E marte, 19.03.2024, 08:27 AM (GMT)

Intervista » Entela

Entela Binjaku: Xhevat Ilazi - Cilësia fiton gjithmonë!

E merkure, 15.08.2018, 07:10 PM


Xhevat Ilazi: Cilësia fiton gjithmonë!

Nga Entela Binjaku

Ai quhet Xhevat Ilazi dhe jeton në qytetin Noordwijk të Hollandës që prej vitit 1993. Në fillimet e tij ka studiuar për teknik laborant në fushën e mikrobiologjisë, një sektor i ndryshëm nga gastronomia por pasioni për gatimin qëndronte prej kohësh fshehur tek ai.  Gjatë kësaj kohe Xhevati ka pasur mundësinë të gatuajë në restorante nga më të njohura. Ka ndodhur që në vendin e tij të punës të drekojë edhe Princi Aleksandr dhe princeshë Maksima. Prej disa muajsh ai është pjestar i Bussines International Network në Hollandë. Në datat 24, 25, 26 gusht Xhevati do të paraqitet me disa nga specialitetet e tij në eventin me titull “Proef Noordwijk” ku qyteti fton qytetarët të shijojnë nga specialitetet e tij.

Ne zhvilluam një bisedë me të për të mësuar më shumë nga puna e tij dhe fusha që ai lëvron.

z. Ilazi gastronomia profesioniste nuk duhet të jetë një angazhim aq i  thjeshtë. Si ka ndodhur me ju? Kur e gjetët ju këtë drejtim dhe sa i përmbushur ndjeheni me të?

Xh. ILAZI:  Unë kam studiuar  fillimisht për teknik laborant në fushën e  mikrobiologjisë, një sektor i ndryshëm nga  gastronomia por kuzhinën e kam pasur pasion. Në vitin viti 1993 kam ardhur ne Hollandë dhe kam filluar të punoj në një restorant italian, ku nisa si asistent në kuzhinë.  Për shkak se isha shumë i interesuar dhe i përkushtuar, por edhe ndoshta i talentuar munda që në krye të 6 muajve të kryeja detyrat e kuzhinierit. Aq shumë më pëlqente dhe ndjehesha mire! Duke parë që edhe të tjerët ishin të kënaqur me punën time, në vitin 1996 vendosa të shkoj në shkollë për kuzhinierë. Gjatë kësaj kohe kam mësuar shumë!  Punova në një restorant shumë të mirë dhe të njohur  francez: “Allemansgeest”  ku kam pasur rastin ndër të tjerët të përgatis nga gatimet e mia edhe për  princin Aleksandr edhe princeshë Maksimën. Ndërthurja e kuzhinës italiane dhe franceze si dhe imagjinata ime në fushën e kuzhinës mendoj se kanë qenë pikat e mia të forta në kuzhinë.

Sa orë në ditë duhet të punojë një  private chef që te ketë një nivel të mirë?

Xh. ILAZI: Unë vetë  punoj nga 60 orë deri 80 orë ose më shumë në javë.  Në kuzhinë ndjehem si në shtëpi. Për mua është si të shoh një lojë futbolli, e kam pasion. Një shef duhet të jetë i angazhuar në mënyrë të përditshme, çdo ditë të vijë me gjëra të reja.  Është si në futboll, nuk mund të jesh futbollist i mirë nëse nuk ushtrohesh.

Ka mjaft njerëz që nuk i japin rëndësi përgatitjes profesionale në teori, por mendojnë se tek gastronomia ka më shumë rëndësi në praktikë. Ju si mendoni? Cili është roli i teorisë dhe historisë së gastronimisë në përgatitjen e një shefi të mirë?

Xh. ILAZI: Është pyetje me vend.  Një italian më thoshte: “ Unë gatuaj siç gatuante gjyshja ime”. Mendimi im është se nuk mund te jesh kirurg i mirë nëse gjyshi ka qenë kirurg i mirë, pa studiuar në këtë drejtim. Unë kam shumë respekt për ushqimin tradicional. Përshembull disa element duhet të mësohen: në çfarë temperature duhet ose kryhet një proces, cilat produkte e përbëjnë etj.  Ndaj një shef duhet të  nxehë  së pari karrigen duke mësuar e  më pas  tiganin!

Sipas mendimit tuaj si konsiderohet ky profesion në hapësirat tona? Cili është sipas jush roli në shoqëri i një guzhinieri?

Xh. ILAZI:  Të jem i sinqertë jam shumë i befasuar në këto 10 vitet e fundit si ka përparuar kuzhina në Kosovë edhe Shqipëri, sidomos kur ke restorante që të gjitha i kanë nga kopshti i vetë. Ky është një problem gjithandej sepse nuk e di se çfarë produkti blen për të gatuar.  Mund ta merni me mend që gjyshërit tanë kanë konsumuar më shumë ushqime natyrore edhe biologjike sesa ne, në këtë kohë.  A nuk është e tmerrshme ta mendojmë se nuk dimë se çfarë mishi ju japim  fëmijve tanë nuk dimë si është rritur p.sh. ai produkt, çfarë hormonesh ju jepen  vetëm që të rriten shpejt. Në treg ka  shumë produkte që nuk guxojmë t’i përdorim, kanë shumë mbeturina kimike, hormone, që mbas një kohe mund te jenë edhe shkaktarë të sëmundjeve të ndryshme. Në firmën time të cateringut jam shum i kujdesshëm në këtë drejtim.  Punoj me produkte natyrale, biologjike, të freskëta. Për fat këtu ku jetoj me vlerësohet kjo.

Cila është rëndësia që ka edukata kulinare në shoqërinë bashkëkohore?

Xh. ILAZI:  Po, fatmirësisht edukata kulinare kohët e fundit ka marrë drejtimin e duhur, por duhet bërë shumë më shumë! Mendoni, para disa kohësh nëse të pyeste dikush në trevat tona me çfarë pune merresh,  po t ’i thoje “në kuzhinë” nuk do të lije  asnjë përshtypje. E kundërta,  po të thoje se punoje  në një  fabrikë të BMW- së pa marrë fare  parasysh çfarë pune, do të ishe shumë më interesant. Në vendet tjera do të ndodhte e kundërta. Aq më shumë kur mendon se shëndeti ynë thuajse varet nga çfarë konsumojmë e me çfarë ushqehemi.  Duhet t ’jua  përcjellim brezave të rinj këtë.  Po të shohim një fëmijë në Afrikë nga uria dhe nga mungesa e vitaminave ka barkun e madh, por nëse shohim një fëmijë diku në Evropë me mbipeshë edhe ai ka të njëjtin problem si fëmija në Afrikë, si rezultat i ushqimit të gabuar. Ne si shoqëri duhet të bëjmë më shumë qe brezat e rinj t’i motivojmë si te ushqehen mirë e drejt.  Shëndeti ynë varet prej kësaj.  Mua vjen mirë që kam arritur që kur shkoj me djalin në dyqan Albioni 13 vjeç merr jogurtin ose vezët e freskëta, lexon në përbërësit se çfarë përmban ushqimi.  Sepse shëndeti varet nga mënyra e të ushqyerit.

Fine dining, gourmet, meny bistro, street-food këto janë terma të rinj për amatorët e ushqimit të  mirë.  Po ata që i përdorin i dinë vërtetë kuptimin apo thjesht gjejnë emërtime që tingëllojnë interesante?

Xh. ILAZI:  Në kuzhinë  mësohet të punohet me terma francezë, kjo është gjuha e kuzhinës.  Është si latinishtja për mjekësinë. Termat e tjerë vijnë sipas shoqërisë, popullaritetit që marrin apo sipas vendit nga ku lindin disa receta.

Cilat janë disa nga njohuritë minimale që duhet të ketë dikush që shkon në një restorant apo që kërkon një shërbim catering?

Xh. ILAZI:    Mendoj se në këtë kohë është shumë e lehtë të gjesh atë që dëshiron. Të gjitha mund të gjenden. Mendo vetëm komentet apo recenzat që njerëzit lënë nëpër faqet e webit apo fb. e restoranteve të cilat flasin shumë. Sot çdokush duhet të dijë çfarë do si dhe çfarë të presë nga një restorant ose catering.

Gastronomia shqiptare duket sikur është e vështirë të trajtohet nga guzhinierët. Disa përgjigjen në mënyrë klasike se nuk kemi shumë gjëra tonat, se kemi marrë hua nga të tjerët. Po pse mendojmë kështu dhe çfarë duhet bërë që të mos jetë më ky mendim?

Xh. ILAZI: Po është e vërtetë që kemi huazuar nga të tjerët.  Sikundër ka ndodhur që edhe në gjuhë kemi shumë barbarizma.  Kjo vjen si  rezultat që me shekuj kemi qenë në pushtim  të Turqisë, ndikimit të Greqisë e  shteteve sllave,  po edhe nga emigrantët qe kanë sjellë specialitete të ndryshme. Unë nuk mendoj se nuk kemi gjërat tona. Kemi shumë specialitete tradicionale por është detyra jonë si kuzhinierë që duhet t’i marrim ato specialitete në mënyrë profesionale dhe t’i kthejmë në specialitete kulinare. Kur shkoj në Kosovë motra më gatuan një specialitet që është mish furre me miell  misri. E kam  përgatitur këtu ku jetoj në catering vetem se me paraqitje tjetër.  Te them të drejtën ka qenë specialiteti më i kërkuar atë ditë edhe ndjehesha shumë mirë kur jua  shpjegoja se çfarë ishte.  Kur ne kuzhinierëve shqiptarë na pëlqejnë specialitetet tradicionale, pse të mos punojmë me to, t’i rikthejmë në specialitete bashkëkohore e te krenohemi me to si p.sh. italianët që mburren me pizza edhe pasta.

Si ju gjejnë klientët?

Xh. ILAZI:  Mendoj se cilësia fiton gjithmonë! Nëse njerëzit janë të kënaqur ata e përcjellin më tej këtë dhe kjo është reklama më e mirë. Unë jam edhe anëtar i BNI që është rrjeti më i madh i biznesit në Hollandë dhe në vende të tjera të botës. Si anëtarë ne jemi biznese të ndryshme që kujdesemi të gjejmë punë për njeri-tjetrin ose dhe krijojmë mundësinë të bëjmë biznes mes nesh. Nga ky rrjet kam gjetur përfitim dhe jam shumë i kënaqur me kolegët. Jemi si një familje e madhe që kujdesemi që secili të ketë punë. Edhe marketingu online na ka ndihmuar shumë sepse klientët të drejtohen edhe nga mënyra sesi e prezanton biznesin. Ndaj gjithëkush dëshiron të shohë gatimet e mia mund edhe të vizitojë faqen:  www.catering-bollenstreek.nl



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora