E shtune, 24.08.2019, 02:36 PM (GMT+1)

Reportazh

Vlora

E shtune, 19.02.2005, 12:40 AM


Vlora, e papërsëritshme...

Disa qytete kanë aftësinë të të rrëmbejnë! Krijohet për to një realitet paralel me histori dhe personazhe karakteristike, të cilat kthehen në simbole të qytetit dhe e bëjnë të famshëm. Vlora është e tillë.

Nga Tirana udhëtimi nuk është i mundimshëm: hyrja në Vlorë dallohet nga ullishtet e bukura që shtrihen në kodrat rreth saj. Prej andej duket qyteti si i zhytur si në gropë dhe pasqyra blu e detit e bën shumë tërheqëse pamjen. Pavarësisht historive me maska, rruga në hyrje të Vlorës, rrethuar me ullishte dhe mozaikët në gur me temë “realizmi socialist” krijojnë një atmosferë të këndshme ëndërrimtare për qytetin që duket nga larg. Pasi zbret kodrën, rruga vazhdon drejt brenda zemrës së qytetit: shenja më e saktë se jeni brenda në qytet është statuja e famshme e Ismail Qemalit në Sheshin e Flamurit.

Po në atë shesh ndodhet edhe Xhamia Muradie. Është ndërtuar ndërmjet viteve 1542-1557 nga arkitekti Mimar Sinani, themeluesi i arkitekturës klasike osmane. Në mes të qendrës së zhurmshme xhamia e rrethuar nga një gardh dhe pemë është një vend paqësor. “Një ishull qetësie” përshkruhet nga James Petiffer në Guidën Blu të Shqipërisë. Lagjja e xhamisë është edhe më e vjetra e qytetit; është një përplasje e dhunshme e kulturave: pazari i vjetër turk ecën rrethuar nga ndërtesa të stilit austriako-italian. Ndërtesa shumë të veçanta, por pothuaj të rrënuara. Të vjen keq kur sheh një nga pjesët me turistike të qytetit të shkatërruar nga moskujdesja e atyre që banojnë vetë në atë qytet.

Kodra e Kuzum Babasë
Nëse gjendeni në qendër të Vlorës, mjafton të ngrini sytë lart për të dalluar një nga pikat e hershme turistike në qytet: kodrën e Kuzum Babasë. Thuhet që ai është vend i shenjtë. Ka dy mënyra për t'u ngjitur deri në majë: në këmbë ose me makinë. Mënyra e parë do t'ju merrte minimalisht 20 minuta me ecje normale; kështu do ta shijoni pamjen që shfaqet hap pas hapi. Por edhe me makinë - pa u lodhur - pamja shijon njëlloj. Prej andej duket i gjithë Vlora: ndërtesat, porti dhe pasqyra e shndritshme e detit (presupozohet një kohë me diell). Është vendi ideal për të shkrepur fotografi. Nuk mungon aty edhe një bar-restorant për të kaluar drekën ose darkën.

Pranë detit, pranë mbretit...
Mjafton të ndjekësh rrugën kryesore dhe do të arrish te bregu i detit. Por ëmbëlsira lihet për në fund! Edhe pse rruga është me pluhur, nëse është kohë e mirë, ju këshillojmë të ecni në këmbë, kështu do të mësoni shumë për vendin dhe vendasit, por do të keni mundësi edhe të blini diçka nëpër dyqanet më të mira të qytetit; ose të provoni ndonjë ushqim sepse në Vlorë shumica e ushqimeve janë prodhime vendase, si: vaji i ullirit, djathi apo mishi.

Gjatë rrugës mund të shohësh ndërtesat e vjetra të qytetit, si: teatrin “Petro Marko” apo ndërtesën e Muzeut Historik të qytetit. Pallatet e reja janë ndërtuar radhë: kanë një stil të veçantë në krahasim me ndërtimet e reja që janë bërë në qytete e tjera. Janë pallate të larta dhe të bardha (thonë që e bardha është ngjyra e preferuar e gangsterave), me forma të valëzuara. Një ndjenjë bonsesni besoj i ka bërë ndërtuesit e pallateve të kënë kujdes për harmoninë e godinave të reja mes njëra-tjerës; këtë mund të quajmë si pjesën më moderne të qytetit. Sidomos për shkak të qendrës se re tregtare “Riviera”, tek e cila mund të kalohen dy orë të këndshme, duke parë dyqanet ose duke ngrënë një drekë në restorantin që ndodhet brenda saj. Po në atë zonë gjenden edhe lokale të tjera, ku mund të pihet kafja duke shijuar pamjen nga deti. Po në zonën e Skelës gjendet edhe shtëpia historike ku është ngritur flamuri nga Ismail Qemali.


Pak histori
Vlora njihet edhe me emrin e vjetër të saj Aulon, e pagëzuar kështu nga kolonistët helenë që në antikitet. Gjatë Mesjetës, quhej Avlonya. Pas themelimit të qytetit të vogël Avlon (me kuptimin kanal) preu monedhat e veta dhe fuqia e tij shtrihej deri në zonën e lumit të Vlorës. Rëndësia e qytetit u rrit sidomos me rënien e Apolonisë, pas ndryshimit të rrjedhës së lumit të Vjosës, prej një tërmeti të rëndë në fund të shekullit III e.r. prej shek. V kishte edhe nje peshkopatë, pasi njëlloj si Durrësi u bë qendër e rëndësishme krishtere. Qyteti ka njohur shumë pushtime që nga antikiteti deri në luftërat botërore, mund të thuhet se ka pasur shumë pak periudha kur ka qenë e lirë. Ka qenë një nga qendrat e vendosjes së çifutëve në Shqipëri; rreth viteve 1519-20 kishte 609 familje çifute të ardhura në Vlorë kryesisht nga Spanja. Në zhvillimin e saj ka njohur ulje dhe ngritje të mëdha deri në shek XIX dhe fillimi i shek.XX, kur filloi të merrte rëndësi të madhe si port.

Sigurisht ngjarja më e rëndësishme për shqiptarët që lidhet me këtë qytet është ngritja e flamurit dhe shpallja e Pavarësisë më 1912, kur rrjedhimisht ky qytet u kthye në selinë e qeverisë së parë të Shqipërisë së pavarur. Sinagoga e vetme në Shqipëri ndodhej pikërisht në këtë qytet, por u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vlora kujtohet si qytet sidomos për luftërat e saj, si ajo e vitit 1920, pastaj kryengritja e vitit 1924 kundër Zogut. Gjatë regjimit komunist ajo u bë e famshme sidomos për konfliktin mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, i cili kishte investuar ne qendrën ushtarake të vendosur në ishullin e Sazanit. Veç të tjerave ky qytet preferohej nga Enver Hoxha, i cili ftonte në shtëpinë e tij verore shumë personalite të njohura të kohës. Historitë më të reja të luftës vijnë nga '97, vit në të cilin çdo media e huaj përmendi Vlorën dhe rebelët e saj. Sot gjendja është më e normalizuar, mund të ecësh vetëm në rrugë, edhe pse je femër, pavarësisht se shpesh do t'ju duhet të duroni ashpërsinë e karakterit vlonjat.

Zvërneci dhe laguna e Nartës
Dita kalohet këndshëm duke e zbuluar Vlorën dhe rrethinat e saj: përmes pyllit të pishës nga veriu i qytetit dhe gjatë një gadishulli ranor të fshatit të vjetër turistik të Zvërnecit. Rreth 13 km larg qytetit - me një pozicion mjaft të bukur në majë të një kodre - Zvërnecit i shtrihet përballë një tablo tepër relaksuese: laguna e Nartës dhe një hapësirë deti pak a shumë e gjerë, e mbyllur dhe e rrethuar nga duna rëre. Pasi arrini qendrën e fshatit, duhet të ngjisni kodrën për rreth 200 m; prej andej duken pamjet më të bukura të bregut të Adriatikut: poshtë kodrës përmes ullinjve të shpërndarë deri te gadishulli i vogël, i lidhur me tokën me anë të një delte të vjetër, që përfundon në tri kodra majft të vogla, por tërheqëse, të cilat e rrethojnë në gjerësi lagunën. Brenda lagunës ka dy ishuj, më i madhi i pyllëzuar me qiparisa rreth 800 m me 100 m; ndërsa ishulli më i vogël ndodhet në veri, rreth 150 m me 100 m. Nga ana veriore e lagunës një bisht i gjatë dhe i hollë toke ranore del në detin e hapur me dy ishuj të vegjël 150 m brenda në det, kurse përtej vijnë kodrat binjake të ishullit të Sazanit. Kjo tablo ka ngecur e tillë për qindra vjet, ndaj edhe të krijon përshtypje të veçanta, sidomos pamja e masës së errët të gadishullit të Karaburunit.

Historia e Zvërnecit tregon për lashtësinë e tij. Ka qenë port tepër i frekuentuar në periudhën e lashtësisë dhe në Mesjetë. Në atë periudhë njihej me emrin Spinarica, kur për një kohë të shkurtër e mbajtën nën drejtim Anzhuinët e Sicilisë. Me pushtimin turk pushoi së ekzistuari si një qendër e rëndësishme portuale. Afër fshatit janë gjetur mbetje parahistorike, ndaj mund t'u interesojë edhe të apasionuarve të arkeologjisë.

E bukura Amantia!
Rreth 31 km nga Vlora ndodhet qendra arkeologjike e Amantias: gërmimet kanë zbuluar skulptura ilire tepër të bukura, që sot gjenden në muzeun e Tiranës, si dhe rrënojat e ndërtimeve ilire, helenistike, duke përfshirë një anfiteatër unikal. 5 km nga fshati i Drashovicës (rrugës për në Tepelenë) ndodhet fortesa kodrinore e Zharrës. Ndiqni rrugën për në Kotë (8 km), ku rruga kapërcen lumin dhe vazhdoni majtas (7 km) për në fshatit Vajzë. Amantia ndodhet në majë të një kodre konike të zhveshur në të majtë të rrugës kryesore, pothuaj 4 km larg Vajzës.

Fshatrat e bregut të lumit të Vlorës
Një udhëtim interesant do të ishte përshkrimi i fshatrave të Bregut të Lumit të Vlorës; secili nga këto fshatra ka një histori të vetën për të treguar pasi vlonjatët mund të të mbajnë net me radhë, përpara një sofre me mish dhe raki, duke treguar dhe duke treguar histori. Është një mënyrë tradicionale e të konceptuarit të qejfit, sidomos për burrat. Natyra u ka falur këtyre fshatrave një bukuri pothuaj përrallore: janë vende të egra, por plot sharm; përzier me një hije të rëndë, që tregon diçka nga karakteri i lebërve të asaj zone. Dua të veçoj këtu fshatin e babait tim, Tërbaçin. Ndodhet në rrëzë të malit shkëmbor të Tranajoit dhe ata që e shohin për herë të parë e kanë përjetuar si një bukuri tronditëse; veç të tjerave aty piqet mishi më i mirë në gjithë Labërinë.

Ku të zini vend dhe të hani
Kjo nuk do të jetë problem pasi bizneset kryesore në Vlorë janë dyqanet, restorantet dhe hotelet. Në qendër të qytetit mund të gjenden dy-tre hotele të rregullta, por asgjë e jashtëzakonshme. Janë të lira 100 për person, por të pastra. Hotelet dhe shtëpitë private të disponueshme mund t'i gjeni rrugës së bregdetit, duke vajtur drejt Orikumit. Hotel “Bolonja” është i këshillueshëm, por më i shtrenjtë, sidomos sezonin e nxehtë. Nëse zbrisni në qendër dhe jeni të uritur, në trotuarin e djathtë, duke zbritur nga Skela (përballë stacionit të autobusëve) ndodhet një fast-food i mirë. Gatimet aty janë të shumëllojta, majde edhe gatime si nga dora e shtëpisë. Pastaj restorantet dhe baret me të mira ndodhen përgjatë rrugës që të çon në lagjen e Skelës. Çmimet përgjithësisht nuk janë edhe aq të lira, pothuaj njëlloj me Tiranën.


(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Saranda

Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT