikun e tyre - Italinë. Atyre u druante. Ndërkaq qyteti i Shkodrës ziente nga shërbimet e fshehta. Eprori nuk e fshihte druajtjen nga sabotimet, prandaj terrenin e hulumtuar duhej ta siguronte me ushtarë të armatosur natën e ditën, madje edhe atëherë kur punohej.

Perandoria austro-hungareze gërmonte edhe në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë e në Turqi. Por ia tërhoqi vërejtjen koloneli: Shqipëria ishte terren me rëndësi, sidomos qyteti verior i Lezhës, ku u varros mbreti më i lavdishëm shqiptar. Ai i fliste me patetikë.

-Po e gjete varrin e tij do të të mbulojë lavdia, - ia përkëdhelte veshin pëshpërima e eprorit.

Profesori i vjetër i arkeologjisë ofshante që s'mund të nisej në një aventurë të tillë, reuma e mosha nuk e lejonin të lëvizte, prandaj i uronte suksese.

Takimin e fundit me dy eprorët e kujtonte shpesh. Athua do ta bartte peshën e misionit që ia besuan? Arkeologu ushtarak vepronte sipas udhëzimeve të komandës së Vjenës. Dikur në Zarë e në katundet e Dalmacisë mori pjesë në disa ekspedita arkeologjike. Aty qe takuar për herë të parë me arbëreshët e Zarës. Ai mallëngjehej me këta banorë, të cilët halli e dhuna i dyndën në veri. Legjendat e tyre e mrekullonin. U dashurua në historinë e në viset shqiptare, ende pa i shkelur këmba.

Arbëreshet të gjitha legjendat nga vendlindja i morën me vete. Ia tregonin shpesh. E ahniste historia e Skënderbeut. Disa banorë të moçëm me bustin e shtatin karakteristik sesi ia ngjallnin fantazinë, si të zbrisnin nga thellësia e shekujve. Ndonjëherë i luste të bisedonin arbërisht para tij, ta ringjallnin kujtimin për atdheun e të parëve.

Të gjitha këto m’i rrëfente netëve me vapë, në hijen e manit të famullisë, të ulur përreth tryezës së vogël, të punuar nga bungu.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 15

I mungonte vetëm gjurma e varrit të famshëm

Në mbrëmje, kur qyteti prehej në gjumë të thellë, ai imagjinonte sesi do të bëhej autor i zbulimit të madh, i varrit më të mistershëm në njëmijëvjetëshin e fundit. Priste që pas zbulimit të shekullit së bashku me arkëmortin do të niseshin në Vjenë.

Disa raporte të kohës shkruanin për arkëmort, disa thoshin se ishte një sarkofag i punuar nga guri i veçantë vendas, të cilin mezi e sollën nga gurorja e Krujës një çetë ushtarësh me karroca të rënda e me buaj Myzeqeje. Pati edhe raporte të cilat flisnin sikur sarkofagu është sjellë nga Republika e Venedikut. Doxhet e senatit e porositën, të lumtur që mund t'i dhuronin diçka mbretërisë shqiptare.

Fantazia e bartte në re. Imagjinonte sesi do të futej triumfalisht në Vjenë, ashtu sikurse futeshin dikur gjeneralët romakë në qytet me plaçkë e robër pas ekspeditash të suksesshme. Sa ishte në Vjenë shpatat dhe përkrenarja e heroit të shqiptarëve iu bë fiksim, i lexonte me vëmendje shenjat e shkurtesat. Aq shpesh qe ndalur para shpatës e përkrenares, jo rrallë e kapte veten në imagjinatën sikur shpata e gjatë vringëllonte në dorën e pronarit të tij, ndërsa vraçi fugonte drejt trupave armike.

Drithërima e përshkonte net të tëra. Imagjinonte mbrëmjeve suksesin e tij, shihte titujt e mëdhenj të gazetave. Askush deri atëherë nuk pati sukses të gjente këtë varr, ai do ta zbulonte. Do t’i falënderoheshin eprorët e dashamirët e historisë, do t’i falënderoheshin vendësit që do ta merrnin vesh pas qindra vjetësh varrin e mbretit të tyre më të lavdishëm. Athua do ta falënderonin vendësit? E shtronte ndonjëherë këtë pyetje, dhe nuk kishte durim të gjente përgjigjen. Ia prishte humorin e mirë që e mbërthente net të tëra.

Të nesërmen ndërsa debatonte me një grup të rinjsh që flisnin gjermanisht, dëgjova t’u thoshte:

-Sidoqoftë, varri i mbretit tuaj ishte më i sigurt në qendër të Perandorisë sesa aty. Shpata e përkrenarja ruheshin në Muzeun Perandorak. Gjetiu do t'i mbulonte pluhuri i harresës e shkrumbi i zjarrit.

Të rinjtë e dëgjonin me vëmendje. Studenti i Romës e kundërshtonte më shpesh, ndërsa “vjenezi” reagonte më rrallë. Të tjerët sikur pajtoheshin me të ose nuk ia prishnin.

Pastaj fillonte vapa që i dëbonte të gjithë. Ai nisi të kotej në tendën e vet.

-E gjeta, është ai!”, dëgjoi zërin e punëtorit. Kokrriza nervore ia përshkonin boshtin kurrizor. U ngrit vrik nga shtrati fushor. Pa u këndellur mirë, pa anash, për të hetuar nga vinte zëri. Por asnjëri nuk e përsëriti fjalën shpëtimtare, nuk shpërthyen zëra entuziazmi, madje askush nuk fliste. Punëtorët vazhdonin ritmin e njëtrajtshëm në pikun e vapës.

“Qenka ëndërr!”, ia tha vetes për ta qetësuar zemrën që i rrihte me rrëmbim. Djersët që i rrëshqisnin gushës ia shtuan sikletin. Megjithatë arriti ta mbyste zhgënjimin e çastit.

Nuk ishte besëtytë, mirëpo sa herë e mendonte gjetjen e varrit, druante se do t’i ndodhte ndonjë e papritur.

Hidhte shikimin nga dielli që i afrohej kufirit të horizontit, ku puqej qielli me detin. Çdo buzëmbrëmje e mrekullonte kjo pamje: qielli i bruztë, dielli i kuq flakë, horizonti që shkrinte nga vapa në të shuar, ndërsa deti e thëthinte dritën e tepërt, duke krijuar dritëhije e imazhe të veçanta. E vlente të digjej tërë ditën në vapën e padurueshme e lagështinë që të futej në mushkëri, për të pritur netët e mrekullueshme dhe mbrëmjet e lektisjes së fshehtë.

Zërin melankolik të këngëtarit nga mejhania e afërt, duke i rënë mandolinës, e plotësonte gjinkalla në pushimet e frazës, apo zëri i largët i katundarit që fliste me një frazë të shkurtër me gjënë e gjallë e me shokun përtej kodrës së zhveshur. I dukej vetja si në botën antike, ku s’kishte prekur dora e vrazhdë e ushtrive.

Ai po e kryente shërbimin ushtarak e misionin si në kronikat biblike. I mungonte vetëm gjurma e varrit të famshëm.

Qendra e paduruar kërkonte rezultate. Komanda ishte e pakënaqur me punën e tij. Ua nxori nga lufta një togë ushtarësh, të cilët vraponin sa nga grupi i gërmuesve te grupi tjetër, duke mbikëqyrur punëtorët, të tjerët në mbrëmje bënin rojë në dy pika arkeologjike. Asnjë shenjë me peshë nuk e njoftoi në Vjenë.

Shqetësimin e tij ma tha të nesërmen. Ai nuk mund të kërkonte më shumë nga punëtorët, sepse nuk qe faji i tyre. Ata ishin mësuar me punë të rënda, kur i angazhonte ushtria austro-hungareze në hapjen e rrugëve, thyerjen e shkëmbinjve, kështu që të punonin me daltë apo kazmë në tehun e shkriftuar nuk i lodhte. Ajo që i mërziste ishte kujdesi në punë. Gërmimi kërkonte përqendrim, duhej vënë në veprim ca vegla të vogla, ndërsa shumica prej tyre nuk dinin të punonin me kujdesin e shtuar, derisa nuk nisnin britmat e austriakëve nevrikë. Punëtorëve asnjëherë të ushqyer si duhet, ushqimi i mensës ushtarake u pëlqente: dy racione në ditë, pushim në mesditë dhe një gotë fërnet në mbrëmje.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 16

Mallkimi i betejës së huaj

Udhëzimet e fundit të eprorëve nga Vjena i thoshin të thyente rregullat e gërmimeve: të kërkonte kryesoren, dëmtimet e vlenin po u gjet kryevarri. Përpiqej t’u kundërvihej urdhrave me monologun që e përsëriste shpesh: ai nuk do ta bënte këtë për asnjë çmim.

-Jam arkeolog, nuk jam aventurist italian apo anadollak që kërkonin flori a shenja mbretërore për muzetë e tyre, ose më keq për tregun e zi, - më thoshte mua, ndërsa mendonte në eprorët e vet, të cilëve sigurisht nuk u përgjigjej në këtë mënyrë.

Punëtorëve sikur u ra intensiteti në punë, u ra kureshtja. Prisnin të gjenin gjëra të çmuara: flori e argjend. Por sa herë e fusnin kazmën më thellë, dilte ndonjë gur i nxirë, copë qeramike apo kockë e drobitur. Në fantazinë e secilit prej tyre, kjo ua përkëdhelte ëndrrat edhe udhëheqjes së ekipit. Për habi shefat entuziazmoheshin kur gjenin ndonjë shenjë hekuri a metali, që s’paraqiste asnjë vlerë për tregun e zi të qytetit, ku njerëzit e konsullatave blinin gjëra të tilla me para të thata.

Sa më shumë i afroheshin qendrës së varrimit, murmurimat shtoheshin. Katedralja, apo ajo që kishte mbetur nga katedralja, dihej nga shumëkush. Për disa qe bërë faltore qysh kur s’mbahej në mend. Por i torturonte pasiguria, nëse prehej a jo trupi brenda. Legjenda aty e përcaktonte varrin e heroit të tyre. Fshehurazi në netët pa hënë luteshin, para këtyre rrënojave, i shtronin kërkesat e tyre, me shpresën se natën e ardhshme e ditëve në vijim do t’u jepej përgjigjja, do t’u plotësoheshin dëshirat. Kështu kishte qenë gjithmonë. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen përjetë e mot.

Thureshin legjenda për këtë varr, fliteshin mrekulli. Njerëzit e të dy besimeve, ata që ndërruan fe dhe ata që e mbajtën fenë e moçme, e shihnin me respekt. Kur nisën gërmimet, të gjithë luteshin që themeleve të katedrales të mos u afroheshin, varri të mos lëkundej, sepse do ta pësonin keq ata që do të vinin kazmat të parët, por edhe ata që jepnin urdhra. Legjenda rrëfente kohën kur erdhën turqit, mësyn katedralen, ua vunë kazmën varreve të vjetra, u sulën si të çartur drejt kështjellës së qytetit, ranë në lumë në kërkim të gjërave të çmuara. Pëshpëritej se të gjithë ata patën fund të frikshëm: e morën malin njëri pas tjetrit me kokën që e mbanin me duar të mos u pëlciste, të tjerët ranë në fushëbetejë me dhimbje të tmerrshme, disa i goditi e liga në familje, u shuan fare.

Ata që rrëfenin, rrëqetheshin. Asgjë e mirë nuk i priste as ata që iu sulën më vonë kryevarrit për të rrëmbyer ndonjë gjësend me vlerë. Fatkëqijtë nuk u kthyen kurrë në shtëpitë e tyre. Goditja e ndëshkimit i kapte rrugës, dergjeshin në guva a gërxhe me trupin e bërë shosh nga plumbat e të shqyer nga ujqërit.

#

Punëtorët e shkalafitur nga vapa gërmonin e shihnin njëri-tjetrin. Pushonin pak, shikonin diellin, pastaj kalimtarët e rastit, përgjonin ndonjërin që u thoshte në të kaluar: pse nuk i lini të vdekurit në paqe? Dikur punëtorët nisën të rralloheshin. Rrinin ata më të këputurit, që s’kishin ku të shkonin. Boshllëqet e krijuara, togeri i plotësonte me jevgjit që i morën nga Podgorica për shtrimin e xhadesë.

Në mbrëmje kur shtrihej në tendën e fushimit, apo ditën kur shikonte nga hija e fikut, ushtaraku austriak përpiqej të konsultonte hartat e planimetrinë e kishës së bashku me terrenin përreth. Përpiqej të gjente objektet e ngjashme, sepse e brente dyshimi. Si do t’ia bënte po qëlluan dy vendvarrime: varri i gënjeshtërt e varri i vërtetë. Ku duhej ta kërkonte varrin e rremë e ku të vërtetin? Nuk e kapte dot. Athua ishte aty ku gërmonte, pranë katedrales? Po në kështjellë? Katakombet e ruanin fshehtësinë e varrit, por edhe fshehtësinë e rrugëtimit nëntokësor për të mashtruar armikun. “Fundja katakombet për këtë qëllim u bënë: të fshihnin diçka që ndëshkohej nga pushtuesi”, i tha vetes.

Kur e hidhte shikimin nga kështjella, kodra i dukej si të qe stisur më vonë, pasi u krijua toka e qielli. Zoti pa se kishte lënë diçka mangu, prandaj hodhi ca gurë e dhe. Hartat topografike nuk e gënjenin. Megjithatë ato nuk i tregonin ku është varri kryesor. Profesori i pati thënë se duhej të konsultonte edhe arkivat shqiptare e turke. Nga Vjena ai nuk e dinte se arkivat shqiptare u zhdukën, nuk gjeti asgjë, i morën të tjerët para tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT